DR.VAXHID SEJDIU: ATDHEDASHURIA! NJË IDE KUPTIMPLOTE, QË DUHET PËRSHËNDETUR

Zürich, 16 shkurt 2018: “40 Kosovare me emrin Saranda vizitojnë qytetin e Sarandës”. – Prindërit shqiptarë jashtë shtetit amë, pa marrë parasysh se nën sundim apo nën ç`regjim kanë jetuar, në vazhdimësi janë përkujdesur për familjen, për rrënjët e atdheut. Ata, nëpërmjet pagëzimit të fëmijëve të tyre në vazhdimësi kanë dëshmuar: dashurinë ndaj atdheut – dashurinë ndaj Shqipërisë. Lajmi, se “40 kosovare me emrin Saranda vizitojnë qytetin e Sarandës”, dëshmon pikërisht këtë përkushtim, të cilët me një dashuri të veçantë e kanë mbjellë prindërit e tyre. Një ide, e cila dëshmon atdhedashurinë e prindërve shqiptarë, për të dëshmuar se pa marrë parasysh pengesat, ndarjet dhe kufijtë artificialë, të cilët i kanë mbjellë pushtuesit, shqiptarët gjithmonë kanë jetuar dhe jetojnë me Shqipërinë. Por, kjo ide mendoj unë, në kohën lajmeve të “rënda” që jepen në stilin “hi e pluhur” duhet të marrë përmasa kombëtare, sepse i madh është numri i fëmijëve nga Kosova, nga trojet shqiptare nën Maqedoni, në trojet shqiptare nën Serbi apo në trojet shqiptare nën Mal të Zi, me emrat e fëmijëve nga mërgata shqiptare, që janë pagëzuar me emra të lashtë ilirë, me emrat e qyteteve nga Shqipëria. Prindërit shqiptarë, në periudha të caktuara e kishin të ndalur që t`i pagëzonin fëmijët e tyre me gjuhën e shpirtit. Të kujtojmë ligjet diskriminuese në kohën e ish-Jugosllavisë, ku në administratën komunale, për fëmijët shqiptarë ekzistonte një listë zezë e emrave, e cila u ndalonte prindërve shqiptarë përdorimin e tyre. Por, pa marrë parasysh vështirësitë, emrat e bukur të gjuhës dhe kulturës shqiptare sfidojnë për jetë e mot qeveritë e paligjshme dhe antishqiptare. E tillë është edhe kjo sfidë, ku 40 vajza marrin rrugën për të vizuar Sarandën. Sa lajm i mirë! Lajm mbi të gjitha lajmet e veprimeve politike të paqëlluara. Jam më se i bindur se ky organizim është spontan, sepse po sikur të ishin organizuar edhe më mirë, ky numër do të ishte shumë e shumë herë më i madh. Por, sidoqoftë jo vetëm unë, por çdo shqiptar që e ka dëgjuar këtë lajm, i ka pëlqyer dhe i ka përgëzuar për organizimin. Ju lumtë! Dhe unë, dhe sigurisht të gjithë bashkëmendimtarët e mi, i inkurajojmë të gjithë ata, të cilët kanë një emër, që lidhet me gjeografinë shqiptare, që të organizohen dhe të përhapin lajme të mira në trojet shqiptare, sepse po na lëshon shpirti nga lajmet e pakuptimta, banale, të cilat deformojnë moralin, idealin dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve. Mediet elektronike të shkruara janë të mbushura me lajme cullake dhe gjysmë cullake, me lajme me sfond të kriminalizuar, që rëndojnë mbi supet e gjeneratës së re dhe nuk e lënë të rritet nën rrezet e Diellit. Dhe këtë rrugëtim, me siguri se më vonë do ta bëjnë edhe ata, të cilët kanë emra të bukur shqip, si vajzat me emrin Vlora! – Dhe pastaj vajzat me emrin Shkodra, si dhe djemtë me emrin Shkodran, me emrin Milot dhe me emrin Berat. Vajza me emrin e lumenjve të Shqipërisë Vjosa apo Valbona, djemtë me emrin Drin apo Shkumbin. Do të mblidhen djemtë me emrin Krutan, Dibran, Butrint, me qëllim që të dëshmojnë se janë pjesë e atdheut. – Do te mblidhen djemtë me emrin Jon aty buzë Deti Jon, dhe vazhdojnë vajzat me emrin Arta, Larisa, Moreja apo Janina. Dhe të gjithë së bashku do të zbukurojnë Shqipërinë, dhe ne padyshim do të gëzohemi me këto lajme shqiptare, me idetë e tyre dhe do reflektojnë bindshëm si gjithmonë atdhedashurinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura