MILAZIM KRASNIQI: NACIONALIZMI SHQIPTAR

Pashtriku, 11 shtator 2020: Në vitin 2014 ‘ LOGOS-A’ boton librin ‘NACIONALIZMI SHQIPTAR’ të autorit Milazim Krasniqi.

 Librin e përgatitën për botim:
Për botuesin: Adnan Ismaili
Kryeredaktor: Husamedin Abazi
Redaktor biblioteke: Ali Pajaziti
Redaktor gjuhësor: Zeqirija Ibrahimi
Redaktor artistik & disenji: Edib Agagjyshi
Redaktor teknik: Halil Berisha
Faqosës: Sedat Halimi
Mbikëqyrës i shtypit: Kemal Ismaili
Përgatitja kompjuterike: Focus Pro – Shkup
Shtypi: Focus Print – Shkup.

Për lexuesit e portalit pashtriku.org sjellim parathënien e librit:
PARATHËNIE
Termi “nacionalizëm” dhe veçmas sintagma “nacionalizmi shqiptar”, për ne që jetonim në ish Jugosllavi, ishin të frikshme dhe me ngarkesën kuptimore më negative gjatë periudhës së komunizmit jugosllav. Përndjekja e shqiptarëve është bërë duke e përdorur këtë etiketë gjithkund, ndaj secilit që regjimi komunist ia mësynte ta dënonte e t’ia shkatërronte jetën personale, familjare, publike a politike. Veçmas pas vitit 1981, periudhë të cilën e kam përjetuar aktivisht edhe vetë, përdorimi i kësaj etikete në luftën kundër shqiptarëve pati marrë përmasa të përbindshme. Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë e pat filluar një proces denoncues, i cili quhej “diferencimi ideo-politik”, sipas të cilit duhej të bëhej diferencimi i nacionalistëve nga pjesa tjetër e qytetarëve dhe e popullit, duke i ekskomunikuar dhe duke i dënuar nacionalistët. Aq shumë energji është derdhur në këtë fushatë denoncuese e diferencuese, saqë në fund të saj vetë LKJ-ja në Kosovë ka qenë e dërrmuar, e rraskapitur dhe, mbi të gjitha, e kompromentuar përfundimisht. Kjo nuk ka ndodhur nga rezistenca e fuqishme që i është bërë, por nga përdorimi joproporcional i energjisë, gjë që e zbuloi se ajo ishte në fakt kundër të gjithë shqiptarëve dhe jo kundër një “grupi nacionalist”. Ky edhe ka qenë fillimi i fundit të asaj partie, sepse ajo doli nga binarët ideologjikë dhe u fut në shinat e një lufte të brendshme, me parashenjë të qartë etnike dhe nacionale. Edhe levat e tjera ideologjike të saj, Lidhja Socialiste e Popullit Punues, Lidhja e Rinisë Socialiste, Lidhja e Sindikatave, Lidhja e Luftëtarëve etj., u hodhën në sulm të njëjtë, duke e shndërruar diferencimin ideo-politik në kalë beteje kundër çdo gjëje shqiptare. Lufta kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” (më vonë fushata u emërtua “nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar”) ishte në fakt luftë kundër identitetit të shqiptarëve, kundër bara¬zisë formale të tyre në shtetin federal, kundër ekzistencës së tyre biologjike, që do të provohet të realizohet si spastrim etnik dhe gjenocid në vitet 1998-1999.
Me etiketë “nacionalist” dhe “nacionalizëm shqiptar” si argument suprem, që nuk kishte nevojë as për dëshmi e as për dëshmitarë, në vitet 1981-1999 janë burgosur e janë dënuar me mijëra shqiptarë. Me kualifikimin denoncues e zhvlerësues, si dukuri nacionaliste, janë përfshirë edhe këngë popullore, poezi, tregime, romane, fjalëkryqe, karikatura, dasma, me një fjalë e tërë jeta e shqiptarëve të Kosovës dhe e shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi. Prandaj, sintagma “nacionalizmi shqiptar” për njerëzit e brezit tim, ende prodhon stres dhe kujtime të hidhura të një kohe kur e njëjta u shpërdorua brutalisht. Madje, edhe kur përdoret në një nivel studimor, kjo sintagmë ende nuk është rehabilituar nga deformimi i skajshëm që i është bërë.
Nga ana tjetër, pas çlirimit të Kosovës, shpërtheu një energji e kërkimit të satisfaksionit për bëmat dhe vuajtjet e bëra nga shumë njerëz gjatë okupimit dhe veçmas të luftës së viteve 1998-1999. Vetëperceptimi i shumë prej tyre është se i kanë shërbyer kauzës kombëtare dhe si të tillë domosdoshmërisht pohojnë se kanë qenë nacionalistë shqiptarë. Kështu, sintagma “nacionalizmi shqiptar” tash kthehet si triumfuese dhe me këtë etiketë në shtetin e ri të Kosovës mund të realizohen edhe favore. Ky është proces në vazhdim, prandaj përmasat e tij ideologjike e morale dhe efektet e tij materiale e financiare tash për tash nuk mund të vlerësohen e as të përllogariten.
Sa i përket Shqipërisë, nacionalizmi i mirëfilltë shqiptar në periudhën hoxhiste është luftuar me egërsi, ndërsa për nevojat e regjimit është fabrikuar një lloj nacionalizmi ideologjik, nacional-enverizëm, që ka zëvendësuar nacionalizmin e vërtetë. Fjala vjen, kur regjimi ka sulmuar Titon dhe Jugosllavinë, për shkak të prishjes së tij me Stalinin, nga shumë shqiptarë, veçmas në Kosovë, kjo prishje është përjetuar si e motivuar nga nacionalizmi shqiptar, ndërsa ajo ka qenë e motivuar vetëm ideologjikisht. Po kështu ka ndodhur edhe me fushatat ndaj Greqisë, që në thelb kanë qenë të motivuara nga lufta kundër “imperializmit anglo-amerikan”, por ka pasur shqiptarë që i kanë përjetuar ato si qënd¬rime patriotike e nacionaliste të regjimit ndaj shtetit helen, i njohur për pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Kësisoj, edhe në Shqipëri ka ndodhur një deformim i kuptimit të mirëfilltë të nacionalizmit shqiptar, gjë që ka lënë pasoja deri në ditët tona.
Duke lënë mënjanë të kaluarën dhe manipulimin që është bërë me nacionalizmin shqiptar e duke e shikuar gjendjen e sotme, shtrohen disa pyetje logjike: pse as në Kosovë e as në Shqipëri nuk është hapur ende debat për këto deformime të rënda që i janë bërë identitetit nacional shqiptar, së pari në kuptim më të gjerë e veçmas nacionalizmit shqiptar? Pse heshtin publicistët, studiuesit, intelektualët e politikanët e sotëm lidhur me këto çështje? Pse nuk u dënuan deri sot krimet e komunizmit dhe ekzekutorët e atyre krimeve kundër nacionalistëve shqiptarë? Pse ende nacionalizmi shqiptar nuk është rivalorizuar në dimensionin e vërtetë teorik dhe në realitetet e reja shqiptare?
Megjithëse ky libër nuk merr përsipër të japë këto përgjigje, mëton të hap diskutimin lidhur me nacionalizmin shqiptar, në të kaluarën dhe sot, duke provuar të kuptojë edhe se a mund të regjenerohet ai dhe a mund të bëhet gjenerator i zhvillimit të kombit e të shtetit/shteteve shqiptare, apo do të mbetet vetëm pjesë e historisë së vagullt shqiptare, ndërsa e tashmja dhe e ardhmja do të modelohen nga kozmopolitizmi, globalizmi dhe integrizmi, por pa identitet të qëndrueshëm, të cilin jo vetëm që e ngjizë, po edhe e mban të fortë, të qëndrueshëm e unikë vetëm nacionalizmi. Por, jo çfarëdo nacionalizmi. Më së paku ai i degraduar, i deformuar ose i rremë.
Nëse lexuesi ka ndonjë kërshëri lidhur me botë¬kup¬ti¬min tim se a është nacionalist a jo, këtu është rasti ta them se mund t’i atribuoj vetes në këtë mes një identifikim me nacionalizmin kulturor, për aq sa ai është nacionalizëm. Rruga ime jetësore, përvoja ime politike, kulturore dhe fe¬ta¬re, nën ndikimin dhe presionin e ngjarjeve të shumta, janë kompresuar e prej tyre është përftuar një botëkuptim që minimalisht mund ta quaj nacionalizëm kulturor. Në fëmijëri kam dëgjuar rrëfimet plot simpati të babait tim për mbretin Zog I dhe Shqipërinë e tij, në rini kam dëgjuar rrëfimet plot simpati të vëllait tim për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë e tij. Në vitin 1972, si viktimë e idealizmit dhe, mbase, e ambicies së pafrenuar për vetërealizim, kam provuar edhe arratisjen drejt Shqipërisë së Enver Hoxhës, duke përfunduar edhe në burg. Në vitet që pasuan jam integruar në aktivitetet e rinisë në shkollë, me ambicien e vetërealizimit, e cila ndoshta do të më integronte edhe më shumë në shoqërinë e kohës po të mos ishte qëndrimi i prerë i babait që të largohesha nga aktivitetet rinore. Gjatë viteve të studimeve (1976-1980) kam pasur kontakte me disa nga personazhet që dolën në ngjarjet e vitit 1981 dhe kam lexuar disa fletushka që atyre u vinin nga emigracioni. Por, ato nuk më tërhiqnin, për shkak të nivelit të ulët ideologjik e artistik. Gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak (1982-1983) kam parë se si dyshimi dhe urrejtja ndaj meje si shqiptar bënin kujdestari në kokat e ushtarëve dhe oficerëve serbë dhe se integrimi në atë ambient ishte i pamundur, para edhe po ta dëshiroje. Nacionalizmi serb kishte triumfuar në imponimin e perceptimit për shqiptarët si plangprishës të Jugosllavisë. Ndjenjën e të qenit “tjetri” gjatë shërbimit ushtarak e kam përjetuar më qartë se kurdoherë më parë. Kjo nuk ka evoluar drejt ndonjë botëkuptimi nacionalist, por drejt një të menduari kritik për qëllimet e të tjerëve (në rend të parë, serbëve) ndaj meje e ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Në vitet 1986-1989 u përfshiva në debate të ashpra në kuadër të asociacionit të shkrimtarëve të Kosovës me shkrimtarët serbë, gjë që më pajisi më një përvojë të re – të zvogëlimit të frikës nga pushteti e të eliminimit të çfarëdo ndjenje inferioriteti në raport me serbët. Angazhimi politik në vitet 1989-1999 ishte në kushtet e mbijetesës së shqiptarëve në Kosovë, prandaj as kjo periudhë nuk karakterizohet nga ndonjë ideologji qartësisht nacionaliste, por nga një nacionalizëm kulturor besoj se po. Ndërkaq kolapsi i Shqipërisë në vitin 1997 e vulosi frustimin tim me elementët antishqiptarë. Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, filloi konflikt i brendshëm politik, i cili pamundësoi çfarëdo krenarie me kombin, çfarëdo krenarie me Kosovën e çfarëdo krenarie me aftësitë tona për ndërtimin e një shteti demokratik e të një shoqërie të drejtë. Por, vlerat kulturore, marrë në kuptim të gjerë, për mua mbetën diga më e fortë e mbrotjes së identiettit tonë kombëtar.
Pas gjithë këtyre përvojave jetësore, kulturore e politike, jeta ime është begatuar edhe me botëvështrimin universalist islam, i cili si i tillë kufizon një botëkuptim ekskluzivisht nacionalist. Kjo është përvoja ime dhe kjo është gjendja ime kur po e shkruaj këtë tekst mbi nacionalizmin shqiptar. Pra, pa ngarkesë emocionale e ideologjike, që do të mund të provokohej nga nacionalizmi. Por, qëndrimi im në pozitat e një nacionalizmi kulturor, nuk ndikon në vlerësimin e nacionalizmit si vlerë e jashtëzakonshme në ndërtimin e kombit dhe të shtetit kombëtar, në sfondin e historisë europiane të dy shekujve të fundit. Në këtë sfond nacionalizmi është gjeneratori që e ushqen me energji një mekanizëm të kombndërtimit dhe të shtetndërtimit. Natyrisht, komponenta morale e tij mund të diskutohet nga rasti në rast, si edhe nga rezultatet e tij. Por, prirja mbetet përherë konstante – nacionalizmi synon të formojë e ta zhvillojë shtetin kombëtar me vlerat më dinamike dhe më kulminante kulturore të një kombi konkret. Besoj se disa nga kombet e sotme, pa nacionalizmin e tyre dinamik e fitimtar, nuk do të ekzistonin si të tilla në faqe të dheut, sikundër që edhe historia e kohës moderne nuk do të ishte e atillë çfarë ka qenë pa nacionalizmin si fat ose edhe si fatkeqësi të saj. Edhe fati i shqiptarëve, pa nacionalizmin shqiptar, veçmas në fazën e parë të ndërtimit të kombit, do të ishte krejt tjetër. Bile, pa atë nacionalizëm dinamik e vizionar, me kulturën kombëtare në themelet e tij, mund të mos kishte fare një komb shqiptar.
Prishtinë, 16 maj 2013 

KUSH ËSHTË MILAZIM KRASNIQI

Biografia – Milazim Krasniqi
Ligjërues universitar dhe Profesor i Asocuar i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit Media, ai ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, këshilltar i afërt i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Krasniqi është një ligjërues, poet, dramaturg, publicist dhe komentues politik. Për mbi dhjetë vite ai ka shërbyer si sekretar i Asociacionit të Shkrimtarëve të Kosovës, ka qenë anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës për tetë vite, kryeredaktor i revistës “Fjala” dhe “Interesi Nacional”, redaktor përgjegjës i gazetës ditore Bota Sot, dhe kolumnist i rregullt i gazetave dhe revistave të ndryshme. Disa vite ka qenë edhe bashkëpunëtor i rregullt i Radio Evropa e Lirë, emisionet në gjuhën shqipe.
Disa nga afër 30 librat e tij që përfshijnë poezi, romane, drama dhe studime janë: Letërsia dhe besimet fetare, Soneti në poezinë shqipe, Në çfarë Kosove do të jetojmë, Horrat në krye të detyrës, Islami i keqkuptuar dhe fatkeqësia botërore, Fotografitë e kujtimeve, Fijet e shpirtit, Bryma e vdekjes, Lulja e shpëtimit – poezi e zgjedhur, E vërteta e Islamit ndër shqiptarë, Dhuna dhe qytetërimi perëndimor: Islami si fillim i historisë, Kosova pas 22 janarit 1998, Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat, Imazhi gri, Pirg vegimi, Kurs për pantomimë, Rulet rus për Ali Pashën, Monedha e Gentit, Një Antigonë e re, Qeshje sardonike, Dritë në kujtime. Ai është autor edhe i tekstit universitar Hyrje në Gazetari dhe mentor i shumë studentëve të nivelit Master. Ka një numër të punimeve akademike të botuara nëpër zhurnalë të shumtë vendor dhe ndërkombëtar përfshirë: Media dhe Seminari – Universiteti i Prishtinës, Sarajevske Sveske – Sarajevë, Zhurnali Shkencor Vizione – Shkup, Vjetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Edukata Islame, etj. Ai ka prezantuar kumtesa në sesione të ndryshme shkencore të organizuara nga Universiteti Sakarya – Turqi, Universiteti UFO-Tiranë, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, etj.
Krasniqi është intervistuar apo cituar nga Radio Televizioni i Kosovës, RTV 21, Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, TV Klan, Epoka e Re, Kosova Sot, Lajm si dhe nga mediume të tjera rajonale të shkruara dhe elektronike. Si komentues politik ai ka qenë i ftuar shumë herë në pro¬grame dhe debate televizive. Ai jeton në Prishtinë me të shoqen Edibe Krasniqin, me të cilën ka tre fëmijë.
***
Biodata – Milazim Krasniqi
University lecturer as well as Associate Professor of Journalism at University of Prishtina, Milazim Krasniqi is the head of Journalism Department, Faculty of Philology, where he obtained his PhD in 2004 specializing in Sciences of Philology. The founder of Media Institute, first editor of Media journal, he also served as one of the members of the Steering Council of the University of Prishtina.
One of the co-founders of Kosovo Democratic League, a close advisor of the former Kosovo president Ibrahim Rugova, Krasniqi is a lecturer, poet, publicist and political com¬mentator. He has served as the secretary for over ten years and then a board member of Kosovo Writers Association, a board member of Radio-Television of Kosovo for eight years, editor in chief of magazines Fjala and Interesi Nacional, one of editors of daily newspaper Bota Sot, and a regular columnist for different newspapers and magazines. For some years, he was also a regular commentator of Radio Free Europe, Albanian programs.
His nearly 30 books on poetry, novel, drama and studies, include: Literature and religious faiths, Sonet in Albanian poetry, What sort of Kosovo should we live at, Jerks in charge, The mmisunderstood Islam and the global adversity, Photography of memories, Strands of the soul, Haze of death, Selected poems – The flower of rescue, The truth of Islam among Albanians, Violence and Western civilization: Islam as the beginning of history, Kosovo post 22 January 1998, The emerge of fatherland from the dreams, Grey image, Mound of vision, Lessons on charades, The discovery-Do not victimize me, Russian Roulette for Ali Pasha, A new Antigona, Lights in Memories. He is also the author of the textbook Introduction to Journalism and a supervisor of many MA students. His academic papers have appeared in various local and international journals including: Media and Seminari – University of Prishtina, Sarajevske Sveske, Vizione, Scientific Journal – Shkup, Kosovo Academy of Arts and Sciences Yearbook, Edukata Islame, etc. He has presented papers in different conferences organized by: Sa¬karya University – Turkey, University UFO – Tirana, at International Seminar on Albanian Language, Literature and Culture – Prishtina, etc.
Krasniqi has been interviewed or quoted in Radio Television of Kosovo, RTV 21, Voice of America, Radio Free Europe, Epoka e Re, Bota Sot, and other regional print and electronic media. As a political commentator he has been invited many times on live TV shoës. He resides in Prishtina with his wife Edibe Krasniqi, and their three children.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura