E VËRTETA …

E vërteta mbështetet në fakte dhe me dokumenta, por jo me llafe nëpër intervista

Nga Hazbi M. Shehu, Inxh. Gjeolog Nafte, Prof. Doktor i Shkencave Gjeologjike, ish shef në kabinetin e perspektivës për kërkimin e naftës, në ish Institutin e Studimeve dhe Kërkimeve Gjeologjike, Fier, gusht 2024

I dashur Prof. Dr. Gjergji,

I kam ndjekur me shumë vëmëndje intervistat tuaja, në panelin televiziv – ESENCË, etj. Bukur i ke ndërthurur përkëdheljet e antarëve të Byrosë Politike me në krye Mehmet Shehun, por publiku i gjërë është ngopur dhe mërzitur me llafe, prandaj këto i konsiderojnë si përralla në një natë dimri. Për këmbënguljen tënde, sipas jush, lidhur me pusin Cakran-20, ma merrë mëndja se ata duhet t’ju kenë dekoruar, për punën tuaj që ky pus të vazhdonte shpimin sipas projektit, për të penetruar dhe shfrytëzuar prerjen naftëmbajtëse, sepse vëndit dhe qeverisë i duhej më shumë prodhim nafte. Për mendimin tim, në vënd të bisedave tuaja të stërgjatura që zhvillon nëpër studio, të paktën duhet të paraqisje këto vlerësime me dekoratat përkatëse, mbasi njerëzit duan fakte bindëse dhe jo llafe. E kemi dëgjuar disa herë këtë histori me Ca-20 dhe me ish-k/ministrin Shehu. Unë mendoj se ju jeni ftuar atje më tepër se ishit antar besnik i partisë, pra ishe njeriu më i besuar, ishe shef i kabinetit vendburimeve në institut dhe prandaj tu dha ajo detyrë për të ndjekur ecurinë e shpimit në këtë pus, por jo se ne të tjerët ishim të pa aftë.

Ndjesë për mëndjemadhësinë tuaj, ashtu siҫ më ndodhi mua kur me këmbënguljen time, i vetëm para Këshillit Shkencor të Institutit Gjeologjik, vendosa me bindje shkencore të plotë për shtesën e projekt thellësisë në pusin Cakran-12, prej 500 m, me të cilën u arritë të zbulohej vendburimi gjigand i Cakranit. Dikush do të shprehet: Doni më për Belulin?, le të thotë por ky është fakt!

Ju deklaruat se po mbledhë materiale dhe po shkruan për problemet e naftës! Po të dërgoj unë ca nga materialet e para, që ju duhej t’i kishit paraqitur në intervistë. Më trego me fakte, jo me llafe se cilët vendburime ke zbuluar ti si gjeolog, se për Cakranin më ka dekoruar mua Kuvendi Popullor dhe jo ty, që tregon përralla. Lexoje vendimin se po ta dërgoj. Këto janë fakte për punën time shkencore, kurse ti trego faktet për punën tënde që ke kryer dhe jo gënjeshtra. Këtë po ta dërgoj si fillim, por do të shkruaj edhe të tjera, sepse je shprehur edhe për perspektivën e kërkimit në strukturën e Shpiragut!

Këto që unë po paraqes tani janë fakte, është realiteti dhe jo llafe. Këto që po të them unë, nuk janë këshilla, por dekoratat e mia që ata më kanë dhënë, janë materiale faktike, që publiku i beson, jo llafe, prandaj dhe ti paraqit dekoratat (n.q.se ti kanë dhënë), në mënyrë që publiku i gjërë dhe ndjekësit e tu në atë panel televiziv apo dëgjuesitë të të besojnë, ndryshe ata nuk po të kuptojnë, madje nuk dinë si të vlerësojnë për ato që tregon nëpër biseda, në se je: Desident apo Hero!

Në intervistat e fundit, në atë panel, ke folur shumë për aktivitetin tuaj në naftë, kur të dëgjova, mu kujtua menjëher qëndrimi i “Prof., Dr. Stavri Dhima” në intervistën me znj. Rudina Xhunga, kur ajo e pyeti, d.m.th. pa ty nuk bënte dot nafta? dhe ai në heshtje, që e shoqëroi me një buzqeshje të lehtë, e pëlqeu dhe e pranoj atë. Edhe ju folët shumë për veten tënde, për të ndjerin vëllaun tuaj mekanik në aviacion dhe për motrën gjeologe, takimin me udhëheqësin e popullit Enver Hoxha, shkollimin tuaj, etj., bile theksove se ju jeni 4 gjeolog në familje, d.m.th. ju i paskëshit vënë shpatullat industrisë së naftës apo jo?, kurse ne të tjerët që punuam gjithë jetën, duke sakrifikuar në shumë gjëra, për të shërbyer në sektorin e naftës, nuk paskemi bërë asgjë sipas jush! Po me ato që deklarove vetë dhe sa mbajë mend unë, ju erdhët në institut rreth vitit 1975 dhe pastaj shkuat pedadog në universitet aty nga viti 1983, por sa për kujtesë shkenca naftës bëhej në Institutet e naftës dhe ju shumë pak kohë keni kontribuar në këtë institucion shkencor. Ah, po keni punuar edhe ca vite në vendburime si gjeolog, më kujtohet në vendburimin e Marinës dhe më vonë në atë të Ballshit, pra keni ca vite eksperiencë në kantjerin e nxjerrjes së naftës, por në kantjer kam punuar edhe unë, atje ka më tepër aktivitet operativ dhe shumë pak aktivitet shkencor, sidomos në ato vite.

Po ashtu, ju theksuat se jeni marrë me metodikën e kërkim-zbulimit në naftë, me sa më kujtohet ju ishit shef i kabinetit vendburimeve, rezervuarit dhe metodikës kërkimit në atë kohë, por nuk keni kontribut në analizën e rezultateve të metodikës kërkim-zbulimit. Këtë analizë metodike në fillim fare e ka bërë, i ndjeri Prof., Dr. Tomi Kristo dhe më vonë është marrë një grup tjetër i drejtuar nga i ndjeri Vlash Janopulli. Ndërsa pas mbylljes së fontanës së Cakranit, gazi u bë problem, u investua në zonën e UPA për kërkimin e gazit, pati suksese por edhe dështime. Lindi nevoja e një analize metodike mbi rezultatet e kërkimit dhe me sa di unë atë e bëri i ndjeri Inxh. Mihal Gjoka në bashkëpunim me Dr. e shkencave Isuf Tushe. Nuk mbaj mënd që ju keni kryer studime mbi rezervuarët, patentën e tyre e zotronte prapë i ndjeri Prof., Dr. Tomi Kristo, më pas të tjerët, por mos të hamë hakun ju jeni marrë vetëm me llogaritje rezervash dhe për këtë më kujtohen debatet pafund midis jush dhe kolegëve tuaj, bile edhe në instancat e institutit ku ato diskutoheshin.

Para 2-3 ditësh lexova një koment-debat midis teje dhe Inxh. Nik Gjergji, tek portali “Ari i Zi”, ku diskutonit për situatën në naftë në këto vite dhe se ju pensionistët e Shqipërisë po bënit të pamundurën për ta nxjerrë atë nga kjo gjëndje, ti flisje me antipati për ne emigrantët jashtë vendit që na detyroj papunësia të ikim, se gjoja ne nuk e njohim situatën aty dhe në ato që shkruajmë ju urdhërojmë ju, naftëtarët, që të merrni në dorë naftën. Sa kam lexuar unë nga shkrimet apo intervistat tuaja dhe të disa kolegëve tjerë, ju e keni patur merak naftën për t’ja dhënë privatit, ndërsa ne pensionistët këtej oqeanit, megjithëse jemi pak, i kemi analizuar mirë në shkrimet tona gjithë problemet e naftës, e ndjekim ҫdo ditë situatën aty dhe ҫfarë shkruani ju. Ju i konsideroni kolegët që shkruajnë se “nuk i kanë dhënë asgjë këtij vendi” se ju të vjetrit ja keni dorëzuar atyre punën dhe ata shkruajnë pa pushim, për t’ju nxitur ju të luftoni. Egoizmi juaj është i pakufishëm. Po mirë, ju ҫfarë i keni dhënë më shumë atij vendi se sa ata emigrantët që shkruajnë, të cilët janë pothuajse po aq të vjetër sa ju dhe pensionist? Pikërisht ju, asgjë nuk i keni dhënë atij vendi, ata i kanë dhënë më shumë se ju! Ju bëni vetëm llafe dhe mbani fjalime nëpër kafenera apo dreka kurse ne këtej, shqetësimet dhe mendimet tona ja kemi ҫuar qeverisë, parlamentit, opozitës, AKBN-së, Albpetrolit dhe deri presidentit të republikës, por përgjigja tyre ka qënë heshtja.  

Ju i lexoni shkrimet tona me kritika ndaj qeverive për privatizimin, shfrytëzimin barbar, shkatërrimin e vendburimeve, vjedhjen dhe korrupsionin ku qeveritarët vjedhin dhe ndajnë fitimin me konҫesionarët oligarkë, prandaj ato pasuri natyrore, që janë djersa, gjaku, mundi i naftëtarëve dhe parat e popullit duhet të rishtetëzohen dhe administrohen nga kompania shtetërore, por nuk na ka dëgjuar asnjë nga qeveritë apo institucionet përgjegjëse. Ato kanë heshtur, bile shumë nga ju nuk komentoni fare në shkrimet tona. Pra, ne kemi qënë dhe jemi të gjithë në një mendje që nafta të rishtetëzohet, se vetëm e tillë ajo zhvillohet dhe i shërben popullit. Disa nga kolegët tanë, kanë punuar edhe këtej në kompani nafte, kanë fituar eksperiencën e tyre mbi konceptet e reja gjeologjike apo teknologjitë që përdoren sot, por që akoma nuk njihen aty dhe e shikojnë se nafta, pothuajse në shumë vende të botës, menaxhohet nga shteti.

Ju shpreheni se në Shqipëri ka shumë probleme dhe nuk është vetëm problemi naftës, ҫudi ju që jeni specialist nafte e shikoni atë si të dorës së fundit, jo e keni gabim për ne naftëtarët nafta ka mbajtur gjallë ekonominë në kohën e diktaturës dhe ne duhet të kërkojmë këtë pasuri që zbuluan brezat e naftëtarëve në 50 e kusur vite, pra në radhë të parë ajo është pasuria jonë. Pra, kjo është e pamundura që po bëni ju pensionistët e Shqipërisë, për të shpëtuar këtë pasuri nga vjedhja dhe shkatërrimi? Pikërisht, me sa duket këto mëndësitë tuaja kanë shfrytëzuar qeveritë që shkatërruan industrinë e naftës.  

Me këtë rast po të kujtoj, Martirët e Naftës, kolegët dhe shokët e mi të punës apo shkencëtarët e vërtetë, që i dhanë aq shumë gjeologjisë tonë dhe naftës shqiptare: Inxh. Koҫo Plaku, Inxh. Milto Gjikopulli, Inxh. Thanas Nasto, Inxh. Beqir Alia, Prof. Dr. Petraq Xhacka, Inxh. Enriko Veizi, etj., të cilët diktatura, antarët e tu të Byrosë Politike, me në krye Enver Hoxhën, të pamëshirshëm u treguan duke i “përkëdhelur” me burg dhe disa me plumba, që vetë ata më parë i kishin dekoruar heronj të punës për kontributin e madh që ata dhanë në projektime për kërkim-zbulimin e disa vendburimeve të naftës dhe gazit. Shumica e tyre ishin gjeologët e parë, zbuluan vëndburimet e para, që u arritë prodhimi i naftës 2,5 milion ton/vit dhe që mbante ekonominë e vendit, ndërsa sot ata qëndrojnë të shtrirë në varreza dhe ndonjërit prej tyre nuk i është gjëndur akoma trupi i mbushur me plumba, pra nuk ka një varr ku familiarët t’i ҫojnë një tufë lule apo të derdhin dy pika lot hidhërimi. Për këta heronjë të heshtur unë kam shkruar kujtimet e mia të cilat i kam përmbledhur në librat që kam botuar.

Lavdi veprës së tyre! I përjetshëm do të mbetet kujtimi i tyre.

Me respekt,

Inxh. Hazbi M. Shehu, Prof. Dr. i shkencave gjeologjike dhe bashkpunëtor i vjetër shkencor – New York

Total
0
Shares
6 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura