DR.MOIKOM ZEQO: EQREM ÇABEJ – PAVDEKËSIA E NJË KRYEMËRI

Tiranë, 27. 06. 2014 – Kur Maksimilian Lamberci ishte i gjallë, në 80-vjetorin e lindjes, e përshëndeti edhe Eqrem Çabejn me vargun e poetit austriak Ottokar Kernstock: qëndro i ri! Tani vetë Çabej mbush 116 -vjetorin e lindjes, por është i vdekur – më falni, kinse i vdekur, e përsërit diku, në ato vise të amshimit që ne të gjallët e rëndomtë nuk i dimë vargut naimian: “Jam i gjallë e jam në jetë”, e kjo do të thotë se ai rinohet pambarimisht.
Ja, që retorikat sado sqimatare, jubilare, kozmetike, janë një zell i tepruar, ose edhe i shpërdoruar nëse nuk përcaktojnë thellësisht, në substancë, njeriun dhe dijetarin e papërsëritshëm më.
Mbyllja fizike kalendarike e jetës bën që të na mungojë përjetësisht ajo që ai nuk na i tha dot, ato miniera të mendjes që i mori me vete, apo praninë e tij të domosdoshme njerëzore. Por megjithatë Çabej nuk na ka lënë pak, por ndoshta më shumë nga çdo shqiptar i ditur që ka rrojtur ndonjëherë në këtë botë.
Trashëgimia e tij shkencore dhe kulturore është e pashembullt. Asnjë intelektual shqiptar nuk mund të krahasohet me plotërinë dhe akribinë e Çabejt. Ai krijoi një strukturë të fuqishme mendimi, ose atë qendër inkandeshente pa të cilën nuk ka asnjë sferë, pavarësisht nga diametrat, të botëkuptimit dhe të vetëdijes së kombit shqiptar.

Eqrem Çabej (1908 -1980)

Çabej lindi në qytetin fantazmagorik të Jugut, në Gjirokastër, por ai lindi në të vërtetë në gjuhën shqipe, lindi pra brenda materies më të stërlashtë dhe më të pavdekshme, tingëllore dhe shpirtërore, më përfaqësuesja dhe më bashkuesja për të gjithë ne shqiptarët. Lindja në gjuhë është e gjithëkombëtarshme, ndoshta për secilin, por jo njësoj si për Çabejn.
Emri i Çabejt u bë çelësi i famshëm i Davidit që mbyll e hap epoka, kohëra, hapësira, kuptime etj. Krijimtaria kolosale, zeniti i një intelektualiteti kaq të lartë, i këtij njeriu, janë kaq transformuese por dhe kaq të papërsëritshme në qytetërimin dhe kulturën shqiptare. Vështirësia për t’u shprehur për të është e përhershme, jo aq për të thënë formula përcaktuese ose shpjeguese, të stërmençura ose edhe fare të thjeshta dhe hipokrite, sesa për ta kuptuar atë siç e meriton, se meriton kaq shumë jo si jetë vetiake por si dukuri e tërëfuqishme, sozi e gjuhës amtare.
Më konkretisht, më i dimensionuar, Çabej u formua që në moshë të hershme në një vend dhe te një kryesintezë e çuditshme sintezash të mëdha.
Në rrafsh të brendshëm paraardhës shqiptarë më të spikatur si Frang Bardhi dhe sidomos Kristoforidhi por edhe një çetë shkrimtarësh edhe mjeshtrash të gjuhës shqipe që nga Buzuku, sidomos rilindësit, studiuan dhe zbuluan sekretin e forcës krijuese të shqipes, madje edhe të shkencës gjuhësore. Ata janë paraçabejanë shumë të nderuar dhe Çabej i studioi ata si pakkush.
Në rrafsh ndërkombëtar në Evropë dija gjuhësore me shkollën e gjuhësisë krahasimtare bëri çudira edhe për studimin e shqipes, të zbulimit të natyrës, të klasifikimit të kësaj gjuhe të stërlashtë indoevropiane por pa lidhje me “motrat (ose thjeshtrat) e saj sanskrite” sipas Bopit, një gjuhë e veçantë, tipike, një dinozaur gjuhësor i stërlashtë që mbijeton e lëviz i vetmuar e shpesh i papërfillur në pllajën e qytetërimeve të vjetra e të reja të botës. Çelësat konceptuale të Bopit hapën shumë enigma dhe një gjedhe e paepur gjuhëtarësh të shquar e studiuan të mahnitur shqipen.
Kështu lindi disiplina e albanologjisë shkencore me një metodikë të thukët e të rreptë, pjesë e strukturës madhështore të indoeuropianistikës, që shkatërroi mitet dhe paragjykimet e vetëshpallura si dije.
Vjena në këtë lak kohor qe si të thuash Venediku i gjuhësisë moderne dhe i albanologjisë, shumëdimensionaliteti i të cilës është më tepër se sa vetëm gjuhësia për shqipen. Në këtë kryeqendër u formua Çabej si dijetar. Hahni, Kreçmer, Patchi, e sidomos Jokli qenë prijatarët e albanologjisë. Konceptet e gjuhësisë krahasimtare dhe më pas të gramatikanëve të rinj, me përplasjet midis tyre, do të çonin që nga binomi “sendet dhe fjalët” të kalohet në teorinë sosyriane të gjuhës si sistem, si tërësi dhe tek metodat e sakta të ftillëzimit e të kuptimshmërisë së fjalëve, në studimin diakronik dhe sinkronik të gjuhës në unitet. Çabej i ka përjetuar këto me një vëmendje dhe jo vetëm me vëmendje por dhe me një talent të madh; me një këmbëngulje titanike ai arriti caqe madhështore: bashkoi dhe shkriu rrafshin kombëtar me atë ndërkombëtar të studimit shkencor të përparuar të shqipes, me përparësinë e tij të lindjes natyrore si shqiptar e që e kishte shqipen gjuhë amtare. Kjo ishte një punë dhe vepër prej mjeshtri.
Por me kthimin në Shqipëri për gati gjysmë shekulli Çabej u bë albanologu më i madh i gjithë kohërave – përcaktimi është i Lottit, dhe pika e rëndesës së albanologjisë u zhvendos dhe u bë për herë të parë vetë Shqipëria. Kjo ishte një punë dhe vepër prej kryemjeshtri.
E për më tepër Çabej s’ishte dhe nuk mbeti i vetëm, ai mësoi nga prijetarët e mëdhenj, u bë vetë prijetar i madh dhe mbetet me sa duket më i madhi gjuhëtar shqiptar.Sigurisht!
Opusi çabejan është Aurum Vademecum i kulturës dhe kombit. Çabej ka qenë protagonist i disa institucioneve unikale të dijes i gjuhësisë historike albanistike.
“Mësuesi i Popullit” ai qe kryesor në institucionalizimin me nivel të lartë të arsimit kombëtar e sidomos të Akademisë së Shkencave e do të mbetet mbase për shumë kohë përfaqësuesi më i madh e më i denjë i saj.
Çabej është kryesor edhe për institucionalizimin e gjuhës letrare shqipe. Ai shprehej me vërejtje therëse për dialektofobinë, por ai me një mendje tejet të kthjellët punoi për gjuhën letrare normative, për kushtetutën gjuhësore por edhe ekzistenciale të qytetërimit shqiptar. Për Çabejn nuk mund të ketë qytetërim shqiptar nëse ai nuk është një qytetërim gjuhësor.
Teoria shkencore e vijimësisë së shqipes nga ilirishtja por edhe me elementë trakë po jo në mënyrë sempliste siç mendohet shpesh, është kryetemë e studimit dhe kritikës së Çabejt. Ai bën edhe në këtë lagje të ndërlikuar idesh dallimin e rëndësishëm se “vendimtare është gjuhësia më shumë se arkeologjia prehistorike, se objektet materiale nuk janë aq pasaporta etnike sesa gjuha”. Nisur nga parimi matematik i kalimit prej së njohurës drejt së panjohurës Çabej bëri kudo punë pionieri, në gramatikë, leksikologji, fonetikë, tekstologji, folkloristikë, mitologji etj. Studimi i tij për “Mesharin” e Buzukut është një kryevepër e rrallë udhërrëfyese – dhe vetëm kjo do të mjaftonte ta pavdekësonte atë.
Fjalori ose enciklopedia etimologjike e Çabejt përcaktohet nga krahasimi etimologjik me analogjinë fonetike e me rregullat, ligjet fonetike, me strukturën morfologjike dhe fjalëformimit, me historinë e brendshme të fjalës, larg etimologjisë fantastike, ose të sharlatanizmit të pseudofilologëve të cilët sipas vërejtjes shpotitëse të Çabejt “vishen secili ala Perrot për karnaval”.
Për fat të keq Perrotë qesharakë të gjuhës dhe kulturës janë kudo, Perrotë liliputë, xhuxhmaxhuxhë antikombëtarë dhe arlekinë analfabetë!
Sekreti i krahasimit është shkenca e të menduarit, dialektika e ideve të Çabejt. Jo krahasimi i përputhjeve të jashtme por ai i brendshëm kuptimor. Çabej e universalizoi këtë dhe dyshimin shkencor kartezian e bëri shtytje për zbulim dhe jo ngurrim apo mbyllje të sendeve dhe të situatave.
Çabej ishte dijetar prej race, ai të kujton krijuesit e sistemeve kozmogonike dhe bëri në njëfarë mënyre kozmogoninë e gjuhës dhe të historisë kombëtare.
Ka që e kërkojnë gjeniun shqiptar, e kërkojnë por nuk e gjejnë. Ja, gjeniu! Mos na ka bërë mosbesues modestia e tij shembullore, sjellja e tij fisnike, puna e pambarimtë dhe vuajtja sokratike? E kishim dhe nuk e kemi më. Ose e kemi ende po nuk jemi dot si ai.
Shpirti i tij është kudo. Lum kush e thith në inde dhe zanafillon të vërtetat!
Çabej është nismëtar lakonik i studimit të letërsisë së krahasuar, por dhe në pikëpamje estetike.
Dy esetë e tij për Lasgush Poradecin dhe Gjergj Fishtën janë gati testamentale. In memoriam-i për Nolin që e bëri Çabej ka një tezë të guximshme që thotë se “Noli ka diçka demoniake e cila është mbase vetia e parë e njeriut krijues, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus e marrëzisë së poetit të vërtetë”.
Çabej ka qenë edhe vetë poet dhe shqipërues i rrallë. Sonetet e tij origjinale presin të shohin dritën e botimit. Njohim disa shqipërime të tij nga poetë botërorë, por nuk kemi në dorë dhe nuk njohim përkthimet e Çabejt nga shqipja në gjermanisht të poezive të Lasgush Poradecit për të cilat në një letër, në 17 prill 1940, nga Vjena N. Jokli i shkruan me admirim.
Kultura shumëduarshe e Çabejt spikat edhe në referencat e tij për muzikën (poezinë naimiane nga ajo lasgushiane e dallon si një pjesë bethoviane nga një mozartiane), nga piktura (përmend clair obscure të Rembrandit apo Mark Bazaitin, piktor shqiptar në Venedik, që e zbuloi së pari Frans Babinger).
Edhe aty ku duket se ka vakuum Çabej e sfidon dhe krijon kudo mikrobotë.
Në vitet 30-të kultura shqiptare pati një “alba quadriga” Çabejn, Poradecin, Budën dhe Luarasin. Secili prej këtyre emrave është botë më vete.
Shumë thënie të Çabejt janë aksiomatike. Thënia e tij se “qëndrimi i ndërmjetëm midis lindjes dhe perëndimit, bashkuar me ruajtjen e ngulitur të natyrës së vet etnike i ka gdhendur Shqipërisë fytyrën e saj të veçantë”, shpjegon ndoshta tërë historinë tonë.
Çabej përdor edhe kriticizmin emancipues kur mendimit të Fallmejerit që e quan Shqipërinë “vend i vullnetit të fortë dhe mendjes së shkurtër” i shton edhe mendimin e tij se “ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbimin se sa të rrijë e të mendojë”.
Komenti është absolutisht i tepërt. Rrëqethëse është e vërteta, paradoksi, mësimi, apeli. Janë edhe dy pika madhore në lartësi për ta kuptuar Çabejn.
Ai deri më sot krijoi konceptin më universal të lidhjes së përbërësve të gjuhësisë, gjeografisë, historisë, folklorit, arteve të kultivuara në një të vetme për njësinë e kombit shqiptar që me njësinë e gjuhës e pasqyron të gjitha. Kjo ndërlidhje edhe në kulturat dhe qytetërimet e tjera është hullia e një aksioni kolosal.
Pika tjetër është stili i Çabejt, jo stili i stilistikës së rëndomtë.
Stili i Çabejt është një nga stilet më të mëdha dhe të veçantë të kulturës sonë ku lakonizmi gjuhësor ka edhe estetikë gjuhësore. Për të fjalët janë mikrokozmose ku janë makrokozmoset.
Fundi i shekullit të 20-të solli zhvillime të hatashme të linguistikës – Çabej është në harmoni dhe jo në kontrast me to. Ai që herët ka shkruar për një rol të veçantë të antropologjisë në gjuhësi.
Antropologjia gjuhësore sot është mbizotëruese dhe gjuhëtarë të tillë si Eduard Sapir dhe Çomski do të ishin dakord me këtë mendim të hershëm të Çabejt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura