XHEMIL LATO, POET I NIVELIT TË LARTË

XHEMIL LATO, POET I NIVELIT TË LARTË

Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues,

 Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Ndër miqtë e fjalës së bukur letrare, mbas Namik Jahos, Sefer Pashës dhe prof. Bardhosh Gaçes, jam ndër njohësit më të imtë të veprës letrare dhe jetës së Xhemilit. Poetin Xhemil Lato e kanë njohur, e njohin, do ta njohin e respektojnë të gjithë në Vlorë, Sarandë, Tiranë, Fier, Lushnjë, Berat Rrogozhinë veçanërisht, si dhe në mbarë Principatën Letrare të Krijimit do ta nderojnë atdhetarin tonë idealist dhe poetin e talentuar çam, sepse është poet i nivelit të lartë dhe na la gjurmët e pashlyeshme të një njeriu fisnik e të vërtetë.

Me rreth 30 regjistrime bibliografike të gjetura në Katalogun e Biblitekës Kombëtare, autor i 16 botimeve antologjike në poezi e prozë, është ndër poetët më të shquar të Vlorës, që shpërthyen mbas viteve ‘90 të shek. XX. Ai është vlerësuar nga kritika dhe shoqëria letrare si poet i nivelit të lartë, si poet i metaforës. I formatuar si poet i ndjenjës me mendim të pjekur artistik, sidomos këtë dhjetëvjeçarin e fundit gati çdo vit botonte një libër të mirë, jo si qulluficet në furrë që bëjnë cajopak shkrimtarëra… Nga autori veçojmë librin “Eja te luleborat e tua”, 2019, novela; “Fat i krrusur si nata”, 2021, ndërsa në vitin 2020 poeti i mirënjohur, i paharrimti ynë Xhemil Lato boton librin “Po vjel të pathënat e tua: poezi. Ndër më të veçantët, të shtrenjtët dhe të dhembshurit kishte vëllimin “Njeriu vritet nëpër njeri” me poezi të zgjedhura. Poeti i mirënjohur Xhemil Lato (23.10.1956-11.11.2021) me origjinë nga krahina e Çamërisë, lindur në Panaja, me banim në Vlorë, edhe shtëpinë e përjetshme e ka në Panaja. Libri “Njeriu vritet nëpër njeri” ka 190 faqe, përmban 122 poezi në 4 cilke poetikë dhe secili cikël prezantohet me lajtmotivin përkatës poetik. Për krijimtarinë e bollshme dhe të pasur letrare të autorit kanë shkruar Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Agim Vinca, Jorgo Bllaci, Bardhosh Gaçe, Jani Malo, Seit Seitaj, Albert Habazaj, Idajet Jahaj, Namik Jahaj, Sefer Pasha, Petraq Kote, Eqerem Canaj, Andrea Petromilo etj. Autori i këtyre radhëve, që vijnë si përshpirtje poetike për poetin Xhemil Lato, ka bërë parathënien e vëllimit poetik “Njeriu vritet nëpër njeri”.

Krahas të ndritshmit Bilal Xhaferri, Çamëria ka nxjerrë shkrimtarë dhe poetë të mirënjohur në rrafsh kombëtar si Agim Bajrami, Fatime Kulli, Fadil Zeqiri, Bedri Miftari, Namik Mane, Shefki Hysa, Enver Kushi, Rudina Çupi, Namik Selmani, Vjollca Staro, Abaz Veizi, Keidi Sejdini, Ahmet Mehmeti, Lorena Abazi etj. Kam miq të letrave që thonë se mbas Bilal Xhaferit vjen emri i Xhemil Latos. Për mendimin tim, një poet i nivelit të lartë nuk ka përse të krahasohet me të tjerë. Xhemil Lato është Xhemil Lato i Çamërisë dhe Shqipërisë me të gjitha ngjyrat dhe muzikën e tij aq të ëmbël edhe kur i pikëllon vargu. Xhemil Lato është Poeti i vërtetë, natyral, dinjitet i poezisë dhe prozës sonë bashkëkohore. Sidomos me poezinë e tij, autori është një brerore e ndritshme për krijuesit dhe lexuesit tanë. Xhemili është sa poet i lindur aq dhe poet i talentuar. Edhe në prozë ai është poet, pa e prishur ekulibrin e masës në dy gjinitë e letërsisë artistike. Ai shkruan poetikisht dhe me shumë dashuri edhe në novelat dhe tregimet e tij gjurmëlënëse në kujtesën tonë. Edhe në vëllimin e ri “Njeriu vritet nëpër njeri” (tetor 2016) me poezi të zgjedhura, që sot kemi në dorë, gjykoj se, autori, me nuhatjen e mahnitshme poetike, me intuitën e tij karakteristike prej artisti: të mprehtë, të hollë e të thellë e ka realizuar me dinjitet letrar “Platformën e poetit”, e cila gjen mishërim në shprehjen e Borges-it: “…për një poet të vërtetë çdo moment i jetës, çdo fakt, duhet të jetë poetik”. Lato ka mënyrën e tij poetike të vështrimit të jetës dhe të përshkrimit artistik të botës, një mënyrë origjinale, të patjetërsueshme, të besueshme. Në fuçinë tij me verë poetike pi e s’ke të ngopur. Vera e tij poetike është aq e shijshme dhe e shëndetshme letrarisht. Kam fatin dhe mundësinë që e njoh më nga afër krahasuar me kolegët e tjerë të penës krijimtarinë e tij letrare, të paktën qysh kur përcollëm viganin Petro Marko në Dhërmi e gjer më sot. A e dini, o miq, ç’i punonte Xhemili poezisë?! E torturonte, ia nxinte jetën. O të bëhet, o të mos bëhet! Pako e pako me letra harxhonte Poeti. Shkruante, kontrollonte, korrigjonte, hiqte, shtonte, prishte “tritolin” për ç’ka kishte shkruar e s’i pëlqente e i rrudhte buzët e shijeve të tij artistike, ndaj shpesh shprehej  se kishte “frikë” nga poezia e tij. “Po s’i pëlqen prodhimi autorit, si mund t’i pëlqejë lexuesit?! Dua të ngop një herë veten, pastaj ta shijojnë të tjerët veprën time”, – thoshte autori me ç’kam parë nga laboratori i tij krijues. Në poezitë e tij është një harmonizim i bukur i njeriut me natyrën, me botën; një lidhje e natyrshme dhe e përshtatshme e dimensionit tokësor me dimensionin hyjnor. Ai ka një rrëfim poetik të rrallë, sa që lexuesi vihet në mëdyshje për dy motive: 1. Personazhi i Xhemilit është real, ashtu është njeriu në jetë; po aq ngjarja, fenomeni, natyra, universi i tij i njohjes, i ndijimit e perceptimit të botës që e rrethon autorin, por me farën letrare në themelet e strukturës poetike. 2. Mesazhi që jep autori se si duhet të jetë njeriu dhe bota e tij më e mirë, më e bukur, më e dobishme. Poeti Xhemil Lato përbën një fenomen “bio” në gdhendjen e karaktereve njerëzorë, po aq dhe me të vërtetat e hidhura, që ngul me vargjet e tij dritëruese, si pak kush ndër autorët e kohës që jetojmë. Çdo libër poetik i tij është një tufë me lule të bukura poetike, hijeshuar me simbole, ngjyra, forma, tinguj, ritëm, sinekdoka, krahasime e similitude, me figurat e sintaksës poetike vitale, të befta e origjinale. Ndërsa vëllimi me poezi të zgjedhura “Njeriu vritet nëpër njeri”, që kemi në dorë, nuk është thjeshtë një tufë me lule të zgjedhura poetike, por me lule të zgjedhura me dorë nga i pamëshirshmi i krijimit të vetë Xhemil Lato, për të kënaqur lexuesin, në maksimimin e mundshëm letrar dhe estetik. Ai është befasues në krijimin poetik, duke prodhuar pa pozuar situata të papritura. Sqimatar, në kuptimin letrar të fjalës. Në poezinë e tij i gjen të katër stinët, gjen njeriun me të tërë gjendjet emocionale, jetën e përditshme të ngritur natyrshëm në artin më të lartë të fjalës artistike. S’ka kollare në poezinë e tij, s’ka gufosje, s’ka droje që ta shkruajë jetën artistikisht me të gjitha ngjyrat. Me të gjitha. Duke filluar që nga Xhema adoleshent e deri te Xhemili 60 vjeçar, apo gjer tutje, tek mbretëresha e Anglisë. Nuk të merret fryma në poezinë e tij. Është e bukur ajo, si nuse bregdeti, si Çamëria, si Shqipëria. Është e thellë ajo, e gjerë si Mesdheu.. Dhe pikon ende gjak si Çamëria jonë, mbre!

Duke lexuar me vëmendje e duke e shijuar poezinë e zgjedhur të Xh. Latos, noton bukur nëpër lumin e vargjeve të tij, të kulluara. Nuk të ngec leximi. I ka pastuar vargjet ustai nga guriçkat e prozaizmit, se është qibar i madh ai e ka kërkesa të rrepta ndaj vetes. Shumë të rrepta. Edhe ndaj miqve të letrave. Lexon poezitë e Xhemilit e thua: “Po, po, kështu është. Unë e dija. Edhe unë këtë mendim kam”… Ja, fjala vjen vargjet: “Pas më ndiqte nëna në fëmijëri/ me një fletëz bukë -/ të hollë sa buza,/ me një petull – / sa hëna në ëndrra…/ sa pjesa e diellit/ jashtë reve mbetur,/ apo një dardhëz të vonë/ të prerë gjatas – si një vetull… / Qëkuri, si nëna, ndaj në feta/ kohën time për shokë, kushërinj miq…/ U jap atyre që më duan, e s’më duan,/ u bie me gurë të tjerëve/ që duan të më PËRDORIN,/ të bëj spiunin e horrin …” e sa e sa të tjera si këto, më pëlqejnë aq shumë e jam në një mendje me ndjenjat dhe filozofinë e shkruar të autorit, Xhemil LATO është i pari dhe i vetmi në këtë formë letrare kaq të përsosur dhe kaq natyrshëm. Dhe kjo ndodh se autori i mirënjohur, që kullon i tëri poezi, dhembje e dashuri, është mjeshtër i mushtit metaforik të jetës në sy; është poeti i njeriut në të katër stinët, në lëndina me lule dhe në det me furtunë; është poet i Atdheut çdo ditë, çdo javë e çdo muaj, vit pas viti e gjithë jetën. Dhe e do të bukur, ballëlart e në këmbë, si poezinë e tij, mbushur me frymëmarrje të plotë, të pastër e të pasur letrare, fisnike e me dinjitet, si një poezi përjetësisht lulëzimtare.

Veprat letrare të autorit Xhemil Lato

1. “Gjumëtrazuar…” : poezi / Xhemil Lato ; red. Bardhosh Gaçe, 1994,

2. “Kur thërret Sofokliu”: poezi / Xhemil Lato, 1996,

3. “Pasi tremba një ëndërr”: poezi / Xhemil Lato 1997,

4. “Gruaja që humbi në mjegull”: novelë; red. Bardhosh Gaçe, 1998,

5. “Ullinjve qan një vejushë” : poezi / Xhemil Lato ; red. Jani Malo, 2005,

6. “Kalon një dashuri” : poezi / Xhemil Lato ; red. Arian Saliaj, 2007,

7. “Fatthyerit në pritje” : novelë / Xhemil Lato ; red. Adelina Ibrahimi, 2010,

8. “Vaftë në djall gruaja e Karmelos!” : novelë e tregime / Xhemil Lato ; red. Anka Cullaj, 2014

9. “Mos e vrisni atë grua” : poezi / Xhemil Lato ; red. Namik S. Jahaj, 2015,

10. “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar”: novelë; red. Sefer Pasha, 2015,

11. “Të marrosur” : novela / Xhemil Lato ; red. Namik S. Jahaj, 2016,

12. “Njeriu vritet nëpër njeri” : poezi të zgjedhura / Xhemil Lato ; red. Bardhosh Gaçe, 2016,

13. “Sa e desha Nadirenë…” : novelë e tregime / Xhemil Lato ; red. Lorena Abazi, 2018,

14. “Eja te luleborat e tua”: novela/ Xhemil Lato ; red. Lorena Abazi, 2019,

15. “Po vjel të pathënat e tua”: poezi/ Xhemil Lato ; red. Namik Jahaj, 2020,

16. “Fat i krrusur si nata”: novela/ Xhemil Lato; red. Sefer Pasha, 2021.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura