DR.MOIKOM ZEQO: HIMARA – GJENEZA E ‘MILOSAOS’ SË DE RADËS

 Tiranë, 29. 03. 2014 – De Rada i madh nisi ta shkruajë kryeveprën e tij të pavdekshme “Këngët e Milosaos” në vitin 1833. Tepër i ri, i hajthshëm dhe delikat, kurioz dhe kërkimtar, i pavendosur, i dyzuar, por dhe vizionar De Rada, i frymëzuar nga baladat e mahnitëshme arbëreshe ravizoi një roman poetik të hatashëm nga të gjithë pikëpamjet. Ai nisi të shkruajë fragmente të veçanta në formën e një ditari vetiak, jo të përcaktuar për publikim. Duke dashur të thellohet në misteret e gjuhës arbëreshe, një variant gjuhësor i shqipes në epokën kastriotase para pushtimit otoman, ai zbuloi disa struktura arkaike të lashta të ngjashme me ato të të kristaleve dhe gurëve të çmuar. De Rada e ndjente, që gjuha arbëreshe qe shumë pranë katastrofës së zhdukjes së saj. Për shekuj të tërë kjo gjuhë kish mbijetuar falë dhe një lloj mbylljeje në vetvete, apo të një konservimi strukturor të brendshëm. Ky karakter ishullor i gjuhës arbëreshe nuk mund të qe përfundimisht i amëshuar. Komunitetet arbëreshe e kishin gjuhën e tyre si gjuhë orale, kurse si gjuhë e shkruar ajo mund të lartësohej në një etapë të re, me gjasa për të mbetur përfundimisht, duke zevëndësuar kështu konceptimin e amëshimshmërisë të paktën në formën tekstore.

Jeronim de Rada (1814-1903), poet, publicist, folklorist, filolog, themelues i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, Mesues i Popullit. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Botoi revistën “Fjamuri i Arbrit” (1883-1885). Zhvilloi veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore, i kushtoi vëmendje prejardhjes së Shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur letërsinë e tyre… etj.

* * * * * * * * * *

De Rada u bë pishtarmbartës i gjuhës arbëreshe të shkruar, pra i arbërishtes si libër si një status i veçantë i mbamendjes kombëtare. Procesi i krijimit të “Milosaos” i ngjan një procesi endemik, më saktë biologjik. Më ka mbetur në mendje një shprehje e arbëreshit të ditur Domeniko Mauro, i cili e ka krahasuar stilin e De Radës “me mëngjesin e vrapimit të një kali”. Ky përcaktim i mrekullueshëm ka të bëjë jo vetëm më plotfuqishmërinë e natyrës rusojane, por sidomos me lëvizjen e një qënie të gjallë mes qiellit dhe tokës, një lëvizje e vetëtimtë e vizioneve të pafundme. “Milosao” u shkrua kur poeti qe 18 vjeç. Më 1936 “Këngët e Milosaos” përfshinin në botimin e librit 30 këngë (kangjela) dhe tre vjershëza (që De Rada i quan graxeta, ndoshta që këndoheshin nga gratë). Fillimisht De Rada e botoi romanin poetik me titullin “Poezi arbëreshe të shek XV”. Ai dëshëronte të mbetej anonim dhe krijimin e tij ta quante si një krijim të popullit. Menjëherë u kuptua se ky libër qe kultivimi fin, i përsosur dhe i veçantë i një poeti shumë të madh, në një moshë shumë të re, siç qe De Rada. Ky libër do të bëhej kali i lavdisë dhe i famës së tij të pashtershme. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vragjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”. Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri ka këtë kushtim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)”.
Më 1847 Milosao botohet me titullin ”Poezi arbereshe”, janë 39 këngë të përfshira, shtohen dhe 5 vjershëza (graxeta). Botimi merr një arkitekturë të re, formën e ditarit, duke vënë në krye të çdo kënge ditën dhe muajin, vitin e ngjarjes.
Në botimin e vitit 1873 përfshihen këngët e botimit të dytë me përjashtim së Këngës së XI, por ka dhe shtesa të disa këngëve të reja. Interesant është se në këtë botim është hequr epigrafi i Pindarit dhe janë vënë vargjet popullore :
Sytë e saj një mijë dukat
Vetulla po aq
Vetë ajo gjithnjë jetë.

Duket që është një dedikim dashuror, për vajzën e zemrës, reale, ose të imagjinuar.
Në të gjithë historitë e letërsisë shqipe, në të gjitha botimet e “Milosaos” thuhet se Milosao qe dhespot i Shkodrës. Ky titull është bizantin i përdorur në Jug të Shqipërisë. Një të tillë e kanë përdorur fjala vjen Muzakajt. Në botimet e famshme të Dhimitër Shuteriqit dhe Andrea Varfit, që kanë përshtatur “Milosaon” nuk hidhet dyshimi se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës, qytetit më të madh të Veriut. Studiuesit mendojnë, se De Rada kishte për qëllim të tregonte një histori intime të strukturuar në Shkodrën e shek.XV. Kjo tezë është zotëruese në të gjitha librat e deradologëve. Këtë tezë nuk e ve në dyshim as deradologu i njohur Jup Kastrati. Kaq e vërtetë është kjo, sa që teza e mësipërme është gati një tabu e historisë së letërsisë shqipe. Duke i studjuar këto ditë me ngulm dhe kujdes të madh botimet e “Milosaos”, duke u bazuar në substancën letrare poetike të vetë veprës dua të bëj publikisht të njohur një tezë krejt të ndryshme, se “Milosao” nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, por lidhet esencialisht me Himarën. Për ta vërtetuar këtë tezë unë natyrisht do të përdor argumente të llojit të brendshëm, argumente vetëtregues.

Një botim i veprës së Jeronim De Radës “Këngët e Milosaos” (1836)

Këngët e Milosaos janë botuar tri herë (1836, 1847, 1873) duke e plotësuar dhe e ripërpunuar. Kjo poemë u bë jehonë e betejave që zhvilloheshin në Shkodër e në rrethe të tjera kundër hordhive osmane në vitet 1833-1835. Në frymëzimin e poetit Jeronim De Rada, ndikuan dhe lavditë e shqiptarëve bashkëkohës arbereshë. Veprimi tregimtar i poemës zhvillohet brenda një periudhe prej 19 vjetësh (1405-1423) në vendlindjen e poetit në Maki, Kalabri. Historia e dashurisë së Milosaos, sundimtarit të Shkodrës me Rinën e varfër, të bijën e Kallogresë, është në qendër të subjektit të kësaj poeme. Kjo poemë ka tipare autobiografike pasi edhe vetë poeti ka pasur një lidhje intime me bijën e një bariu.

*  *  *  *  *  *  *  *  *  

Kam përpara dy përshtatje të Milosaos në shqipen moderne letrare. Njëra e Dhimitër Shuteriqit dhe tjetra e Andrea Varfit, të dy deradologë të ndjerë. (Ndjesë paçin përherë shpirtrat e tyre!). Të dy përshtatjet janë me nivel të lartë dhe grishin kënaqësi estetike të veçanta. Të dy dijetarët i kanë pajisur librat me shënime të hollësishme të karakterit shpjegues., por ë të dy nuk dyshojnë tek fakti se gjoja Milosao qe dhespot i Shkodrës. Në të vërtetë De Rada shkruan formën Skutari. Kjo formë është identifikuar me shqipen Shkodra. Po a kemi të bëjmë vërtet me Shkodrën?
Le t’i referohemi poemës ciklike të Milosaos.
Kënga e I e “Milosaos” fillon me një metaforë të ripërtëritjes së natyrës, kur “jeta kish ndrruar lisat, kurse uji i ri kaltëronte në det, duke paralajmëruar ditë të reja. Që nga Tempa e lashtë, (Tempa është tempull në Thesali), vjen Lumbardha, njëlloj pëllumbi detar e Anakreontit dhe përplaset në qelqet e dritares së poetit. Kjo metaforë tregon që një simbol i lashtë i poezisë, siç është Lumbardha e Anakreontit vjen në një mjedis buzë detit, mjedis që kurrsesi nuk mund të jetë ai i Shkodrës në Veri të Shqipërisë. Tipografikisht ky mjedis detar, që është shtrat i poemës, është diku në Shqipërinë e Jugut. Nuk mundet kurrsesi që Lumbardha e Anakreontit të ngjitej në një mjedis të ndryshëm që nuk është detar.
Arketipi kryesor mjedisor i poemës është deti. Ai del kudo gjithnjë pranë dhe jo larg. Në Këngën e I ai është simbol i përtëritjes së jetës dhe gjithësisë, aq sa duket e mahnitëshme që edhe ujët e lashtë të detit mund të përtërihet me ujë të ri.
Kënga e VII nis me këto vargje:
Përse të venë në det
mendimet zemra ime
zbardhuan anijet armike
vëzhguan, pastaj u fshehën.
Erdhi Dita e Arbërit!

Evokohet kështu një ngjarje që lidhet jo vetëm me luftën në bregdet, por edhe me një betejë detare. Një betejë e tillë nuk mund të bëhet në Shkodër, sepse deti është larg nga Shkodra dhe Shkodra lidhet me detin ndërmjet Bunës dhe lumit Drin, që derdhet në Gjirin e Lezhës.
Në Këngën e VIII thuhet:
Ra bora përmbi det
Dhe mbi leshterikë
Dhe mbuloi krahët e shqiptëzës.

Është një panoramë e mrekullueshme, të tërheq vemendjen detaji, që flokët e borës mbulojnë dhe krahët e pulëbardhës, (shqitëzës).
Në këngën e X janë vargjet:
Kundrejt kodrave dhe detit
Buzëqeshi ditë e kaltër.
Në këngën e XI thuhet:
Kundrejt detit të kaltër rrinte
Zonjë e madhe dhe vërente.
Në këngën e XIV shënohet:
Ajo detin kish ndër sy
Hijen e shtëpisë në zemër.
Në Këngën e XV janë këto vargje:
Zemra jote e dhemshur
Le të hapet plot hare
Si anije plot me trima
Që nga mezi i detit shohin
Atdheun e dëshëruar.
Kënga e XVIII nis me vargun krahasimtar:
“Porsi një tallaz në det”.
Në Këngën e XXIV janë vargjet:
Për së pari kur u zgjova
Nga Buzati hënëza
Mbi det po dritëron.
Në Këngën e XXVI evidentohet thirrja:
Vëllezër hipni në anijet!

E famshme është dhe Kënga XXIX ku janë vargjet madhështore:
Bije po s’dua të fle
Mos ma mbyll ti derën
Të më fryjë era e detit.

Kaq shpesh përmendet deti në “Milosao” saqë nuk ka dyshim në mënyrë përfundimtare se mjedisi i poemës është në një vend bregdetar në Jug të Shqipërisë dhe kurrsesi Shkodra veriore. Mendoj se arketipi i detit përcakton gjithçka. Lind pyetja: nëse bëhet fjalë për një vend bregdetar, ku ndodhet ky vend dhe ç’përfaqëson? Unë do të argumentoj se ky vend është Himara. Së pari poema i është dedikuar ushtarakut të famshëm Dhimitër Leka nga Himara. Pse pikërisht De Rada ia bëri atij këtë dedikim? Kjo është shumë e rëndësishme.
Së dyti duke parë toponimet tek poema “Milosao” del qartë se këto toponime lidhen me Himarën. Për hir të së vërtetës do të them se për herë të parë një ide të tillë e ka shprehur edhe poeti Sulejman Mato, që është nga Bregdeti, nga fshati Fterrë. Miku im Mato e njeh nga afër toponiminë e Himarës, ai ka vëzhguar në terren dhe njeh mirë këngët popullore himariote. Është meritë e tij e padiskutuar që është marrë me toponimin Skutari. Skutari është marrë deri tani si formë italianizuese e emrit Shkodër. Në të vërtetë përballë fshatit Vuno të Himarës është një mal me emrin Skutara. Këtu ka patur shumë familje që kanë emigruar në Itali. Poshtë fshatit Vuno gjenden gjurmë të një vendbanimi më të vjetër që unë e kam parë me sytë e mij. Mato mendon që Skutari i De Radës nuk është gjë tjetër veçse Skutara e Vunoit në Himarë. Për mendimin tim kjo lidhet në mënyrë konkrete dhe substanciale me poemën “Milosao”. Skutara mund të shpjegohet si një emër i formuar nga fjala skutë, (gropë, qoshe). Më e çuditshme është se emri Skutara ose Skutari lidhet edhe me emra njerëzish. Studiuesi arbëresh M.Belushi në një libër të tij me përmbledhje folklorike përmend zonjën arbëreshe Roza Skutara, e cila ka rrëfyer shumë nga baladat arbëreshe. Mundet që kjo zonjë të ketë qenë më origjinë nga Skutara e Himarës. Vendbanimi Skutara mund t’i nënshtrohet një gërmimi arkeologjik për të dhënë fakte të reja. Por tek Milosao ekzistojnë dhe disa toponime të tjera shumë të rëndësishme. Në këtë poemë përmendet toponimi Stani i Marules. Mundet të përkthehet në shqip si “Lulja e detit”, kompozitë e përbërë nga fjala mare – det dhe lule. Pikërisht në Vuno të Himarës është dhe sot toponimi Gjilule, me kuptimin Lulja e gjirit, bëhet fjalë për një gji deti, gjë që krijon një raport identifikimi dhe toponimin e mësipërm Lulja e detit. Tek Milosao përmendet festa e Shën Mërisë së Mesos poritës, kult ky i veçantë me origjinë bizantie. Ka shumë mundësi që kjo lidhet me kishën e Shën Mërisë në këtë zonë. Një gjë shumë e çuditëshme lidhet edhe me lumin e Vodhit, lumë, ku vdiq i vrarë në betejë Milosao në Këngën e Fundit. Vargu “Gjaku im tek lumi i Vodhit” në origjinal është modifikuar nga përshtatësit. Fjala vjen Andrea Varfi e e formon padrejtësisht në formën Lumi i Obotit. Ky ndryshim arbitrar është i pashpjegueshëm. Origjinali e ka lumi i Vodhit, ose i Vodit. Realisht ekziston lumi Belovodi pranë Vunoit të Himarës. Ky është emër sllav, një kompozitë që do të thotë Uji i bardhë. Lumi i Vodit ka kuptimin lumi i Ujit (Voda do të thotë ujë). Dihet që një lumë i tillë nuk ekziston në Shkodër. Shkodra ka tri lumej: Kirin, Drinasën dhe Bunën. Asnjë nga këta lumenj nuk përmendet tek “Milosao”. De Rada e njihte mirë Shqipërinë, madje e ka përmendur në shkrimet e tij edhe lumin Drin. Nëse do të ishte fjala për Shkodrën ai do të shkruante se Milosao vdiq buzë lumit Drin, por natyrisht jo në bregdet. Do të ishte shumë e lehtë për De Radën që të mos bënte asnjë gabim në përcaktimin e topografisë së poemës.
Arketipi më përcaktues tek Milosao është fjala “katund”. Në të gjitha rastet vendlindja e Milosaos quhet katund dhe jo qytet. Ai përmend faktin që pas tërmetit “Skutari s’thuhet më katund”. Edhe studiuesi Andrea Varfi e ka kapur këtë gjë, kur shkruan tek shënimet e tij se në poemë në origjinal është gjithmonë fjala katund. Por ju lutem shumë të gjithë atyre që lexojnë këtë shkrim si ka mundësi që De Rada të ngatërrojë konceptin e katundit me konceptin e qytetit? Shkodra është qytet nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit e Shqipërisë, madje ka qenë dhe kryeqyteti i Ilirisë së vjetër, i Gentit të madh. Shkodra ka një kështjellë madhështore, me përmasa të dukshme dhe në lartësi. Kurrsesi Shkodra nuk mund të quhet katund. Në shekullin XV Shkodra qe një kryeqendër me një numër të madh fshatrash siç del qartë nga rregjistrat e kadastrave turke por dhe venedikase. Shkodra i kapërcen qartë, në mënyrë të pamohueshme kufijtë e një katundi. Por ka dhe fakte të tjera që e plotësojnë këtë arketip të mësipërm. Rina, e dashura e Milosaos quhet “e bija e Kallogresë”. Emri Kallogre është një emër tipik që përdoret në Shqipërinë e Jugut. Vetë Andrea Varfi, me origjinë nga Himara thotë se në Himarë emri Kallogre është shumë i shpeshtë si emër i përveçëm. Varfi përmend dhe një familje të madhe në Qiparo që mban si mbiemër emrin Kallogre, madje Varfi shton se emri Kallogre është i përhapur tek arbëreshët në Kalabri dhe Sicili. Një fragment i “Milosaos” quhet “Vjershë e së bijës së Kallogresë së Skutarioteve”. Pra origjina e Rinës lidhet me banorët e Skutarës në Himarës. Një fakt tjetër është se në poemë përmendet një lojë fëmijësh që quhet “Loja me “rrolje”. Fjala rrolja ose rrola do të thotë rrotë, disk. Fëmijët e Himarës marrin rrota ose disqe prej guri dhe mundohen t’i hedhin sa më larg. Kjo lojë që përdoret në Himarë dhe më pas dhe tek arbëreshët nuk dokumentohet në qerthullin e Shkodrës.
Një arketip tjetër mbushamendës është se elementët e mjedisit si limonët, pulëbardhat, ullinjtë, janë tipikë për zonën e Shqipërisë së Jugut, pra dhe të Himarës, kur dihet që limonët dhe përgjithësisht agrumet nuk kanë lidhje tipike dhe endemike me mjedisin verior të Shkodrës me një klimë më të ndryshme. De Rada u ka vënë data ditësh, muajsh dhe vitesh secilës këngë. Kënga I e Milosaos mban datën 27 korrik 1435. Kënga e fundit mban datën 7 nëntor 1443. Po të vihet re me kujdes del qartë që historia e Shkodrës në këto vite lidhet me pushtetin venedikas që qe i plotfuqishëm deri në vitin 1478. Shkodra nuk qe asnjëherë nën sundimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në shekullin XV, kurse Himara ka qenë një zonë e lirë në këtë lak kohor, madje nuk iu nënshtrua turqve edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është absurde të mendosh se gjoja De Rada duke vendosur këtë kronologji nuk e paska ditur se qyteti i Shkodrës nuk ka qenë nën sundimin venedikas? Një argument tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me romanin tjetër poetik të De Radës të quajtur “Serafina Topia”. Shumë këngë të kësaj poeme ciklike shënohen që kanë ndodhur në Himarë. Himara përmendet shpesh. Por unë nuk po zgjatem sepse kjo do të përbënte subjektin e një shkrimi tjetër, të një tjetre kryevepre deradiane gjithashtu të lidhur me Himarën.
Kryevepra “Milosao” e De Radës qe jo vetëm një monument i shkëlqyer i letërsisë shqipe të romantizmit, por dhe një nga veprat më të shkëlqyera dhe të ndritura të letërsisë evropiane në shekullin XIX. Për këtë kryevepër shqiptare kanë shkruar me admirim Viktor Hygoi, Lamartini, Frederik Mistral etj. Fakti që subjekti i “Milosaos lidhet me Himarën ka një karakter llogjik të fortë. Nuk do të ishte pa vend dhe pa rëndësi që pikërisht mbi bregun e Himarës shqiptare të ngrihet monumenti prej bronzi i heroi Milosao, si figura më e bukur dhe më e çuditshme e letërsisë romantike të kombit tonë. Amen!

***
DR.MOIKOM ZEQO:

200 VJETORI I LINDJES SË DE RADËS – AMSHIMI DHE INDIFERENCA JONË!
https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=2482

*******************************

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura