SHERADIN BERISHA: JAVA E UKSHIN HOTIT, 11 – 16 MAJ 2017 – “UKSHIN HOTI NUK I PËRKET HARRESËS!”

Pashtriku.org, 11. 05. 2017: (Në 18 vjetorin e zhdukjes pa gjurmë të Ukshin Hotit!) – Më 16 maj, bëhen 18 vjet që nuk dihen mirëfilli rrethanat e zhdukjes së politikanit e filozofit tonë të shquar UKSHIN HOTI. Lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për 18 vjet rresht rrallë herë ka folur për Ukshin Hotin! Rrjedhimisht ka heshtur, dhe ashtu në heshtje sikur e ka heshtur ndriçimin e fatit të këtij personaliteti emblematik të Kombit tonë. Duke pasur parasysh këtë heshtje cinike, për më tepër këtë ‘harresë’ dhe indiferencë të pashembullt, ndaj UKSHIN HOTIT, portali pashtriku.org, (tashmë 6 vite rresht) nga 11 – 16 maj 2017 prezenton ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’ Gjatë kësaj jave do të sjellim studime të Ukshin Hotit, shkrime, analiza e kujtime të intelektualëve e bashkpunëtorëve, kushtuar këtij Sokrati Shqiptar. Kjo “JAVË…” le të shërbej si THIRRJE dhe POROSI, për institucionet shtetërore dhe shoqërinë tonë, se: UKSHIN HOTI është i pa harruar! Ai ishte, është dhe do të mbetet i GJALLË në mesin e të gjallëvet, duke e sfiduar PËRJETËSISHT VDEKJEN!
***
Tetëmbëdhjetë vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, papritmas pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vitesh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren – në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me te, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin të gjithë) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, nga ky moment, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për fatin e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

KU ËSHTË UKSHIN HOTI?
A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI?

– pyesin tashmë 18 vjet shqiptarët! Dhe për çudi, askush deri më sot s’ka dhënë një përgjigje të sakt për fatin dhe vendndodhjen tij, ndërkohë që për këtë rast janë thurur parreshtur spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se, Ukshin Hoti është gjallë, dhe se po mbahet në burg shtëpiak, për ‘kusuritje politike’ etj.
HESHTJA DHE INDIFERENCA NDAJ UKSHIN HOTIT ËSHTË KRIMINALE!
Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij – MYRVETJA, ka trokitur në të gjitha dyert e partive politike, të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, dhe ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Të gjithë politikanët, motrës Myrvete, i kanë premtuar se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisim në çdo takim zyrtar me faktorët ndërkombëtar, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin tij. Por, fatkeqësisht, deri më sot asnjë premtim i tyre, nuk është mbajtur, çka do të thotë se ata kanë GËNJYER, dhe për më tepër kanë luajtur me ndjenjat e familjes së madhe HOTI!
***
Pas 18 vjetësh për herë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 8 maj 2015, në kuadër të rekomandimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka pranuar kërkesën e peticionit me 13 mijë nënshkrime, të mbledhur nga një grup qytetarësh të Rahovecit, për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit! Dhe kjo kërkesë me rekomandime të qarta, nuk është trajtuar seriozisht, nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe si e tillë ka përfunduar në arkivin e Kuvendit!
***
Kjo klasë politike (pozitë e opozitë), me këtë heshtje mbytëse dhe cinike për një personalitet si Ukshin Hoti, shpërfaq gjithanshëm indiferentizmin histerik të tyre.
Në të vërtetë Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kanë folur për Ukshin Hotin, madje edhe e kanë vizituar familjen dhe “shtëpinë Muze të Ukshin Hotit” në Krushë të Madhe, por nuk duket të kenë bërë veprime konkrete institucionale apo edhe jashtë institucioneve, që ta ngrisin këtë çështje në ato përmasa për zbardhjen e fatit të tij.
Në këtë kuadër, as Adem Demaçi, as akademik Rexhep Qosja apo shkrimtari Ismail Kadare (si personalitete të shquar), gjatë këtyre viteve nuk ishin aq të zëshëm, që të ndikonin tek instancat shtetërore apo edhe të bëjnë trysni tek faktori ndërkombëtar, për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit!
***
Fatkeqësisht për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit nuk janë intersuar, as institucionet akademike, shkencore etj., siç janë:
– Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë,
– Instituti Albanologjik,
– Instituti i Historisë,
– Shoqata e të Burgosurve Politikë,
– Shoqata e Veteranëve të Luftës së UҪK-së,
– Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,
– Avokati i Popullit, si dhe shumë organizata tjera Jo-qeveritare…
– Madje për Ukshin Hotin, ka heshtur pjesa më e madhe e mediave të shkruar dhe elektronike shqiptare, në vend se ta sensibilizonin këtë çështje, për çdo ditë, deri në zbardhjen e fatit të tij!
***
Në qershor të vitit 1999 intelektuali ynë i shquar Dr.Moikom Zeqo, në një APEL drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka theksuar, se: “Indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht”.
PËRGJEGJËSIA!
Rrjedhimisht përgjegjësia morale, politike, kombëtare e historike, për mos zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, natyrshëm bie:
1. mbi Ibrahim Rugovën, si Kryetar i LDK’së dhe president i Kosovës;
2. mbi Hashim Thaçin, si shef i Drejtorisë Politike të UҪK’së, shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK’së, si ish’Kryeministër i Kosovës dhe aktualisht president i Kosovës;
3. mbi Isa Mustafën, si kryetar i LDK’së dhe kryeministër i Qeverisë së Kosovës;
4. mbi Kadri Veselin, si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), tani kryetar i PDK’ës dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës;
5. mbi Fatmir Sejdiun, si Kryetar i LDK’së dhe president i Kosovës;
6. mbi Atifete Jahjagën, si presidente e Kosovës;
7. mbi Bajram Rexhepin, si Kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe si Ministër i Brendshëm në qeverinë Thaçi’2;
8. mbi Nexhat Dacin, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i LDD’së;
9. mbi Jakup Krasniqin, si zëdhënës i UÇK’së, dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës;
10. mbi Agim Ҫekun, si komandant i TMK’së, një kohë kryeministër dhe ministër i FSK’së;
10. mbi Ramush Haradinajn, si kryetar i AAK’së;
11. mbi Fatmir Limajn, si ministër në qeverinë Thaçi’1 dhe tani kryetar i Nismës për Kosovën,
12. mbi gjithë lidershipin politik e institucional shqiptarë, në Shqipëri dhe në Maqedoni!
13. mbi Adem Demaçin, ak.Rexhep Qosjen dhe Ismail Kadarenë si tre personalitete gjithëkombëtare,
14. si dhe mbi të gjitha institucionet akademike – shkencore, mediatike dhe organizmat tjerë me ndikim në shoqërinë shqiptare!
(Editori i pashtriku.org, sh.b – 11 maj 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura