Mitrovicë, 10 mars 2021:
3. e. Bashtina
Krahas pronies ndonëse në një shtrirje jo kaq të gjerë e një peshë specifike jo kaq të madhe, ekzistonte një kategori tjetër e pronës feudale, bashtina.[47] Bashtina ishte pronë e plotë, e përjetshme dhe e pakushtëzuar. Ajo mund të shitej, të dhurohej, të trashëgohej. Ato ishin krijuar me atë të përvetësimit të tokave të anëtarëve të bashkësisë me blerje, me grabitje, ose me dhurime nga pushteti.
Ndërsa toka e bashtinës fshatare punohej nga anëtarët e familjes së mbajtësit të saj, bashtina feudale, ashtu si edhe pronia, mbështeteshin krejtësisht mbi shfrytëzimin e punës së fshatarëve të pavarur[48].
Shek. XIV u bë periudha që shënoi një moment kthese. Në këtë kohë vihet re një sulm i gjerë i feudalëve për të shtënë në dorë tokat që nuk kishin rënë nën pronësinë feudale. Objekt sulmi u bënë kullotat malore ose “bjeshkët”. ata niseshin nga parimi se malet i përkasin atij, në tokat e të cilit gjenden. Ky parim ishte shprehur edhe në kodin e Stefan Dushanit. Malet konsideroheshin pronë ekskluzive e feudalëve. Ato u bënë të tilla, duke përdorur edhe dhunën.
Rrugë të tjera veç marrjes me dhunë ishte blerja e detyruar ose fiktive “dhurimet” gjoja vullnetare të fshatarëve të varfëruar etj.
Nëpër këto rrugë u zgjeruan bashtinat në formën e uniteteve ekonomike – territoriale të mëdha e kompakte. Në disa raste arrinin deri në mijëra hektarë. Proniet e bashtinat ndodheshin jo vetëm në duart e dinatëve feudalë shekullarë, por edhe të feudalëve kishtarë të manastireve, të kishave dhe të peshkopatave.
3. f. Gjendja kishtare dhe pronat kishtare në Shqipëri
Në kapërcim të shek. X – XI trevat shqiptare ishin nën juridiksionin kishtar të tri kryepeshkopatave, të cilat drejtonin një numër të madh selish peshkopale vartëse (sufragane). Këto qenë kryepeshkopata e Naupaktit, ajo e Durrësit dhe kryepeshkopata e Ohrit.
Kryepeshkopata e Ohrit përmblodhi numër më të madh të peshkopatave shqiptare. Të tilla qenë peshkopata e Himarës, Butrintit, Drinopojës. Ajo kishte nën vete edhe selitë peshkopale të Nishit, Prizrenit, Shkupit, Dibrës, Kërçovës, Përlepit, Devollit, Kolonjës, Manastirit etj.[49]
Ndarja zyrtare e kishës më (1054), në kishën katolike të Perëndimit, me qendër në Romë, e në kishën ortodokse të Lindjes, me qendër në Konstandinopojë, i gjeti trojet shqiptare të ndara midis dy qendrave të mëdha të botës së krishterë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdoi të qëndrojë e lidhur me Patrikanën e Konstandinopojës. Por në skajin veriperëndimor ishte kristalizuar një enklavë katolike e përfaqësuar nga peshkopatat diokleate të Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Pultit, Drishtit që njohën autoritetin kishtar të Papës së Romës[50].
Tokat tona nën perandorinë romake – bizantine në vitin 596 …
3. g. Pronat kishtare
Pronat e institucioneve kishtare u rritën më shpejt se ato të feudalëve. Kjo duket në rritjen e pronave të kryepeshkopatës së Ohërit. Në shek. IX ajo zotëronte disa ndërtesa kishtare e manastirore e disa pallate të dhuruara nga mbretërit bullgarë në Devoll e Gllavinicë,[51] dhe në fillim të shek. XI nuk kishte më tepër se disa qindra parikë, në fillim të shek. XII kryepeshkopata në fjalë zotëronte disa qindra fshatra si pronie e bashtina, të shpërndara në Shqipëri e Maqedoni, në të cilat gëzonte imunitet. Ajo ishte pronare kullotash, mullinjësh dhe dajlanesh,[52] asaj i përkiste e drejta e peshkimit në gjithë liqenin e Ohrit, nga të gjitha këto ajo kishte të ardhura të mëdha.
Rrugët e përvetësimit të tokave ishin blerja, akoparimet, dhurimet e perandorëve dhe të besimtarëve të pasur. Ndërsa prona e grumbulluar nga feudalët shekullarë ndahej shpeshherë nga trashëgimtarët, kontestohej nga kundërshtarë ose kthehej në fondin shtetëror me rastin e vdekjes ose të vrasjes së pronarëve të saj. Prona kishtare kishte stabilitet më të madh dhe gëzonte siguri pak a shumë të plotë. Për këtë arsye shumë feudalë shekullarë themelonin manastire dhe u dhuronin atyre pronat e veta, duke i lënë vetes, anëtarëve të familjes të drejtën e ktitorit (themeluesit), gjë që u lejonte të gëzonin të ardhurat e tyre në mënyrë më të siguruar.
Manastiret dhe kishat u pajisën me dhurata të mëdha tokash e fshatrash. Kështu, më 1426, Gjon Kastrioti i dhuroi manastirit të Hilandrit në malin Atos dy fshatra në Dibër.[53]
Në fillim të shek. XIII, në Kosovë, ky manastir kishte vetëm 9 fshatra, një treg dhe 4 stane bletësh. Pas një shekulli e gjysmë ai zotëronte 190 fshatra e 14 male ose bjeshkë midis Dibrës e Prizrenit.
Manastiri i Deçanit kishte 151 fshatra dhe 18 bjeshkë. Tokat e tij llogariteshin në 20.000 ha. tokë me 15.500 banorë që kapnin një krahinë të tërë e kompakte që quhet Rrafshi i Dukagjinit.[54]
Një Llambadar në këtë manastir është eksponat e dhuruar nga Ghergj Kastrioti – Skenderbeu.[55]
Në vitin 1280, në fshatin Potgorë të rrethit të Shkodrës kishte vetëm 4 ekonomi fshatare pronë e manastirit të Vraninës. Pas disa dhjetëra vjetësh kjo pronë kishte përfshir gjithë fshatin. Manastiri i Tetovës, nga pronar i disa arave, më 1338, ishte bërë pronar i gjithë fshatit Trakovec.
Më 1348 manastiri i Prizrenit kishte 76 fshatra e 23 kullota malore e shumë shtëpi. Një pjesë e mirë e këtyre pronave ishin larg Prizrenit, në Pult, në Danjë, Gjadër, Koplik, Shkodër etj.[56]
Manastiret u jepnin zotërimet e tyre qiramarrësve të mëdhenj. Ata, ua shpërndanin tokat qiramarrësve të vegjël. Kështu rritej pagesa e qirasë dy herë. Kjo dëshmonte për lindjen e formave fillestare karakteristike për marrëdhëniet parakapitaliste.[57]
Në fillim të shek. XIV, siç na meson krisobula e Shën Shtjefnit – Banjskës (e cila u shkrua, me sa duket, gjatë viteve 1313 – 1316), Llapi i Poshtëm dhe Llapi i Epërm – “Obema Laboma”, zihen n’gojë si prona të manastirit të Banjskës.[58] Po ashtu edhe fshati Barilevë ishte pronë e këtij manastiri.
Kështu, në vitin 1419 (1414) me rastin kur sunduesi në fjalë (Gjuragj Brankoviqi), manastirit të Shën Pantelejmonit në Malin e Shenjtë ia bashkangjet dy fshatra, njëri prej tyre ishte Vranidolli, fshat buzë Llapit.[59]
Në shek. XVI trevat shqiptare karakterizohen me një zhvillim te mëtejmë p.sh. Prizreni shënon përparim në tregti, në zejtari dhe në jetën kulturo – arsimore. Ndërtohen mullinjtë, dyqanet, karvansarajet, shkollat, xhamitë dhe zgjerohet qarshia. Në fillim të shek. XVII, Prizreni llogaritet në adhën e qyteteve më të mëdha të Gadishullit Ballkanik, si dhe qendër e rëndësishme për blegtori dhe prodhime blegtorale, posaçërisht me lesh dhe përpunimin e lëkurës, e cila eksportohej madje edhe në Gjermani.[60]
Kategorizimi shoqëror
4. a. Dinatët
Dokumentet e shek. VIII – X provojnë se në gjirin e bashkësive qe diferencuar shtresa e “të fuqishmëve” (dynatio) apo e “të mëdhenjve” (megistanes).[61]
Në shek. IX–X u përhapën në Shqipëri marrdhëniet feudale. Përhapja e tyre erdhi si rezultat i çthurjes së mëtejshme të bashkësive fshatare, i pasurimit të dinatëve ushtarakë, civilë e kishtarë në kurriz të fshatarëve që humbnin bashtinat e tyre dhe i kalimit të këtyre fshatarëve nën varësinë e dinatëve feudalë.[62]
Instituti i “numrit” (arithmos), i fshatarëve të caktuar për feudalët e veçantë dhe ai i “ekskusies” që ndeshën gjithnjë e më shpesh gjatë shek. XI – XII për disa toka shqiptare janë hallka të procesit të fuqizimit të klasës feudale vendëse sepse shtonin në mënyrë të ndjeshme rentën e përvetësuar nga dinatët.
Funksionet që ushtronin dinatët, kryetarë bashkësishë krahinore, njihen nëpërmjet titujve me të cilët ata shfaqen më vonë në dokumentet historike të shek. XII – XIII. Të tillë janë “kryetarë katundi” (caput catonis, cavo), “i parë” (prior) “gjykatës” (judex ose sundia) “udhëheqës i ushtrisë” (vojvoda), sundues (arhond).[63]
Titulli gjykatës i cili u përdor në gjuhën shqipe për të cilësuar sunduesin, tregon se një nga funksionet kryesore të këtyre dinatëve ishte zgjedhja e çështjeve që lindnin brenda bashkësive, ndërsa funksioni i vojvodës u jepte atyre në dorë komandën mbi repartet ushtarake të bashkësive. Kështu që funksionet e reja të gjykatësit, vojvodës etj, nuk u shërbenin thjesht interesave të bashkësive por, në radhë të parë, forcimit të mëtejshëm të pozitës së dinatëve mbi bashkësinë. Kështu del se ata që në fillim kishin qenë shërbenjës, dalngadalë u kthyen në zotërues të saj.[64]
Mjeti më i zakonshëm për futjen e fshatarëve nën vartësinë e dinatëve ishte borxhi. Kur fshatari nevojar merrte borxh te dinati apo te kisha, ai ia linte peng tokën e vet për shfrytëzim borxhdhënësit derisa t’i a shlyente borxhin. Gjatë kësaj kohe ai ishte i detyruar ta punonte tokën duke mbajtur për vehte vetëm një pjesë të korrjes. Në shumë raste dinatët përdornin pozitën e vet si funksionar të shtetit dhe ua grabisnin fshatarëve tokën, ose i detyronin t’ua shisnin me çmime të ulta ose më në fund i rëndonin me detyrime arbitrare. Kishte raste kur fshatarët, për t’u shpëtuar këtyre presioneve, viheshin nën “mbrojtjen” e dinatëve, të kishave ose të manastireve duke u “dhuruar” ose “shitur” tokën dhe duke e punuar pastaj vetë atë tokë si mortit.[65]
Legjislacioni i shek. IX – X u jepte dinatëve të drejtën e prioritetit në blerjen e tokave të fshatarëve fqinjë brenda bashkësive.
Këtyre ose dinatëve, siç njihen në burimet e kohës, pushteti bizantin ua njohu pozitën e fituar në gjirin e bashkësive dhe u akordoi privilegje e kompetenca të reja, për të siguruar me anë të tyre nënshtrimin dhe shfrytëzimin e bashkësive fshatare.[66]
4. b. Parikët
Vartësia ekonomike e fshatarëve nga dinatët u bë me kohë e trashëgueshme. Doli kështu në skenë përballë dinatit ushtarak, civil ose kishtar, figura tipike e parikut, e bujkrobit, pa pronë të vetën, i cili ishte i detyruar ta punonte tokën e proniarit të madh duke i paguar këtij rentën feudale në prodhime dhe duke i bërë atij njëherit disa punë angari.[67]
Pariku punonte në pekulën – bashtinë që kishte marrë nga dinati. Ai kishte pra ekonominë e vet shpeshherë edhe inventarin e vet. Por ai nuk ishte veçse një mbajtës i tokës, një qiramarrës dhe nuk kishte asnjë të drejtë pronësie mbi tokën. Ai mund ta mbante tokën vetëm nëse e punonte çdo vit dhe vetëm nëse i jepte pronarit dinat rentën feudale e cila në mjaft raste ishte më tepër se e dhjeta; ajo arrinte deri në të katërtën, bile edhe të tretën e prodhimit.[68] Në të vërtet pushteti qendror nuk bëhej garant i të drejtave dhe i pavarësisë së pronarëve të vegjël, siç përpiqeshin të tregonin novelat perandorake. Ai mbronte të drejtën e vet për të nxjerrë taksa dhe shërbime të tjera nga prona e vogël, të cilat fisnikëria e pronarëve të mëdhenj kërkonte t’ia rrëmbente. Kriza bëhej vërtet serioze pasi aristokracia feudale e fuqizuar, nëpërmjet rritjes së pronave tokësore dhe numrit të parikëve përpiqej t’i shkëpuste shtetit bujqit e ushtarët e tij.[69] Si edhe më parë, pariku zotëronte tokën pa të drejta juridike, me zotërim fizik por ai nuk mund ta jetësonte pa pëlqimin e pronarit.
Parikët ndaheshin në dy grupe: shtetëror e feudal të veçantë. Parikët shtetërorë banonin në tokat që i takonin arkës shtetërore. Ata i paguanin shtetit taksat shtetërore dhe plotësonin detyrimet parike.
Shteti, jo rrallë, dhuronte tokën së bashku me parikët në pronësi private. Në këtë rast, parikët ktheheshin në zotërim të feudalëve të veçantë.[70]
Së bashku me këtë, parikët e feudalëve të veçantë plotësonin edhe detyrime të tjera, që kishin marrë një karakter privat, si e dhjeta e ndonjë tjetëri. Kështu, gjendja e këtyre dy kategorive të parikëve nuk ishte e njëllojtë. Ndryshimi qëndronte në pozitën juridike. Ekzistencën më të hershme të parikëve në Shqipëri ne e gjejmë të dokumentuar në dy diploma që perandori bizantin Vasili II, (976 – 1025),[71] i drejtonte kryepeshkopit të Ohrit, njërën më 1019 dhe tjetrën më 1020.[72] Me këto dy diploma të lëshuara menjëherë pas shembjes së Perandorisë Bullgare dhe rivendosjes së sundimit bizantin në Shqipëri, Vasili II i rikonfirmonte kryepeshkopit të Ohrit dhe peshkopëve që vareshin prej tij, numrin e bujqve parikë e klerikë.
Kështu, kryepeshkopit të Ohrit i caktohej të kishte në Prespë, Mokër e Kërçovë 40 parikë e 40 klerikë; peshkopit të Kosturit në Kostur, Kolonjë, Devoll, Vjosë e gjetkë 30 parikë e 40 klerikë; peshkopit të Glavnicës në Glavnicë, Kaninë e Neaniskë 40 parikë e 40 klerikë; …[73]
Me një fjalë parikët ishin fshatarë të cilët punonin tokën e dinatëve të kishave dhe manastireve etj.
4. c. Mortitët – Mistotët – Proskathimenët – Fshatarët e lirë
Në ligjin agrar një kategori fshatare ishte mortiti. Ai del si qiramarrës. Ai i jep 1/10 pronarit të tokës dhe 9/10 i mban për vete.[74]
Si rezultat i një procesi që vazhdonte prej kohësh, në shek. XI ishte shtuar masa e pronarëve të vegjël dhe e bujqëve ushtar (stratiot), që për njërën ose për tjetrën arsye i humbnin pronat e tyre dhe detyroheshin të vendoseshin në pronat e dinatëve e t’i punonin ato si qiramarrës (mortites) ose si punëtorë me meditje (mistotës).
Në ligjin bujqësor përmendeshin edhe argatët me meditje ose Mistosët, të cilët juridikisht ishin të lirë, por ekonomikisht të varur nga fshatari i pasur, te i cili punonin kryesisht si barij – rrogtarë.[75]
Një kategori e ngjashme me të lirët ishin proskathimenët dhe dhuloparikët, që merreshin me aktivitete sekondare, si, me kullotjen e bagëtive, me ushtrimin e zejtarive të ndryshme ose me shërbime të tjera ndaj pronarit. Këto kategori të ndërmjeme ishin pasqyrim i ndryshimit në ekonominë e fshatit bizantin.
Termi “proskathimen” në shek. XIII – XV tregonte kategorinë fshatare, e cila nuk kishte mbi 30 vjet që banonte në një vend. Kufiri midis parikut dhe proskathimenit në këtë periudhë ishte ngushtuar shumë, aq shumë, sa ishte krijuar një kategori e fshatarësisë së varur. Kjo kategori gradualisht do të shkrihen në gjirin e parikëve.[76]
Fshatarësia e lirë, ishte zotëruese e tokës me të drejtat e pronarit të plotë të tokës dhe që i paguante detyrimet shtetërore.
Në dallim nga parikët, fshatarët e lirë zotëronin “de jure” tokën e ishin të çliruar nga detyrimet e parikëve. Përveç kësaj, ata gëzonin të drejta të plota juridike e nuk ndodheshin nën pushtetin ose patronatin e ndonjë personi fizik apo juridik.
Ruajtja e fshatarësisë së lirë deri në fundin e historisë së perandorisë ishte një nga veçoritë dalluese të struktures së shoqërisë bizantine.[77]
Përfundimi
Duke u nisur të shkruaj për gjendjen agrare në Arbëri, problemi kryesor ishte se popullsia autoktone përmendet jo shpesh (rrallë), sidomos në trevën e Kosovës, Maqedonisë Perëndimore, dhe të Malit të Zi.
Në fakt, gjithçka provon se popullsia shqiptare jo vetëm qe e pranishme përgjatë gjithë mesjetës në Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, e në Malë të Zi, porse ajo përbënte gjithëherë pjesën dërmuese të popullsisë në ato treva[78].
Mali i Zi – Autor të ndryshëm, përfshirë shkrimtarët e oborrit serb, si G. Çamblaku e K. Filozofi e konsideronin Zetën trevë shqiptare. Edhe vetë car Dushani në një kartë të vitit 1349, e konsideronte Zetën si pjesë të Shqipërisë.
Maqedonia – Gjatë shekujve të parë të feudalizmit të zhvilluar shqiptarët qenë të pranishëm në trojet e Maqedonisë së sotme, në viset Preshevë – Kumanovë, Shkup, Tetovë, madje Shtip e Kostur. Aty ka viti 1295 në këto vise sundonte fisniku shqiptar Progon Sguro, i cili në atë kohë ndërtoi në Ohër kishën e Zonjës së Bekuar. Prania e shqiptarëve në territoret e përmendura provohet edhe nga kronika të shkrimtarëve të oborrit bizantin, si, bie fjala, J. Kantakuzeni.
Kosova – As dyndjet slave, as pushtimi i saj nga shteti i Rashës (shek. XII – XIV), nuk e ndryshuan karakterin etnik të saj.
Me zhbërjen e “Perandorisë Rasiane” pas Betejës së Maricës (1371), ish – pjesët e Perandorisë së Dushanit u bënë fushë e lirë për sunduesit vendës, ndërmjet të cilëve edhe kryezotrinjtë Balshajt, Kastriotët e Dukagjinët, që zotëruan një kohë Rrafshin e Dukagjinit [79].
Për sundimin e kryezotrinjve shqiptarë në Prizren, në Pejë dhe në viset përreth, përveç të dhënave raguzane ofrojnë dëshmi edhe dokumentet osmane, si dhe shkrimtarë të kohës.
Në këtë punim kam bërë ndarjen ekonomike, shoqërore, politike të popullsisë së Arbëris sipas shtresës së popullsisë, titujve, pasurisë (pronës) dhe deri te ata më të varfërit; Sqarimin e pronës dhe të pronarit si ata civil, ushtarak, pushtetar laik dhe kishtarë.
Dr. Sc. Pajazit Hajzeri1
UBT College – Institution of Higher Education, Calabria neighborhood, 10000 Prishtina, Kosovo
{Pajazit Hajzeri, [email protected]}
_____________________
Burimet dhe Literatura
Burime tregimtare bizantine për Historinë e Shqipërisë, shek, X – XV, [1975]. Përgatitur për botim nga Koço Bozhori – Filip Laço, Akademia e Shkencave e
RPSH, Instituti i Historisë, Tiranë;
Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, [1965]. vëllimi I, Ilirët dhe Iliria, te autorët antik. Universiteti shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe I Gjuhësis. Tiranë;
Buda, Aleks, [2002]. Shkrime historike III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë. Tiranë;
Ceka Hasan, Shqipëria në Perandorin Bizantine shek. V – X, Marr nga Interneti, www.shqiperia,com
Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual, [1996]. Instituti i Historisë –Prishtinë, Instituti i Historisë – Tiranë. Tiranë;
Drançolli Jahja, [1996]. Popullsia shqiptare e Kosovës dhe e trojeve të tjera në ish – Jugosllavi gjatë shek. XV – XVII, Çështja e Kosovës një problem Historik dhe Aktual, Instituti i Historisë Prishtinë, Instituti i Historisë Tiranë, (Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15 – 16 Prill 1993), Tiranë;
Drançolli Jahja, [1995]. Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit, Treva e Llapit (Labit) gjatë mesjetës, Prishtinë;
Drançolli Fejaz, [2004]. Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë;
Dokumente të periudhës Bizantine për Historinë e Shqipërisë shek. VII – XV. [1978].
Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë. Tiranë; Frashëri Kristo, [1988]. Trojet shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, Konferenca Kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe të kulturës së tij, Tiranë;
Historia e Shqipërisë I, [1959]. Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, Tiranë;
Historia e popullit shqiptar I, [1979]. grup autorësh, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Prishtinë;
Historia e popullit shqiptar I, [2002]. grup autorësh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë;
Ilirët dhe Iliria, te autorët antik, [1965]. Tiranë;
Konferenca Kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe të kulturës së tij, [1988]. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Tiranë;
Komata Damian, [1974]. Kështjellat e hershme mesjetare në Shqipëri, Kuvendi i I i studimeve Ilire, Tiranë,
Kuvendi i parë i studimeve Ilire, [1974]. Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i monumenteve të kulturës, Tiranë;
Ostrogorski Georg, [2002]. Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë;
Osmani Jusuf, [2006]. Historiku i qytetit të Prizrenit në bazë të burimeve arkivore
***
(1), Koha kur Prizreni llogaritej në radhën e qyteteve më të mëdha të Gadishullit Ballkanik, Zëri – E Hëne, 15 maj, Prishtinë;
Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit, [1995]. Qendra e kulturës Podujevë, Prishtinë;
Thëngjilli Petrika, [2000]. Historia e popullit shqiptar (395 – 1875), Tiranë;
Thëngjilli Petrika – Daci Selim, [2002]. Historia e Perandorisë Bizantine (395 – 1453), Prishtinë.
[1] Petrika Thëngjilli – Selim Daci, Historia e Perandorisë Bizantine (395 – 1453), Prishtinë, 2002, p. 5.
[2] Historia e popullit shqiptar I, Grup autorësh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Institute i Historisë, Tiranë, 2002, p. 199.
[3] Op cit, p. 199.
[4] Jahja Drançollin, Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit, Treva e Llapit (Labit) gjatë mesjetës, Prishtinë, 1995, p. 98; Fejaz Drançollin, Kulla shqiptare, Prishtinë, 2001, p. 62.
[5] Ibid. p. 200
[6] Marr nga ligjeratat më 18.03.2006, me Prof. Dr. Selim Daci, Prishtinë, 2006. Për më tepër shih, P. Thëngjilli, Selim Daci, Historia e Perandorisë Bizantine, 395 – 1453, Prishtinë, 2002, pp. 58, 59.
[7] Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, 395 – 1875, Tiranë, 2000. pp. 73, 74.
[8] Damian Komata, Kështjellat e hershme mesjetare në Shqipëri, Kuvendi i I i studimeve Ilire, Tiranë, 1974, p. 215
[9] P. Thëngjilli, Selim Daci, op. cit. p.7.
[10] Kristo Frashëri, Konferenca Kombëtare për formimin e popullit shqiptar të gjuhës dhe të kulturës së tij, Trojet shqiptare gjatë Mesjetës së hershme , Tiranë, 1988, p.48.
[11] Op cit, p. 51.
[12] Prokopi i Cezares, Burime të zgjedhura për historin e Shqipërisë I, Ilirët dhe Iliria tek autorët antik, Tiranë, 1965, pp. 439 – 442. Shih Kristo Frashëri, Konferenca Kombëtare për formimin e popullit shqiptar…. pp. 51 – 52.
[13] Damian Komata, Kuvendi I i studimeve ilire, Kështjellat e hershme mesjetare në Shqipëri, Tiranë, 1974, p. 214.
[14] P. Thëngjilli – S. Daci, Op cit, p. 7.
[15] Ibid, p. 7.
[16] “Inkuilinët” janë një kategori fshatarësh të mvarun. Shih Ilirët dhe Iliria, te autorët antik, Tiranë, 1965, p. 426.
[17] Ilirët dhe Iliria, te autorët antik, Kodeksi i Justinjanit, Libri XI, Tiranë, 1965, p. 426.
[18] P. Thëngjilli – S. Daci, Op cit. pp. 7 – 8.
[19] Historia e Shqipërisë I, grup autorësh, Tiranë, 1959, p. 155.
[20] Op cit, p. 155.
[21] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar 395 – 1875, Tiranë, 2000, p. 44.
[22] His. e Shqipërisë I, Op cit. Tiranë, 1959, p. 156.
[23] Historia e popullit shqiptar I grup autorësh, Prishtinë, 1979, p. 128.
[24] Hasan Ceka, Shqipëria në Perandorinë Bizantine, shek. V – X, p. 11.
[25] H. Ceka, Op cit. p. 11
[26] Ibid. p. 11
[27] His. pop. shq. I. Op cit. p. 128
[28] Ibid. p. 128
[29] P. Thengjilli, op cit. p. 11.
[30] Më gjerësisht shih, Dokumente të periudhës Bizantine për Historinë e Shqipërisë, (shek.VII – XV), Tiranë, 1978, pp. 16 – 17.
[31] P. Thengjilli, op cit. p. 11.
[32] Historia e popullit shqiptar, vëllimi I, grup autorësh, Tiranë, 2002, p. 212.
[33] His. e Shq. I, op. cit. Tiranë, 1959, pp. 156, 157
[34] Burime tregimtare bizantine për Historinë e Shqipërisë, shek, X – XV, përgatitur për botim nga Koço Bozhori – Filip Laço, Tiranë, 1975, p. 170.
[35] Georg Ostrogoski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 2002, p. 263
[36] H. Ceka, op. cit. p. 12.
[37] Aleks Buda, Shkrime historike III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, p. 30.
[38] His. pop. shq. op cit. p. 215
[39] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar (395 – 1875), Tiranë, 2000, p. 46.
[40] A. Buda, op cit.p. 40.
[41] P. Thëngjilli, op cit. p. 47.
[42] Ibid. p.47
[43] A. Buda, op cit.pp. 39, 40.
[44] P. Thëngjilli, op cit. p. 47.
[45] A. Buda, op cit.p. 39.
[46] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. p. 29.
[47] A. Buda, op cit. p. 40.
[48] P. Thengjilli. p. 48
[49] His. pop. shq. op cit. pp. 244, 245.
[50] Ibid. p. 245.
[51] His. pop. shq. op cit. p. 245; Shih. A. Buden, op cit. p. 41.
[52] “Dailan”, do të thot: Thurim a rasë me kallama ose me hunj të ngulur në tokë që bëhet zakonisht afër derdhjes së lumenjëve në breg të detit etj, për zënjen e peshkut.
[53] A. Budën, op cit. p. 41.
[54] P. Thëngjilli, op cit. p. 49.
[55] Fejaz Drançolli, Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë, 2004, p. 43.
[56] P. Thëngjilli, op cit. p. 49.
[57] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. p. 33.
[58] Jahja Drançolli, Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit, Treva e Llapit (Labit) gjatë mesjetës, Prishtinë, 1995, p. 101.
[59] J. Drançolli, op cit. p. 106.
[60] Jusuf Osmani, Historiku i qytetit të Prizrenit në bazë të burimeve arkivore (1), Koha kur Prizreni llogaritej në radhën e qyteteve më të mëdha të Gadishullit Ballkanik, Zëri – E Hëne, 15 maj 2006, p. 18.
[61] H. Ceka, op cit. p. 12.
[62] His. pop. shq. op cit. p. 152.
[63] A. Budën, op. cit. pp. 33, 38.
[64] Ibid. p. 33.
[65] His. pop. shq. op cit. p. 153.
[66] A. Budën, op cit. p. 33.
[67] His. pop. shq. op cit. p. 153.
[68] Ibid.
[69] Georg Ostrogoski, Historia e Perandorisë Bizantine, Tiranë, 2002, p. 186.
[70] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. pp. 31, 32.
[71] P. Thëngjilli, op cit. p. 125.
[72] His. pop. shq. op cit. p. 153.
[73] A. Budën, op cit. pp. 37, 154.
[74] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. p. 13.
[75] His. pop. shq. op cit. p. 154.
[76] P. Thëngjilli – S. Daci, op cit. pp. 23, 31.
[77] Ibid. p. 33.
[78] Jahja Drançolli, Çështja e Kosovës një problem Historik dhe Aktual, Popullsia shqiptare e Kosovës dhe e trojeve të tjera në ish – Jugosllavi gjatë shek. XV – XVII, Instituti i Historisë Prishtinë, Instituti i Historisë Tiranë, (Simpozium i mbajtur në Tiranë më 15 – 16 Prill 1993), Tiranë, 1996. pp. 73, 74, 75.
[79] Ibid. pp. 73, 77.
_____________________
DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: GJENDJA AGRARE NË ARBËRI SIPAS BURIMEVE BIZANTINE (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10992
***
DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: GJENDJA AGRARE NË ARBËRI SIPAS BURIMEVE BIZANTINE (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10993