Tiranë, 10 maj 2019:
Kush është Zabatai Zevi?
Çfarë dihet për Zapata Zevin?
Zabatai Zevi ka lindur në 1626 në Izmir, një nga qytetet më substanciale të Perandorisë Osmane.
Qe nga një familje e famshme hebraike.
Tradita familjare i kishte rrënjët në mugëtirat e muzgëta të riteve dhe të librave të shenjtë hebraikë.
Zabatai Zevi qe fëmija e një familjeje që mburrej me traditën e vet deri në fund dhe në mënyrë të paepur.
Kjo familje nuk bënte kompromise dhe ruante me fanatizëm identitetin e vet.
Kështu fëmija me emrin Zabatai thithi në tërë qenien e tij diturinë, mençurinë dhe proverbat hebraike, në një sensibilitet të hatashëm dhe me një inteligjencë të pazakontë.
Në qytetin e madh të Izmirit Zabatai u shqua si një njeri i studimeve të thella dhe të shumanshme.
Mjeshtër i diturisë, njohës i analizave të ndërlikuara të librave të vështirë dhe enigmatikë të “Talmudit”, Zabatai Zevi kishte dritën e gjeniut të letrave dhe të mendimit.
Gojëtaria e tij qe e papërballueshme.
Ai ndikonte mrekullisht tek dëgjuesit dhe tek mjedisësit.
Të gjithë mendinin se Zabatai Zevi ishte një njeri i një të ardhmeje që nuk egzistonte por që së shpejti do të vinte.
Zabatai e jetonte jetën përgjysëm, jetonte diçka nga e Tanishmja sepse donte të realizohej dhe të plotësohej tërësisht në të Ardhmen.
Tërë teologët, filozofët, historianët dhe poetët e Izmirit, shtangeshin dhe bëheshin ziliqarë të mëdhenj kur dëgjoin Zabatai Zevin.
Ai kishte lindur për tu bërë prijës jo vetëm i disa dhjetëra vjetëve por mbase edhe i shekujve.
Librat biblikë kanë një epiqendër: Idenë e Prijësit të Ardhshëm, të Shpëtimtarit që në gjuhën aramaike quhet Mesi.
Shumë vetë u quajtën se ishin mishërimi i Mesisë, me këtë titull u quajt Bar Koba, Juda Galile, Juda Makabe dhe vetëkuptohet Jezus Krishti.
Me sa duket në të gjitha kohërat e këtyre dymijë vjetëve të fundit të historisë vetëm Jezus Krishti ka të drejtën hyjnore dhe njerëzore për t’u quajtur nga të gjithë Mesi.
***
Në Izmir kishte një komunitet të madh dhe të pasur hebrenjsh. Të gjithë vuanin nën pushtetin kuranik të muslimanëve.
Por hebrenjtë nuk ranonin të konvertoheshin në fetë e tjera, përbuznin si të krishterët ashtu dhe muslimanët.
Zabatai Zevi kërkonte lirinë e hebrenjve.
Ai qe një teolog i lirisë.
Ai kuptoi se liria qe diçka më e madhe dhe më e plotfuqishme se sa doktrinat fetare të ndryshme por që megjithatë janë edhe të njëjta.
Kur Zabatai Zevi mbushi moshën 40 vjeç ai pati një ndriçim të brendshëm shpirtëror.
Ai ndjeu dhe kuptoi një mesazh dhe një vegim qiellor.
Kështu ai në vitin 1666 shpalli përpara gjithë botës, fiseve dhe popujve të Perandorisë Osmane se ai Zabatai Zevi, qe as më pak dhe as më shumë vetë rikarnacioni (mishërimi) i Mesisë në tokë.
Viti 1666 dhe profesia e lashtë e plotësuar ose e fallsifikuar
Pse Zabatai Zevi e shpalli veten Mesi në vitin 1666?
Në shumë libra të hebrenjve në periudhën e mesjetës, të astrologëve dhe të kabalistëve që bënin përllogaritje të pabesueshme dhe të ndërlikuara thuhej se mesia i vërtetë do të shfaqej në vitin 1666.
Në të vërtetë numri 1666 ishte numri i Bishës së Apokalipsit 666 plus njëmijë vjetët e mbretërimit të profetizuar të Satanait dhe kështu sipas hebrenjve pas njëmijë vjetëve do të vinte Shpëtimi dhe Shpëtimtari, pra do të triumfonte Mesia.
Hebrenjtë vuanin pareshtur shtypjen dhe persekutimin. Asnjë gjeneratë e hebrenjve nuk e kishte të lehtë, secila gjeneratë mendonte se vuante më shumë se gjeneratat e mëparshme.
Në Stambull dhe në qytetet e lindjes ndodhi një shtegtim, një eksod i madh i hebrenjve të ardhur nga Polonia dhe Ukraina, kozakët dhe tartarët në Rusi i shkatëronin dhe i vrisnin hebrenjtë.
Turmat e hebrenjve vinin dhe në Izmir.
Kishte një lëvizje të fuqishme proteste nga ana e hebrenjve.
Në vitin 1666 ndodhi dhe një eklips i hënës, parashikuar me hollësi të pabesueshme që dy shekuj më parë nga ana e astrologëve hebrenj, persë dhe arabë. Kjo gjë u komentua si muzgu dhe agonia e Perandorisë Osmane.
Ideja për shpëtimtarin qe e dyanshme. Hebrenjtë atë e quanin Mesi, kurse muslimanët shiitë e quanin Mehdi.
Kështu njëfarë djaloshi musliman i quajtur Muhrebi shpalli se kishte shpirtin e Mehdiut.
Këtë gjë e bëri nga minarja e lartë e xhamisë së sulltan Bajazitit. Turma e muslimanëve e besoi por xhelati i urdhëruar nga Porta e lartë ia preu kokën dhe ia nguli në një hu para xhamisë.
Një dervish nga Sakaria i quajtur Zylfikar e shpalli gjithashtu veten Mehdi por jeniçerët e bënë copë-copë.
Edhe një i quajtur Mehmet, biri i një shehu kurd u tha të gjithëve se ai ishte Mehdiu.
Dhe atë e masakruan.
Në këtë kohë pushtetin perandorak e zotëronin nëpunësit e lartë me origjinë shqiptare të familjes së Qyprillinjve.
Vezirët Qyprillinj u bënë aq të fuqishëm sa gati spostuan dhe lanë deri diku në hije edhe vetë Sullnanin e ri, ende djalosh të quajtur Mehmeti IV. Mehmeti IV u largua nga Stambolli dhe u shpërngul në Edrene.
Për 10 vjet rresht nuk shkeli në Stamboll.
Mehmeti IV u bë Sulltan në moshën 9 vjeçare.
Princi Mehmet u lemerit kur pa se si ia vranë dhe masakruan babanë jeniçerët, Sulltan Ibrahimin.
Megjithatë princi u bë në vend të babait kryefigura e Perandorisë. Për shumë vjet ai kishte pushtetin formal, sepse pushtetin e vërtetë e kishin Qyprillinjtë.
Sulltani i ri u dha mbas gjuetisë, njihte më mirë tekat e tigrave, drerëve, shqarthëve, serrave të egër se sa sekretet e Perandorisë.
Por Sulltani në sarajet e tij madhështore në Edrene kishte ftuar dhe një dijetar të famshëm, Abdiu, njeri me virtute, fetar dhe historian. Sulltani iu lut Abdiut të shkruante një kronikë historike.
Falë kësaj kronike historike madje dhe të disa shënimeve të bëra nga vetë Sulltani brezat e mëvonshëm do të kujtojnë diçka nga bëmat e vetë Zabatai Zevit.Dënimi dhe mallkimi i Zabatai Zevit
Kur Zabatai Zevi e shpalli veten Mesi i gjallëroi dhe frymëzoi turmat e hebrenjve.
Ata donin liri dhe fundin e vuajtjeve.
Ata u ngritën të trimëruar sepse sipas librave të tyre të shenjtë Mesia do t’u sillte lirinë.
Zabatai Zevi qe pasues dhe ithtar i Isak Lurit të famshëm.
Turmave iu a mbushi mendjen edhe Natani Gazës, një dijetar kabalistik i cili vërtetoi se pikërisht Zabatai Zevi qe Mesia.
Në sinagogat e hebrenjve të Italisë, Anglisë dhe Gjermanisë vinin lajme që nga Izmiri dhe Turqia dhe turmat e hebrenjve përshëndesnin me brohoritje kur përmendej emri i Zabatai Zevit.
Në të vërtetë zjarri i kryengritjes shpërtheu, ky zjarr u duk dhe në Stamboll ku shqiptarët Qyprillinj kishin rritur syçeltësinë e tyre për të mbrojtur Perandorinë.
Euforia dhe madhështia e Zabatai Zevit nuk kishte më kufi.
Atëherë ndodhi më e pabesueshmja. I vetëshpalluri Mesi, Zabatai Zevi guxoi t’i bënte një letër vetë sulltanit, Mehmeti IV duke i bërë thirrje që ta braktiste fenë e profetit Muhamet ta hidhte tej Kuranin, të përqafonte fenë e hebrenjve dhe t’i besonte vetëm librave të Talmudit.
Qyprillinjtë nuk nguruan më, të urdhëruar dhe nga vetë Sulltani Mehmeti IV ata e burgosën dhe mallkuan Zabatai Zevin.
Kjo burgiosje nuk i frukësoi ithtarët dhe kryengritësit.
Ata besonin se Zevi do t’i tubonte në Izrael dhe Palestinë gjithë hebrenjtë e botës për të krijuar shtetin e shkatërruar që në kohën e Perandorit romak, Titit dhe të disfatës së kryegritjes së një hebreu tjetër Bar Koba i cili gjithashtu qe shpallur Mesi.
Disa nga hebrenjtë besonin se Zabatai Zevi në bazë të profecisë do të mbahej i burgosur vetëm nëntë muaj dhe pas nëntë muajve do të shfaqej duke kalëruar me një luaneshë të tërbuar, duke kamzhikuar me shtatë gjarpërinj me dorën e djathtë i shoqëruar nga kalorësit hebrenj përtej lumit Sabation që lidhej me emrin Zabatai.
Në të vërtetë Mesia i burgosur kishte shumë pak shpresë për të shpëtuar.
Kryengritësit, vëllezërit e tij hebrenj e ëndërronin shpëtimin e tij duke shpresuar tek forca hyjnore e Mesisë.
Si u bë Mesia hebre musliman?
Disa rreshta të shkruar në “Kronikën botërore” të Abdiut na bëjnë të qartë se si Zabatai Zevi i burgosur dhe i poshtëruar u takua dhe përballoi zemërimin e Sulltanit.
Kronika thotë: “Sulltani urdhëroi ta zhvishnin Zapatain krejt lakuriq. Qe qesharake dhe e mjerë pamja e turpëruar e Zapatait, me duart para vetes për të mbuluar aletin e bërë synet dhe qeskat e varura nën të. Sulltani iu drejtua Myftiut të pallatit perandorak për të shprehur mendimin e tij për këtë profet të vetëshpallur.
Myftiu nuk i duronte shiitët dhe mistikët, ai kishte dënuar dhe filozofin teolog Karabashin si dhe poetin mistik Misriun e Bursës.
Myftiu e quajti Zabatai Zevin më të zi se Shejtanin.
Zabatai e ndjeu se do t’i pritej koka.
Atëherë ai u përkul dhe u zvogëlua.
Sulltani i tha se duhet ta provonte nëse qe i shenjtë, pra do ta qëllonte me shigjeta dhe nëse shigjetat ktheheshin mbapsht nga trupi i tij pa e prekur atëherë kjo do të provonte hyjnitetin e profetit.
Zabatai belbëzoi: “Jam veçse një rabin i shkretë”.
Sulltani qeshi.
Atëherë Zevi iu lut në gjunjë: “Mos më vrit për hatër të djalit që do të lindë sonte”.
Sulltani ngriti veshët.
Një nga gratë e Haremit lindi me të vërtetë djalë pas disa orësh. Sulltani Padishah tregoi mëshirë. “Nëse ti ke kërkuar me anë të një letre që unë Sulltani i botës të marr fenë tënde, tani jam unë që të them që nëse do të rrosh duhet që ti të marrësh fenë time”.
Kështu Mesia i hebrenjve, Zabatai Zevi e mohoi fenë e tij të lashtë dhe u konvertua në islamizëm duke u quajtur këtej e tutje si Mehmet Efendiu.
Internimi dhe vdekja e Zabatai Zevit në Ulqin
Sulltani ia fali jetën hebreut të vetshpallur Mesi.
Ithtarët e Zevit nuk e besonin dot këtë gjë.
Turmat e kryengritësve hebrenj u çoroditën.
Por vezirët Qyprillinj e këshilluan Sulltanin që ta internonte Zevi,- e bërë tashmë Mehmet Efendi- në qytetin e largët kështjellor të Ulqinit. Sulltani e internoi vërtet në Ulqin por e caktoi si Dizdar pra ruajtësin e kështjellës në Ulqin.
Ky njeri i pikëlluar dhe i ndrydhur në vetvete u mbyll në një kullë të madhe brenda kështjellës që akoma dhe sot quhet Kulla e Balshajve.
Këtu kishte vdekur një nga princërit më të famshëm shqiptarë, Gjergj Balsha.
Kjo kullë madhështore kishte pranë dhe një kishë të quajtur Kisha e Shën Marisë me shumë elemente arkitektonike të stilit gotik.
Zabatai e ktheu këtë kishë në xhami, por megjithëse u bë mysliman praktikonte në fshehtësi ritin hebraik.
Zevi dilte shummë rrallë jashtë kështjellës, thuhet se ai vizitoi njëherë Manastirin Benediktin të Rotacit afër Tivarit dhe se pa edhe gërmadhat e shumë kisha të mëdha të qytetit mesjetar të Shasit pranë liqenit me të njëjtin emër, qytet që u shkatërrua në shekullin XIII nga sulmi i hordhive mongole.
Zabatai fliste gjashtë gjuhë të huaja veç gjuhës së tij amtare.
Thuhet se kur kishte shkuar në Shas kishte dëgjuar zëra të ndryshëm dhe kishte kuptuar gjithshka që flitej në to – ilirisht, greqisht, latinisht, sllavisht, mongolisht turqisht si dhe shqip.
Zabatai shkroi disa letra nga Ulqini siç është letra për Sara Elahun, më të renë nga tri gratë e veta që i la Izmir, një tjetër fragment letre i tij përshkruan tërmetin e tmerrshëm të Ulqinit etj.
Në disa fragmente shkrimesh ai përmend shqiptarët e Ulqinit, flet për tridhjete vajzat shqiptare që u hodhën nga muri i kalasë për të mos iu dorëzuar turqve si dhe përshkruan një lloj bari të veçantë që mbin në bedenat e kështjellës ulqinake.
Ylli i Davidit në kullën e Balshajve
Në javën e parë të janarit 1998 autori i këtyre rreshtave vizitoi Ulqinin dhe pa me sytë e tij në katin e sipërm të Kullës së Balshajve altarin me simbole hebraike ku është falur Zabatai Zevi.
Është e pabesueshme por ylli i Davidit dukej qartë i skalitur në mermer në pjesën e brendshme të kullës.
Kjo qe një provë materiale për egzistencën e jetës që i mbeti Zevit si dizdar i kështjellës në Ulqin.
Në këtë kullë Zevi mbante dhe bibliotekën e tij, me shkrime dhe libra të Halevisë, Jozef Efraimit, Isak ben Salomit, të Ezra Maimonit etj. si dhe botimin e parë të doktrinës së kabalistëve “Zohal” të vitit 1559, librat e Gjon Bolicës dhe të Gjergj Bizantinit si dhe të Pir Didakut nga Raguza.
Në 1676 në moshën pesëdhjetëvjeçare Zevi vdes.
Vdekja e tij pati gjithashtu jehonë tek hebrenjtë.
Ndonëse një pjesë emadhe e tyre e quanin tashmë Zabatai Zevin si Mesi të Rremë prapëseprapë vdekja u komentua dhe u ringjall sërish emri dhe kujtimi i tij kryengritës.
Në atë kohë në Ulqin jetonte njëfarë Julio Eborenzisi, njëfarë mjeshtri për të ballsamosur kafshët, zogjtë dhe njerëzit.
Thuhet se Zevi para se të vdiste kishte kërkuar prej Julios që t’ia ballasamoste kufomën.
Gojëdhëna e Ulqinit thotë se në të vërtetë Zevin e ballsamosën, e futën në një varr dhe ndërtuan një tyrbe.
Tyrbja e Zevit dhe shqiptarët
Në lagjen Meraja afër kroit të Ballos në Ulqin është një tyrbe që ruhet me fanatizëm të madh nga pjesëtarët e familjes shqiptare me mbiemrin Mani.
Unë shkova dhe e pashë shtëpinë e Manajve dhe u futa në tyrbe. Familja Mani e ruan si amanet të jashtëzakonshëm tyrben e cila nuk ka asnjë mbishkrim dhe asnjë shenjë identifikimi.
Për fat të keq muret e saj janë restauruar pas dëmit dhe çarjes së tyre nga tërmeti i vitit 1967 por varri me sarkofag prej druri ruhet mrekullisht dhe sot.
Është e rëndësishme të thuhet se ky varr i vjetër treshekullor është varri i një figure të përmasave botërore të një prej njerëzve më të rrallë në histori që e shpalli veten Mesi në shekullin XVII dhe u besua si i tillë për shumë kohë.
Zevi ka hyrë në historinë e doktrinave fetare si një reformator i guximshëm i “Talmudit” të hebrenjve.
Përtej rrafshit fetar dhe doktrinor ka qenë shumë e rëndësishme që ai si pakkush njerëz i frymëzoi hebrenjtë pa atdhe për të besuar tek liria dhe tek krijimi në të ardhmen i shtetit më vete të Izraelit.
Dhe i hequr gjoja i konvertuar në musliman me emrin Mehmet Efendiu prapë se prapë ai nuk pushoi së treguari rrezikshmërinë e tij ndaj pushtetit perandorak osman dhe qe deri në fund një simbol rebelimi dhe rrezikshmërie për osmanët.
Zabatai Zevi lidhet me shqiptarët me shumë pikëpamje.
Nëse nëpunësit e lartë shqiptarë Qyprillinj e persekutuan, shqiptarët e thjeshtë të Ulqinit e adhuruan.
Janë shqiptarët ata që e ruajtën me besë për tre shekuj varrin dhe tyrben e Zabatai Zevit.
Ajo orë që kalova në shtëpinë e familjes shqiptare Mani dhe brenda tyrbes për mua do të mbetet e paharruar dhe tejet simbolike.
Varri i Zevit në Ulqin është një metaforë histprike e çuditshme dhe një motiv për të shkruar libra të pafund me këtë subjekt.