DR.MOIKOM ZEQO: MIGJENI, VETËVRASJA E TRUMCAKUT

Tiranë, 11. 01. 2016: Në vend që të shkruante një roman ciklik, ose një epos modern të parodizuar, Migjeni, – ndoshta jo pa pikëllim, po pa mëshirë për vehten shkroi skicën fabulore të jashtëzakonshme të një trumcaku melankolik e inteligjent, që vret vehten.
Natyrisht kjo gjë është jashtë traditës shekullore ezopike. La Fonteni i ditur do të skandalizohej po ta lexonte këtë shpërdorim subjekti, kurse animalistët, e këtij fundshekulli kibernetik e plot smog vetëvrasjen e trumcakut mund ta kuptojnë simbolikisht si një protestë ndaj vdekjes ekologjike në përgjithësi të planetit tonë tragjik e vetëshkatërrues.
Po ta kishte lexuar Albert Kamyja skicën migjeniane do t’ja kushtonte – me siguri – një kapitull në traktatin e vet “Miti i Sizifit”, që zbulon pa asnjë mëdyshje, se problemi i vetëm i filozofisë është “vetëm vetëvrasja”, gjë, që Migjeni – po të kishte mundësi, që ta lexonte këtë kapitull (që nuk u shkrua kurrë) nuk do ta aprovonte me modesti e jo thjesht për një ves, ose virtut kundërshtimi, ose debati.
Migjeni trillin e imagjinatës e shndron në një realitet të vrazhdë, të pangjashëm, jo identik me pejsazhet e përçudnuara të ferrit dantesk. Trumcaku u gjend befas në një natyrë (më saktë antinatyrë), ku në vend të barit kishin mbirë qimet e derrit e në vend të drurëve degëzoheshin brirët e një kafshe prehistorike – (gjë që e kapërcen edhe përfytyrimin plot truke të Shpilbergut për filmat e tij të famshëm hollivudianë për dinozaurët e dikurshëm!).

Në këtë botë ndërruese e butaforike është njësoj si ta sjellësh epokën dinozaurike në fund të shekullit të XX-të, jo me anë të imazheve filmikë, që janë fantazma, por në formën e një realiteti konkret të padukshëm, (duke e zhdukur njëkohësisht realitetin e urbanizuar, qytetërimet, elektrikun, teorinë e kuanteve, sekretin e kobshëm të shpërthimit atomik, transplantimin e zemrës, apo trurit etj, etj.)
Franc Kafka, më i kursyer, me një fantazi më pak të bujshme me subjektin marramendës të “Metamorfozës” bën fjalë për shndrimin e njeriut të vetëm në zvaranik. Migjeni më i paturpshëm, me krenari e shndron – as më pak e as më shumë – tërë natyrën e planetit në një shumësi të frikëshme brirësh, duke nënkuptuar se vetë toka është koka e shtazës prehistorike, që tmerron e tkurr me tërsëllimë të humnershme hapësirat, galaktikat, vetë infinitin e pakonceptueshëm nga askush. Migjeni përfytyron një Meduzë me brirë në vend të gjarpërinjve hakmarrës e dogmatikë të mitit. Ndoshta kjo është një ardhmëri e gabuar e njerëzimit, një pasion evangjelik i apokalipsave që nuk i dimë, por që i parandjejmë.
Interesant është ndër të tjera, se përfytyrimi surrealist i Migjenit është shkruar në të njëjtin vit, kur Pikasoja bëri kompozimin e frikshëm e rrëngjethës të “Guernikës”, që është një shfytyrim antimistik i gjymtyrëve të copëtuar në erë të Tezeut dhe Minotaurit në një labirint formash e ëndërrash të shkatërruara nga fashizmi i përkushtuar doktrinor, pa ndërdyshje, pa ndërgjegje.
I dimë pasionet e Kitsit në odën e tij për bilbilin, ose lejlekun alpin të Mjedës, që lan pendët e motshme në lumin Drin, ose albatrosin e Bodlerit, ose akoma më në zanafillë kultin e zogut feniks të faraonëve, ose hyjnitë me koka shpendi.
Po nuk dimë saktësisht, pse trumcaku i Migjenit na ndikon e na turbullon më në thellësi – në thellësirat e padukshme e të shenjta të gjakut, që shpërdorohet marrëzisht, fare i pakushtueshëm e pa çmim në Shqipëri.
Nëse realiteti i tjetërsuar si një “nightmare” bën të vetëvriten zogjtë, ahere kjo duhet të zgjojë urtinë e njerëzve, ta bëjë shpërthimin e mendimit të tyre të vërtetë.
Fabula tronditëse e Migjenit nuk i përmend njerëzit, por brenda trumcakut është vetë poeti, njeriu par exellence i së ardhmes.
***
POST SCRIPTUM: Skica intelektuale migjeniane citon thënien biblike të krijimit “… të bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A shihni? Një fjalë magjike! Hokus – pokus! Sa bukur!”
Antibiblizmi i Migjenit është i dyfishtë. Këtu është e habitëshme e vulgare të spjegosh formulën magjikeHokus – Pokus!
Në fakt kjo formulë është kuptimi i latinishtes jeronimase “hoc est corpus meum” d.m.th. “ky është trupi im”, që shpreh sekramentin e ngrënies së bukës, të eukaristisë (- fjalë të Jezusit për dishepujt e tij.)
Në të vërtetë roli i shkrimtarit është një rol mesianik – Migjeni shumë shpejt, 27 vjeç, ja dha krejt trupin e vet vdekjes ritualiste – duke bashkuar e njësuar vehten me trumcakun filozof e kryengritës, që është për artin e Migjenit si bufi fluturues i Minervës së diturisë së lashtë, simbol i rrugëtimit në infinit, i mosndaljes!

…………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GRAFOMANIA

GRAFOMANIA  PIKËPAMJE (Intervistë me vetveten) Met Rexhepi Le ta nisi për gjuhën. Çfarë gjuhe përdorim sot në komunikimin…