DR.QAZIM NAMANI: NOCIONI GJEOGRAFIK ‘KOSOVË’ DHE KRIJIMI I VILJETIT TË KOSOVËS

Prishtinë, 30.10.2106: Çështja e emrit të Vilajetit të Kosovës ka shtyrë shumë studiues të mendojnë se kemi të bëjmë me një rajon gjeografik që ka etimologji sllave. Tema në vijim do të trajtojë dilemat e arsyeshme të shumë studiuesve të cilët sjellin fakte bindëse se emri i Vilajetit të Kosovës është rezultat i ndikimit të madh të politikës pansllaviste në vetë Perandorinë Osmane. Punimi ka për qëllim të ndriçojë faktet dhe argumentet nga burimet e shkruara të autorëve shqiptar, sllavë dhe të huaj, dhe të ofrojë të dhëna historike, hartografike dhe nga terreni që dëshmojnë se emri i Vilajetit të Kosovës ishte emër historik-politik me qëllim që emri i lashtë dhe burimor i mbretërisë së Dardanisë, që përafërsisht shtrihej në, hapësirat gjeografike të Vilajetit të Kosovës të zëvendësohet me emrin Vilajeti i Kosovës e më vonë me emrin Kosova. Nga burimet e shumta mundë të pohojmë se emri i sotëm i shtetit të Kosovës si njësi administrative e territoriale duhet kuptuar se është i vonë në histori dhe daton nga gjysma e dytë e shekullit XIX, në kohën kur u krijua Vilajeti i Kosovës nën Perandorinë Osmane, që e zëvendësoi emrin e vjetër të vendit i cili sot përfshinë vetëm një pjesë të territorit të Dardanisë.
Vilajeti i Kosovës përfshinte një territor prej afro 30.000 km, ndërsa sot si shtet Kosova njihet në sipërfaqe prej 10.870 km. Në bazë të rrethanave politike dhe burimeve të shkruara në emërtimin e Vilajetit të Kosovës luajti rol ndikimi i Rusisë dhe politika pansllaviste që Rusia e zbatonte përmes ambasadorit të emëruar në vitin 1864 në Stamboll Nikola Pavlovic Ignatievit, i cili iu ofrua shumë sulltanit sa një ditë padishahu tha: Nuk paskam mik tjetër të vërtetë përveç ambasadorit rus. Po në këtë kohë Rusia e emëroi në detyra të rëndësishme diplomatike në Shkodër dhe Prizren Ivan Stepanoviq Jastrebovin. Në Sarajevë si diplomat u emërua Aleksandër Hilferdingu ishte njeri nga funksionarët e komitetit mirëbërës sllav të themeluar në vitin 1856 në Moskë nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të mbështetur edhe nga kisha ortodokse.
Hilferdingu edhe pse ishte i lindur në Varshavë të Polonisë dhe kishte origjinë gjermane apo çifute u rrit dhe u edukua në frymën e pansllavizmit dhe kësaj politike ia kushtoi të gjithë veprimtarinë e tij. Ky autorë vuri në shërbim të politikës së thellë pansllaviste të gjitha fuqitë e vetë intelektuale, shkencore, dhe ishte njëri nga gjashtë ideologët kryesor të pansllavizmit bashkë me Homajkovin, Danillevskin, Pogodinin, Aksakovlevin dhe Lamanshin.
Koordinimi i aktiviteteve politike dhe diplomatike mes Ignjatevit, Hilferdingut dhe diplomatit rus Jastrebovit i cili veproi në trevat shqiptare, frymëzuan nacionalizmin serb në kohën e krizës lindore për pushtimin e territoreve që banoheshin me popullatë autoktone shqiptare.
Programi pansllavist i hartuar nga A. S. Homajkovi “Për të vjetrën dhe të renë” që u botua në vitin 1839, pastaj projekti për themelimin e një perandorie pansllaviste hartuar nga Nikollaj Danillevski, i cili parashihte shpalljen e patrikut të Moskës person që përfaqëson zotin në tokë u inspiruan në idetë pansllaviste të Çartoriskit dhe Franjo Zahut për përqendrimin e sllavëve të Ballkanit në një perandori. Bazuar në këto projekte dhe ide u përpiluan në vitin 1844 “Nacertanja” e Ilia Garashaninit, “Megalo idea” greke e Jani Kolës dhe programi i “Otoçenstvos” bullgare.
Serbia e përfshiu Kosovën në planin e saj nacional dhe propagandistik pas aprovimit të projektit “Nacertanje” të Garashaninit të vitit 1844. Dokumentet arkivore të kësaj kohe tregojnë se Serbia pas projektit të Garashaninit, filloi të ndihmojë përtëritjen e kishave, manastireve dhe shkollave në Kosovë. Në vitin 1868 u formua këshilli arsimor për ndihmë shkollave dhe mësuesve serb në trevat shqiptare që ishin në sundimin e Perandorisë Osmane. Shkollat laike serbe në Kosovë, në atë kohë punonin sipas planit e programit të shkollave të Serbisë duke përdorur tekste të njëjta, organizim, metodat e mësimit dhe administrimit. Në Kosovë u hapën shkolla të reja me mësuesit Nikolla Musolini, Millan Kovaqeviq dhe Millan Popoviq. Në këto shkolla nxënësit fitonin njohuri më të mëdha se në disa shkolla në Serbi.
Në këto rrethana Vilajeti i Kosovës u formua në vitin 1868 me qendër në Prizren. Kosova si nocion gjeografik e ka zanafillën në gjysmën e dytë të shekullit XIX në kohën e krijimit të mitit serb për betejën afër qytetit Kassova në vitin 1389 mes Osmanëeve dhe koalicionit të popullatës dhe feudalëve të rajonit. Me krijimin e “mitit për Fushën e Kosovës” serbët dolën me pretendimet e tyre për dominim kulturor në rajon në kohën e dobësimit të Perandorisë Osmane. Në shekullin XIX krahas emrit Kosova filloi të përdoret edhe termi “Stara Serbia” (Serbia e Vjetër) si në dokumente zyrtare po ashtu edhe në literaturë shkencore, studime toponimike dhe harta nga autorë sllavë, duke bërë përpjekje që zanafillën e këtyre emërtimeve ta lidhin me gjuhën sllave dhe mesjetën. Këtë e vërteton edhe Jevto Dedijer (1880-1918) në librin e tij “Stara Serbija i Etnografska slika” botuar më 1912 ku shkruan se emri “Serbi e vjetër” si nocion gjeografik e ka zanafillën në shekullin XIX, përkatësisht në kohën e krijimit të letërsisë serbe. Spiridon Gopqeviq shkruan se kur bëhet fjalë për “Stara Serbinë”(Serbinë e Vjetër) dhe programet pansllaviste në Ballkan, atëherë duhet ti falënderojmë vëllëzrit rus. Në shekullin XIX duke u bazuar në betejën pranë qytetit Kassova (Cassova) i tërë rajoni filloi të quhet Kosova duke e ndërlidhur emrin Kassova me disa emërtime sllave Kosovo në rajonet e disa shteteve ku ekzistonte me parë ndikimi sllavë.
Në Çeki në rrethinën e Tabarskom gjendet fshati Kosova Hora (Amschelberg). Në Poloni në lindje të Haliqit 53 km prej Kolonje ekziston emri i një vendi Kossovë. Klaic shkruan se emri Kosova në burimet e shkruara latine haset i shkruar nga viti 1389 si Campus Turdurum dhe Campus Merularum, ndërsa në burimet e shkruara gjermane quhej Amselfeld (Ampschfeld) por nuk është vërtetuar që ky emër që prej kohëve më të vjetra është përdorur në popull dhe që ka origjinë sllave. Kosova e sotme në kohën e vjetër ilire quhej Mbretëria e Dardanisë, në kohën romake njihej me emrin Campi Dardanici. Në kohën e perandorit Dioklecianit (284-305) u krijua provinca e Dardanisë që përafërsisht shtrihej në hapësirat gjeografike të Vilajetit të Kosovës. Shumë studiues për emrin e Kosovës së sotme mendojnë se: Ky emër është formuar nga zgjerimi i emrit sllav të shpendit kos „mëllenjë” me prapashtesën sllave “ova”, duke menduar se ky shpendë ishte i pranishëm rreth ndonjë këneta apo liqeni në Fushën e Kosovës. Zbulimet arkeologjike në fshatin Dardhishtë, në kotën mbidetare të rrjedhës së lumit Sitnica hedhin poshtë të gjitha supozimet që të ketë pas liqe që nga koha e neolitit e deri me tani në fushën mes Lipjanit dhe Vushtrrisë që në popull është quajtur Fusha e Kassovës.
Prapashtesa “Ova” haset edhe në gjuhën latine, turke, bullgare, andaj latinët nuk e kanë marrë nga sllavët, P.sh. Terranova, Padova, Gjenova nuk mund të kenë etimologji sllave.

Vendbanimi i kohës së neolitit në fshatin Dardhishtë, Kastriot, dhe figurinë në antropomorfe.

Autori Vj. Klaiq në librin e tij “Slike slavenske povjesti” botuar në Zagreb në vitin 1903 edhe pse e bënë përshkrimin e territorit të Vilajetit të Kosovës sipas politikës së kohës, lëvizjes politike shumë të zhvilluar pansllaviste dhe botimeve të shumta për mitin e krijuar serb për Kosovën mes tjerash shkruan: Në Fushën e Kosovës dhe në rajonet tjera të Vilajetit të sotëm të Kosovës jetuan të parët e shqiptarëve të sotëm me emrin e vjetër Illyri. Fiset më të njohura ilire të këtyre anëve ishin Dardanët dhe Autoriatët.
Historiani rumun Nicolae Denonsusn në librin e tij “Historia Dakia, Part 7-Ch.XLI.10.I. Elements of barbarian language”, shkruan për një kështjellë Kasaera (Caseera) në malet Rodope e cila riparohet në kohën e Justinianit. Sipas tij Casaria, quhej edhe vendi ku është përgatitur ose shitur casul (djathë). Në gjuhën e vjetër maqedone Casari (vathë), në gjuhën latine casearia (Officina), duke pohuar se në rajonin e Rumanisë së sotme një numër i vendeve e mbajnë emrin Casarie. Denonsusn po ashtu jep të dhëna që sipas Herodotit terminologjia e lashtë metalurgjike është me origjinë barbare, Chassiteros, plumb i bardhë, Lat.stannum, cassiterus, Rom Cositoriu. Nga kjo që u tha më lartë mendojmë se fjalët që kanë bazën Kass dhe Cass, nuk duhet shikuar me doemos se kanë origjinë sllave por duhet lënë hapësirë të mendohet se mundë të jenë edhe para romake.
Kosova si nocion gjeografik hyri në histori edhe për arsye se pranë vendit ku u zhvillua beteja e vitit 1389, rrëzë maleve të Galabit, në luginën e lumit Alb (Lab, Llab) ishte qyteti xehetar metalurgjik Kassova. Sipas studiuesit francez Filip Mezier beteja e vitit 1389 u zhvillua në Albani. Me që beteja u zhvillua në fushën e qytetit Kassova gradualisht në shekujt e mëvonshëm e sidomos në shekullin e XIX, fusha në rrethinën e Prishtinës filloi të quhet Fusha e Kassovës. Pasi që qyteti Kassova shtrihej në malet mes Prishtinës dhe Podujevës edhe rrafshi i lumit Llab filloi të quhet “Kassova e Vogël”.
Sipas burimeve italiane të shekullit XVIII, kjo fushë është quajtur ‘Pianure di Cassovia dhe se në këtë fushë Sulltan Muratin e vrau një shqiptar.
Rreth vendndodhjes të qytetit mesjetar CASCOVA kemi të dhëna nga shumë studiues. Disa mendojnë se emërtimi Kosovë ka etimologji sllave, ku fjala “Kos” në gjuhën serbe e ka kuptimin e mllënjës. Branisllav Nushiqi mendon se emri i Kosovës vjen nga fjala Kositë, sepse sipas tij rrafshi i Kosovës ishte vërtetë “livadh i perëndisë”.
Në Kosovë janë disa vendbanime të regjistruara me këtë emër të cilat i gjejmë edhe në defterët osman të shekullit XV. Për një katun me emrin Kosovc, Ilaz Rexha mendon se ishte katuni Kosovicë në malësinë e Gallapit. Emrin Kosovicë e mbanë një lagje e sotme e fshatit Strezofc. Disa studiues këtë lokalitet mendojnë se duhet kërkuar në rrethinën e Ferizajt, në fshatin Kosinë apo në Varosh. Martin Segoni nga Novobërda, i cili prej vitit 1474 jetoi në Padovë të Italisë dhe ishte ipeshkv në Ulqin, duke shkruar për Artanën (Novobërdën) e përmendë një vend-luginë me emrin Kosovica, ku në njërën anë të kësaj lugine shtrihet Prishtina, kurse në anën tjetër Novobërda. Bazuar në të dhënat e Segonit, i cili e njihte mirë terrenin, mundë të pohojmë se fjala është për rrjedhën e lumit të sotëm Prishtina, sepse ky lumë vjen nga malet e Gallapit dhe është konsideruar si degë e lumit Llab. Po ashtu meqenëse sipas Segonit qyteti Kosova ishte në rrjedhën e lumit Llab, mendoi se kjo luginë mundë të këtë qenë lugina e fshatrave Grashticë dhe Mramuer, ku nga kjo luginë në njërën anë mbetet Prishtina, kurse në anën tjetër Novobërda. Këtë qëndrim e vërteton edhe emri i katundit Kosino, që përmendet bashkë me katundin e sotëm Busi, sot lagje e Mramurit, si dhe katundi Xhylkova sot Kilkov në mes së fshatrave Marec dhe Mramuer.
Për pushtimin e Kosovës nga osmanët të dhënat e kohës nga shkrimtari turk Mehmet Neshriut të shekullit XV tregojnë se Ali Pasha-djali i madh i Candrali Kara Halit (Hajredin Pashës) pasi e pushtoi Gerinxhen (Gjezixhe) i dërgoi njerëz sundimtarit të Kosovës dhe kërkoi që ti nënshtrohej. Sundimtari i Kosovës nuk e përfilli fjalën e pashait dhe ju përgjigj: “Ne nuk i bëhemi kryengritës princit tonë dhe nuk i bindemi osmanëve. Ali Pasha dërgoi Pazarlu Dogan Begun që ta digjte, grabiste, grat dhe djelmoshat ti merrte robër dhe ta shkatërronte Kosovën. Pazarlu Dogan Begu e sulmoi dhe e rrënoi kështjellën e Kosovës, grat dhe djelmoshat i mori robër. Të pa fetë erdhën e ju luten pashait që të lirohen robërit e zënë në luftë përkundrejt dorëzimit të kështjellës së Kosovës. Pashai robërit e zënë i mori nga duart e ushtarëve osman, ua dorëzoi të pa feve dhe e mori kështjellën e Kosovës. Mbasi u vendos në kështjellë, urdhëroi që robërit të ju ktheheshin prapë osmanëve. Osmanët i morën përsëri nga duart e të pa feve robërit. Pashai i cili e pushtoi kështjellën e Kosovës u shpërngul prej andej dhe shkoi në drejtim të Tërnovës, kryeqendër e Shishmanit. Nga kjo e dhënë kuptojmë se në atë kohë ekzistonte një kështjellë me emrin Kasova në territorin e Kosovës së sotme.
Burimet e shkruara lidhur me emërtimet e lartcekura të cilat fillojnë me rrokjen “KOS” janë të vona, të botuara në shekullin XIX dhe të ribotuara gjatë shekullit XX. Për më tepër, edhe humanisti raguzas, Alovsius Cervinus Tubero e përmend Kassovën në veprën e tij të botuar më 1603, ku duke shkruan për betejën e Kassovës tregon se, në atë betejë morën pjesë dardanët, ilirët dhe maqedonasit. Këtë e thotë në një kronikë të shekullin XVI dhe Jeraksi, Logotheti i madh i Patrikanës së Stambollit, i cili përshkruan se në atë betejë morën pjesë arkondë nga Arvanitia (Shqipëria) dhe nga viset që quhen Dardani. Një burim i shek. të XV, tregon se tregtarët që shkonin nga Prishtina për në Vushtrri duhej të kalonin nëpër pyje apo shkurre, pra nëpër “Baschi di Cassova”. Nga kjo e dhënë kuptojmë se vërtet kemi të bëjmë me emër të një kështjelle (qyteti) që e kishte nën kontrollin e vetë juridik dhe administrativ një regjion të caktuar në malet e rrethinës së Prishtinës, Vushtrrisë dhe rrafshit të Kosovës. Perëndimorët këtë rajon e cilësonin si tokë të pasur, andaj mendoi se Kassova si dhe Artana (Nyenbergu-Novamanta-Novobërda), duke qenë Kështjella (qytete) pranë njëra tjetrës, i kishin ligjet e veta xehetarë që administronin territore të ndara në hapësirën gjeografike të Dardanisë.

 Harta e Turqisë Evropiane, e punuar prej Pierre Lapie dhe e publikuar në Paris në vitin 1827

Sipas autorit Stojan Novakoviq, qyteti Kassova ishte i imagjinuar, por edhe nëse ka ekzistuar duhej të ishte Janjeva. Ky autor e mohonte thënien e gjeografit turk Haxhi Kallfa, i cili qytetin Kassova në shekullin e XVII e cilësoi si kadillëk. Kosova sipas Haxhi Kallfës është quajtur edhe Pallashima. Georg von Hahn propozonte që qytetin Kosova duhet kërkuar një orë udhë larg në jug të Janjevës. Kryeipeshkvi i ipeshkvisë së Shkupit, Don Mihal Suma shkruante në vitin 1632 se, vendbanimi Kosova i përkiste famullisë së Janjevës. Në shkrimet e shekullit të XVIII kur shkruhej për betejën e Kosovës në mikroregjionin e Kosovës përmendet edhe Zveçani, Graçanica, Fusha e Kosovës, Prishtina, Lipiani etj. Fusha e Kosovës e rrethuar me një varg kështjellash si Veletini, Gadimja, Surqina, Zhitia, Kaçaniku, Burrniku, Petriqi, Jezerci, Suka në Kreshtë të vogël afër Kosharës, Halilaqi, Bardh i madhë, Kështjella e qytetit në Vushtrri, Dubovci, Strofc, Kollë, Zveqani, qyteti i Trepçës (Mazhiq – Rashani – Smrekonica), Banjë, Barileva, Siqeva, Teneqdolli, Grashtica, etj., mendojë se, japin elemente të mjaftueshme për të kuptuar se fusha e Kosovës nuk është fusha e mëllenjave, si është shkruar në literaturën sllave dhe të huaj në ndikimin e saj, por është fusha e kështjellave, fusha e një qytetërimi shumë para ardhjes së sllavëve në këto hapësira. Po ashtu, rrafshina e Llapit në komunën e Podujevës, është quajtur nga popullata autoktone shqiptare “Kosova e vogël” vetëm për shkak se qyteti Kassova gjendej mes Prishtinës dhe Podujevës, si dhe e tërë fusha e lumit Llab rrethohet me një varg kështjellash dhe qytete të pasura me minierat e njohura si Bellasica dhe Berveniku, pastaj kështjellat e Braines, Ballocit, Tenezhdollit, Lupqit, Koliqit, Gllavnikut, Sharbanit etj.
Kosovica si lagje e Strezocit e cekur më lartë kufizohet me një varg kështjellash për rrethë si Novobërda, Kulina e Dardanës, Kulina e Krilevës, Grexhenikut, Busovatës, Kremenatës, por mund të jetë dhe vetë Strezoci pasi është dëshmua si lokalitet i rëndësishëm arkeologjik etj., që dëshmojnë për një rajon kështjellash. Një karakteristik të tillë e hasim edhe në rajonin e Ferizajt, Vushtrrisë, Mitrovicës, Lipjanit dhe komuna tjera në Kosovë, në të cilat janë evidentuar një varg i kështjellave. Përveç ndërtimit të kështjellave në bregore dhe male që e rrethojnë fushën e Kosovës, kishte kështjella dhe në vetë rrafshin e Kosovës si: Qyteti Ulpiana (Justiniana sekonda), Lipjani i vjetër (Justiniana Poli), Vushtrria, Prishtina, Surqina, pastaj themelet e vjetra në Pestovë (Komuna e Vushtrrisë), etj., që lënë të kuptojmë se kishin prona të mëdha në fushën e Kosovës. Avni Këpuska në librin e tij “Qenësia e territorit dhe e kufijve etnik autokton të Kosovës” shkruan se, Kosovën e hasim në variante të ndryshme të shkruar, por më të shpeshta janë: Kasava, Kasova, Kosuva dhe Kosova. Nëse kemi parasysh trajtat më të hershme të emërtimit Kasava ose Kasova, segmentimi i përbërjes së tyre jep kas-a dhe va, që të dyja terma gjeografik. Interpretimin e parë gjeografik të emrit “Kosova” e ka bërë akademiku Josip Rogliq, i cili thotë se janë terminologji të gjuhës ilire. Sipas interpretimit të Rogliqit dhe studimit të Muharrem Carrabregut “Çelësi i Sistemit Ilirik të Emrit gjeografik”, termi Kas-a përmban kuptimin e një kodre, mali ose shkëmbi. Në Dalmaci janë dy fusha karakteristike të quajtura Kosovo, për të cilat Pop Duklanini thotë se etimologjia e tyre i ka rrënjët që nga kohët ilire. Në bazë të termit gjeografik Kas janë gjithashtu edhe emrat: Cassel, Castel, Cashtel, Castelli.
Te popullata autoktone shqiptare në Gadishullin Ilirik termin me bazën Kas e hasim edhe për emra fisnor, familjar, dhe emra vendi si: Fisi Kastrat, familja Kasa në Mitrovicë, Kastriot, Kasaj, mbiemrin Kosova sot në Prizren dhe Prishtinë etj. Te popullata shqiptare e Kosovës deri në gjysmën e shekullit XX fjala Kosovë është shqiptuar si Kassova, që vërteton se emri Kosovë dhe Metohi janë shumë të vonshme. Në fshatin Maxherë në komunën e Preshevës një lagje e vjetër e fshatit edhe sot quhet Kassovtë. Në bazë të burimeve të shkruara është vërtetuar se emri Kastrat ka të bëjë me fjalën latine “Castrum”. Po ashtu, bazuar në dokumentet e shkruara për Dubrovnikun, vërehet se familja aristokrate “Casica”(Kasica), që jetonte në atë qytet ishte më origjinë nga Artana (Novamonte-Novobërda). Këto të dhëna janë fakte të mjaftueshme për të kuptuar se pas shkatrrimit të kështjellës së Kassovës shumë familje të shpërngulura nëpër vise tjera të gadishullit e kanë ruajtur mbiemrin Kassova.
Një nga historianët e njohur shqiptare Skënder Riza, po ashtu mendon se fjala Kosovë duhet të jetë fjalë e lashtë, ndoshta ilire apo trake sepse emrin Kosova e hasim në shumë vise të Gadishullit Ballkanik: në Bosnjë quhet një vend Fushë Kosovë, në rrethin e Dibrës ekziston fshati Kosovë, në Dalmaci në jug-lindje të fushës së Kninit, gjendet një fushë me emrin Kosovo nëpërmjet të së cilës rrjedhë lumi Kosovnica. Në jug-lindje të Elbasanit ekziston fshati Kosovë, po ashtu edhe në rrethinën e Gjirokastrës gjendet fshati Kosovica, etj.
Të dhënat e cekura më lartë dëshmojnë se etimologjinë e emrit Kosova duhet kërkuar nga fjala latine për kështjella Casstel = Kështjellë dhe prapashtesa turke “Ova” = “Fushë” që do të thotë fusha e kështjellave. Nga ky version ka dal edhe emri për Preshevën si Presh dhe prapashtesa turke “Ova” që ka kuptimin “Fusha e preshit”, pastaj Gjakova (Jakova) që ka kuptimin “Fusha e Jakut” etj. Ka shumë të ngjarë që fjala Kështjellë është para romake dhe se fjala latine Casstel e ka burimin te fjala pellazgo-ilire Kështjellë (ke mbështjellë) vendbanimin me mure. Nga ky kuptim vërehet se edhe Fushën e Kosovës e rrethonin (mbështillnin) një numër i kështjellave prandaj mendoi se duhet lidhur nga fjala e lashtë ilire: Ke shtjellë vendbanimin me mure (vendbanim i rrethuar) = Kështjellë = Casstel = Cassova = Cascova = Cassoua = Kassova = Fusha e Kështjellave. Duke u bazuar në burimet e cekura më lartë, konsiderojë se studiuesit tanë duhet lënë anash shkrimet sllave dhe të autoreve të tjerë rreth emërtimit të këtij lokaliteti në mesjetë, duke dhënë versione të reja shkencore.
Për më tepër, qyteti Kassova duhet kërkuar në anën veri-lindore të qytetit të sotëm të Prishtinës. Historiani i njohur Skënder Riza, mendon se ky qytet është Bellasica në rrjedhën e sipërme të lumit Llab. Përveç Kassovës, në lumin Llab ai përmendë edhe dy qyteza të rëndësishme xeherore Belairi dhe Koburniku. Nga ky burim mendoi se qyteza Belairi ishte Belasica ndërsa Kassova ishte qytet tjetër. Belasica duhet të jetë kalaja Belas e rindërtuar në kohen e Perandorit Justinijan të cilën e përmend Prokopi i Cezaresë, e cila gjendet ne afërsi te fshatrave Zhiti dhe Murgull të komunës së Podujevës. Në territorin e këtyre fshatrave ka zgjyrë metalesh dhe gjurmë të vjetra qytetërimi. Ky lokalitet ka një largësi prej Prishtinës, diku rreth 70 km. Bazuar në të dhënat e deritanishme për Kassovën si vendbanim-qytet mesjetar, mendoj se ky lokalitet duhet kërkuar më afër vendit ku është zhvilluar beteja e Kosovës dhe emri i lokalitetit Kassova ka të bëjë me ndonjë kështjellë dardane, por i përshtatur në gjuhën sllave për të krijuar më vonë mitin për Kosovën.

Harta është koleksion i David Rumsev, autor, Houze Antoine Plilippe, publikuar Chez P.Dumenil, Paris, në vitin 1844, me titull L’Empire Ottoman, L’ Italie.

Ka shumë mundësi që emri i kështjellës CASTELONA dhe KASTELION të përshkruara në listën e rindërtimeve të kështjellave në Dardani nga Prokopi i Cezares, të jetë deformuar në variantin CASSOVA-CASOVA-KOSOVO. Prandaj, me këtë çështje duhet të merren studiuesit tanë të historisë dhe gjuhës.
Pas betejës te lumi Marica(1371) Osmanët i vazhduan pushtimet e tyre, ata në vitin 1375 e pushtuan qytetin e Nishit, dhe iu ofruan territoreve të kontrolluara nga princë vendorë, të cilët duke parë rrezikun organizuan një aleancë në të cilën përveç shqiptarëve nga Kosova, morën pjesë edhe princër shqiptarë nga trevat tjera shqiptare. Beteja u zhvillua në Plloqnik(1386). Pas kësaj beteje, Sulltan Murati I solli përforcime nga Azia e vogël, por dhe nga Gadishulli Ballkanik, ku në anën e sulltanit morën pjesë dhe vasal serbë si; Konstantin Dejanoviç, mbreti Marko si edhe disa shqiptarë nga Epiri dhe Thesalia. Beteja u zhvillua në Kosovë.
Kosova përmendet si lokalitet i vjetër xehetar në vitin 1423 dhe e kishte ligjin e vet të kodifikuar më 22 mars 1488. Ky ligj ndahet në 16 paragrafë dhe i rregullonte të gjitha çështjet ekonomike, politike dhe sociale të vendit. Cassova (Kosova) shënohet si vendbanim edhe në hartat e Evropës nga fundi i shekullit XV. Po ashtu në “Tabela Moderna, Polonia, Ungarie….”të Bontentance më 1507 është shënuar Kasova (Cascova) si lokalitet. Gjithashtu, Gasteldi më 1548, në Venedik boton “Tavole nouva di schiavonia”, ku paraqet Kasoven si lokalitet. Prej vitit 1570-1580 Kosova si vendbanim përmendet në tri fermanë që kanë të bëjnë me vjeljen e taksave, kurse në katër fermanë nga vitet 1579/80, 1588, 1595 lidhur me falsifikimet e monedhave dhe trazirave.
Në ligjin mbi xeheroret në kohën e sundimit të Sylejman Kanuniut (ligjdhënësit), Kasova përfshihet në mesin e xeheroreve kryesore të Perandorisë Osmane. Në vitin 1565 Kasova kërkonte ekspert për mihjen e minierave, ku sipas fermanit të vitit 1574 lartësia e qirasë së xeherores së Kosovës ishte 300.000 akçe. Sipas Haxhi Kallfës më 1650, Kosova ndodhej në mes Prishtinës dhe Kushumlisë dhe kishte 19 ditë rrugë nga Stambolli. Një tregtar nga Dubrovniku, Kosovën e përmendë në vitet 1660 dhe 1661 si lokalitet prej nga dubrovnikasit kanë transportuar lesh. Kosova për herë të fundit përmendet në vitin 1689 kur kishte rënë në duar të austriakëve.
Nga këto të dhëna për kështjellën e Kassovës, mendoi se kjo kështjellë gjatë mesjetës ishte vazhdimësi e civilizimit dhe qendër e jetës qytetare për rajonin e Prishtinës dhe Podujevës pas shkatrrimit të Vendenisit ne antikitetin e vonë.
Sipas shënimeve të një autori anglez cituar nga S. Rizaj, Kassova gjendej 7 milje në veri-lindje të Prishtinës. Në afërsi të këtij qyteti është zhvilluar beteja e Kosovës në të cilën turqit në komandën e sulltan Muratit I, më 15 Qershor 1389 fituan kundër koalicionit ballkanik.
Sipas shënimeve të këtij autori anglez dhe të dhënave në terren të cekura më lartë vendndodhja e qytetit Kassova ishte ne veri-lindje të Prishtinës dhe mund të jenë lokalitetet Grashticë-Mramur që i përgjigjet distancës së cekur prej 7 milje dhe gjendet po ashtu në pjesën veri-lindore të Prishtinës. Në dobi të këtij qëndrimi mund të dëshmojmë se në fshatin Grashticë i hasim gjurmët e kështjellës dhe vendbanimit si dhe toponimet “lugu i gjytetit”, “lugu i kishës” dhe zgjyra të metaleve që kanë mbetur nga shkritoret e mineraleve etj. Po ashtu në fshatin Mramur gjejmë toponimet lugu i manastirit dhe gjejmë gjurmë të mbetjeve të themeleve të objekteve.

Hartë e Perandorisë Osmane e vitit 1847 me emërtimin e qytetit Cassovo në veri-lindje të Prishtinës.
Për ekzistimin e këtij qyteti dëshmon edhe ruajtja e mbiemrit Kosova te disa banorë të Prishtinës dhe Prizrenit deri në ditët e sotme. Kodra e quajtur Suka që ndanë kufijtë e fshatrave Radashec dhe Grashticë në popull njihet me emrin “Sulltan tepe”. “Kodra e Sulltanit”, dhe një krua në këtë lokalitet edhe sot quhet Kroi i mbretit, gjë që na shtyn të mendojmë se pikërisht në këtë kodër ishte vendosur vetë sulltan Murati i I-rë, i cili vëzhgonte situatën në betejën e Kosovës. Është me rëndësi të ceket se nga kjo kodër duket vendi ku thuhet se u zhvillua beteja e Kosovës. Jo larg nga Suka e Radashecit-Grashticës gjendet Kalaja e Siqevës të cilës i vërehen muret e objekteve. Po ashtu, në kodrën e Kunës e cila gjendet në afërsi të Kalasë së Siqevës janë themelet e një kishe. Në të dy këto lokalitete janë gjetur tjegulla dyshemeje me ornamente dekorimi të periudhës romake. Përveç gjurmëve në veri-lindje të Prishtinës është edhe kështjella Tenezhdollit e cila është dëshmuar se kishte një qytetërim të lashtë. Mbetje të qytetërimit të vjetër janë gjetur edhe në fshatrat: Rimanishtë, Sharban dhe Koliq ku ka gjurmë të vendbanimit dhe objekteve të kultit. Në territorin ndërmjet Prishtinës dhe Podujevës është i njohur edhe një qytet tjetër antik i njohur me emrin Gllamniku që është dëshmuar me gjetje të shumta të gjurmëve të hershme të qytetërimit.

Hartë e Perandorisë Osmane e vitit 1854 me emërtimin e qytetit Kassova në veri-lindje të Prishtinës
Si përfundim mund të konstatojmë se qytetin Kassova duhet kërkuar në territorin e cekur me lartë, do të thotë në veri-lindje të Prishtinës dhe se emri Kosova vjen prej emrit të qytetit Kassova si rezultat i ndikimit politik pansllavist dhe mitit të krijuar në shekullin e XIX-të për Betejën e Kosovës. Emri Kosova nuk mund të zëvendësoi emrin e Mbretërisë së Dardanisë, andaj shteti i ri i Kosovës duhet quajtur Dardani, në kontestin e sotëm historiko-aktual të termit mbarëpërfshirës Shqipëri.


Harta që dëshmojnë për kështjellën Kassova në veri-lindje të qytetit të Prishtinës

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura