Tetovë, 20. 06. 2015 – Zbrazëtirës komunikuese me opinionin në Maqedoni që një kohë të gjatë po i vjen fundi. Me pushtetin po kënaqeshin vetëm të afërmit e pushtetarëve, kurse popullata në përgjithësi nuk kishte kuptim për këtë pushtet, për këtë jetë, thënë lirshëm, një jetë që nuk shpjegohej! Sa për t’i dhënë kurajë vetes, pa marrë parasysh se nga cili nacionalitet rridhnin mendimet, pasi dikush thoshte se ,,ky është funerali i këtij pushteti”, dikush ,,funerali i partive politike”, me plotë ide konspirative e të stërvjetruara, dikush ,,funerali i atij më të madhit”, që e llogaritnin pa cipë njerëzore e dikush, ku me ditur se çka thoshin… Fjalët pafund më tepër bëheshin nëpër oda e nëpër çajtore, me një dozë frike, bile më keq se në komunizëm, pasi hakmarrjet partiake ndaj qytetarëve me mendim ndryshe kishin arritur kulmin. Kjo temë nëpër gazeta e portale prekej fare pak dhe me thellësi të madhe eufemizmi. Kësisoj, amullisë së madhe i doli zëri, plasën ,,bombat” e Zajevit. Mirë. ,,Gjithçka e qartë”, por çka më tej? Me këto ,,bomba” do të hapet Kutia e Pandorës dhe çka mund të sjellë ajo?!
Gjatë dy dekadave e gjysmë të kësaj ,,demokracie” pamë gjithçka: vuajtje të panumërta, eksode të mëdha, vrasje të mistershme, varfëri pakufi, burgosje me bollëk, të pasuruar brenda natës, e çka s’pamë!… Për të gjitha këto populli e dinte fajtorin kryesor, por politika shtetërore ia hidhte fajin ,,fajtorit kujdestar”. Për të dalë nga kjo gjendje, Gandi thoshte se ,,cilësia e parë e rrugës shpirtërore është guximi që duhet të ndodhë”. ,,Nëse vonon, por nuk harron” – thotë populli dhe ashtu ndodhi. Falë guximit dhe ,,bombave” të liderit politik të partisë opozitare të LSDM-së, Zoran Zaev, doli e vërteta dhe u pa se kush ka qenë nëna e të gjitha të këqijave në Maqedoni. Kjo ishte jeta dhe politika e cila nuk kishte shpjegim. Dhe, tani për tani, për gjithë këtë katrahurë jetësore të kësaj politike të shëmtuar, populli e ka afruar besimin te ,,bombat” e tij, bomba të cilat japin shpresë për hapjen e “kutisë së Pandorës” dhe njëherë e mirë le të del ,,djalli” për mejdani.
Sipas mitologjisë greke thuhet se kur u bë hapja e kutisë së Pandorës të gjithë të këqijat dolën për mejdani, pasi deri atëherë njerëzimi nuk dinte për të këqijat: sëmundjet, lodhjen, frikën, tmerret etj. Kutia ishte dhurata e Zeusit për Pandorën, e cila nuk duhej ta hapte, por, nga kureshtja, Pandora e hapi kutinë dhe që nga ai moment erdhën të këqijat më të mëdha të kësaj bote dhe për një kohë bota u mbush me mëkate. Prej atij momenti bota u bë një vend i pamëshirshëm. E tmerruar nga gabimi i bërë, Pandora e mbylli shpejtas kutinë para se të del edhe Elpisi (shpresa e njerëzimit) dhe kësisoj u detyrua që ta hap edhe një herë Kutinë, kur edhe doli shpresa e njerëzimit (Elpisi).
Sot në Maqedoni, në gjendjen tonë, hapja e ,,kutisë së Pandorës” sjell një ndjenjë të frikshme, pasi mundet të hapen vetëm të këqijat dhe mbyllet ajo e shpresës! Atëherë, çka se hapen të këqijat e ,,kutisë”, nëse nuk i hapet rrugë shpresës së re të popullit! Pra, nëse dalin të këqijat dhe nuk del nga ,,kutia” edhe shpresa (Elpisi), që i mund të gjitha të këqijat që ndodhën, atëherë më mirë të mos hapej ,,kutia e Pandorës”, sepse është frikë e madhe. Sipas kësaj që themi, profesor Layton, thotë se ,,Kutia vret të gjithë ata të cilët tentojnë ta hapin atë.” Tani mbetet të shohim…
Nga e gjithë kjo na përkujton idetë e Paulo Coelho-s se, frikacakët kërkojnë lirinë e rreme dhe pa mundime të mëdha, pasi kjo botë u duket kërcënuese dhe e rrezikshme. Ata jetojnë me këtë filozofi të mashtrimit dhe janë në gjendje të mbërthehen në hekur dhe të luftojnë për atë që mendojnë se e ,,kanë”, pa e ditur dhe pa e kuptuar fare se s’kanë asgjë dhe kësisoj i ngrenë vetes hekurat e burgut.
Kësaj radhe, Zoran Zaevi i LSDM-së, këtu në Maqedoni, paraqitet si luftëtar i dritës për të gjithë qytetarët, pa dallim feje e nacionaliteti dhe ashtu qoftë, por është shumë e rëndësishme se si do ta projektojë filozofinë e mendimit përtej këtij horizonti të errët. Ai tregohet i barabartë për të gjithë nacionalitetet në Maqedoni. Bile për shqiptarët, në një intervistë të sjellë nga “Lajmpress” ai thotë: “…Shqiptarët në Maqedoni i kanë të njëjtat probleme që i kanë maqedonasit në vendin tonë; ata luftojnë për mirëqenie më të mirë ekonomike siç luftojnë maqedonasit. Ata luftojnë për liri dhe demokraci siç luftojnë edhe maqedonasit. Ata luftojnë gjithashtu që të mbajnë fëmijët e tyre në vendin tonë, të jetojnë me ta si prindër, që të kenë të ardhme të sigurt e jo të ikin jashtë vendit siç ndodh tani në Maqedoni. Dhimbja qe ka një nënë maqedonase është e njëjtë me dhimbjen që ka nëna shqiptare. Prandaj të gjithë jemi të bashkuar për të kthyer lirinë dhe demokracinë, vlerat europiane dhe perspektivën më të mirë për të gjithë ne qytetarët.” Nëse është i prerë në këto qëndrime dhe të vazhdojë në rrugën e ligjeve të përparuara të Evropës dhe logjikës së shenjtë të diversitetit, një logjikë dhe arsyetim edhe i librave të shenjtë, atëherë mbetemi me shpresë se ,,kutia e Pandorës” që tenton ta hapi ai, do të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe të këqijat marrin fund për një kohë të gjatë. Në të kundërtën, nëse nga ,,kutia” nuk del edhe e mira (Elpisi), që do t’i mposht të gjitha marrëzitë e kësaj politike njëzetepesëvjeçare, atëherë ajo do të çilet sa e sa herë pa Elpisi-in dhe me te do vijnë po aq vuajtje, vrasje, burgje, injorancë e shkatërrime do ketë. ,,Elitat” politike gjithmonë do të lahen e do të shpërlahen, kurse masa injorante dhe ajo snobiste, do t’i forcojnë hekurat e burgjeve për vetveten…
Për t’u arritur shpresa e re e popullatës në Maqedoni, më parë do duhej që dikush ta pranojë fajin për të gjitha këto që ndodhën për njëzetepesë vitet e kaluara, ashtu siç iu veshë faji liderëve të komunizmit për dështimet e pesë dekadave të asaj periudhe. Nëse publikisht nuk i vishet faji askujt për këtë politikë tragjikomike të këtyre tri dekadave në ,,demokraci”, atëherë në këtë vend do të jetë vështirë për çdokënd që do ta ketë rastin të udhëheq. Patjetër dikush duhet të kërkojë falje para popullit dhe pastaj të fillojë kursi i ri politik dhe me udhëheqje të re. Kjo mund të dëshmohet edhe me një thënie të B. Klintonit, i cili thoshte: ,,Të mos pranosh gabimin që ke bërë, do të thotë se po bën një gabim të dytë.” Mu për këtë, nëse nuk u vihet emri dhe nuk tregohen publikisht për tërë katrahurën politike dhe shoqërore që ka ndodhur në Maqedoni, qofshin edhe të amnistuar, mendojmë se asnjëherë nuk do ketë zgjidhe reale ky vend, duke vazhduar me të njëjtën filozofi politike, që tani më botërisht kuptohet se kjo politikë e mbrapshtë duhet të bëjë ndryshimin rrënjësor të këtij kursi politik, që po aprovohet një shekull e më parë me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, që me automatizëm e ka dëmtuar edhe imazhin e Maqedonisë dhe vetë banorëve të kësaj republike në tërësi, pa marrë parasysh bindjet fetare e kombëtare të tyre.
Edhe pse nuk është gjithçka e zezë, sërish duket qartë dëshmia se këtij vendi i mungon filozofia e re e jetës politike, që e aprovojnë shtetet e zhvilluara perëndimore drejtë demokracisë së përsosur. Këtij vendi dhe kësaj politike i mungon kuptimi për jetën reale të njeriut, i mungon kuptimi për qenien njerëzore, është e mbushur plot e përplot me shovinizëm e nacionalizëm primitiv, nuk merret me etikën njerëzore, larg estetikës së përgjithshme, nuk e njeh diversitetin kulturor, politik, kombëtar dhe atë fetar. Është larg përsosmërisë morale, thellësisht me ekonomi të çrregulluar dhe, më e keqja është se, të gjitha të këqijat thirren në emër të demokracisë dhe asaj kombëtare, që apriori bëjnë shkatërrimin e demokracisë dhe vlerave kombëtare. E gjithë kjo e keqe dhe pa rrugëdalje, vjen si rezultat i uzurpimit të politikës, qofshin ata me bindjet e vjetra komuniste, qofshin nga këta të rinjtë të mbushur plotë injorancë e snobizëm politik, të cilët pushtetin e kuptojnë si pronë të veten, pasi ,,e kanë marrë besimin e popullit për të bërë çka të duan.”
Për t’u tejkaluar këto antivlera dhe për t’u arritur vlera të mirëfillta bashkëkohore, që i kanë hije një shoqërie të mirëfilltë humane e civilizuese, shoqërisë sonë në Maqedoni i duhen shumë dekada të lodhshme, pasi civilizimete mirëfillta ecin ngadalë, janë të kushtueshme dhe të gjata në aspektin kohor. Mu për këtë edhe Zajevi do ta ketë vështirë, përveçse, nëse mbështetet në një politikë akademike dhe me një kontroll absolutisht humanizues mbi ta.
Pavarësisht të gjithave, populli pret një dritë ngado qoftë ajo, qoftë edhe nga sirena e trenit në tunelin më të gjatë, vetëm e vetëm të shpëtojë nga kjo vorbull e padukshme e dalë nga sistemi diktatorial, për të cilën, pas njëzetepesë viteve, sërish njerëzit kanë filluar ta riadhurojnë të kaluarën e hidhur më tepër se sa demokracinë e rrejshme, që nënkupton rrugën politike të kthimit prapa.
(Autori është ligjërues në Universitetin Shtetërorë të Tetovës)