DUKAGJIN GORANI: NDOSHTA E KAM GABIM…

Prishtinë, 22. 07. 2013 – Pse është në rritje kërkesa publike që ‘komandantët’ të ndëshkohen për të bëmat e luftës – në emër të zhvatjeve të pasluftës? – Javën e kaluar, Fatos Lubonja dhe Arben Idrizi e shkaktuan një infarkt publik mes shqiptarësh. Si zakonisht, nëpër media, portale e rrjete sociale rifilloi luftë e përgjakshme duke lënë përshtypjen e një populli të armiqësuar. Janë të shumtë ata që nuk pajtohen me Fatosin e Arbenin, edhe pse dita-ditës rritet numri i atyre që i përkrahin pozicionet e tyre të parëndomta. Pikërisht këta të dytët po më interesojnë më së shumti.
– Pse ka filluar të rritet numri i atyre që kërkojnë zbardhje të vrasjeve që ndodhën gjatë luftës në Kosovë?
– Sepse besojnë në të drejtat e njeriut, në drejtësinë universale dhe ndërkombëtare?
– Sepse bashkëndjejnë me viktimat e supozuara të luftës së UÇK-së, qofshin ato civile, zyrtare, serbe apo shqiptare?

Besoj se arsyeja është tjetërfare. Ndoshta e kam gabim, por jam i bindur se i gjithë publiku e di atë, edhe pse nuk duket të ketë vullnet që ta qartësojë. Së paku jo nëpër deklarata e kolumne, por vetëm nëpër komente të lexuesve anonimë. Rëndom, nëpër këto të fundit shpërfaqet arsyeja e vërtetë:
– se mosdurimi i sotëm ndaj eksponentëve të UÇK’së – ku hyjnë edhe Ramushi, Fatmiri e shumë të tjerë – nuk ka fort lidhje me të bëmat e tyre gjatë luftës, por kryekëput me ato të pasluftës. Me gjithë respektin, po më duket se pak kush po mërzitet nëse qenka vrarë ndonjë civil, nëse vërtetë është dhunuar ndonjë vajzë apo nëse vërtet dikush qenka mbajtur i lidhur nëpër bunarët e Likocit. Sot, është në rritje numri i atyre që formalisht i ngrehin këto akuza – edhe pse, pa përjashtim, mendjen e kanë tek ndëshkimi i ‘komandantëve’ për pasurimin e tyre që filloi në ditët e para të pasluftës, e për të cilin pohohet të jetë bërë me dhunë, uzurpime dhe haraç.
Mendoj se kjo është arsyeja kryesore dhe e vetme.
Për më tepër, kjo kërkesë në rritje për t’i ndëshkuar ata për një gjë duke e theksuar tjetrën flet edhe për diçka. Ajo është shenjë e pafuqisë – po ashtu në rritje – e këtij publiku për të ndryshuar çkado.
Së pari, është shenjë e pafuqisë për ta dëshmuar se ky pasurim i pasluftës ishte i paligjshëm. Dhe, rrjedhimisht, është shenjë e pafuqisë për t’i ndëshkuar. Në këtë situatë, logjika e akuzave të publikut është po ajo e P.P. Pasolinit të cilin e parafrazon Arben Idrizi: nuk ka fakte e dëshmi të qarta, porse dihet ‘intelektualisht’ se ajo është e vërtetë. Shkurt, sipas publikut, katundi që shihet, kallauz nuk do. Proverbë simpatike, por e kotë.

Vitet e fundit, kjo pafuqi e publikut duket të jetë bërë totale. Pamundësia për ta gjetur mënyrën për t’i ndëshkuar uzurpatorët e zhvatësit po e shtynë atë në situatë të një hipokrizie kolektive. Po e shtynë të shpresojë se zbardhja e krimeve të luftës do t’ua nxjerrë hakun për pasurimin e pasluftës. Sot, të gjithë ata që ndjehen të ofenduar dhe të kërcënuar nga pushteti ekonomik e politik i grupeve të dala nga UÇK, vihen në mbrojtje të viktimave të supozuara të luftës së tyre dhe në përkrahje të drejtësisë ndërkombëtare.
Mendoj se është kjo një hipokrizi e rrezikshme ngase e huton edhe më shumë qëllimin dhe arsyen e debatit publik. Mendoj që këto gjëra duhet të diferencohen qartë në diskutimet publike, ngase ato janë edhe ashtu të ndara në kontekstin e drejtësisë. Me krime të luftës merren tribunalet për krime të luftës. Atyre nuk i intereson gjë tjetër, e sidomos nuk mërziten për pasurimin e ‘komandantëve’ apo për zhvatjen e buxhetit publik. E, kjo na dhemb neve dhe pastaj na bën të dëshpërohemi në drejtësinë ndërkombëtare. Mirëpo, mendoj se e kemi gabim ngase i kemi pritjet dhe adresat e gabuara.
Deri sot, për asnjërën nga akuzat që rëndonin mbi Ramushin për krime të luftës nuk u gjetën dëshmi. Lirimi i tij ishte vendim i Tribunalit të Hagës dhe ai vendim duhet të respektohet. Carla Del Ponte mund të shkruajë libër për t’i rrëfyer frustrimet e veta me pamundësinë e gjetjes së dëshmive – mirëpo kjo nuk i jep askujt të drejtë që ta kontestojë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare. Jo pse ajo drejtësi është vërtetë ‘e drejtë’, por pse nuk mund të kemi jetë normale duke kontestuar e refuzuar çdo sistem shoqëror, lokal apo ndërkombëtar. Të drejta apo të padrejta, vendimet si ato të Hagës duhet të respektohen, si në rastin e shqiptarëve ashtu edhe në atë të kroatëve, boshnjakëve, e madje edhe të serbëve. Ndryshe, lufta mes popujve dhe, sidomos, brenda popujve do të vazhdojë kësisoj – e padukshme dhe denigruese.
Veçanërisht, këtë e shoh të rëndësishme kur e di se revolti publik ndaj ‘komandantëve’ në Kosovë nuk ka fort lidhje me të bëmat e tyre gjatë luftës (në të kundërtën, do të ishim një shoqëri tjetërfare, mbase më e vetëdijshme, e avancuar e humaniste). Mbase, Fatosi e Arbeni mund të mendojnë ndryshe – mirëpo jam thellësisht i bindur se e vetmja gjë që na dhemb ne të tjerëve karshi Ramushit dhe ‘komandantëve’ është pushteti ligjërisht i pashpjegueshëm ekonomik e politik që e krijuan pas luftës.
– Shkurt, prej nga gjithë ajo pasuri?
– A është ajo pasuri e vërtetë?
– A është vërtetë e tyre?
– A mund të dihet sasia e saj?
– Të zbardhet prejardhja e saj?
Të dëshmohet se qenka fituar me uzurpime e haraç?
– Apo, thjesht – qenka e ligjshme?

Përgjigjet në këto pyetje duhet të mbështeten me dëshmi – e jo të akuzohet Tribunali i Hagës pse nuk gjeti mënyrë që krimet e luftës t’i përdorë si shkas për t’i dënuar ata për shkak të pasurimit të pasluftës. Çka nëse nesër nuk do të gjenden dëshmi as për zhvatje e haraç? S’do të na mbetet tjetër, pos ta mbyllim gojën. Në gjykata, edhe nëpër ato më të korruptuarat, punë kryejnë vetëm dëshmitë – e jo proverbat e Pasolinit apo ato për katundin e kallauzin.
E di – do të thoni se gjykatave dhe drejtësisë në Kosovë nuk mund t’i zihet besë. Madje, as policisë. As deputetëve apo qeverisë. As shoqërisë civile, e sidomos jo bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht, as mua që po i shkruaj këta rreshta. Shkurt: askujt në Kosovë nuk mund t’i zihet besë për asgjë – apo jo?
Atëherë, si të dilet nga një mosbesim i këtillë, total, ndaj gjithkujt dhe gjithçkaje? Kjo për faktin se as unë nuk kam besim se kjo punë mund të zgjidhet përmes komenteve nëpër portale dhe statuseve nëpër rrjete sociale. Nuk besoj se do të mund të dalim nga kjo paranojë kolektive – e arsyeshme ose jo – vetëm duke akuzuar e ofenduar.
Andaj, mbes i bindur se rrugëdalja është e ngadalshme por e domosdoshme. Ajo nënkupton angazhim të ri politik, brenda arenës ekzistuese politike. Pavarësisht sa e pashpresë dhe e kotë mund të duket kjo, mendoj se krijimi i një lëvizje të re politike është zgjidhje e pashmangshme. Elita aktuale politike nuk zhbëhet me akuza, ofendime apo pritje joreale nga drejtësia ndërkombëtare. Zhbërja e saj nuk bëhet as me përmbysje e revolucione – meqë edhe këto janë akte fundamentalisht të paligjshme dhe jodemokratike. Në një vend të lirë, çfarë, megjithatë, është edhe Kosova, kjo klasë politike duhet të mposhtet dhe të ndërrohet në proces zgjedhor. E di – nuk është zgjidhja as më e shpejtë e as më e popullarizuar, por duket të jetë e vetmja që është normale, e ligjshme dhe e qytetëruar. Përvoja më dëfton se gjasat janë më të mëdha që ata të mposhten në zgjedhje – se sa të pritet të zbulohen dëshmi për krime e zhvatje. Besoj se sot, 13 vite më vonë, duhet ta pranojmë se ato dëshmi nuk kanë fort gjasa të zbulohen.
Prandaj, sa më herët që të fillojë një nismë e re politike, aq më shkurt do të zgjasë i gjithë ky ankth.
– Autori është, gazetar dhe sociolog.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura