DR.MOIKOM ZEQO: SHQIPËRIA E VITIT 2014 ËSHTË NJË SINTEZË E TRANZICIONIT TË TEJZGJATUR

Tiranë, 29. 07. 2014 – “Shqipëria e vitit 2014 është një sintezë qoftë edhe me paradokset e saj e tranzicionit të tejzgjatur. Unë mendoj se Shqipëria e 2014’ës trashëgon nga e kaluara. Shqipëria politike trashëgon të gjitha simptomat nga viti ’92 e këtej. Kjo reflektohet në politikë, në atë që quhet përfaqësim parlamentar, reflektohet në media, reflektohet dhe në ekonomi… Gjatë këtyre 23 vjetëve Shqipëria ka zgjedhur modelin e ekonomisë së shërbimit, dhe jo modelin ekonomik të prodhimit… Njeriu shqiptar i sotëm është njeriu shqiptar i tranzicionit… Problemi themelor i demokracisë – thotë një nga teoristët e demokracisë Xhovani Sartore, – është përfaqësimi. Ky nuk është problem i një partie, është problem i të gjitha partive… Mua më duket se përfaqësimi politik paraqitet me defekte. Është përfaqësim shumë virtual… Mua më duket që qeverisja e Ramës konceptualisht është krejt e ndryshme nga ajo e Berishës… Berisha është një politikan që ka mbetur në kronikën e jetës politike në vend. Berisha për mua e ka mbyllur ciklin. Ky është një cikël i mbyllur tashmë. Jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe nga pikëpamja historike… Duam apo s’duam Basha është lideri i forcës më të madhe opozitare i cili ka lënë nën hije liderin historik të saj… Shqiptarët në Kosovë dhe partitë politike për luftën për pushtet janë ende në një adoleshencë politike. Unë kam respekt për politikanët e Kosovës, por kohët e fundit duke ndjekur zhvillimet, mendoj se politikanët e Kosovës po sillen si provinciale, ku dominon konflikti i interesave. Ata po shohin interesat personale para konsenseve për të mirën e vendit… Akoma më e rëndë është gjendja te politikanët që drejtojnë shqiptarët në Maqedoni. Për shkak të një konfliktualiteti edhe më të rëndë se sa ai i Kosovës gjithmonë më kanë habitur politikanët atje. Si nuk e kapërcyen për 24 vjet atë gjendjen separatiste me njëri-tjetrin, apo mungesën e një vizioni që shqiptarët në Maqedoni të kenë një përfaqësi…” – këto janë disa vlerësime të poetit, shkrimtarit, historianit dhe arkeologut tonë të shquar, Dr.Moikom Zeqo, të shpërfaqur në një intervistë me gazetarin Isuf Kurtaj.

Poeti, shkrimtari, historiani dhe arkeologu i shquar, Dr.Moikom Zeqo.

Pashtriku.org – I nderuar Moikom, çfarë mendoni ju për Shqipërinë e vitit 2014?
MOIKOM ZEQO
– Shqipëria e vitit 2014 është një sintezë qoftë edhe me paradokset e saj e tranzicionit të tejzgjatur. Unë mendoj se Shqipëria e 2014-ës trashëgon nga e kaluara. Shqipëria politike trashëgon të gjitha simptomat nga viti ’92 e këtej. Kjo reflektohet në politikë, në atë që quhet përfaqësim parlamentar, reflektohet në media, reflektohet dhe në ekonomi. Unë mendoj se viti 2014 gjithsesi mund të gjenerojë ndryshime si pasojë e zhvilimeve të brendshme. Ka një tendencë e cila lidhet me një proces më të rëndësishëm, siç është procesi i integrimit të Shqipërisë. Një fitore politike sigurisht! Nuk po them plotësisht integrim në BE, por po them integrim, që është një nocion më i përgjithshëm në Evropë. Mekanizmat juridikë ose ndërlidhjet juridike të Shqipërisë në 2014-ën me Evropën janë më të mëdha.
Fakti që Shqipëria është kandidate për në BE reflekton pozitivitet. Fakti që Shqipëria ka një frymë “evropianiste” është një inkandeshente për fillime të mbara, por problemet e Shqipërisë duken sikur janë tërësisht politike, politika absolutizohet, duket sikur politika ka në dorë shkopin magjik. Që politika ka një rol aktiv kjo nuk mohohet. Po që politika mund të mos ketë në dorë shkopin magjik dhe kjo është e kuptueshme.
Ajo që më shqetëson mua më shumë është çështja e zhvillimit ekonomik. Shqipëria ka zgjedhur një model të gabuar të zhvillimit ekonomik. Gjatë këtyre 23 vjetëve Shqipëria ka zgjedhur modelin e ekonomisë së shërbimit, dhe jo modelin ekonomik të prodhimit. Potencialisht për shkak të mundësive të mëdha natyrore Shqipëria i kishte të gjitha atributet për tu bërë një Shqipëri prodhuese duke përfshirë edhe atë aspektin më substancial të ekonomisë që është bujqësia, ose edhe blegtoria bio, mineralogjia, aspekti politeknik.
Nga ana tjetër ne mendojmë se do vijnë investime të mëdha në vend. Kjo është një ëndërr shqiptare. Investimet presupozojnë edhe një bazë me përgatitje me bazë inxhinierike, tekniko shkencore bashkohore. Njerëzit e ditur, njerëzit e diturisë politeknike në Shqipëri sot janë zbehur. Kështu që nisur edhe nga debati që bëhet për arsimin e lartë, mendoj se programi i arsimit të lartë në Shqipëri duhet të fokusohet në lëmet politeknike, sepse nuk besoj se numri i të papunëve, i juristëve dhe ekonomistëve, mund të krijojë një ekonomi të re.
Unë mendoj që dituria politeknike mund të krijojë një ekonomi të re. Ky model që kemi zgjedhur ne, sado që të ketë efekt politika do të ketë shumë vështirësi sepse në mënyrë konceptuale duhet të zgjidhnim një model evropian të zhvillimit të vendit. Siç e kanë edhe fqinjët rajonalë. Jo thjesht ekonominë e shërbimit. Ose t’i mbështesim të gjitha shpresat, siç bëjmë aktualisht, tek zhvillimi i turizmit, por në fund të fundit prapë edhe turizmi është ekonomi e shërbimit.
Pashtriku.org – Shqiptari në aspektin kulturor, human, intelektual, si është sot?
MOIKOM ZEQO –
Shumë e vështirë të japësh përcaktime deçizive. Është shumë e vështirë pa bërë studime sociologjike serioze për të treguar tipologjinë e shqiptarit sot. Ne mund të themi opinione, mund të themi pohime ose mohime që kundërshtojnë njëra tjetrën.
Por nuk mund të themi dot në mënyrë të bindshme që shqiptari këto 24 vjet është bërë më i kulturuar, më i ditur, është bërë më i aftë. Mendoj që termi gati fatal që e përdorim ne dhe në politikologji, termi “tranzicion”, tregon që jemi një vend pa stabilitet pavarësisht tendencës pozitive të padyshimtë. Dhe ky stabilitet nuk shihet vetëm në format e përgjithshme sociale, por ka të bëjë me edukimin dhe formimin e atij që quhet homo-albanicus. Pra njeriu shqiptar. Njeriu shqiptar i sotëm është njeriu shqiptar i tranzicionit.
Midis paradokseve dhe etjes për dije është njeri i sfilitur, është një njeri që ka shumë paradokse, i cili kërkon një identitet të ri, jo thjesht të vetin, por dhe një identitet në kuadrin e integrimit evropian.
Pra njeriu shqiptar këto 24 vjet ka përjetuar ngjarje të pafundme politike, madje politika ka krijuar një lloj tiranie mbi këtë njeri, por në shumë aspekte nuk është se zhvillimi kulturor është bërë më i madh.
Fjala vjen në këto 24 vjet unë do të doja përveç emrave tashmë tradicionalë të shkencës shqiptare siç është Eqrem Çabej që është shkencëtari më i madh i gjuhës, i të gjithë kohërave, do të doja që këto 24 vite të dilnin, qoftë nga Kosova qoftë nga Shqipëria: pasues të tij. Shkencëtarë me parametra që të tregonin se në Shqipëri po vjen një brez që do të jetë i një niveli evropian.
Nga pikëpamja kulturore në Shqipëri universitetet private përgjithësisht nga studimet kanë krijuar personalitete virtuale, ose personalitete të mediatizuara. Sot mungon ai motivimi që quhet jo vetëm ai ekonomik i studimit ekonomik por dhe studimi kombëtar në përgjithësi të çmimit dhe vlerësimit të punës së tyre. Shkrimtarët, artistët, njerëzit e shkencës në këtë shoqëri janë margjinalizuar. Raporti i politikës me kulturën shpesh në Shqipëri është negativ.
Në këto lloj shoqërish ende vlen citati i filozofes amerikane Hanah Arend: “Në këto lloj marrëdhëniesh në shoqëri të tilla një gram pushtet peshon me shumë se sa një tonelatë dije”.
Kjo gjë është një nga pikat më të dobëta dhe një nga boshllëqet më të mëdha që ka politika shqiptare, flas për të gjithë spektrin politik. Sepse nuk është kuptuar siç duhet që procesi i integrimit nuk është proces thjesht politik, juridik dhe ekonomik, procesi i integrimit është një proces kulturor.
Madje në procesin e integrimit kulturor ka një përparësi më të padiskutueshme.
Mirëpo duke gjykuar në mënyrë të ftohtë dhe pa pasion, si dhe pa asnjë klientelizëm politik shoh që çështja e integrimit kulturor në Shqipëri nuk ka rëndësinë e duhur. Ose është në kuota jo të larta. Prandaj do të doja që shteti shqiptar, shoqëria shqiptare t’i jepnin rëndësi dhe të nderonin njerëzit e kulturës, të cilët mua më rezultojnë në statusin shoqëror si shtresa më e varfër e shoqërisë. Derisa shoqëria nuk i nderon njerëzit e kulturës siç duhet atëherë kjo kthehet në diçka sfiduese për vetë shoqërinë. Epokat historike krijojnë një sintezë më së shumti kulturore.
Për epokat historike Marc Bloch thotë: “Ç’ka mbetet nga epokat historike janë strukturat kulturore – shumë më tepër se ajo që del nga strukturat politike.
Bloch trajton epokën e Shekspirit. Në epokën e Shekspirit janë shumë emra mbretësh, lordësh… por është struktura kulturore e Shekspirit që përfaqëson epokën edhe strukturën politike të asaj kohe. Madje ai ka dhe një lloj postulati që edhe njerëzit e politikës mbeten në histori në varësi të afërsisë me idetë kulturologjike të tyre, pa u thjeshtëzuar dhe hiperbolizuar.
Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Fjala vjen, çka mbetet në shekullin XIX. Janë dy emra të mëdhenj, Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri. Ne nuk dimë shumë gjëra për figura politike, por ama çka mbetur nga shekulli XIX është koncentruar, gjeneralizuar dhe ka mbetur e përjetshme tek strukturat kulturore të Jeronim De Radës dhe Naim Frashërit. Në qoftëse kjo është e vërtetë për shekullin XIX, atëherë kjo mund të jetë e vërtetë edhe për shekujt e tjerë. Duket që shoqëritë e emancipuara përgjithësisht i japin rëndësi kësaj marrëdhënie ose këtij raporti.
Naim Frashëri ka vdekur në 1900-ën, perandoria osmane ishte në duart e shqiptarëve. Kishte guvernatorë të financave, pashallarë, vezirë, me toka dhe me pasuri. Kur ka vdekur Naimi, në varrim morën pjesë 300 veta. Ndërsa kur ka vdekur ndonjëri prej tyre ishin me mijëra në varrim. Më thuaj ti, a i di kush emrat e ndonjërit pre tyre, përveç historianëve që merren me arkiva?!. Ja pra çfarë mbetet nga një epokë.
Strukturat kulturore mbeten më shumë dhe më të skalitura.
Pashtriku.org – Deputetët e Parlamentit shqiptar, ç’strukturë kulturore kanë dhe a janë përfaqësues të denjë të atyre që i kanë zgjedhur?
MOIKOM ZEQO –
Problemi themelor i demokracisë – thotë një nga teoristët e demokracisë Xhovani Sartore, – është përfaqësimi. Ky nuk është problem i një partie, është problem i të gjitha partive. A është përfaqësimi politik adekuat? A është përfaqësim politik i niveleve të larta? Apo është një përfaqësim thjesht kronologjik i gjërave apo i votimeve të caktuara?
Mua më duket se përfaqësimi politik paraqitet me defekte. Është përfaqësim shumë virtual. Pa dashur të merrem me emra të caktuar mendoj që konceptimi i përfaqësimit parlamentar është pasojë e një zbehjeje që ka ardhur nga viti ’92 e këndej. Shikoni përqindjen e njerëzve që janë personalitete në Parlamentin Shqiptar. Fakti që në këtë Parlament zotërojnë emra jo të njohur, për fat të keq, ata që flasin në Parlament janë të paktë në numër. Shumica nuk flet asnjëherë. Fakti që parlamentarët që kanë një status kushtetues të lartë, por nuk marrin nisma ligjore për të mbrojtur të drejtat për të zhvilluar vendin.
Fakti që debati parlamentar ka një karakter shumë anekdotik madje merret me jetët personale. Fakti që Parlamenti shqiptar nuk i jep shpresë popullit dhe elektoratit për gjëra të mëdha. Të gjitha këto tregojnë që procesi i përfaqësimit politik në Shqipëri duhet të jetë në një të ardhme të afërt i tejkaluar. Kjo nuk është një kërkesë e nisur nga koncepte kulturologjike, nuk është e thënë që të gjithë njerëzit e kulturës të marrin pjesë në politikë, por në vetvete edhe deputetët duhet të përfaqësojnë një sublim të kulturës në përgjithësi. Në vetvete politika duke u ndeshur me probleme shumë të sofistikuara nuk mund të zgjidhë problemet, nëqoftëse niveli i atyre që merren me politikë është mediokriteti. Është e pamundur. Është njësoj si t’i thuash një njeriu që nuk i di numrat, të zgjidhë një ushtrim algjebre. Kam shpresë që në vitet në vazhdim përfaqësimi politik do të jetë më i lartë dhe më i përgjegjshëm.
Pashtriku.org – Bojkoti, sa flet për sjelljet e politikanëve në Parlament?
MOIKOM ZEQO –
E kam ndjekur politikën dhe e kam komentuar me shkrimet e mia. Kam botuar disa libra për të. Është normale që në Parlament të ketë edhe kontradikta mes shumicës dhe opozitës. Polemikat mes grupeve politike janë dhe do të jenë gjithmonë. Nuk shoh arsye madhore në këto kontradikta. Por duhet koncentruar në atë kuotë historike për të gjetur atë pikë çfarë i bashkon shqiptarët në kundërshtim me atë që i ndan. Ajo që i ndan politikanët mund të ketë rëndësi dytësore, kurse ajo që i bashkon politikat e një shteti në rastin konkret është çështja e zhvillimit të tij – një konceptualitet ky që është e rëndësisë së dorës së parë.
Duke mos gjetur një raport të drejtë midis dy koncepteve unë mendoj që shumë qëndrime të opozitës por edhe disa elementë brenda shumicës që karakterizohen nga një subjektivizëm i rastit, nga çështje interesash nuk kanë ndonjë afeksion me vëmendje të madhe. Vendi i ka të domosdoshme reformat, nuk e ka retorike çështjen e reformave.
Në qoftëse reformat janë një domosdoshmëri pengesat që dalin rrugës janë të kapërcyeshme. Unë jam për reformat. Mbështes reformat, nismat për reforma.
Pashtriku.org – Si ka drejtuar Rama gjatë vitit të parë të qeverisjes?
MOIKOM ZEQO –
Mua më duket që qeverisja e Ramës konceptualisht është krejt e ndryshme nga ajo e Berishës. Qeverisja e Ramës është më shumë evropiane se e Berishës. Ekipi i tij po punon-këtë nuk mund ta mohosh dot. Unë mendoj që Rama është më ndryshe edhe ndaj qëndrimit që ka mbajtur ndaj opozitës dhe ndaj problemeve të mprehta që ka shoqëria, e majta është më e qytetëruar karshi problemeve ndonëse pak “e butë”.
Është një qeverisje e cila të krijon mundësinë për të ndërruar diçka. Çështja e këtyre reformave nuk është bërë një çështje mobilizimi, që janë bërë shpesh edhe motivim i grindjeve të vogla vetjake ose të kontradiktave të grupeve të interesit të nivele ordinere. Shoh një lloj vonese. Të pajustifikuar lehtë.
Pashtriku.org – Berisha është i pranishëm ende në Parlament. A është mbyllur cikli i tij në politikë apo pritet të rikthehet në një përfaqësim më të lartë?
MOIKOM ZEQO –
Berisha është një politikan që ka mbetur në kronikën e jetës politike në vend. Berisha për mua e ka mbyllur ciklin. Ky është një cikël i mbyllur tashmë. Jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe nga pikëpamja historike. Nuk jam nga këta që e shohin Berishën akoma faktor në politikën shqiptare. Në kohën e sotme roli i tij është sfumuar. Ai nuk ka më ndikim në vendimmarrje. Është pjesëmarrës në debate dhe në dhënien e opinionit por nuk është faktor. Në PD ai mund të ketë ndikim sepse është lideri historik, por ripërtëritja që po bëhet aty e ka përjashtuar atë dhe njerëzit e tij dhe ndërrimi i figurave nuk po bëhet nën siglën e tij. Unë mendoj që PD-ja ka zhvillime dhe ka premisa për të thyer grupin e Berishës aty, gjë që është normale për çdo lloj force politike. Nuk ka gjëra të përjetshme. Nuk besoj që Berisha e kondicionon politikën e sotme në PD, e aq më pak atë në vendimmarrje, në Kuvend.
Shumica e sotme ka numrin më të madh në Kuvend, në raport dhe me vendet e tjera që qeverisin sot në Evropë dhe rajon. Një numër kaq i lartë i përfaqësimit mund të mos vijë më në të ardhmen më vendit. Unë habitem se si Rama nuk e shfrytëzon një mazhorancë kaq të madhe për të kryer reformat që i duhen vendit.
Do të doja që Rama të shfrytëzonte këtë rast që i ka ardhur më me efikasitet në aprovimin e ligjeve të nevojshme për vendin. Dhe do ta shfrytëzojë! Në kronologjinë e aprovimit të ligjeve duhet të ketë më shumë dinamikë. Këtë mundësi që i dha populli, mazhoranca duhet ta ndjejë më shumë.
Pashtriku.org – Në krye të opozitës kemi një lider të ri, cili është mendimi juaj për Bashën?
MOIKOM ZEQO –
Procesi i opozitës më tepër është një proces i asaj vet se sa i mediave që na e servirin. PD është një parti që pësoi një disfatë dhe po mundohet të ripërtërijë vetveten. Ka zgjedhur liderin e saj dhe ai ka zgjedhur formatin e tij të ndryshëm nga Berisha. PD ka problemet e përfaqësimit. Ai po mundohet të largojë grupin e Berishës. Por ne nuk mund të kërkojmë sot nga opozita që të jetë ajo që na ofrohet nga opinionet e gazetave. Dihet që çdo lloj opozite dhe ajo e djeshmja ka tendencën e kriticizmit. Në këtë kriticizëm ka gjëra të vërteta, ka dhe gjëra të pavërteta.
Opozita është ende në një proces zhvillimi pasi nuk është në atë formatin e duhur. Por që nuk mund t’ia mohojë askush të drejtën, që opozita të krijojë atë karakter që imponohet nga lideri i saj i ri. Duam apo s’duam Basha është lideri i forcës më të madhe opozitare i cili ka lënë nën hije liderin historik të saj dhe po krijon identitetin e tij por ende i pafuqishëm-por procesi vazhdon.
Pashtriku.org – Shqiptari por dhe politikani që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë nga ana kulturore, humane dhe politike si është sot?
MOIKOM ZEQO –
Çështja e shqiptarëve jashtë Shqipërisë shtetërore, por dhe çështja e shqiptarëve në Kosovën shtet dhe çështja e shqiptarëve shtetformues në Maqedoni është një çështje e ndërlikuar.
Shqiptarët në Kosovë dhe partitë politike për luftën për pushtet janë ende në një adoleshencë politike. Unë kam respekt për politikanët e Kosovës, por kohët e fundit duke ndjekur zhvillimet, mendoj se politikanët e Kosovës po sillen si provinciale, ku dominon konflikti i interesave. Ata po shohin interesat personale para konsenseve për të mirën e vendit. Janë përfshirë në sulme dhe grindje me epitete nga më të ndryshmet.
Akoma më e rëndë është gjendja te politikanët që drejtojnë shqiptarët në Maqedoni. Përshkak të një konfliktualiteti edhe më të rëndë se sa ai i Kosovës gjithmonë më kanë habitur politikanët atje. Si nuk e kapërcyen për 24 vjet atë gjendjen separatiste me njëri-tjetrin, apo mungesën e një vizioni që shqiptarët në Maqedoni të kenë një përfaqësi. Kurrë nuk e kam kuptuar këtë vorbullë akuzash dhe grindjesh. Ata janë destruktivë me njëri-tjetrin. Janë edhe ata në një pikë zhvillimi.
Si politikanët shqiptarë të Kosovës edhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë janë në një proces tranzicioni. Nuk kanë arritur nivel emancipues të politikbërjes bashkëkohore. Emancipimi në politikë është dhe emancipim kulturor.  Ja tek dolëm prapë te çështja e integrimit kulturor.

(Intervistën e zhvilloi: Isuf Kurtaj)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura