Dritan Goxhaj: Turi ‘Patriotik’ i Ramës në Kosovë!

Tiranë, 2 korrik 2020: Në fund të shëtitjes turistike të tij dy ditore në Kosovë, kryeministri i shtetit shqiptar dha një konferencë për shtyp në të cilën, nga fundi i saj, sërish u mundua t’i imponojë opinionit publik shqiptar në Kosovë idenë e Vuçiçit për mini-shengenin ballkanik. Duke e dëgjuar këtë fyerje të tij ndaj Kosovës, më erdhi në mend strofa e një poezie të të madhit Dritëro:

Kush tokën shet e nuk e mbron
Ia shet shejtanit veten.
Shejtanit shpirtin ia zbulon
Lugatët miq i mbeten.
D
he lugatët e tij miq janë dy, Vuçiçi dhe Thaçi. Ky i fundit në kontekstin e lugatit jo për atë çka është akuzuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, por për përkrahjen dhe imponimin e idesë së këtij mini-shengeni. Dhe, duke e dëgjuar Ramën në një moment e sheh gjithkush se te ky person, nuk ka lidhje truri me atë çka nxjerr nga goja. Duke i bërë reklamë në Kosovë mini-shengenit, ai tha se, “po të bëhej mini-shengeni, kufiri do ishte në aeroport”, aty ku edhe po jepte konferencën për shtyp.
Pra, sipas asaj që ky tha, i bie që kufiri në Kukës do të hiqet vetëm nëse Kosova bëhet pjesë e mini-shengenit të Serbisë. Kështu, sipas tij, i bie që pa Serbi nuk mund të kemi një Shqipëri.

Po kush e ka ndaluar këtë njeri që ta vendosë kufirin në aeroportin Adem Jashari?! Kush e ka ndaluar që ta heqë kufirin në Kukës?! Kush e ka ndaluar që të heqë çdo lloj barriere që i ndan shqiptarët andej e këtej kufirit?
Do doja të thoja asnjë, por nga ajo që ai nxorri nga goja, duket qartë se e ka ndaluar Serbia. Dhe në fund e kupton që turi i tij në Kosovën martire ishte për të shpëtuar dy lugatët miq, sepse këta të tre përbëjnë këmbët e një pirostie, stol me tri këmbë. Po ra njëri, atëherë ky stol nuk mund të qëndrojë më në këmbë. Kjo do të ndodhë edhe me idetë e tyre si të mini-shengenit, ashtu edhe të çdo lloj marrëveshjeje, që do t’i merrte Kosovës 15% të territorit të saj, përqindje kjo të cilën e deklaroi Isa Mustafa në 15 maj në televizionin public RTK.
Rama foli shumë e për asgjë në atë konference, pos shprehjes së mllefit për “fletë-rrufenë e Prokurorisë së Gjykatës Speciale”, duke kërkuar unitet të forcave politike të Kosovës, por nuk shpjegoi se për çfarë duhet të bashkoheshin! U mundua ta paraqiste veten si shpëtimtari i kombit shqiptar, komb ky i cili, sipas Ramës, tani që u akuzua Hashimi, po rrezikon të mbytet. U shit në këtë tur të tijin turistik sikur ky kish vajtur në Kosovë si “mesia” që kish ardhur t’u kthente shqiptarëve besimin te vetja; sikur kish ardhur për t’u mbrojtur krenarinë e cënuar; sikur kish ardhur me imazhin e të madhit Skënderbe, me të cilin e krahason Spiropali, dhe do mblidhte rreth vetes të gjithë ata shqiptarë drejtues të grupacioneve politike që duan të japin kontributin e tyre për të shpëtuar kombin dhe Kosovën.
Ai thjesht kishte vajtur për të legjitimuar Hashimin si një “njeri me vlera”, edhe pse thoshte që nuk ish aty për t’a mbrojtur moralisht; por edhe për të përfituar, duke dhënë një lloj “provimi të atdhetarisë”, kur fliste për luftën e UÒªK-së.
Megjithatë, vetë turi i tij dhe akuzat e bashkërenduara me ato të Thaçit ndaj komunitetit ndërkombëtar e treguan thelbin e turit. Rama u mundua ta legjitimojë rrugën e Thaçit në këto 20 vite me vizitën e tij, edhe pse në këtë rrugëtim ai ka ecur gjithnjë drejt përfitimeve personale e, kush ecën drejt kësaj rruge është vetëm manipulues me ndjenjën dhe nevojën kolektive dhe aspak politikan shtetbërës.
Rama, me papërgjegjshmërinë e tij politike që e karakterizon dhe me llafollogjinë e tij joshëse, arriti disi ta mbulojë arsyen e vërtetë të kësaj vizite, arsye të cilën e nxorri Vuçiçi kur foli në media menjëherë pas konferencës së Ramës dhe deklaroi: “Jam i gatshëm të takohem me Thaçin për të vazhduar dialogun edhe tani, nëse liderët në Kosovë e caktojnë për bisedime”.
Shkurt e shqip, Rama në Kosovë ishte me axhendë serbe që të bashkoi në një tryezë të gjitha partitë politike atje e ato pastaj të vendosin për vazhdimin e bisedimeve e ato t’ia besojnë njërit prej treshes së lugatëve. Me këtë qëllim të fshehur Rama i vuri të gjithë në peshore, por ama harroi ta vërë edhe veten në peshore, sepse ai nuk e di atë që shqiptarët në Prishtinë (Kosovë) përdorin një peshore krejt të ndryshme nga ajo e shqiptarëve në Tiranë (shtetin amë). Me turin e tij turistik në Kosovë, ai tentoi ta paraqesë veten si një politikan i përmasave mbarëkombëtare, por duke mos pasur në CV-në e tij as edhe një rezultat ose veprim kombëtar tjetër në karrrierën e tij pothuajse 20 vjeçare politike.
I pajisur mjeshtërisht me llafollogji të stolisur, Rama u nis në një tur duke menduar se kjo ishte koha e duhur për t’u thënë shqiptarëve në mbarë kombin dhe veçanërisht në Kosovë atë çfarë ata duan të dëgjojnë, pasi i famshëm në këto anë është ai të cilit i përmendet emri më shumë. Ai e paraqiti veten si “strateg” mbarëshqiptar, të cilit duhet t’i binden të gjithë ata që thirren në emër e mbiemër.
Por në sulmin e bashkërenduar ndaj bashkësisë perëndimore, ai tregoi se nuk mund të dalë dot nga vesi i keq i shumicës së politikanëve shqiptarë, mosmirënjohja. As ky e as Thaçi kurrë njëherë në karrierën e tyre politike, parlamentare dhe kryeministrore, e ky i fundit edhe presidenciale, nuk e kanë marrë asnjëherë një iniciativë zyrtare shtetërore, qoftë në formën e një rezolute, qoftë në ngritjen e ndonjë komisioni apo të ndonjë instituti, dhe as në përcaktimin e ndonjë fondi të posaçëm për hulumtimin, dokumentimin dhe kallëzimin penal e bërjen publike të krimeve të Serbisë në Kosovë. Nuk e kanë bërë këtë gjë as në trojet e tyre dhe as në ndonjë institucion ose organizëm ndërkombëtar. Ndërsa sot, përveç mosmirënjohjes, treguan se nuk kanë haberin e shtetbërjes dhe të ndjenjës kombëtare.
Rama na tha në atë konference se lufta me Serbinë duhet të jetë vetëm diplomatike! Pra, të luajmë e ka kush e ka ose, si i thonë më mirë në Kosovë, të luajmë kapuçash e të harrojmë çdo gjë tjetër. Dhe gjithë këtë axhendë serbe të turit të tij u mundua t’a shpallë vepër kombëtare, ndërkohë që nga ajo çka sugjeroi gjatë konferencës u pa se me atdhetarizmin ky qëndron larg sa qielli dhe toka. Tashmë, në fund të mandatit të tij të dytë, po mundohet që çdo veprim të tijin ta shpallë vepër patriotike dhe kontribut për kombin, por, ama, është vetëm një udhëheqës partiak inatçor që shkoi t’i bënte një qokë bashkvëllait të tij lugat. Nuk bëri asgjë tjetër vetëm se shfrytëzoi “demokracinë” shqiptare, duke treguar vetëm çka duhet të bëjnë të tjerët duke u hequr se nuk ka kohë të tregojë se çfarë duhet të bëjë vetë.
Por, ama, si thuhet, vesi del me shpirtin dhe ky, edhe pse pa lidhje, nuk mund të linte pa e përmendur projektin serb të 1914-ës, mini-shengenin, por dy këshilltarët e tij për rajonin, që i përkasin treshes së famshme të Milloshit “Kosovo Zllatni Deçki” (Djemtë e artë të Kosovës), as nuk e njohin historinë e kombit shqiptar dhe aq më shumë historinë e tij politike që t’i tregojnë Ramës se gati në çdo 3 dekada serbët janë munduar t’ua impomojnë shqiptarëve dhe Shqipërisë idenë e mini-shengenit dhe kështu, jo vetëm të shtrijnë influencën e tyre ekonomike e politike që nga brigjet e detit Adriatik e Jon deri në Mitrovicë, por edhe ta blejnë tokën shqiptare e pastaj dikur të thonë, si gjithnjë, se ajo është e tyre. Dhe, duke menduar këtë, më vjen sërish në mend poezia e Dritëroit:
Megjithatë nëse e shet
Ajo është mjaft bujare
Dy metër vend sërish të jep
Kur nisesh për në varre.

Për Thaçin dhe shumë të ngjashëm të tij politika ka qenë veç një iluzion, ndërsa për Ramën ajo gjithnjë ka qenë mjet për të lënë gjurmë. Dhe dëshira e madhe për të lënë gjurmë në këtë entnikumin tonë e ka bërë që të humbë lidhjen me realitetin dhe proçeset e pashmangshme në të cilat ka kaluar Kosova u mundua t’ia mveshë një individi. Me turin dhe konferencën përmbyllëse, ai u mundua të na bindë se jeton në ”iluzionin” se ai mund ta ndryshojë botën tonë dhe se me projektet serbe, në të cilat ai beson, mund ta vërë nën kontroll vetëdijen njerëzore shqiptare.
Gjithë turi i tij i ngjau në fund një shëtitjeje turistike ”Patriotike” me dirigjim serb.
Tiranë, 1 korrik 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura