Prishtinë, 27 dhjetor 2020: Qytetarit shqiptar në ish-RSFJ nuk i mungonte liria e lëvizjes, por atij i mungonte shumë më shumë: i mungonte vetë Liria. Atij i mohohej e drejta edhe për vetëvendosje, rrjedhimisht i mungonte liria kombëtare. Kur në skenë doli LDK-ja koha kërkonte heroin kolektiv. LDK përmbysi rendin historik, shndërroi popullin në një masë që i nënshtrohej fatit!
Prishtinë, 26 dhjetor 2020: Në fjalinë e parë të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së (1776) thuhet: “Të gjithë njerëzit janë të krijuar të njëjtë”. Në këtë linjë rezonimi ishte edhe fryma që promovonte Deklarata Franceze për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarëve (1789), ku potencohet taksativisht se:”Njerëzit kanë lindur të lirë dhe të barabartë dhe ata mbesin të lirë”. Shoqëria njerëzore , sidomos gjatë shek. XX, do të bëjë hapa të tjerë me peshë në dobi të lirisë së individit e asaj kolektive, por edhe për mbrojtjen e dinjitetit.
Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, e aprovuar nga OKB-ja më 1948, potencon me theks të veçantë se: “Të gjithë njerëzit janë të lindur të lirë, me dinjitet e të drejta të barabarta”.
Aktet e vullnetit politik progresiv që përmendëm më lart (Deklarata amerikane – 1776, ajo franceze për të Drejtat e Njeriut -1789)… janë inkorporuar ndërkohë edhe në kushtetutën e Republikës sonë.
Një përballje me kolonizatorët serbë, studentët tanë (1981) këto postulate të drejtësisë i përvetësuan me vullnet e dashuri. Natyrisht, të vetëdijshëm për pozitën reale të Kosovës, ata ishin të bindur se vetëm duke u organizuar politikisht mund të flaknin vargonjtë e kolonializmit, që në dekadën e fundit, siç e kemi theksuar ndërkohë, ishte i përmasave të apartheidit. Ky fakt u bë i qartë për të gjitha shtresat, sidomos në vitet pas suprimimit të autonomisë (mars 1989). Kjo ishte periudha, kur Beogradi nuk do të ngurronte të përvetësonte shumë prej elementeve, që më kohë po i aplikonin kolonizatorët britanikë në Afrikën e Jugut.
Të kemi parasysh paradoksin historik:
Masat, si: segregacioni, hedhja e punëtorëve në rrugë, getoizimi etj., Serbia po i vinte në jetë në dekadën e fundit të shek. XX, dhe këtë në truallin e Europës dhe në sy të promovuesve të demokracive liberale triumfuese!
Rrjedhimisht, kjo ishte dekada që kërkonte sakrifica të mëdha. Aktet heroike individuale nuk mjaftonin. Po bëhej gjithnjë e më e qartë se Liria, hapësira e ruajtjes e selitjes së dinjitetit shqiptar, kërkonin heroizmin e masave. Në këtë kuptim, brezi i 1981-it do ta përvetësonte drejt mesazhin brehtian, i konceptuar drejt në përputhje me ambientin tonë politik e kulturor.
Brehti, me gjuhën e satirës, në dramën e tij të famshme “Leben des Galilei” (Jeta e Galileit), apelon për domosdonë e shndërrimit të popullit në hero: “Është i pafat ai vend, që ka nevojë për hero!” [1]
Brehti, si marksist që ishte, si hero të dramës së tij nuk donte të kishte Galilein, por vetë popullin1, që nënkupton se, sipas Brehtit, rezulton të jetë i pafat ai komb që, kur ia kërkojnë nevojat, nuk shndërrohet në hero. Duket se këtë mesazh kuptimplotë, më mirë se shumë intelektualë konformistë në Prishtinë, atëbotë e kishte kuptuar ai grusht i kriptoelitës dhe atipikët e denjë, që cilësohen si Timote të epokës sonë, si Adem Jashari, Fehmi Lladroci, Zahir Pajaziti…
Shndërrimi i popullit në masë heroike në historinë tonë ka traditë të bujshme. Nuk ishte e rastit, që rilindësit tanë e kishin pagëzuar Gjergj Kastriotin kryehero. Ajo epokë e lavdishme e tij e kishte shndërruar çdo ushtar e komandant në hero, ndërkaq ata prijës kishin kryeheroin e tyre, Gjergj Kastriotin. Në fakt, jo vetëm oficerë e ushtarë, por për 25 vjet rresht, nën drejtimin e kryeheroit, një popull i tërë ishte shndërruar në masë heroike.
E tillë ishte edhe epoka e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë (UNÇSH). Kjo epokë do ta rimishërojë Oso Kukën te Vojo Kushi, ndërkaq ushtrinë partizane do ta ngrejë në një masë heroike. Edhe heroizmi kolektiv i ushtarëve të UÇK-së së vegjëlisë, po i hapte rrugë procesit të shndërrimit të popullit në masë heroike. Kjo frymë ishte kultivuar nga ai brez revolucionarësh, që kishin nxjerrë në dritë demonstratat e 1981-it dhe ilegalja.
***
Demonstratat e 1981-it për shumëçka mund të shihen edhe si pararendëse të Revolucionit të Kadifenjtë për të gjithë Europën Lindore e Qendrore. Ato kanë edhe një peshë tjetër për historinë moderne të Europës, meqë shkërmoqën tezën për gjoja përparësi diferenciale të “socializmit vetëqeverisës” jugosllav në raport me çështjen nacionale të trumbetuar si të zgjidhur tashmë, në krahasim me të ashtuquajturin “socializëm real” të Europës Qendrore e asaj Lindore. Këto iluzione që ushqeheshin nga një shtresë e së majtës europerëndimore, por edhe nga e ashtuquajtura elita jonë kulturore e autonomiste, do të mund të kenë qenë mbase motive shtesë, sepse disa nga qeveritë e majta liberale nuk e mbështesnin kauzën tonë për liri e Republikë as atëbotë, e as më vonë. Madje, ca prej tyre ngurruan shumë të marrin pjesë në aksionin e NATO-s kundër forcave serbe (1999).
Rolin e madh të demonstratave të 1981-it do ta kishim edhe më të qartë, nëse ato i krahasojmë me ngjarjet që pasuan në vitet e kthesës së madhe me revolucionet paqësore në Lindje të kontinentit tonë, para së gjithash në Gjermaninë Lindore, Poloni, Hungari etj., në prag të shkërmoqjes së BRSS-së dhe komunizmit alla-rus.
Qytetarit shqiptar në ish-RSFJ nuk i mungonte liria e lëvizjes, por atij i mungonte shumë më shumë: i mungonte vetë Liria. Atij i mohohej e drejta edhe për vetëvendosje, rrjedhimisht i mungonte liria kombëtare. Prandaj demonstratat e 1981-it duhen analizuar e vlerësuar edhe për kontributin që ato dhanë edhe në rrafshin ndërkombëtar dhe kjo për dy arsye:
1. Në rrafshin ndërkombëtar ato demaskuan tezën për gjoja zgjidhjen e çështjes etnike në formacionet shoqërore komuniste;
2. Dhe demaskimi i dytë kishte të bënte me tezën mbi pozitën e rrejshme të klasës punëtore në të ashtuquajturat shoqëri me rend socialist.
Paraprakisht, tezën e dytë e kishin goditur rëndë grevat e punëtorëve në Poloni dhe lëvizja sindikaliste “Solidarnost”. Ndërkaq, demonstratat në Kosovë dhe pjesëmarrja e punëtorëve në mënyrë masive në to, sidomos më 1 e 2 prill, po e shpërfaqnin edhe më shumë pozitën sociale dhe nacionale të pazgjidhur jo vetëm të shqiptarëve.
Qytetarit shqiptar i mohohej e drejta për vetëvendosje edhe pas luftës së lavdishme të UÇK-së, meqë pretendohej t’ i mohohej tutje Republika. Prandaj në jetë mbahej nga shërbimet e huaja fuqishëm LDK-ja dhe miti i Ibrahim Rugovës! Sërish do ët jetë pikërisht LDK-ja që do t’ i kunëdrvihet herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi proceseve progresive politike. Ndërkaq duke u shndërruar në patericë e PDK-së, ajo do të kontribuojë ndjehsëm në kapjen e shtetit. Prandaj mund të thuhet se poshtërimi si akt politik ka emrin LDK.
Demonstratat e vitit 1981 ishin produkt i frymës revolucionare, prandaj ato janë shndërruar në epokë dhe, si të tilla, me peshë të madhe në historinë moderne të kohës. Nuk ishte e rastësishme që grupet e organizuara ilegale, që u përfshinë në organizimin e tyre, do të shërbenin si fidanishte të nacionalizmit progresiv, kur do të shkriheshin në LPK. Ndërkaq, kuadri drejtues i UÇK-së, sidomos ai operativ, por sidomos ai i G2-it (inteligjenca e UÇK-së), do të përbëhej kryesisht nga ish-të burgosurit politikë. Këtë fenomen – të qenit nacionalist progresiv – e kishte veneruar mirë gjatë kohës, sa edhe vetë ishte bashkëvuajtës me ta, profesor Ukshin Hoti, e sidomos në vitet ’90-të, kur do të bashkëpunonte me një pjesë prej tyre për nxjerrjen e revistës “Demokracia autentike” në Lubjanë.
Kjo frymë e nacionalizmit progresiv, që do të ketë shtrirje horizontale te brezi i ri, por edhe te shtresat e tjera gjatë viteve ’90-të, qoftë përmes Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, qoftë përmes qëllimit që LDK-në ta shndërrojnë në Lëvizje Gjithëpopullore – masë heroike, ai do ta cilësojë si shprehje plebishitare për Republikën dhe demokracinë autentike. Në këtë Condita Heroica profesor Hoti jetoi me tërë qenien e tij, duke u shkrirë brenda saj dhe, madje, edhe duke pranuar që të vihej në krye të UNIKOMB-it.
Profesor Ukshin Hoti, si një nga njohësit e jashtëzakonshëm të mendimit politik dhe të historisë politike, sikur e kishte parandier se entuziazmi revolucionar mund të ketë kufijtë e tij të natyrshëm. Ai ishte i bindur se Kosova, jo vetëm gjatë luftës, por sidomos kur të gëzonte lirinë, përgjatë një periudhe të mirë të konsolidimit shtetëror, do të kishte nevojë sa për lirinë, po aq edhe për demokracinë autentike si formë të qeverisjes, respektivisht për atë tip të ri të heroit/politikan idealist, që nuk e ndan politikën nga etika. Prandaj ai shprehte bindjen, se demokracia autentike, që në literaturën moderne përafrohet me tipin e demokracisë deliberative, do ta selitë atë tip të homosapiensit politik shqiptar, që do ta bënte Republikën shpejt funksionale dhe plotësisht në shërbim të bashkimit. Në të kundërtën, defunksionalizimi i Republikës, ngjashëm me poshtërimin si akt politik që i ndodhte shqiptarit si qenie njerëzore gjatë dekadës së fundit të shek. XX, madje edhe mbajtja e Republikës si peng i fateve personale, e, rrjedhimisht, në stadin e shtetit të dobët ose në dështim, shkon në favor të Serbisë dhe të ish-kolaboratorëve të saj ende aktivë në Kosovë.
Këto veprime filozofi gjerman Diter Tome do t’i cilësonte jo si shprehje të “maturisë së demokracisë”, siç po manipulojnë një pjesë intelektualësh ndër ne, duke arsyetuar kakofoninë rreth demonstratave të vitit 1981 dhe rolit të ish-të burgosurve në shoqërinë tonë, por si “akt të poshtërimit të njerëzimit”2. [2]
Duke e shtjelluar këtë fenomen edhe në rrafshin real historik, përveç atij teorik, D. Tome nënvizon: “Ata që kanë problem me heronjtë, mendojnë se potencimi i tyre (pra i heronjve),është i ndërlidhur me nënvleftësimin automatik të joheronjve. Ata këtë çështje e ndërlidhin me skemën ekonomike, me ç’rast gjatë ndarjes së të mirave, respektivisht vlerave, mes heronjve dhe neve (qytetarëve të rëndomtë – SR), gjykojnë se po shkojnë instinktivisht drejt ingranazhit të “lojës së shumës zero” (Nullsumenspiel):Sa më shumë të admirohet heroi, aq më turpshëm reflektohet dobësia jonë”3.
Profesori i Universitetit të Kembrixhit, Herbert Butterfield, teksa shkruan për fenomenet historike që u janë nënshtruar modeleve logjike të analizës, siç janë lëvizjet politike, zhvillimet me ndikim të theksuar historik, bie fjala Lufta e Peloponezit (Moresë sonë), refleksioni i revolucionit borgjez francez (1781), Revolucioni rus i Tetorit (1917) etj., thekson se “prapa konflikteve domethënëse të njerëzimit qëndron një lloj shtrëngimi i jashtëzakonshëm. Këtë lloj shtrëngimi nuk e vënë re bashkëkohësit, ose, më keq, ata e mohojnë atë, duke mos ia njohur as edhe autenticitetin e tij”. [3]
Këtë rrjedhë të mendimit ai e vazhdon më tej, duke konkluduar se njohjet, dijet tona, rrjedhin ose janë produkt i analizave të mëvonshme. Vetëm hulumtimet dhe studimet historike për tema të veçanta e sjellin njerëzimin në dijeni të asaj se kishin të bënin me një nyjë të jashtëzakonshme – […] “se ky shtrëngim, që ka të bëjë me dilemën e pazgjidhshme, është pa dyshim pjesë e sistemit të ndërlidhur të konfliktit njerëzor. Ajo dilemë, në thelb, ka të bëjë me ndërtimin e secilës fazë të konfliktit”.
Nëse i venerojmë mirë dy pikat kulmore të këtij lloj “shtrëngimi të jashtëzakonshëm”: demonstratat e vitit 1981 dhe shpërthimi i luftës së UÇK-së (1998), që në thelb kishin të bënin me dilemën e pazgjidhshme të shqiptarëve në ish-Jugosllavi: lirinë kombëtare, atëherë e kuptojmë qartë si rolin historik të demonstratave të 1981-it, ashtu edhe atë të luftës së UÇK-së (1998-’99) dhe ndërlidhjen e tyre me krejt rrjedhën historike të këtyre katër dekadave, por edhe pozitën dhe rolin e shqiptarëve sot me trandjet gjeopolitike aktuale që kanë të bëjnë me Europën Juglindore, që padrejtësisht është emërtuar në këtë rrafsh komunikimi si Ballkan Perëndimor.
____________
Referencat:
1 Bertolt Brecht, Leben des Galilei, vëllimi V, Frankfurt am Main, 1988, f. 7-115.
2 Dieter Tome, po aty, f. 169.
3 Po aty, f.174.