DUBROVNIKU – RAGUZA E LASHTË

DUBROVNIKU – RAGUZA E LASHTË

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku – 26 korrik 2021

Dubrovniku (Raguza e lashtë), është një ndër qytetet me të bukur dhe të famshëm të Mesdheut. Një qytet gati i vetëm për historinë e tij politike dhe kulturore (Republika e Raguzës, ratifikoj një statut të vitit 1272) dhe për bukurinë e monumentave të tij të njohur në të gjithë botën, dhe prandaj është shënjuar nga UNESCO-ja si pasuri botërore.

Ky është një qytet ilir, herë nën sundimin Venecian, herë Francez, herë Otoman…

Emrat Dubrovnik dhe Ragusa bashkëjetuan për disa shekuj. Ragusa , e regjistruar në forma të ndryshme që të paktën nga shekulli i 10-të, mbeti emri zyrtar i Republikës së Raguzës deri në vitin 1808, dhe i qytetit brenda Mbretërisë së Dalmacisë deri në vitin 1918, ndërsa Dubrovniku , i regjistruar për herë të parë në fund të shekullit të 12-të, ishte në përdorim të gjerë nga fundi i 16 ose fillimi i shekullit të 17-të.

(Oleh Havrylyshyn; Nora Srzentić: 10 December 2014). Institutions Always ‘Mattered’: Explaining Prosperity in Mediaeval Ragusa (Dubrovnik). Palgrave Macmillan. p. 59. ISBN 9781137339782./ Shqipe Hoxha: Ragusa/Dubrovniku dikur qytet antik pellazgo-Ilire)

Popullsia e qytetit sipas përllogaritjeve të vitit 2012 ishte 27900 banorë. Sipas regjistrimit të vitit 2011 28113 banorë ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2001 30436 banorë. Popullsia ka ndryshuar me -0.76%. (Demografia e Dubrovnikut, Wikipedia)

Straduni ose Placa, si e quajnë banorët e Dubrovnikut, është pjesa kryesore urbane e hapur e qytetit të Dubrovnikut dhe shëtitorja e vendgrumbullimi  më tërheqës. Ky është vend i të gjitha festimeve dhe kortezheve publike të qytetit, por dhe rruga kryesore tregtare e qytetit. Është rruga më e gjerë e cila e ndan qytetin midis gjysmës veriore dhe asaj jugore.

Dubrovniku qytet muze!

Dubrovniku – Raguza ka disa muzeume dhe me të drejt quhet Qytet Muze.

Muzeu i Dubrovnikut, me qendër në Pallatin e Dukës, ruan në sallat e tij 15.500 copë eksponate. Gjithashtu në pallat është e mundur të shikohen koleksionet e mobiljeve origjinale të shek. XVII-të deri në shek. XVIII-të, uniformat e Dukës dhe të këshilltarëve, teshat e aristokratëve dhe më shumë.

Muzeu Detar (i vëndosur në kështjellën e Sveti Ivan) ka një koleksion të përkohshëm rreth jetës detare të Dubrovnikut, me një kujdes të veçantë drejt historisë së Republikës.

Muzeu i monastirit franceskan ruan të gjithë inventaret e farmacisë së vjetër, së bashku me veprat e argjëndareve, piktorëve dhe qëndistorve të qytetit.

Muzeu i monastirit domenikan ofron një koleksion me vlerë të pikturave të shekujve XV-të dhe XVI-të, si edhe skulpturat, xhojëlet, dorëshkrimet, partiturat dhe inkunabulat. Thesari i katedrales të Dubrovnikut ruan eshtrat e Shën Biagjos, mbrojtës i qytetit, si dhe piktura dhe vepra të tjera të artit.

Muzeu Etnografik “Rupe” merret me zanate tradicionale të arkitekturës fshatare të rajonit, me kostumet kombëtare dhe punimet tekstile. Meriton një vizitim edhe Akuariumi i Institutit të Biologjise, që ndodhet në kalanë e Stevi Ivan, në të cilën janë në ekspozite llojë kafshësh detare.

Qyteti prezanton një numër të madh kishash, monastiresh dhe hotelesh të shpërhapura në të gjithë qytetin. Deti i gjatë i tij karakterizohet nga porte të vegjël, dhe ura të vogla. Një ndër tapat e detyrueshme të vizitave është shetitja gjatë kullave mbrojtëse të qytetit, sipër të cilave mund të shikohet në mënyrë të shkëlqyer qyteti mesjetar i Raguzës.

Si i tillë Qyteti i Dubrovnikut është një monument i gjallë, zingjir perlash me një trashëgimi të begatshme materiale dhe jomateriale. Dubrovniku është qendër ekonomike, kulturore dhe arsimore e Dalmacisë jugore si dhe vendqëndrim i administratës së Kontesë së Dubrovnikut-Neretvës.

Origjina dhe historia e ndërtimit të mureve të qytetit të Dubrovnkut është origjina dhe historia e vetë qytetit të Dubrovnikut.

Në qemerin e portës së Fortesës Lovrjenac (Shën Lorenci) shkruan: “Non bene pro toto libertas venditurauro” – Liria nuk duhet shitur për ar. Liria ishte ideali i realizuar i ruajtur në shekuj, andaj dhe mbishkrimi i theksuar dhe i spikatur “Libertas” shpërfaqet në flamurin e Republikës së Dubrovnikut.

Sipas legjendës, prejardhja e Dubrovnikut është e lidhur me rrënojat e qytetit antik të Epidaurusit, i vendosur në zonën e Cavtatit të sotëm, mërgimtarët e të cilit u vendosën në shkëmbin e quajtur Laus ose Raus dhe kështu u ngrit Dubrovniku. Megjithatë, zbulimi arkeologjik i një monedhe të shek. 4 – 3 para Kr. në qendrën historike të Dubrovnikut,  dëshmon ekzistencën e një vendbanimi në këtë trevë që nga periudha antike. (Dubrovniku, Perla e murëzuar e Adriatikut, qyteti i të gjitha stinëve)

Legjenda tregon se në fillim vendbanimi u fortifikua nga krahu i tokës me gardh mbrojtës dhe më vonë me një mur pa llaç.

Vendbanimi i parë u vendos në pjesën më të lartë të gadishullit në zonën e sotme të njohur si Shën Maria, e cila lidhej me tokën në anën e saj perëndimore dhe strehohej në një shpellë të thellë, shumë e favorshme për t’u ankoruar. Vendi dallohet nga deti me shkëmbinj të thepisur, deri në 35 metra të lartë, dhe në veri me një pjerrësi natyrore të madhe dhe mjaft të thepisur, i ofron vendbanimit një siguri relative duke vënë në dukje armiqtë, pushtuesit ose plaçkitësit që vinin nga toka ose deti për t’i parë në kohë.

Ky ishte një pozicion strategjik që ofronte mbikëqyrje të shkëlqyer të anijeve që lundronin përgjatë vijave ujore të Adriatikut, të njohura që në antikitet. Një gji i mbrojtur me ankorazh të mirë dhe shpati i gadishullit me burime ujore të pijshme bënin të mundur të zhvillohej jeta dhe të bëhej begati në këtë vendbanim.

Kështjella e Dubrovnikut

Dubrovniku mori formën aktuale në shekullin 13. Muret u përditësuan simetrikisht deri më 1660, kur Bastioni i fundit i Shën Stefanit përfundoi në segmentin jugor të murit. Muri i gjatë 1,940m përbëhet nga rrethimi tipik i qytetit, 16 kulla, tri fortesa, gjashtë bastione, dy fortifikime këndore, tre ledhe mbrojtëse me rrathë frëngjish, tre hendeqe, dy fortesa anësore, një valëpritës dhe dy urëngritëse.

Në disa pika deri në 25m të lartë, muri kryesor është 4–6m i trashë nga ana e tokës dhe 1.5–3m nga ana e detit. Një mori ndërtuesish vendorë dhe të huaj si dhe mjeshtër në zë kontribuan në ndërtimin e tij, por shumë prej tyre kanë fatin të mbeten të panjohur.

Kështjella e Dubrovnikut  ka formën e një katërkëndshi të çrregullt, ku pjesa veriore e këndit formon një majë të mprehtë nga jashtë. Hyrja për në fortesë është në anën jugore, ku rruga që shpie midis dy portave të fortifikuara kalon mbi një platformë të madhe. Si platforma ashtu dhe fortesa janë të izoluara nga të gjitha kahet, ana jugore ka një zbritje të thepisur ndërkohë që kanali i qytetit e rrethon fortesën nga të gjitha drejtimet e tjera.

Në murin e trashë verior të fortesës Revelin, janë shpërndarë korridore në nivelin e kanalit, në pjesë më të vogla me frëngji treshe, të cilat ajrosen nga tubacionet që përfundojnë në katin e sipërm të fortesës. Interieri i fortesës dhe terasat e saj shërbejnë per egzibicione arkeologjike, për bankete, martesa dhe koncerte të Orkestrit Simfonik të Dubrovnikut, si dhe për lojërat verore të Dubrovnikut.

Historia e tregtisë në Raguzë

Arkiva e Raguzës citohet nga disa vepra shkencore si burim i të dhënave gjatë kohës kur Republika e Raguzës ishte shtet i fuqishëm në Ballkan.

Është interesant se nga dokumente e këtij arkivi që kryesisht kanë të bëjnë me tretin e këtij shteti në Ballkan, mund të nxirren emra dhe përfundime që e ndihmojnë shpjegimin e historisë së tregtisë dhe rrethanave tjera të regjionit. Kështu në këto dokumente p.sh. ekzistojnë të dhëna për një numër të tregtarëve shqiptarë nga Raguza drejtuar Marco de Tani në Prishtinë, në mars të vitit 1428, pas dorëzimit të Kastriotit, dhe sërish në vitin 1448 në të njëjtin qytet ne gjejmë edhe tregtarët tjerë shqiptarë, si Kimo Mati de Tani.

Për shkak të rolit të rëndësishëm që kishte Dubrovniku në sferën e marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore dhe financiare, me vendet fqinje ballkanase. Një vend i rëndësishëm i takon Shqipërisë dhe familjeve princërore e bujare të saj, në këto marrëdhënie, të cilat kanë lënë gjurmë të shumta të shkruara. Familja më e dalluar, është ajo e Kastriotëve, për të cilën në fonde të shumta, të këtij arkivi, ruhen dokumente, akte dhe testamente të ndryshme, të karakterit publik dhe privat. (Burimi: Arkivi i Raguzës)

***

Qyteti i vjetër i Dubrovnikut:

****

Dubrovniku

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura