ARIF EJUPI: ROLI I PREDIKUESVE SHQIPTARË NË LUFTËN E FUNDIT ME SERBINË I PAKONTESTUESHËM

Gjenevë, 27 mars 2017: Predikuesit shqiptarë të konfesionit, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë njihen kudo në botë për bashkëpunim dhe tolerancë ndërfetare. Edhe në luftën e fundit kundër Serbisë, prijësit e këtyre tri besimeve fetare u treguan produktiv dhe kooperues si me krahun e paqes ashtu edhe me atë të luftës.
Ata krahas mësimit fetar, rëndësi të veçantë i kushtuan ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe mbrojtjes së Atdheut.
Madje atdhedashurinë e tyre e shprehën edhe praktikisht duke u mobilizuar edhe nën armë ndaj pushtuesve serbë. Ky unitet i klerit tanë i ka sjellë telashe të mëdha Serbisë.
Ajo me të gjitha mjetet është munduar që të fus përçarje në mes klerikëve shqiptarë.
Mirëpo këto orvatje kanë shkuar huq, ngase komunitetet tona fetare me kohë janë liruar nga predikuesit injorantë e të shitur.
Ata duke vepruar si një trup e vetme gjithmonë në plan të parë kanë vënë çlirimin e vendit nga Serbia. Kurse religjionin e kanë konsideruar si çështje dhe vullnet të vetë individit.
Zbatimi i kësaj platforme të shëndosh dhe pa imponime ka mundësuar ruajtjen e unitetit dhe luftën e përbashkët ndaj shovenve serbë, të cilët nëpërmjet masakrave dhe gjenocidit u munduan që të na shuajnë edhe ëndrrën për liri.
Secili nga ne do të ndihet krenar me angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Ipeshkëvisë së Kosovës, dhënë çështjes shqiptare.
Sidomos nuk do të harrohet me punën e tij të pakursyer prifti katolik shqiptar Dr. Don Lush Gjergji.
Ai si njeri mendjemprehtë me këshillat e tij plotësisht të sinqerta mbolli kudo dashuri e respekt vëllazëror.
Po ashtu duke qenë vite të tëra në krye të Shoqatës Humanitare të Kosovës ”Nëna Terezë” ndihmoi mijëra familjeje shqiptare në nevojë me ushqim ,barëra e veshmbathje .
Dr. Don Lush Gjergji, njihet edhe si krijues i suksesshëm. Ai në mesin e dhjetëra veprave të publikuara në gusht të vitit 2000 ka nxjerrë në dritë edhe një jetëshkrim të gjatë e me vlerë mbi jetën dhe veprën e Shenjtores sonë Gonxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza.

Kjo vepër voluminoze është përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.
Vitin që shkoi Dr. Don Lush Gjergji, për punën e tij të frytshme është shpërblyer me titullin “Monsinjor” nga Papa i Vatikanit, Jorge Mario Bergoglio i njohur ndryshe si Papa Frençesku.

Aktivitete kombëtare dhe bëmirëse e me peshë të njëjtë në dobi të lirisë së Kosovës në periudhën e okupimit serb ka zhvilluar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
Ajo nën udhëheqjen Myftiut të atëhershëm Dr. Rexhep Boja,pati siguruar banimin dhe ushqimin e një numri të konsiderueshëm të studentëve shqiptarë të dëbuar dhunshëm nga Universiteti i Kosovës.
Edhe në etapat e mëvonshme shumë imamë të mirëfilltë dhe me përgatitje të duhur shkollore gjithandej Kosovës, xhamitë i patën kthyer në Institucione të rezistencës dhe të mbrojtjes së vlerave tona kombëtare.
Aktiv në këtë drejtim veçmas u tregua Idriz Selim Bilalli,aktualisht kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Bashkësisë Islame të Kosovës , dhe imam në xhaminë qendrore të Besianës,ish-Podujevës .
Bilalli i një lidhje të njëjtë gjaku me atdhetarin e guximshëm Mulla Ramë Govori, që në rininë e tij të hershme mësoi që Atdheu dhe Gjuha, duhet mbrojtur në çdo kohë dhe rrethanë .
Mulla Ramë Govori, si anëtar i Komitetit Nacional Demokratik të Shqiptarëve, e shihte si brengë të përhershme mbetjen e shqiptarëve nën Jugosllavi dhe Greqi.
Ai si rrallëkush duke treguar qëndresë e guxim të pashoq kundërshtoi hapur tkurrjen e Shqipërisë Natyrale.
Mulla Ramë Govori ,si një antikomunist i vërtetë çdo ligjëratë të tij e fillonte me citatin e ideologut dhe Ciceronit tonë të njohur Hasan Prishtina”Dy duar për kokën,koka për atdheun”
Komunistët jugosllavë duke parë që fjala e Mulla Ramë Govorit, çonte peshë në popull një natë dimri të acartë e arrestojnë atë tinëzisht.
Mulla Rama fillimisht u dënua me vdekje, por për shkak të qëndrimeve kundërthënëse të trupit gjykues ky dënim më vonë atij iu kthye në burg të përjetshëm.
Të inspiruar nga Mulla Rama dhe vepra e tij e lavdishme përveç Mulla Idrizit, në mbrojtje të Kosovës me tërë qenien e tyre do të vihen edhe vëllezërit e tij Rrahimi,Ramizi dhe Shabani.
Thirrjes së Atdheut dhe amanetit të Mulla Ramë Govorit, ata i përgjigjen me mobilizim në radhët e UÇK-së.
Me të filluar luftimet në Drenicë, pahezituar fare në vijën e parë të frontit aktivizohet Ramiz S. Bilalli. Ndërkaq Shaban S. Bilalli, niset drejt Koshares legjendare, ku nga kjo luftë ai dhe shokët e tij kthehen fitimtarë .
Ata të prirë nga strategu Agim Ramadani e thyejnë njëherë e përgjithmonë murin ndarës ndërmjet shqiptarëve të vënë padrejtësisht 100 vjet më herët nga sllavo-komunistët dhe aleatët e tyre.
Andaj Beteja e Koshares, sot me të drejtë konsiderohet si krenari jona dhe dritë që s’ shuhet kurrë.
Shtigjeve të gjakut dhe të vdekjes udhëton edhe Rrahim S. Bilalli. Ai si ushtar trim dhe i panënshtruar i UÇK-së – Zona Operative e Llapit, tregohet mjaft i suksesshëm në zmbrapsjen e grupeve paramilitare të Serbisë.
Kurse Mulla Idriz S. Bilalli si teolog i specializuar në Medine të Arabisë Saudite, në kohë lufte me fjalën e tij të ëmbël dhe të dëlirë ndihmon në përballimin e dhimbjes të gjithë ata që humbën më të dashurit e tyre në luftë për liri dhe mëvetësi të Kosovës. Ai sivjet ka hyrë në decenien e tij të tretë të punës si imam në xhaminë ”Met Podujeva”. Qëkurse ka filluar ushtrimin e kësaj detyre ka rënë në sy nga të gjithë me predikimin e një islami racional të trashëguar nga e kaluara e miqësor edhe me të tjerët.
Edhe sot nëpërmjet ligjëratave të tij imami Bilalli,thërret për më tepër dashuri dhe solidaritet me njëri-tjetrin.
Ashpërsimin e gjuhës dhe mosdurimin e sheh të panevojshëm dhe e trajton si agjendë të atyre që duan t’i fusin shqiptarët në rrjetë merimange.
Me gjenet e tij të trashëguara nga Mulla Ramë Govori,imami Bilalli me kohë ka ngritur zërin kundër rrymave radikale. Falë shpjegimeve të tij konkrete e me bazë shkencore asnjë i ri llapjanë s’është përfshirë në luftërat e huaja të zhvilluara në Siri e Irak.
Imami Bilalli edhe në të kaluarën është treguar i suksesshëm në organizim. Ai si njeri me karakter të fortë e aspak fanatikë më 1992 entuziazmoi besimtarët duke u angazhuar në LDK-së, -dega në Besianë,ish-Podujevë. Ky subjekt politik në atë periudhë njihej edhe si Lëvizje gjithëpopullore.
Profesor Bilalli, plot 16 vjet ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së dega në Besianë,ish-Podujevë.
Si kuadër i profilizuar dhe me përvojë të duhur ai ishte edhe delegat në Kuvendin Qendror të LDK-së.
Po ashtu i zgjedhur nga radhët e kësaj partie dy-tri mandate kreu me mjaft ndershmëri edhe detyrën e këshilltarit në Asamblenë e Besianës, ish-Podujevës.
Nga të gjithë llapjanët çmohet shumë lartë roli edhe angazhimi i tij nëpër komisione të ndryshme e sidomos në atë të Solidaritetit dhe të Pajtimit të gjaqeve.
Imami Bilalli si teolog i moderuar e atdhetar i devotshëm deri në çlirimin definitiv të Kosovës, së bashku me kolegët e tij Muhamet Demiri, Fahredin Jashari, e Enver Sylejmani, e shndërruan xhaminë “Met Podujeva” në strehë të Shoqatave dhe Klubeve,atdhetare e kulturore të Llapit.
Në mungesë të objekteve të pushtuara nga serbët në ambientet e kësaj xhamie aktivitetin e tij e zhvilloi edhe KMDLJ-dega në Besianë.
Shumëherë në këtë xhami u organizuan edhe sesione shkencore dhe debate të shumta nëpërmjet të cilave në vazhdimësi u kërkua unifikimi i faktorit mbarëkombëtar.
Bashkëpunimi dhe toleranca ndërfetare e klerit tonë përmendet si vlerë jona e veçantë edhe nga miqtë tanë ndërkombëtar.
Vitin e kaluar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, me rastin e prezantimit të ekspozitës “Besa Shqiptare” secili nga diskutuesit kooperimin dhe bashkëjetesën e religjioneve në tokat shqiptare e cilësoi si model për vendet e tjera të botës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura