E vërteta e vdekjes tragjike të kërkuesit shkencor Agron Lucaj

E vërteta e vdekjes tragjike të kërkuesit shkencor Agron Lucaj

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 24 tetor 2021

Më 19 shtator 2021 janë mbushur dyzet vjet nga vdekja tragjike e  kërkuesit  të ri shkencor Agron Lucaj,  në moshën 32 vjeçare, i cili premtonte shumë në  fushën e shkencave  të natyrës,  përkatësisht të fizikës atomike (bërthamore) dhe molekulare. Agroni u lind në Triesh, në vitin 1949. Ishte djali i  njërit  ndër mësuesit më të dalluar dhe të parë të Malësisë së Madhe, Gjon Gjekë Lucaj, i cili kaliti dhe arsimoi shumë gjenerata të cilat i detyrohen atij me respekt e mirënjohje, sepse ai detyrën në arsim e  përqafoi  në rend të parë si obligim kombëtar ndaj popullit të vet.

Këtij Mësuesi të Malësisë, siç e quanin, malësorët, pas vdekjes Presidenca e Republikës së Shqipërisë, më 14 tetor 2019, Nr. dekretit 11311 i jep Medaljen: Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut me motivacionin: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut, mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë  burim frymëzimi për brezat pasardhës”.

Të kesh prindër një intelektual dhe atdhetar me botëkuptim e vizion evropian, siç ishte Gjon Gjeka i Trieshit, ishte një nder dhe  privilegj  i jashtëzakonshëm sidomos për  familjarët e tij. Rrugën e tij të dijes e ndoqi dhe e vazhdoi me sukses protagonisti i këtij shkrimi përkujtimor. I frymëzuar nga  vlerat  e të atit, si njeri  i etur për dije fillon rrugën e arsimit të tij të rregullt në shkollën tetëvjeçare,  në fshatin e tij të lindjes. Dhe, ishte nxënës i shkëlqyeshëm.  Shembullor në sjellje dhe i shkëlqyeshëm në mësime  ishte edhe në shkollën normale në Prishtinë  edhe në Universitetin e Shkencave Natyrore – Matematikore – Dega e Fizikës, njërin prej fakulteteve më të vështira.

E gjithë kjo dije e fituar gjatë shkollimit fillor, të mesëm dhe të lartë i mundësoi atij vazhdimin e shkollimit pasuniversitar në Universitetin “Rugjer Boshkoviq”, në Zagreb në Degën e fizikës  atomike molekulare, të cilin e kreu me sukses të lartë dhe merr titullin shkencor magjistër, në vitin 1979.

Ka punuar disa vite  si asistent  e profesor i rregullt dhe ka mbajtur leksione e ushtrime laboratorike në Institutin e Fizikës dhe të Matematikës në Prishtinë. Leksionet e tij u vlerësuan shumë nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe nga personeli shkencor e akademik. Arritjet e larta shkencore të Agron Lucajt, në fushën e fizikës molekulare, tema e magjistraturës dhe punimi i përgatitur i doktoratës  gjithashtu  janë cilësuar e vlerësuar edhe    nga personeli akademik dhe shkencor i Universitetit të Zagrebit. Ai ishte pjesëmarrës i panelit në konferenca, tribuna e tryeza të rrumbullakëta ndërkombëtare ku diskutohej për arritjet ne shkencën e fizikës.

Përveç cilësive të tij si  profesor universiteti  e kërkues (punonjës) shkencor ai karakterizohej nga vlera morale, drejtësinë e tij, virtytet e tij njerëzore dhe etike. Për këtë  jam dëshmitar edhe unë, i cili  në takimin që kam pasur një herë në Prishtinë, në kohën kur isha student, dhe  dy herë  kur ai vizitonte vendlindjen dhe familjen, në kohën kur unë isha mësimdhënës në SHF “Gergj – Kastrioti -Skënderbeu” në Triesh. Jo vetëm unë, por i gjithë kolektivi i shkollës, nxënësit dhe prindërit e tyre, me një fjalë të gjithë trieshjanët mburreshim dhe madhëroheshim me  thjeshtësinë, afërsinë, butësinë dhe mirësinë e këtij   të riu  erudit., shkencëtari që premtonte shumë në fushën e  tij.

Magjistër Agron Lucaj ,  edhe  pse kishte një arsimim të lartë, ishte njeri i thjesht e modest, nuanca cilësore të kundërta me kryelartësinë, mendjemadhësinë dhe krenarinë. Për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë së tij gëzonte autoritet në mesin e  shokëve dhe kolegëve. I ndihmonte studentët në çdo rast kur  kërkonin nga ai. Veçmas i ndihmoi dhe  i përkrahu  studentët nga Malësia, por jo vetëm, duke u dhënë këshilla  nga përvoja e tij. Ai ishte  autoriteti më i madh në Triesh.

Frymëzues dhe shembull  për të gjithë  rininë  e Malësisë. Gëzonte respektin dhe autoritetin më të madh të kohës. Por, jeta është shumë e çuditshme. Sa është e gëzueshme, aq është edhe e trishtueshme. Ndonjëherë të jep shumë e të merr pak,  e ndonjëherë e kundërta. E Agroni dha shumë për jetën. Ofroi dashuri, përqafime, buzëqeshje e në këmbim mori një “asgjë” të madhe – vdekjen e papritur  në kryeqytetin e Zagrebit.  

Po si ndodhi kjo tragjedi e profesorit idhull të vërtetë ?

Fakte të pathëna  dhe të pasqyruara mirë  deri më sot për vdekjen tragjike të profesorit të nderuar Agron Lucajt mësuam nga dëshmitari i gjallë i kësaj ngjarjeje  të dhimbshme që tronditi Trieshin, Malësinë e Madhe, Kosovën dhe botën akademike shqiptare, Zef Gjokaj, mik shtëpie i familjes së Agron Lucajt. Ja rrëfimi i tij i plotë:  

“Unë do të fokusohem tek ditët e fundit të jetës së tij. Dua të tregoj  të vërtetën e plotë për  vdekjen e Agronit, me qëllim që të mohoj e përgënjeshtroj shumë insinuata, trillime e deklarime sensacionale  të dëgjuara deri më sot për vdekjen e tij  të cilat, me ose pa qëllim të keq, kanë shkaktuar paqartësi, huti dhe kanë prekur edhe në dinjitetin njerëzor të familjes dhe të afërmve të tij. 

Lajmi i parë për aksidentin  tragjik të  mr.Agron Lucajt u kumtua  në një rast vdekjeje në fshatin Luhar të Malësisë. Njerëzit me pikëllim të lartë e pranuan këtë informacion të trishtë. Zemra e vëllait të Agronit, Nikollës i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni  mortore, u copëtua nga dhembja. Iu afrova. E shtrëngova fort, për ta ngushëlluar. U nisëm së bashku për  në  Titograd (tani Podgoricë)  me qëllim që të mbërrijmë sa më parë në Zagreb.

Mundësia e vetme për të shkuar atje ishte me  makinë. Po atë ditë, më datë 16.09.1981 u nisëm drejt Zagrebit, në shoqërim të mësuesit Gjon Tomë Berishaj dhe vajzës së tij Leonorës, e fejuara e Agronit. Pas gjashtëmbëdhjetë orë udhëtimi mbërritëm në Spitalin e Zagrebit në Repartin e Traumatologjisë, ku ishte shtruar për shërim Agroni. Punëtorët shëndetësorë të këtij spitali na pritën shumë mirë. Na njoftuan hollësisht  me lëndimet e frakturave të trupit të tij. Plagë  më të rënda, siç na njoftuan mjekët, kishte pësuar në kokë dhe informatat e para nuk ishin aspak shpresëdhënëse. Në ambientet e spitalit  qëndruam tërë ditën. Aty  erdhën numër i madh studentësh nga Zagrebi e Lubjana.

Në mbrëmje mbërrini vëllai i Agronit Zefi nga Gjermania dhe disa kolegë të  tij. Aty përjetuam një stres të paparë. Një ankth të madh i cili na shtrëngonte gjoksin, sikur  donte të na plas. Nuk mund të gjenim qetësi. Ndërkohë që mjekët specialistë dhe infermierët   po e trajtonin  në mënyrë profesionale   dhe nuk kursenin asgjë për t’ia shpëtuar jetën  Agronit, i cili  ishte në luftë të ashpër mes jetës dhe vdekjes. Me dëshirë të  mësojmë se si ndodhi aksidenti, në të cilin Agroni përjetoi lëndime të rënda trupore shkuam në polici, e pastaj edhe në vendngjarje para ndërtesës së Komunës së Zagrebit, ku komunikacioni rregullohej me sinjalistikë moderne.

Sipas shpjegimeve zyrtare të Policisë Rrugore të qytetit të Zagrebit (Kroaci) ngjarja tragjike ndodhi në ora 21:oo, teksa Agroni po kthehej nga një kurs i gjuhës angleze. Sigurisht i thelluar në mendime,  kaloi  rrugën me  dy semaforë me ngjyrë jeshile, ndërsa semafori  i tretë mbyllet për këmbësorët për t’ia mundësuar kalimin tramvajit. Agroni,  duke mos e vërejtur  se ishte ndezur ngjyra e  kuqe e semaforit kishte tentuar të kalojë  rrugën me shina, por në atë  moment  u godit nga tramvaji.  Agroni, nuk arriti t’i mbijetonte këtij aksidenti tragjik dhe ndërroi jetë në moshën 32 vjeçare, tri ditë pas ngjarjes tragjike,  ditën e premte me  datë  19.09.1981  nga plagët e marra në përplasjen e fuqishme  me tramvajin. Vëllai i tij Zefi ishte i pranishëm në momentin kur personeli mjekësor i spitalit të Zagrebit po e përgatiste trupin e pajetë të Agronit në arkivolin e blinduar për ta nisur për në vendlindje. Moment mjaft rrëqethës ishte  kur Zefi e përqafoi  për herë të fundit të vëllain e vet para se të mbyllej dera e arkivolit. O Zot, mos e përjetoftë  kush?  Kjo , është e vërteta e këtij aksidenti  tragjik, i cili tronditi Trieshin, Malësinë, Kosovën, trevat tjera shqiptare dhe diasporën. Çdo rrëfim tjetër është i pavërtetë dhe gënjeshtër”, pohon Zef Gjokaj .

Lajmi i hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të këtij  intelektuali të mirëfilltë u përhap si rrufeja. Ky bir i shtrenjtë i Malësisë u largua fizikisht prej nesh përgjithmonë në kulmet e arritjeve shkencore, atëherë kur atij prisnim t’i urojmë gradën e doktorit të shkencave të fizikës nukleare, dhe t’i urojmë martesën mbase ishte i fejuar. Këto kënaqësi të jetës ia ndërpreu vdekja, duke  e lënë në lot e dhimbje nënën, vëllezërit e motrat, familjarët,  të fejuarën, farefisin, shokët e shoqet, studentët dhe kolegët e tij të fushës akademike.

Mes dhimbjes dhe lotëve mr.Agron Lucajt  iu dha lamtumira  e fundit me nderime të larta, si askujt ndonjëherë më parë në Malësi,   në ceremoninë mortore  që u zhvillua në  fshatin Stjepoh.  Atë ditë zie për të gjithë shqiptarët, mijëra qytetarë, personalitete të shkencës  e akademikë nga hapësira mbarëshqiptare dhe diaspora i dhanë  atij nderimin e fundit, duke u dhënë forcë e kurajë më të dashurve  të tij të zemrës, të cilët shpesh uleshin në karrige, luteshin me duar, ngrinin shikimin lart në qiell dhe vajtonin pa pushim për njeriun më të dashur.

Pas varrimit të Agron Lucajt  familjen e tij e  ngushëlluan kohë pas kohe kolegë e bashkëveprimtarë të  shumtë nga shumë vende, të cilët prunë dhurata në shenjë respekti e nderimi për të. Por dhurata më domethënëse ishte ajo nga kolegët e Agronit nga Universiteti i Prishtinës, të cilët i dorëzuan nënës së tij një shumë parash për ngritjen e një busti, i cili do të shërbente si një emblemë e pavdekshmërisë.

Veprimtaria e tij shkencore e lënë përgjysmë, puna organizative dhe aktivitetet e tij publike i japin Agron Lucajt jetëgjatësinë dhe pavdekësinë, duke na kujtuar “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit:  “Kur më shihni se jam tretur, / Mos pandehni se kam vdekur”!… Jam i gjallë e jam në jetë. / Si dritë e vërtetë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura