DR.SULEJMAN ABAZI: KOHA E DIKTATURËS DHE TERRORIZMIT TË LEKUT

Tiranë, 24 shkurt 2018: Nuk mund të bëhesh dot politikan i mirë, nëse vjen nga profesione që skanë fare lidhje me politikën. Përvoja shqiptare vërtetoi që, prezenca e këtij kallëpi politikanësh e çuan Shqipërinë në qorrsokak, duke u mbështetur në njohjet e tyre empirike për politikën, diplomacinë dhe ekonominë. Në bllok në këto 27 vjet, ata bashkimin e kanë realizuar konkretisht duke e grabitur Shqipërinë dhe “grindjet” midis tyre i kanë vetëm ndarje të roleve, në kuadrin e një mashtrimi gjigand.
Janë institucionet dhe individët në krye të tyre, që jo rrallë herë e kanë futur politikën shtetërore në qorrsokak. Shqipëria sot është e pushtuar, jo ashtu siç duan të na e thonë apo të na e justifikojnë drejtuesit e lartë politik, por realisht e kapur dhe e pushtuar, duke u kthyer në një vend pa zot, si një “perotektorat” i pashpallur në administrimin e oligarkisë së re, i dalë në ankand, ku pasuria kombëtare nuk është më në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe standardeve të jetës së popullit, por si një hapësirë pasurimi dhe karriere politike të njerëzve të paaftë që kanë drejtuar dhe drejtojnë Shqipërinë.
Në këto kufij është sot sistemi politik dhe drejtësia shqiptare, si pjesë e tij. Vetingu po përballet me një kundërvënie të hapur dhe të nëndheshme, ku në lojë janë emra në piramidën e lartë të shoqërisë. Asnjë institucion shtetëror nuk ka sot motivimin e duhur, për të bërë analizën shkencore, pse sistemi politik shqiptar u zhyt kaq thellë në anën e antisistemit dhe të antidrejtësisë. Mos vallë në Shqipëri fenomeni gërryes ishte një rastësi dhe pse po mbijeton kaq gjatë?!
Të marrim rastin e fundit të deklaratës së Ramës në kuvendin e Kosovës. Një mistrecllëk politik përballë postit të presidentit në Republikën e Shqipërisë dhe zënkave me të. Deklaratë e papërgjegjshme, që pa dashje u dha armë në dorë serbëve, kundër shtetit të Kosovës. Fjala e tij është dëgjuar deri në Moskë, Athinë, e deri në fund të botës. Reagimet janë të forta. Askush nuk ka të drejtë të injorojë shtetin e Kosovës, aq më tepër në përvjetorin e Pavarësisë. Opinion gjakftohtë shqiptar, mendoj së duhet të jetë shumë i vëmendshëm ndaj kësaj situate, duke anashkaluar partiotizmin romantik, që nuk na çon askund.
Sot kombi shqiptar, për shumë arsye shfaqet në udhëkryq.
Me këtë situatë kaotike në vendimarrjen politike, shfaqet një problem në përmasa kombëtare. Në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, shfaqet një piramidë politike enigmatike, që lundron midis nacionalizmit shterpë dhe armiqësisë së fshehur kundër interesave kombëtare.
Metodologjia e drejtimit dhe funksionimit të shtetit në periudhën e komunizmit, akoma funksionon. Mendjet e ftohta janë në gjendje të veçojnë dallimin e madh midis kohëve, kur akumulimi financiar shkonte në ndërtimet madhore dhe armatosjen e skajëshme të Shqipërisë, ndërsa sot shfaqet e frikëshme, biles shumë e frikëshme, diktatura dhe terririzmi i lekut dhe interesave të dyshimta.
Në fakt dy partitë shqiptare që drejtuan në këto 27 vite, dështuan plotësisht në planin e tyre të zhvillimit ekonomik, duke krijuar një model “ të kapitalizmit allashqiptar” dhe një kastë të re oligarkësh, që gradualisht kapën majat e politikës. Grabitja e pasurisë kombëtare, nxjerrja në trasenë “koncensionare” dhe krijimi i kastës së re të oligarkëve shqiptarë, hapën rrugën fenomeneve të rrezikëshme, të papranueshme në sistemin e demokracisë. Ato dhunuan sistemin politik në Shqipëri, duke e hedhur shoqërinë shqiptare në varfëri dhe në rrugë pa krye.
Fakti që sot në Parlament dhe në jetën politike, kemi një opozitë qesharake, pa alternativa dhe kauza, ka krijuar bindjen e ekzistencës së rrethit vicioz politik të mbyllur në hapësirë bashkëpunuese, pa dallime politike, me synimin ambicioz dhe të rrezikshëm; të mbajnë peng shtetin shqiptar, për të garantuar hapësirat e ndotura të perandorisë së krimit, korrupsionit dhe dhunimit të interesave kombëtare.
Është vënë re që, përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit i marrin seriozisht përplasjet që shfaqen në politikën shqiptare, majtas e djathtas, pa e kuptuar që në 27 vite të drejtimit të politikës në Shqipëri, janë po të njejtit njerëz, dukshëm dhe në hije, që drejtojnë dhe administrojnë tërë pasurinë kombëtare të shtetit, në mënyrën më barbare dhe zhvatëse.
Me sa kuptohet, vonë është përcaktuar se duhet të kërkohet shkaku më i thellë nga burojnë pasojat e rënda, që e mbajnë shoqërinë shqiptare në reanimacion, me një demokraci dhe stabilitet të brishtë.
Oligarkët e rinj, monopolet i kanë së bashku, janë në një rreth të grabitjes së pasurive, kanë dosjet e njeri – tjetrit, shantazhojnë që të rrijnë “urtë”, janë të përfshirë pa dallim në krimin politik, financiar dhe atë ordiner, duke dëshmuar financat shqiptare në një lavatriçe gjigande, që pastron para dhe ushqen krim dhe destabilitet.
Këtë rreth të kriminalizuar e bashkon vetëm një gjë: lufta kundër atyre që tentojnë t’u marrin pasuritë dhe pushtetin.
Të besuarit për opinionin sot kanë mbetur vetëm Prokurorja e Përgjithëshme dhe Ministri i Brendshëm. Jo rastësisht, pozitë dhe opozitë sulmet e hapura dhe pengesat i drejtojnë kundër këtyre dy institucioneve. Aleanca Prokurori – Ministri e ka pozicionuar Edi Ramën të pafuqishëm në drejtimin e shtetit. Orientimi i tij politik shfaqet pa drejtim të qartë, drejt moszabtimit të reformave, vetingut dhe hapjes së negociatave për në BE. Në të njejtën kohë shfaqet braktisja e Llallës nga Berisha. Edi Rama akoma po e mban Tahirin, i trembur edhe pse nuk e ka radhën tani. Presidenti Meta “bën sikur” që të ndihet “gjallë” dhe vazhdon të mbaj peng institucionin e Kryetarit të Shtetit. Të gjitha e dinë ndryshimin tërësor të kupolës së Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë Shqiptare. Alarmi dhe braktisja po shfaqen.
Linjat e nëndheshme të “katovicës” shqiptare, që kanë thithur gjithçka nga pasuria kombëtare, po qëndrojnë me çdo çmim, duke iu shmangur shpartallimit. Është e udhës dhe në kohë që ato të shkatërrohen institucionalisht.
Kjo situatë e ka lënë në udhëkryq çështjen kombëtare shqiptare dhe interesat e saj. Sot janë në lojë paratë dhe pasuritë. Naiviteti dhe miopoia politike, po godet rëndë opinionin, po godet Sigurinë Kombëtare.
Kjo analizë me karakterin e kritikës historike, është një mundësi më shumë për elektoratin shqiptar, për të kuptuar rrugën e gabuar, të cilët me ose pa dashje, vazhdojnë të ushqejnë dhe të mbështesin një politikë të gabuar 27 vjeçare, që po shkatërron vendin dhe po dhunon interesat kombëtare. Ka ardhur koha që kjo situatë më marr fund, vetëm nëpërmjet rikthimit të sovranitetit të politikës në forcën elektorale të qytetarëve dhe për ta vënë atë në shërbim të tyre. Me këtë rrjedhë politike të diktuar nga faktorë interesash të brendëshme dhe të jashtëme, Shqipëria është kthyer në një mister të madh, vështirësisht për ta shpjeguar dhe ç’kodifikuar, nëse do të mendohet ndonjëherë, që ky vend të mund të dalë nga kolapsi social – politik dhe ekonomik, që e ka mbërthyer në një periudhë kalimtare të papërfunduar ende.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura