DR.SADRI RAMABAJA: NOMENKLATURA TITISTE NË KOSOVË – PORTPAROLL I NEOKOLONIALIZMIT SERB

Prishtinë, 07. 10. 2016: Kundërvënia e shoqërisë shqiptare ndaj nomenklaturës titiste që sot është në politikë duhet të jetë e përqëndruar. Atë nuk mund ta organizojë e mbarështrojë vetëm një forcë politike; ajo duhet bërë nga Shteti dhe duhet të jetë e përmasave mbarëkombëtare.
Segmente të nomenklaturës titiste në Kosovë, jo vetëm brenda LDK-së dhe në majat e saj, por edhe branda PDK-së, zotërojnë sot skenën politike në Kosovë. Ata kanë krijuar parakushtet që edhe ajo pak ekonomi e vendit që ekziston të jetë nën kontrollin e tyre. Rrjedhimisht, dhe për shkak të këtij kontrolli mbi politikën dhe ekonominë, ata janë edhe zotërues të mediave elektronike (TV) dhe një numri të madh edhe të medias së shtypur. Të gjithë tok, të përbashkëtën e tyre e kanë urrejtjen e thellë për atë shtresë sado të hollë të idealistëve shqiptarë që kishin mbajtur gjallë idenë e bashkimit të Kombit. Kjo nomenklaturë e vjetër që është në krye të partive politike, dron shumë nga gjakimi i rinisë dhe intelegjencies së re, të mbledhur rreth VV, që po e ushqen këtë dashuri ndaj Gjuhës, Kombit e Shtetit të përbashkët shqiptar.
Kjo sortë atdhe-e-kombmohuesish ofrojnë alternativa kozmopolite, të pranueshme për qarqet simotra evropiane, por edhe bashkëpunim të hapur me Serbinë, vetëm e vetëm që të ruajnë tutje pozitat që zotërojnë sot. Për këtë arsye ata vazhdojnë të koketojnë qoftë drejtpërdrejt, qoftë indirekt me Beogradin. Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, që defunksionalizon Republikën dhe e rikthen bashkëqeverisjen e plotë me Beogradin, duke bërë inegzistent Shtetin, por dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi, janë produkt i kësaj nomenklature.
LDK-ja si eshalon i Lidhjes Komuniste Jugosllave
Nëse vëmë re kohën, rrugët që u ndoqën për krijimin e LDK-së dhe njerëzit që erdhën në krye të saj në dhjetorin e 1989-ës, por sidomos ata që morën drejtimin e kësaj strukture tashti së fundmi, shihet qartë se kemi të bëjmë me një forcë totalisht të kontrolluar nga shërbimi serb. Fillimisht, për shkak të rrethanave dhe euforisë iluministe, në krye të saj erdhi eshaloni i dytë i Lidhjes Komuniste Jugosllave, kryesisht nga qarqet e kulturës, ndërkaq së fundmi, Serbia nxori në rend të parë ish strukturat e saj më të besueshme, por që kishin begraund ekonomik, meqë kjo është fusha ku ajo pretendon ta ketë ndikimin e saj afatgjatë.

Meqë epoka e kolonializmit klasik në Kosovë përfundoi në qershor 1999, natyrisht falë gjeopolitikës dhe gjithësesi UÇK-së dhe titanizmit të asaj shtrese të hollë idealistësh që e ngritën dhe arritën ta mbajnë UÇK në këmbë edhe atëherë (maj 1998), kur shërbimi serb dhe aleatët e tij kishin penetruar thellë në strukturat e LPK-së, si organizata politiko-ushtarake më e sukseshme që nga epoka e Lidhjes së Prizrenit, tani po i vije koha epokës së neokolonializmit.
Për këtë epokë, duket se Serbia ka përzgjedhur të sjell në krye të institucioneve të Kosovës ose marionetat e saj të drejtpërdrejta, ose pasuesit e strukturës së saj të gjerë që i kishte mbajtur të lidhur me fijet e merimangës së sistemit të ngritur nën kauzën e Lidhjes së Komunistëve Jugosllav. Të kujtojmë një fakt domethenës: në fund të viteve tetëdhjeta, në Kosovë, Lidhja Komuniste Jugosllave kishte diku mbi 50.000 anëtarë, prej të cilëve mbi 5000 ishin në strukturat drejtuese në cilësinë e sekretarëve të organizatave bazë të saj, të shtrira gjithandej, deri edhe tek Instituti Albanologjik.
Neokolonializmi si reminishencë e projektit të Kishës ruse
Por, nëse historia politike e Evropës së pas Luftës së Ftohtë na dëshmon se epoka e influencës ruse dhe satelitëve të saj në Ballkan, kishte rëniet dhe ngritjet e saj, kjo e përditshmërisë që po jetojmë, duket se shenjon qartë pretendimet për rikthimin e Rusisë në Ballkan dhe me këtë edhe të ndikimit të saj në hapësirën shqiptare.
Në një analizë brilante të Mirdit Toskës mbi influencën tradicionale ruse në Shqipëri, publikuar në portalin Bleta shqiptare, bëhet e qartë se përse disa segmente politike në Tiranë vazhdojnë “ta kenë në zemër Rusinë” edhe sot. Një analizë e tillë nuk është bërë për të nxjerr në pah se përse i gjithë ky vullnet politik i nomenklaturës udhëheqëse të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, edhe atëherë kur ky qëndrim duket katërcipërisht se e dobëson Shtetin dhe i hap rrugë neokolonializmit afatgjatë serb në Kosovë.
Nëse do ta njihnim më mirë historinë tragjike të ortodoksëve shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni, do ta kishim edhe më të qartë fuqinë e Kishës Ruse dje dhe mëtimin për rikthimin e saj të mundshëm sot, sidomos kur përballja jonë me fashizmin islam në Kosovë dhe Maqedoni, duket tepër e mefshtë.
Ditë më parë kam vizituar disa familje të ortodoksëve shqiptarë (të asimiluar tashmë në serb) në rajonin e Anamoravës, pinjoll të familjeve të mëdha Xhaka dhe Korça, e që nuk e fshehin fare se ishin në piramidën e UDB-së për vite të tëra. Më kishte orjentuar drejt tyre jo vetëm njohja me historinë tragjike të ortodoksëve shqiptarë të shpërngulur nga rajoni i Meditës (Medvegjës së sotme), e të ngulitur në Ukrainë, studimet mbi rolin e Kishës ruse në Ballkan gjatë shekullit XIX-të në sllavizimin e elementit ortodoks shqiptarë, vllehë etj., por edhe rrëfimet e njërit prej studjuesve tonë nga më të apasionuarit për trashëgimin tonë dhe arssyet e tij të supozuara përse historiografia jonë është marrë kaq pak, prë të mos thënë fare, me studimin e këtij fenomeni.
Rikthimi tek ky element, tashti përmes Kishës Serbe (të kujtojmë fushatën për funksionimin e të ashtuquajturës Kishë serbe në kompleksin Universitar në Prishtinë), dhe Listës Serbe si formacion politik i komanduar drejtpërdrejt nga Beogradi, tok me atë armatën e nomenklaturës titiste ( tashmë të amplifikuar në kozmopolitë), të shpërndarë në dy forcat politike që kanë dominuar skenën tonë politike për më se tri dekada, e bën neokolonializmin e Kosovës më të qëndrueshëm dhe me këtë, e shpjenë tutje në histori mundësinë për funksionalizimin e Republikës dhe bashkimin e Kombit.
Në këtë rrafsh, hulumtimi korrekt pa përjashtuar edhe hetimet nga Prokuroria e Shteit, mbi rrugët që janë ndjekur në themelimin dhe shndërrimin e Institutit RIINVEST në fuqi ekonomike, respektivisht një lloj lavatriqeje sui generis të parasë publike, por edhe si qendër ku pregaditen kuadrot e LDK-së, do t’i bënte më të qarta arsyet reale përse sot Kosova ndodhet në kolapsin ekonomik dhe në krizën politike më të madhe që nga shpallja e pavarësisë. A nuk janë këto elemente të mjaftueshme prë të dëshmuar se projekti pansllav i kishës ortodokse Ruse po tenton hapur të riaplikohet sërish?!
Konkluzione
Procesi i filluar në Berlin (2014) dhe tashmë i bartur në Vjenë (2015), e që ka të bëjë me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duket se ka marrë në konsideratë edhe këto konjuktura politike të nomenklaturës titiste ndër shqiptarët e Kosovës, duke imponuar për partner pikërisht këtë strukturë!
Shih për këtë, ndryshimet në seknën politike kosovare (madje do të thosha edhe mbarëshqiptare) janë imperativ kohe. Në këtë rrafsh orientimi i forcave atdhetare për të thelluar aleancën me SHBA-të dhe partnerët tanë real në rajon, janë të natyrës strategjike dhe urgjente. Ndërkaq kundërvënia ndaj nomenklaturës titiste duhet të jetë e përqëndruar. Atë nuk mund ta organizojë e mbarështroj vetëm një forcë politike; ajo duhet bërë tok, nga ët gjitha forcat atdhetare, nga Shteti dhe duhet të jetë e përmasave mbarëkombëtare.
Zgjidhja do pasojë përmes krijimit të Federats Shqiptare, që nënkupton ecje tutje drejt rrumbullaksimit të projektit të shtetit-komb.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura