DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (5)

Prishtinë, 18 Maj 2020: Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
NË JANJEVË ASNJË REGJISTËR POPULLSIE NUK KISHTE KROAT, KUR U OKUPUA KOSOVA, SHQIPTARËT KATOLIK GJETËN SHPËTIM TË PARAQITESHIN SI KROAT NË MBRETËRINË ‘SKS’
Mbi Janjevën e sotme mbi një rrafshinë të vogël dikur shtrihej Janjeva e vjetër. Janjeva e vjetër tani është një vendbanim i braktisur, me gërmadha dhe gjurmë të vjetra xehetarie. Në këtë lokalitet hasen tulla, tjegulla dhe gjurmë themelesh në të cilat janë gjetur edhe armë. Flitet se këtu dikur kishte qenë shkritorja e vjetër. Po ashtu flitet se atje është një burim uji, i cili po të lëshohej do ta përmbyste tërë Janjevën shkruan Nushiqi.

Nushiqi Janjevën e përshkruan si vendbanim me 43 dyqane me rreth 400 shtëpi, nga të cilat 306 thotë se janë latine, 75 myslimane dhe disa shtëpi vllahe dhe rome.
Nushiqi për Janjevën shkruan se është qendër e famullisë katolike. Në vitin 1856 është ndërtuar kisha e re katolike sipas planit të një arkitekti të njohur hungarez.
Në Janjevë kanë qenë tri kisha. Pranë këtyre kishave janë gjetur tri kambana dhe dy sarkofag. Njëra prej këtyre kambanave e ka mbishkrimin latin dhe shërben në kishën e sotme, ndërsa mbi dyert e kishës së sotme është murosur një gur me mbishkrim latin, dhe një gurë i ngjashëm me të deri para pak kohe gjendej në Janjevë.

Epitaf në oborrin e kishës katolike të Janjevës

Sipas Gaspër Gjinit, në Janjevë, dokumentet e vitit 1328, përmendin Kishën e Shën Kollit, me famullitarin e saj katolik. Kumbona më e vogël që edhe sot gjendet në kambanoren e kishës së Janjevës, daton që nga viti 1368, dhe ka mbishkrim gotik.
Kisha e vjetër e Shën Nikollës ishte e rindërtuar në vitin 1856. Në vitin 1885 u ndërtua kisha e re në themelet e kishës së vjetër. Në muret e kishës së ndërtuar gjatë këtij viti është murosur një pllakë guri, me shkronja latine, e cila është sjellë prej rrënojave të kishës së vjetër. Në një pllakë guri të zbuluar është gjetur emri i famullitarit të kishës që nga viti 1425. Në një dokument raguzan është gjetur edhe emri i priftit presbiter Andreas Plebonus Santi Nicolai de Agneva. Nga një dokument të Klementit VIII, të vitit 1346, kuptojmë se ipeshkvi i Kotorit, e ka pasur të drejtën të kujdeset edhe mbi kishën e Janjevës. Siç shihet kisha e vjetër në Janjevë, i është kushtuar Shën Kollit. Në kuadër të kësaj kishe gjenden edhe objektet ndihmëse që shfrytëzohen nga meshtarët. Është me interes të ceket se në murin e konakut të kësaj kishe, është murosur një stelë e periudhës romake, që i takonte shekullit II-IV të erës sonë.
Ndikimet e politikës pansllaviste ruse në jetën politike brenda perandorisë Osmane gjatë shekullit XIX e dëshmojnë edhe shumë të dhëna që kanë të bëjnë me përvetësimin e kishave katolike në Kosovë. Kjo e dhënë vërtetohet kur në mesin e vitit 1857, popi nga Lipjani e ftoi Aleksandar Feodorevic Giljferding ta vizitonte Janjevën kinse katolikët e Janjevës një vit më parë e kanë rrënuar kishën pravosllave dhe në vend të saj thanë ta ndërtojnë kishën e re katolike të Shën Nikollës. Këtë propagandë lëvizja pansllaviste e zhvillonte përmes komunave pravosllave në Prishtinë dhe Gjilan. Lidhur me pengesat e ndërtimit të kishës katolike në Janjevë dërgohet në Prishtinë Marko Curuza, konsull i Francës apo Austrisë në Shkodër.
Pop Hadzi-Dorde, udhëheqës i manastirit në Graçanicë i shkruan Rexhep Begut, në emër të komunës së krishterë të Prishtinës se si katolikët e Janjevës po e ndërtojnë kishën e tyre duke i përdorur gurët e Manastirit Vojsilovce, që ndodhej në Suteskë afër fshatit Badoc, në anën e djathtë të lumit Graçanica, dhe gurët e një kishe tjetër në Janjevë. Për këtë e njofton edhe Mitropolin Melentije në Gjilan. Ndarja mbi baza fetare e popullatës shqiptare pas reformave të “Tanzimatit” ndikoi që kishat ortodokse shqiptare në Kosovë të ndikohen nga propaganda pansllaviste, kjo vërehet edhe në këtë rast ku popullata e Graçanicës, Suteskës ishte shqiptare.
Bazuar në dokumente të kohës kuptojmë se kisha katolike e Janjevës ishte aktive që në shekullin XVI, XVII dhe shfrytëzohej edhe në shekullin XVIII. Po ashtu dihet se Matije Mazreku ishte shërbyes aktiv në kishën katolike deri sa vdiq në vitin 1808 në Janjevë.
Nga Janjeva gjatë kohës së hapjes së shkollës në shekullin XVII, edhe pas këtij shekulli kanë dalur mjaft figura të ndritshme që kanë lënë emër, në fushën e religjionit, shkencës dhe kulturës. Në Janjevë lindën edhe dy ipeshkvit e njohur shqiptar, Matej Mazreku, dhe Pjetër Shala Glasnoviq.
Matej Mazreku, i lindur në vitin 1726, studimet i ka kryer në kolegjin urban në Romë. Pas mbarimit të studimeve është kthyer në atdhe. Në vitin 1755, emërohet argjipeshkv në Shkup. Me 17 shtator të vitit 1759, e merr shugurimin ipeshkvor në Raguzë (Dubrovnik).
Pjetër Shaka Glasnoviqi, po ashtu lindi në Janjevë, në vitin 1785, studioi në Napoli, e më pas në Romë. U shugurua si ipeshkv në Shkodër më 13 korrik, të vitit 1834 nga atë Benigno Albertini. Ka vdekur në vitin 1856.
Siç shihet edhe nga ky epitaf varri, që sot gjendet në oborrin e kishës katolike të Janjevës, pjesëtarët e familjeve të këtyre dy ipeshkëv nga qyteti i Janjevës u sllavizuan, duke u regjistruar me përkatësi etnike kroate.
Ndër figurat më të ndritshme të shqiptarëve që lindën në Janjevë, pa dyshim se është Atë Shtjefën Gjeçovi- Kryeziu. Gjeçovi, ka lindur me 3 nëntor të vitit 1893.
Si dyshim se popullata e Janjevës ishte me përkatësi shqiptare vërtetohet edhe në studimet e profesor Muhamet Tërnavës.
Muhamet Tërnava duke i studiuar lagjet dhe antroponimet në Janjevë, konstaton se njëra prej lagjeve ishte emërtuar në bazë të një personi arbëresh-shqiptar që quhej Gjin, para shekullit IX, X, XI. Tërnava po ashtu erdhi në përfundim se familja Soymirovich sikur rrjedh prej arbërishtes Soymirë, prej Soj i mirë. Gjatë viteve 1498/1499, Janjeva e sotme njihej me emrin Janova dhe kishte pesë lagje: 1. Lagjja Arbanas me 96 shtëpi, 2. Plakaniq me 77 shtëpi, Nenada 40 shtëpi, lagjja e poshtme me 65 shtëpi dhe lagjja Sopot me 6 shtëpi. Në këto vite Janjeva ishte e regjistruar si fshat dhe nuk ishte e regjistruar si qendër xehetarie dhe e metaleve. Lidhur me zhvillimin xehetarisë në Janjevë në këtë periudhë Skënder Riza shkruan se Janjeva në vitin 1488 e kishte edhe ligjin e vet për xeherore.
Ilaz Rexha gjatë studimit të popullsisë së vendbanimeve në Kosovë ka dëshmuar se numri më i madh i popullatës ishte me përkatësi etnike arbërorë, pa marr parasysh se shumë nga emërtimet kanë karakter fetar. Nga regjistrimet e shekullit XV për banorët e Janjevës vërejmë mjaft emërtime që dëshmojnë përkatësinë arbërore si: Në lagjen Arbansa gjejmë banorët Dejan Arbanasi, Dimitër Arbanasi, Dimitri i biri i Baliqit etj. Në lagjen Plakaniq, Voja i biri i Leshjanit, Gjon i biri i Mihajlit, Jovan i biri i Gojashit, Stepan i biri i Budallës, Tusha, Tomash etj. Në lagjen Nenada, Tuna i biri i Jovanit, Dimitri Leshjani, Jovan i biri i Kopilit. Në lagjen e poshtme, Gjuka Berrati, Boja i Domanit, Kalja Progoni, Bojin Maljin, Marko Maljin, Peja i biri i Buzas. Në lagjen Sopot, Andronika i biri i Janit, Mojsi i biri i Janit, Gjurka i biri i Kraniqit (Krasniqit).
Sipas shënimeve të Todor. P. Stankoviqit në librin e tij “Putne beleske po staroj serbiji 1871-1898”, Janjeva në fund të shekullit XIX i kishte 400 shtëpi, prej tyre 320 serbë katolik, 60 me arnaut (shqiptar) dhe 20 cigan (romë).
Në Janjevë në lagjen e sotme të Virovcit është kisha ortodokse.
Sot në Janjevë famullitar është don Matej Paliqi, i cili ka mjaft të dhëna për Janjevën. Sipas tij, në vitin 1981 në Janjevë jetonin 4.800 kroatë, ndërkaq në vitin 1991 ishin 4.580, por u shpërngulen gati të gjithë në Kroaci dhe aktualisht kanë mbetur vetëm 290 banorë të këtij komuniteti.
Si monumente të kulturës në Janjevë mund të veçojmë kishën e Shën Nikollës. Gjurmët e kishës së Shën Kollit, që përmendet në dokumentin e vitit 1328, mund të ndiqen deri në shekullin XVIII e XIX. Në vitin 1856 u ndërtua Kisha e Vjetër e Shën Nikollës. Në vitin 1985 mbi themelet e kishës së vjetër u ndërtua kisha e re. Përveç kishës katolike, në Janjevë është edhe xhamia, tekja dhe kulla e vetme e ndërtuar prej gurit, që njihet si Kulla e bejlerëve dhe pahijeve. Në lagjen Gllama ekzistojnë gërmadhat e një fortese.
Shtëpitë e ndërtimit në Janjevë kanë arkitekturë mjaft të zhvilluar për kohën e ndërtimit të tyre. Shtëpitë e banorëve të pasur kryesisht ishin të ndërtuara në kate dhe kishin edhe çardak. Këto shtëpi, zakonisht, katet përdhese i kishin të ndërtuara prej guri, ndërsa katet lart ndërtoheshin prej druri të mbushura e të suvatuara me llaç baltë dhe të mbuluara me tjegulla. Shumica e këtyre shtëpive zakonisht kishin korridore që vendorët i quanin Gjezentija. Shtëpitë më në periferi janë më të tërhequra në oborre, në përjashtim të çarshisë dhe rrugës kryesore. Oborret janë të rrethuara me mure. Në oborre, përveç shtëpisë së banimit, ka edhe objekte tjera ndihmëse dhe puse për ujë. Janjeva i ka edhe disa burime publike uji.
VIJON…
__________
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10019
***

DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10020
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (3)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10033
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (4)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10036
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura