(Rashid Krasniqi, ME SEKRET NË VARR – roman, botim i autorit, Prishtinë, 2011, f. 355.) Me rastin e përurimit të veprës së parë të publicistit, Rashid Krasniqi, PËRJETIME TË LEHTA, omnibus ngjarjesh të vërteta, të botuar më 2008, pos të tjerash, pata deklaruar se ajo është “një vepër krejt e veçantë memoaristike, e cila i ka edhe shumë nga veçoritë e prozës së mirëfilltë artistike, qoftë të një romani autobiografik, qoftë të tregimeve të veçanta, që shikuar si tërësi, përbëjnë një sagë rrëfimore për katër brezat e familjes së tij… Që në fillim në vetë titullin e librit “Përjetime të lehta” kemi një paradoks, që është karakteristik për prozën postmoderne, sepse shumë nga përmbajtjet e këtyre rrëfimeve nuk janë aspak të lehta…”
Sot, kur po e përurojmë romanin e tij, mund të konstatoj me kënaqësi z. Rashid Krasniqi, na sjell befasi të këndshme, sepse në këtë moshë sikur i përmbushi disa nga detyrimet që mund të priteshin nga ai dhe i verifikoi konstatimet e mia se kishte talent të lindur për krijimtari të mirëfilltë artistike. Prandaj, që në fillim duhet pohuar se duke lexuar romanin “Me sekret në varr” krijojmë bindjen se autori na paraqitet me një roman të llojit të veçantë proteik, ku janë gërshetuar veçanësitë karakteristike të disa llojeve të romaneve. Ndonëse me pervojë të paktë në krijimtari, madje edhe pa njohuri të mjaftueshme të teorisë së romanit, autori ynë ia doli thuaja se intuitivisht t’i gërshetojë me sukses brenda veprës së tij përbërësit e romanit të personazhit me ata të romanit të ideve dhe t’i harmonizojë të veçantat e jetës individuale me të përgjithshmet e jetës shoqërore, historinë e dhembshme të individit që, për t’i mbrojtur parimet e kristalta morale, bën sakrifica shumë të mëdha, për vete dhe për familjen, duke ruajtur sekretin deri në varr, me historinë e popullit të tij që lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Romani ka një pikënisje autobiografike, sepse në realizimin e figurës së protagonistit dhe të familjarëve të tij janë përfshirë shumë të veçanta të jetës personale të autorit, sidomos ata që kanë të bëjnë me formimin e tij në fazat e hershme të rinisë së tij. Po ashtu, edhe ngjarjet e veçanta shoqërore, historia e kohës së re, periudha që nga lufta e Dytë Botërore e deri në fund të shekullit XX është paraqitur në bazë të pervojës personale dhe të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të autorit në ngjarjet e kohës. Brenda paraqitjeve të ngjarjeve historike këtu janë trajtuar edhe pjesë të drejtpërdrejta të realitetit jetësor, madje edhe me emra të figurave të mirëfillta të pjesëmarrësve të politikës së kohës, që herë herë edhe anatemohen për punët e tyre kundër interesave kombëtare, me çka romani merr edhe permasat e një vepre gjithpërfshirëse postmoderne.
Siç u tha, vepra me gjerësinë e vet ka përbërës të romanit proteik të ideve, sepse brenda saj në veprimet e personazheve dhe të motivimit të tyre, gërshetohen idetë e shumta: humanitare, atdhetare, fetare islamike, antikomuniste dhe demokratike. Bota e ideve në vepër motivohet edhe me veprimet e një grupi nacionalist –endesheist (NDSH) në krye të të cilit është protagonisti i romanit. Në disa raste idetë kundërkomuniste janë sforcuar në mënyrë më të ashpër sarkastike, prandaj për të krijuar njëfarë baraspeshe ndërmjet antiserbizmit të theksuar, autori i ka inkuadruar në roman edhe disa personazhe me përkatësi kroate e sllovene, gjermane etj., që kanë ndikim të veçantë në motivacionin e veprimeve të protagonistit. Brenda këtyre relacioneve sqarohen edhe ambicjet e tij, që të merret me pune private, me një lloj biznisi që atij do t’i sigurojë pavarësi në veprime dhe mundësi më të mëdha për t’i ndihmuar edhe vetë organizatës nacionaliste, që vepron edhe brenda aksioneve të organizuara kundërshtetërore dhe kundërkomuniste.
Pjesa e parë e romanit i ka edhe shumë karakteristika të romanit të dashurisë, sepse në qendër të veprimit është dashuria e dy të rinjve, Aliut dhe Zelihasë, që kurorëzohet edhe me një martesë të lumtur dhe me një jetë të ngrohtë familjare. Dashuria që në ndonjë rast paraqitet në mënyrë eseistike edhe si Konstrukt – ndërtim i një dashurie platonike, është edhe bazë e motivit të kthesës fort të çuditshme në zhvillimin e ngjarjeve të romanit, sekretit të rrallë, që e sjellë ketë kthesë dhe i vendos ngjarjet e romanit nga Kosova në Arabinë Saudite. Dashuria si kuptim i veçantë dhe i përgjithshëm sjell ngrohtësi të veçantë në rrëfimin romanesk për jetën familjare dhe e zgjeron dimensionin cilësor të prozës së Rashid Krasniqit, duke e bërë më të pranueshme e më të kërkuar veprën si tërësi. Ndonëse jeta familjare e paraqitur brenda këtij romani ka edhe primesat e një vepre sentimentaliste, me dashurinë lidhen edhe shumë aspekte realiste të paraqitjes së psikologjisë së personazheve, në mënyrë të veçantë të atyre të botës femërore.
Pjesa e parë e romanit të Rashid Krasniqit, ajo lidhet me veprimet e personazheve në Kosovë, shquhet për begatinë e përgjithshme si vlerë e realizuar e artit të romanit, si rrëfim realist i strukturuar në mënyrë të ndërlidhur midis episodeve – veprimeve të motivuara të personazheve episodike dhe veprimeve kryesore të protagonistëve. Brenda kësaj pjese mbizotëron rrëfimi i autorit në pozicionin e narratorit të gjithdijshëm, por edhe shkathësia për t’i paraqitur dialogët e personazheve në të cilat është përdorur me sukses gjuha e individualizuar, që shërben edhe për tipizimin e tyre të veçantë.
Meqë brenda ngjarjeve të romanit është paraqitur kryesisht jeta urbane e banorëve të qytetit, nuansimi gjuhësor ka edhe shumë përbërës të gjuhës tradicionale me plotë orientalizma, që që lidhën në mënyrë të natyershme me protagonistin, besimtar të devotshëm dhe me shumicën së personazheve të tjera që i respektojnë me përpikëri normat e fesë islame. Kjo dukuri është edhe me e theksuar në pjesën e dytë të romanit, ku protagonisti jeton dhe vepron në Arabinë Saudite ku edhe krijon familje të re.
Ta themi kalimthi se pjesa e dytë e romanit, ku protagonisti – Aliu, i cili për ta ruajtur sekretin e tij të madh- si pasojë e moralit të veçantë njerëzor, ka hequr dorë edhe nga familja – gruaja dhe vajza – nga atdheu i tij, e madje edhe nga identiteti personal, sepse e ka ndryshuar edhe emrin e quhet tashmë Halil, shikuar pergjithësisht, ka karakteristikat e një skenari të filmit, jo vetëm pse i ka përshpejtuar ngjarjet, por edhe pse ka hequr dorë nga tipizimi i përgjithshëm i veprimeve të personazheve dhe ka marrë permasat e senzacionalizmit. Veprimi i këtillë i protagonistit mund të konsiderohet si një himnizim i dashurisë dhe i nderit personal, i respektit dhe i njerëzishmërisë së plotë, që është karakteristikë e personave të rrallë, të cilët si individë kanë qëllim të arrijnë në kufirin e skajshëm të përsosmërisë njerëzore. Aliu me zor e ndaloi shpërthimin e një konflikti të brendshëm, duke i ngritur ciliësitë e veta morale në urtësi dhe durim profetik.
Në gjerësinë e vet tematike romani “Me sekret në varr” si shumësi proteike shquhet edhe për dimensionin e tij në planin e gjerë historik, pastaj atë social, etno-psikologjik etj. Historikja këtu gërshetohet natyrshëm me rrëfimin për fatin e individit dhe të familjes shqiptare në rrethana të veçanta historike, kur populli ynë ishte i shtypur në aspektin kombëtar dhe social dhe luftonte që të çlirohej edhe nga dhuna shoveniste dhe konceptet sllavo-komuniste që ishin të huaja për mentalitetin e shqiptarit, i cili në vitet e luftës së madhe botërore kishte filluar t’i shijonte frytet e para të arsimimit dhe përgjithësisht të frymës kombëtare në jetën e tij. Brenda fatit personal të protagonistit dhe të shokëve të tij të organizuar në Organizatën Nacional Demokratike pasqyrohet edhe veprimi i organizuar që synon çlirimin kombëtar dhe përgjithësisht idetë demokratike për një shoqëri të lirë dhe një ekonomi të zhvilluar përfituese, që do të hapte shtigjet për përparimin e përgjithshëm të populllit dhe përmirësimin e rrethanave sociale të shtresave të varfëra të shoqërisë. Kështu, vepra ngërthen në vete edhe dimensionin social, sepse i paraqet vështirësitë e shumta të jetës së familjeve të varfëra të qytetit që në kushtet e komunizmit i kishin humbur edhe ato mundësi të pakta për të jetuar më mirë në sajë të punës së vet. Mund të thuhet se me anë të paraqitjes së disa personazheve nga shtresat e zanatlinjve, krahas kultivimit të ideve fetare, kombëtare dhe humanizmit të mirëfilltë, i bëhet jehonë edhe punës si bazë mbi të cilën ndërtohen parimet e larta të moralit njerëzor. Idetë rreth punës së si burim të krijimit të kushteve optimale për ekzistencë të ndershme e përcjellin protagonistin edhe gjatë jetës së tij në Arabinë Saudite, ku puna dhe rezultatet e saj sjellin stabilitetin ekzistencial dhe mundësinë për ta përballuar presionin shpirtëror të jetës së mërgimtarit, që e ka lënë vendin e vet, jo për përfitime materiale, por për parime të larta të moralit njerëzor – për ta mbrojtur të paprekur nderin familjar dhe njerëzishmërinë e vet personale.
Romani që nga fillimi e mbështet ekzistencën e vet si vepër artistike në kuptimësinë etnopsikologjike të ngjarjeve dhe personazheve nga mjedise të caktuara të qytetit dhe të fshatit, duke ruajtur shumë premisa tradicionale të jetës së popullit tonë. Ndonëse në disa raste duket si pak e sforcuar paraqitja e sferës fetare, si pjesë e identitetit të tërësishëm të shtresave qytetare, brenda tërësisë së veprës, duke pasur parasysh rrethanat e kohës, autori i ka harmonizuar drejt shumicën e veprimeve të personazheve tek të cilat feja është pjesë e pandashme e botëkuptimeve morale që e karakterizojnë mendësinë e përgjithshme të popullit tonë në atë periudhë. Kur është fjala për paraqitjen e mjediseve në Arabinë Saudite, ku ndodh një pjesë e subjektit të romanit, kjo përmasë vetëkuptohet. Megjithatë, brenda kësaj pjese ngjarjet kanë zhvillim më të shpejtuar, prandaj edhe atmosfera e mjedisve të caktuara familjare e shoqërore na del pak më e zbehtë, ndërsa personazhet nga bota arabe janë fikësuar dhe tipizuar më mirë.
Romani “Me sekret në varr” i Rashid Krasniqit shquhet për një strukturë kompozicionale, pothuajse krejtësisht origjinale. Ai fillon me një tekst të shkurtër sqarues, që quhet “parathënie”, ku ka një përpjekje për të arsyetuar veçanësinë e veprimit të protagonistit, Aliut të Kosovës, përkatësisht Halilit të Arabisë Saudite, në mënyrë të veçantë skrupullën morale të kryeheroit, që nuk përkon sot me botëkuptimet e me veprimet pjesës dërrmuese të njerëzve. Fill pas kësaj vjen prologu, që në të vërtetë është epilog i zhvillimit kronologjik të ngjarjeve të romanit – paraqitja e vizitës së fëmijëve të Aliut, përkatësisht Halilit, në Kosovë dhe paradoksi i dallimit të pamjeve të tyre, vajza bionde dhe djali zeshkan, që ndonëse janë rritur e shkolluar në Arabi e kanë mësuar gjuhën tonë dhe përpiqen të identifikohen me kombin e babait të tyre.
Pas një epilogu të këtillë, autori i kthehet në mënyrë retrospektive paraqitjes së jetë së protagonistëve, Aliut dhe Zelihasë që nga lindja e deri në vdekje. Rrëfimi për këta dy protagonistë dhe për shumë personazhe të tjera të individualizuara dhe të tipizuara në shumë aspekte ka një rrjedhe të natyrshme kronologjike gjatë gjithë romanit. Në ndonjë rast kemi edhe ndërhyrje të autorit për të plotësuar ndonjë epizodë me tregimin e ngjarjeve të vërteta nga realiteti konkret jetësor i Kosovës, që shikuar përgjithësisht, ndonëse duken si të tepërta, i japin një dimension të veçantë postmodernist rrëfimit të romanit dhe e pasurojnë shumësinë e ideve të përfshira në të.
Vepra e Rashid Krasniqit përfundon me dy tregime të veçanta reale jetësore, krejtësisht të pavaruar nga ngjarjet e romanit, që si skicime mund të shërbejnë si subjekte për romane të reja. Duke i përfshirë këtu, autori nuk e ka këtë qëllim, por me këto dhe me konstatimin konkret, siç thotë edhe vetë në fund, për shkak të kufizimeve të moshës, do ta përmbyllë veprimtarinë e vet në fushën e artit.
Romani i Rashid Krasniqit “Me sekret në varr” është një vepër e mvehtësishme jo vetëm për syzheun e saj interesant dhe shumësinë e ideve që gëshetohen në të, por edhe për shkak të stilit dhe të gjuhës me të cilen është krijuar. Fjalia tregimtare e Rashid Krasniqit në këtë roman ka një rrjedhe të natyrshme, të përafërt me sintaksën e gjuhës së përditshme popullore, por e pasuruar me frazeologji të mjediseve të caktuara urbane dhe me me një leksik të pasur shprehjesh karakterizuese të mjediseve të caktuara, në të cilat kanë një mbizotërim të lehtë orientalizmat, që e përveçojnë përgjithësisht gjuhën e kësaj vepre. Romani është shkruar në bazë të parimeve themelore të normës letrare të gjuhës shqipe, por për t’i paraqitur në mënyrë sa më reale personazhet, për ta bërë tipizimin e tyre, dialogët dhe monologët e tyre janë paraqitur në trajta të veçanta dialektore.
Shikuar përgjithësisht, romani “Me sekret në varr” i Rashid Krasniqit, për shkak të përmbajtjes së pasur me lëndë jetësore, të transponuar artistikisht me anë të stilit të lehtë transparent dhe pasurisë gjuhësore, lexohet me kënaqësi – do t’i ketë adhuruesit e vet nga radhët e lexuesve.
Në fund, na mbetet ta falënderojmë autorin që na ka dhuruar një vepër me anë të së cilës do të mësojmë më shumë për të kaluarën tonë, do të përjetojmë kënaqësi duke i shijuar vlerat morale të protagonistëve të kësaj vepre, që janë njëkohësisht edhe vlera njerëzore e shoqërore të mjediseve të caktuara të botës shqiptare, madje edhe vlera artistike që e karakterizojnë prozën tregimtare të z. Rashid Krasniqi.
– Fjalë e mbajtur me rastin e përurimit të veprës –
Postime të Lidhura
HIPOKRATI AI QË PËRJASHTOI FENË NGA PRAKTIKAT E TRAJTIMIT TË TË SËMURËVE
Pashtriku.org, 20. 11. 2016: Hipokrati, në shumësinë e të të interesuarve ka zënë vend si Babai i Mjekësisë,…
FAIK KONICA: SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT SIPAS ZNJ.EDIT DYRHAM
(Pashtriku.org, 11.11. 2012) – Libri i zonjës Edit Dyrham – “The Burden of the Balkans” – do të…
BEDRI TAHIRI: DOLI NGA SHTYPI LIBRI I SKËNDER S.KAPITIT “TRIUMFI I KOMBIT”
(Prishtinë, 01. 09. 2012) – Kёto ditё nё botim tё SMS, doli nё shitje libri mё i ri,…
GJOKË DABAJ: BINGO, MAMA! (POEMË)
Pashtriku.org, 28. 04. 2013 – 1. Ajo i rrinte te koka. Plagët nuk ia shihte dot, por pat…