Zvicër, 19 tetor 2018: “Liria nuk mund të përfytyrohet pa gjakun e dëshmorëve të kombit dhe sakrificën e atdhetarëve ndër kohë”
Historikisht është dëshmuar se rezistenca e popullit shqiptar në këto troje ka qenë në vazhdimësi. Ajo për asnjë çast nuk është ndërprerë. Edhe në momentet më të vështira, forca e bijave dhe bijve më të mirë të kombit e ka çarë shtetrrethimin duke shfaq një rreze shprese për të ardhmen e atdheut. Nëse e shfletojmë të kaluarën historike apo nëse i dëgjojmë me vëmendje rrëfimet e këtyre njerëzve të thjeshtë vijmë në përfundim, se liria i ka sytë, forcën dhe sakrificën e këtyre atdhetarëve. Nga jugu në veri apo nga veriu në jug, çdo ditë e re ka sjellë lajme, nga më të ndryshmet, por edhe lajme tragjike, qoftë në përpjekjet individuale apo rajonale me karakter kombëtar. Të gjitha përpjekjet shqiptare ndër shekuj kanë pasur dhe kanë një përfundim: luftën për liri dhe çlirim kombëtar. A ka fjali më të bukur që mund të identifikojë një popull që lufton me shekuj për lirinë e tij. Dhe ky definicion vlen për popullin shqiptar, ndër popujt më liridashës të botës. Me të drejtë theksohet në të gjitha dokumentet historike në të kaluarën e largët dhe të afërm, se shqiptarët me shekuj kanë qenë në shënjestër të pushtuesve të ndryshëm, të cilët për qëllim kanë pasur nënshtrimin e popullit shqiptar, pushtimin e tokave, rrëmbimin e pasurisë dhe shkatërrimin e çdo gjëje shqiptare. Por, shqiptarët falë sakrificës së këtyre njerëzve kanë penguar realizimin e planeve të ndryshme të pushtuesve të vjetër dhe të sotëm. Kujtesa e popullit shqiptar është shumë më e pasur se sa historia e shkruar. Ndoshta se ne shqiptarët më lehtë flasim seç shkruajmë. Një dëshmi e këtillë vërtetohet edhe për luftën e fundit, luftën lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me forcën, përpjekjet dhe sakrificën arriti të prek “qiellin e lirisë”. Dhe ne, çuditërisht më pak shkruam se sa folëm për të. Duke harruar se emblema e UÇK-së, ishte dhe është emblema e lirisë, emblema e gjakut që zbukuroi kombin shqiptar. Por, jo vetëm që zbukuroi por edhe solli lirinë. Dhe thënë sa më thjeshtë, sa herë që shkruaj për atdhetarët apo heronjtë e kombit kam një ndjenjë të njëjtë. Secili me duket më i bukur, më i pashëm, më i guximshëm, më trim se tjetri. Sa herë që jam munduar të shkruaj për to, portreti i tyre më është identifikuar me pamjen dhe me bukurinë e lirisë. Lirinë nuk mund ta kuptoj pa pamjet e tyre. E njëjta gjë më ndodhi edhe me Isa Demajn, atdhetarin, kryengritësin, intelektualin dhe profesorin e palodhur gjithnjë në shërbim të atdheut. Dhe, pasi lexova monografinë me titull “Isa Demaj – Jeta dhe veprimtaria atdhetare” të përgatitur nga prof. Dr. Zymer Neziri, shkrova këto vargje.
Baladë për Isa Demajn!
„Vetë zoti që e ka falë Isa Demajn, do të thotë se Zoti i ka dashtë shqiptarët“ – Adem Demaçi
Çdo herë,
Kur atdheu është në rrezik
Atdhetarët bëhen themel i saj,
Dhe shpirti natyrshëm këndon,
Për Shqipërinë.
Në vazhdimësi,
mbi trojet shqiptare
stuhi e fortë,
heronjtë qëndrojnë krenar, si ora në mur.
Hej, o Isa Demaj
Emri yt jehon Kosovës,
Maleve të Shqipërisë.
Se atdheu ka nevojë për trimat,
Sa herë që hienat vazhdojnë të sillen
Për rreth Shtëpisë së Madhe.
Sa herë shqiptojmë emrin tënd,
buzëqesh i gjithë Kelmendi
Dhe Kosova, me ty flet:
Heronjtë e kombit,
nuk vdesin
Nuk ka stinë që mund t`i tret.
Lojërat politike, prapaskenat heshtin
Vetëm atëherë kur trimat i dalin zot atdheut,
Nga Veriu në Jug,
apo nga Jugu në Veri.
Një amanet kemi nga baballarët,
Se armiqtë nuk kanë besë.
Ata veprojnë si në përrallë
Heshtin apo hynë në qark,
Se kanë frikë çlirimtarët
Se përndryshe, ata pinë gjak.
Posa errësira të lëshohet
Dhe erërat të hedhin lak,
Egërsisht sulmojnë gjakpirësit
Brenda natës arrin në prag.
Prandaj,
çohu o Isa Demaj
Se edhe sot,
Kosova ka nevojë
Për fjalën tënde burrnore,
për qëndresën dhe guximin tënd,
Se hasmi në Qafë të Dasmorëve
krushqit i ka ngrirë
– Ata janë bërë gurë!
Hidhe një këngë maje krahu
Pashë sytë e dadës Shotë,
Se shqipet nuk vdesin
Por, gjaku për liri i amshon.
Në dimrin e madh
Aty ku ngulte armiku dhëmbët,
ishe ti o Isë,
bashkë me shokët,
simbol të besës, e të gjakut
Te këmbët e atdheut,
me flamurin kuq e zi në ballë.
Nuk kishte flamur tjetër o Isë
as më 1968, as më1981, as më 1997,
nuk ka, as edhe sot…
Nuk kishte tjetër emër o Isë,
Përveç nënës Shqipëri.
Që i bënte burrat tok.
Prandaj,
Zgjohu o Isë,
se atdheu ka nevojë për hijen tënde,
të presin Rugova, Mitrovica, Kosova…
bashkë me shokë…
Se hijet e zeza kanë marrë hov nga Nishi, Podgorica…
Çohu o Isë,
e t`ia hedhim këngës për Lidhjen e Prizrenit…
Walenstadt, 2016