Tetovë, 30 mars 2021: (Vështrim letrar mbi përmbledhjen poetike “Koha e qershive” mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë Veriut dhe botuar më 2018 në Shkup)
Nuk është edhe aq e lehtë të marrësh lapsin dhe të shkruash për opusin krijues të shkrimtares Puntorie Muça – Ziba, pasi ajo mban flamurin krijues në Maqedoninë e Veriut, veçmas në botën poetike të gruas shqiptare në këto anë. Opusi i saj është i gjerë dhe me shumë zhanre letrare, por ne kësaj radhe do të fokusohemi te përmbledhja më e re “Koha e qershive”, e cila flet qartë për një ngritje të lartë të vlerave estetiko-letrare të poetes Puntorie Muça-Ziba.
Duke lexuar përmbledhjen me poezi “Koha e qershive” të poeteshës Puntorie Muça-Ziba, shohim dhe përjetojmë një det të tërë me ndjenja të veçanta prej artisteje. Si në kohën antike kur shkruhej e këndohej për hyjnitë e tyre, në këtë rast, te Puntoria, në vend të perëndive, si hyjni i vetëm i saj na del Atdheu me popullin e saj të shenjtë. Kësisoj, libri poetik na duket si një festë kombëtare, i cili është i privuar të festohet lirshëm dhe i mbytur nga ekuivoket e politikave të ndryshme dekadë pas dekade. Këtë dhimbje krenare autorja e ndjen në detaje, ku gjithmonë aludon në një jetë të dytë për atdheun e Arbërisë. Kjo ndjenjë përkon me dëshirën dhe me vullnetin e popullit shqiptar, përveç atyre që janë me gjak të prishur, për të ciët edhe ndjehet indinjata shpirtërore e poeteshës.
E kam vnue n’shpinë tokën teme
e do ta mbaj n’shpinë tokën teme
e do t’i këndoj me lahutë tokës teme
se due me e lan atje ku e patën shkul.
…………………………………………
E dhimten me ia lan hasmit nër sjetulla
e vajin me ia hedh n’varre pa nishane.[1]
Libri në fjalë, si rrallëkund në botë, ka kaq shumë ëndrra për t’u rikthyer shpirti i madh i kombit të saj të lavdishën nga ajo histori e gjatë, e bukur dhe shumë e lodhshme. Pikërisht kjo dëshirë e poeteshës vjen si një gjerdan gëzimi për festën e madhe që do të përjetonte arbëri, si aktin më të shenjtë dhe më sublim. Ky është një emocion që rrallë provohet në jetë, e që të jep forcë të shkruash për këtë zgjim vargëror të poeteshës, si një zë i fuqishëm në letrat shqipe. Tanimë poetesha rrugëton si simbol i ëndrrave të largëta e të afërta, me plot dhimbje, për një gëzim real që mund të na sjellë e reja e që mundet të vijë si një stacion i ri jete, e cili na takon githësesi. Pra, te kjo poeteshë, motivet e tilla lindin si manifest më vete dhe për këtë ajo thotë:
O qiell shtrat gjerë
hap kanatet e derës tënde,
sa çel e mbyll sytë
të futem si lule azdisur
mbi retë paluar
të bëj një sy gjumë
e të zgjohem e fortë[2]…
Duke lexuar këtë poezi, neve na duket se poetesha në këtë përmbledhjje ka marrë me vete edhe shkollën poetike të Drinit dhe liqenit të bukur të Strugës. Po ashtu edhe shkollën e mençur të rrethit të saj familjar e jetësor, e cila është e pandarë në tërë krijimtarinë e saj poetike dhe letrare në tërësi. Në vitet e rrugës poetike ajo bëri zbukurimin estetik të poezisë shqipe, ashtu siç e zbukuron Drini qytetin e Strugës ndër shekuj. Pra, një Drin rrjedh në qytetin e Strugës dhe një Drin i shpirtit poetk rrjedh në dejet shpirtërore të Puntorie Muça –Zibës. Kjo poezi e bën poeteshën po aq humane sa edhe poetike. Ballafaqimi i përhershëm me Shkupin dhe Srugën, dëshira për mbijetesën dhe disa faktorë të tjerë i dhanë forcën e shpirtit dhe të mendjes për të ecur vertikalisht drejt ëndrrës së saj të madhe, që me një fjalë të mbetet e përjetëshme, për të mos vdekur asnjëherë. Prandaj ajo ngërthen në lumturinë që e ngre lirinë në rrugëtim gjaku.
Për atë perëndi,
zorrë ënjtur shkulëm cullufet
varur tëmthave nga zëri yt
ngurrues që përplas
jehonën kodër më kodër[3]
Krijimtaria letrare e gruas shqiptare në Maqedoninë e Veriut, veçmas kur nisi të shkruaje Puntoria, ishte një dramë më vete. Në atë kohë kuptohej me vështirësi angazhimi i gruas në kultivimin e artit letrar. Ajo duhej t’i harronte pranverat e bukura të jetës dhe shumë detyrime në rrethin e saj familjar. Dashuria e jetës tek ajo u kthye në luftën e ëndrrave për liri, art e forcë shpirtërore për të drejta të barabarta midis gjinive dhe popujve që jetonin në Maqedoninë e asaj kohe e deri më sot. Ajo duhej t’i përkushtohej jo vetëm familjes e shkollimit, por duke parë rëndësinë e brezave të rinj, detyrimisht iu përkushtua edhe botës së fëmijëve duke krijuar vargje për edukimin e tyre. Të bësh gjithë këtë sakrificë, duket se ishte një dhuratë e ardhur nga perëndia. Kjo shfaqet kur poetesha i kushtohet të ardhmes kombëtare dhe shoqërore në tërësi. E gjithë kjo vjen si rezultat, jo vetëm si dëshirë për të krijuar artin e saj poetik, por edhe si angazhim moral e patriotik ndaj adheut, kombit e traditave tona, ku me çdo kusht duhej luftuar e keqja dhe e shëmtuara në mjediset tona për të rrugëtuar e bukura dhe e madhërishmja jonë ndër shekuj.
Atdheu është atje
ku mëngjes për mëngjes lan lotët
majë qepallave me sapun erë manushaqe
e shpirtit i del tymi për tufëzim petalesh.
…………………………
Eh, atdheu është atje
ku nuk shkretohesh n’gërvima
të mbytura për një copë varr.[4]
Përmbledhja poetike “Koha e qershive” e Puntorie Muça – Ziba, në thelb ka portretizimin e kohës dhe njeriun e kohës së saj, të goditur nga plagë të shumta, të cilat kanë qenë të shoqëruara me rrezikshmëri të shumta deri në zhdukje. Vuajtjet pa numër të njeriut të saj, krijuesja i trajton si tema shumë komplekse të botës shqiptare. Këto tema edhe vetë autorja i ka ndjerë thellësisht, ku, përmes të cilave përçon mesazhe të fuqishme drejt epilogut triumfues. Struktura ndërtimore e këtyre poezive është ngritur mbi dy shtylla bazë: atë të ndjenjës sugjestive letrare dhe në atë historike e bashkëkohore, që, si tërësi japin një katarsis të lehtë dhe me një realizëm, sa të dukshëm, po aq edhe magjik. Përmes tyre duket një narracion shpërthyes, si trajtë e rrëfimit estetik e modern. Kësisoj shtreson valët dridhëruese të shpirtit njerëzor për krizën identitare të njeriut tonë në përgjithësi, deri në format ekzistencialiste.
Ai përsëri më ndjek
e pasi nuk më zë nis
e pështyn faqen e imazhit tim
thonjtë e imazhit tim,
pështyn e pështyn,
qull e bën
surratin e tij prej kafshe.[5]
Për autorin, një krijuese e njohur mirë për botën shqiptare (me një numër të madh veprash letrare nga të gjitha zhanret letrare të derisotme), paraqitet në letrat shqipe si njohëse e filozofisë shoqërore dhe jetësore në përgjithësi, pasi në vargun e saj poetik duket qartë forca e mendimit dhe njohja që ka për botën psikike dhe shoqërore për të cilën ajo krijon. Nëse bazohemi në këtë mendim, atëherë poezia e Puntories bëhet fushë e veçantë e komunikimit njerëzor, veçmas kur kihet parasysh larmia e temave dhe motivet që ajo trajton, ku duket qartë se ky shpirt poetik është i lidhur me atdheun, njeriun që e njeh mirë, hapësirën dhe jetën që e rrethon atë, duke e lidhur me të kaluarën, siç është poezia: “Natës varrit do t’i rrëfehem,” e cila, për kohën tonë është mbështetur në legjendë. Aty ngërthehet edhe një dukuri mistike, ku poetesha krijon një botëkuptim të ri për botën shpirtërore në tërësi. Kjo poezi, si edhe disa të tjera, komunikojnë fuqishëm me të bukurën duke e vënë si paradigmë, kundër së ultës dhe të shëmtuarësduke e realizuar këtë nëpërmjet ndjenjave më sublime të shpirtit.
Eh, rrëfenja e shekullit
shtrirë linjës së trishtë
frigoi foshnjet nââ¬Å¸rrugë të embrionit.
E vërteta për mitin ndjellakeq
futej në kthinën time
kur shfletoja fotografinë e vjetëruar[6]
Marrë në përgjithësi, kjo poezi si bazë ka të bukurën si kategori thelbësore estetike dhe si komponentë esenciale të një krijimi eseistik, të cilën autorja e transfiguron në një fushë të veçantë krijuese, midis krijimit artistik letrar dhe atij shpirtëror e human. Pra, në të gjitha zhanret që krijon autorja, vargu del po aq i fuqishëm dhe i shkëlqyer, sa që ravijëzohet me portretin e një krijueseje letrare, duke u veçuar me tipare të shumëfishta, sa humane e shoqërore, po aq edhe kombëtare në përgjithësi, pasi me afinitet të veçantë di ta mishërojë fjalën artistike me të bukurën. Ajo të bukurën di ta përdorë me elegancë karshi të ultës e të shëmtuarës, ku na duket se këto fenomene të shoqërisë sonë na dalin para bankës së diferencimit. Këto fenomene, të cilat janë të mbushura me dramaticitet të veçantë estetik, na flasin për kontekste të shumta të një kohe të caktuar.
Ngushtoheshin shtatë palë qiej
ndizeshin grimca ajëri
vinte ndërzimi i pacipë
dhe afshet s`çelnin[7]
Kjo poetikë e autores në fjalë është e mbushur me plot vibracione të shpirtit shqiptar, por njëkohësisht edhe të shpirtit autorial, duke pasqyruar ecurinë e mendimit filozofik modern, pra është një riprodukim intelektual, emotiv dhe shpirtëror i autores, për kohën kur ajo krijon dhe vepron, gjithmonë e mbështetur nga pozitivizmi drejt pragmatizmit jetësor.
Madhështia e veprës poetke “Koha e qershive” ështe një filozofi soditëse dhe here-herë takohet me abstraksionin letrar. Duke e lexuar veprën me vëmendjen e duhur, krijohet një përshtypje se ky art poetik vë në dukje edhe idealizmin e sotëm, me një nostalgji të theksuar për të ardhur te konkretja, me një joshje për të përqafuar realen.
Kjo poeteshë, që sot ka arritur vlera të larta në poezinë e krijuesve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pse jo edhe më gjerë, del edhe jashtë rrethit ku jeton dhe vepron. Ajo nuk është një krijuese e izoluar në ndonjë kasaba, por ajo e ndjek me vëmendje artin dhe jetën e njerëzve të mëdhenj siç ndodh me poezinë “Ujqër janë rusët, Ana Ahmatova”:
Më shiko në lule të vargut Ana,
e më thuaj,
përse u zilosen rusët
kur the “poeti është shpirt e jo njeri”.
Ne lajkatojmë lypësin e gjynahqarin
dhe frymojmë thellë,
ti për Rusinë
unë për Shqipërinë copë-copë.
Ujqër janë njerëzit e tu,
ujqër janë rusët Ana.[8]
Ose te poezia “ Vajzat e Aleppos”
Brenda këmishave të murrme
Vajzat e nurshme të Aleppos
me qerpik të varur yjeve praptoheshin,
shkulnin mishtë pështynin dhunuesin
në surrat dhe nuk donin t`ia dinin
për dënim me zjarr ferri.[9]
Si rrjedhojë e vëzhgimit rreth këtij projekti artistik e letrar, shpresoj që të kemi sjellë sadopak një ndihmesë rreth depërtimit shpirtëror, psikologjik dhe estetik te kjo poezi, për të cilën poetesha ka një përvojë të mjaftueshme krijuese, të cilën e ka realizuar falë një pune të gjatë e këmbëngulëse. Pra, përmes këtij vlerësimin kritik rreth trashëgimisë së kulturës sonë shqiptare, po bëjmë sot një paraqitje të shtjelluar dhe më të nuancuar të traditës sonë krijuese shqiptare.
E veçanta e kësaj autoreje të suksesshme dhe kësaj vepre poetike është se ajo e shkruajti vargun e saj artistik edhe në dialektin e gegërishtes së përzier të anës sonë. Edhe pse e bën këtë, ajo mbetet vetë dëshira dhe bota e saj e brendshme.
________________
[1] Puntorie Muça-Ziba, “Koha e qershive”, f. 7-8, Shkup 2018
[2] Po aty, f.44
[3] Po aty, f. 48
[4] Po aty, f.52
[5] Po aty, f. 72
[6] Po aty, f. 59
[7] Po aty
[8] Po aty , f. 79
[9] Po aty, F. 90
Postime të Lidhura
SAMI FRASHËRI (1850 – 1904) FIGURA MË E SPIKATUR E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE
Një historiografi e Sami Frashërit, e përkthyer nga gjuha turke SAMI FRASHËRI (1850 – 1904) FIGURA MË E…
ARSHI IMERI I TËRBAÇIT …
Arshi Imeri i Tërbaçit një pikë kyçe e unitetit tonë tradicional Nga Msc. Albert Habazaj, Pashtriku – 11…
TEUTA ZYMBERI: UDHA E SHKRONJAVE – NË DITËN E MËSUESIT
Luzern, 06. 03. 2014 – Në ditën e mësuesit, nuk pata diçka më simbolike, se t’i rikujtoja të…
PASHTRIKU: LIBRI ‘LOTËT E TRËNDAFILES’ NJË RRËFIM TRONDITËS PËR JETËN E NJERIUT
Pashtriku.org, 06. 04. 2014 – Në vitin 2010 Shtëpia Botues “Fidani” në Prizren, ka botuar librin “Lotët e…