PETRIT RUKA: SHTËPI E RE SHPIRTI PËR FLORA PECIN

Pashtriku.org, 14. 01. 2016: (Mbresë për librin e saj në botim) – Flora Peci më ka nisur miqësisht librin e saj më të ri, të bërë gati për botim që thjesht t‘i hedh një sy e t’i nis një mbresë. E lexoj dhe ndjehem i ngopur me një botë që është tërësisht e bukur dhe femërore. Vjen e tillë sepse Flora, ndryshe nga shumë poete të tjera, ka bërë vetëm një marrëveshe, të dëgjoj e të këndoj vetëm përmes zemrës së saj si grua. Dhe i ka qëndruar besnik këtij pakti.
Do të mjaftonte vetëm kjo bindje e saj e brendshme, që t’i japë poezive të veta besueshmëri, origjinat dhe freski ndjenjash. Në kohrat e sotme, kur poezia ngatërron gjini, zemra, bindje, stile madje edhe zëra të huajtur kushedi se ku librave të pafund, tek ky libër ndjeva gëzimin se takova një shpirt unik, gjeta vetëm Florën me gjithçka të bukur kish shkruar një grua, që këngën e ka një dashuri të heshtur e të pabujshme, vetëm për shpirtin e saj. Ka ca libra si ky i Florës ku hyn dhe gjithçka aty brenda ështe vetiake; divanet ku ulesh, zjarri, drita e dritareve, perdet, buka dhe vera që të venë përpara… Nuk ngjan me asgjë tjetër.

Poezia e Florës ka dritë, ka dhembshuri, ka dëshpërim, ka zemërim të fisëm, ka dhembje dhe krenari për vendin e saj. Po mbi të gjitha ka gruan, botën e saj, vetë Flora Pecin.
E lexon dhe ndihesh në paqe që po dgjon atë vetë, pa ndërfutjen e tërë asaj armate këngësh që vërtiten përreth shpesh herë, pa adresa, pa shtëpi, pa zot shtëpie.
E mbyll librin duke kuptuar se ke qenë në një vend me drite të butë shpirti gjatë leximit, ke marrë paqen dhe mallin e jetës. Dhe së fundi të gëzon shpirti se udha që të ka çuar tek kjo shtëpi kënge, ka qënë një dhe e vetme, pa degëzime anash. Një udhë e vetme në mëhallën e madhe të këngëve, një vetëm,… midis këtyre mijra udhëve të botës. Pa kurrfarë tabele orientuese përreth.
Zëri, melodia dhe timbri i poezisë së veçatë të bind ty pa pyetur askënd, se kjo udhë të çon vetëm tek shtëpiza e re (libri i ri) me këngën e Flora Pecit. /Petrit Ruka – Tiranë, 24 gusht 2015/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura