ELENA KOCAQI: PAVARËSIA SHQIPTARE ISHTE VEPËR E POLITIKËS AUSTRO-HUNGAREZE!

Pashtriku.org, 24. 05. 2013 – Pavarësia nuk u arrit as me shumicë të thjeshtë votash. Historia Shqiptare e censuruar Pavarësia e Shqipërisë mund të mos jetë ajo që kemi mësuar rëndom, në shkollë apo nga literatura akademike. Madje mund të ketë dhe një fasadë tjetër, e cila më së shumti është mbajtur mbuluar me një tis të errët, në pamundësi për ta zhdukur krejt. Të paktën e këtij mendimi është historiania Elena Kocaqi, e cila duke iu referuar dokumenteve të arkivave austriake, por dhe atyre italiane, franceze e angleze, ka nxjerrë një përfundim fare pak të cekur më parë, por shumë të censuruar gjithsesi. Dhe ja çfarë thotë Kocaqi për gazetën “Shekulli”:
SHEKULLI: Cila ishte situata politike, në Europë në fillim të shekullit XX, kur Perandoria Osmane po lëshonte territor?
E.KOCAQI:
Situata politike në Europën e fillimit të shekulli të XX ishte e tillë që ishin formuar dy blloqe politike ushtarake, njëri ishte Antanta e përbërë prej Anglisë, Francës dhe Rusisë dhe tjetri ishte Blloku Qendror i përbërë prej Gjermanisë, Austro- Hungarisë dhe Italisë. Antanta përkrahte sllavët në Ballkan ndërsa Blloku qendror me insistimin e Austro-Hungarisë përkrahte shqiptarët. Nga të gjashta Fuqitë e Mëdha vetëm Austro-Hungaria ishte e interesuar sinqerisht për krijimin e një shteti shqiptar për arsye gjeo-strategjike, historike dhe kulturore.

SHEKULLI: Çfarë do ndikonte më shumë në shtetformimin shqiptar, rezistenca e vetë shqiptarëve, apo ndikimi i politikave të huaja?
E.KOCAQI:
Mundësit që shqiptarët të krijonin një shtet pa miratimin e fuqive të mëdha ishin zero, pasi ishin vetëm gjashtë Fuqitë e Mëdha që vendosnin për ndryshimin e statusit territorial të një vendi. Kështu edhe sikur shqiptarët të kishin unitet dhe ushtri nuk do të mund t’u impononin dot atyre një shtet shqiptar kaq lehtë nëse nuk do të kishin ndonjë nga fuqitë e mëdha që t’i mbështeste ato. Nga ana tjetër më duket absurde të mendohet se ngritja e flamurit në Vlorë krijonte shtetin shqiptar të pavarur, pasi shteti ka disa elementë siç janë popullsia, territori, pushteti dhe sovraniteti dhe kjo qeveri e Vlorës nuk kishte asnjë prej tyre. Interpretimi se një njeri ngre një flamur e në mes të luftës shpall Pavarësinë dhe nuk njihet nga asnjë shtet, merret seriozisht nga historiografia jonë. Kuvendi i Vlorës nga ana juridike ka probleme se nga 84 deputetë kanë firmosur 40, që do të thotë se ky kuvend nuk ka shpallur fare pavarësinë pasi ajo nuk ka marrë as shumicën e thjeshtë të votave. Për akte kushtetuese duhen edhe 2/3, kështu që juridikisht vendimi i Vlorës është “nul”.
SHEKULLI: Ku qëndrojnë problemet e historiografisë shqiptare për këtë çështje?
E.KOCAQI:
Deri me sot nga historiografia jonë është thënë se rezistenca e kryengritjeve shqiptare ishte për autonominë apo pavarësinë e vendit por që kjo nuk rezulton të jetë tërësisht e vërtetë. Kryengritjet shqiptare të 1911-1912 financoheshin nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia që kishin si synim të përdornin shqiptarët me qëllim që të rrëzonin perandorinë Osmane dhe më pas të përvetësonin trojet e tyre dhe ato ua kishin shprehur hapur një gjë të tillë krerëve shqiptar. Kishte nga ata krerë shqiptar që donin edhe një bashkim me këto shtete që edhe i financonin por kishte edhe nga ata krerë që ishin për mëvetësi. Shqiptarët u përdorën edhe në luftën Ballkanike pasi katolikët shqiptar i hapën rrugën ushtrisë malazeze të pushtonte Shkodrën. Pra shohim se këto kryengritje ishin fillimi i fundit të integritetit dhe tërësisë territoriale të racës shqiptare. Historiografia jonë me gjysmë zëri e pranon se ka pasur ndikim dhe financim nga vendet fqinje por ajo mbron idenë që ata luftonin për autonomin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Atëherë lind pyetja këto fqinjë që ëndërronin natë e ditë trojet shqiptare do të ndihmonin krerët shqiptarë për të arritur pavarësinë kur ato e donin territorin për vete? Sigurisht që jo dhe këtu ka një shpjegim që bie në kundërshtim me logjiken historike. Pavarësia shqiptare ishte vepër e politikës Austro-Hungareze të kohës e cila arriti të përdor të gjitha, mjetet si diplomatike ushtarake për t’u imponuar fuqive të tjera krijimin e një shteti shqiptar dhe kjo tregohet nga të gjitha dokumentet diplomatike të arkivave Evropiane.
SHEKULLI: Përse Austro-Hungaria pati ndikim kaq të madh, apo rol kryesor në dhënien e Pavarësisë së Shqipërisë?
E.KOCAQI:
Kjo sepse ajo kishte interesa në Ballkan dhe ajo shikonte në copëtimin e Shqipërisë një kërcënim të sigurisë së saj në Ballkan pasi trojet e saj shtriheshin deri në Bosnje. Problem i madh ishte edhe çështja e Adriatikut ku Austro – Hungaria dilte në det në Trieste dhe rajonet kroate, sllovene dhe ajo nuk mund të lejonte që në bregun shqiptar të Adriatikut të vendosej një Serbi armike dhe një Itali rivale potenciale për armike, e cila mund t’i bllokonte asaj kanalin e Otrantos nëse merrte Vlorën. Kështu Austria mori fjalën e Rusisë dhe Italisë rreth 30-40 vjet më para se të shpallej pavarësia. Ishte shpërthimi i konfliktit ballkanik që e detyroj atë të bëhej agresive derisa dhe të mobilizonte ushtrinë për të imponuar një Shqipëri të Pavarur. Ishte pikërisht ajo që ju kërkoi shqiptarëve shpalljen e Pavarësisë dhe jo autonomisë, që në tetor të vitit 1912.
SHEKULLI: Cilat ishin raportet e Austro-Hungarisë me Ismail Qemalin?
E.KOCAQI:
Austro-Hungaria ashtu si dhe të gjitha fuqitë e tjera në Europë dhe Ballkan nuk i zinin besë Ismail Qemalit dhe nuk kishin raporte të mira me të por në çastin e krizës asaj i duhej një faktor shqiptar brenda Shqipërisë apo ashtu siç shkruan Berchtold ministri jashtëm austriak një qeveri sa për t’u dukur se është përfaqësuese e shtetit shqiptar, me qëllim që t’u tregonte edhe fuqive të tjera se shqiptarët duan shtetin e tyre. Në këtë kohë Vjena akuzohej se ishte më shqiptare se vet shqiptarët dhe për këtë arsye ajo mbështeti në fillim Syrja Vlorën dhe më pas Ismail Qemalin. Ajo i dha atij mbështetje dhe një anije që të vinte në Vlorë dhe jo në Durrës siç thuhet për të kryer një akt formal dhe një qeveri formale dhe e ka mbështetur edhe financiarisht.
SHEKULLI: Cilat janë të rejat që paraqisni ju në punimin tuaj të fundit?
E.KOCAQI:
Janë faktet historike arkivore të panjohura më parë ose ndoshta të njohura nga ndonjë grup i ngushtë historianësh por që ndoshta kanë qenë të censuruar dhe nuk i kanë bërë publike ato, madje segmente të caktuara janë përpjekur të më censurojnë edhe mua, që të mos i botoj ato pasi kjo gjë i ulte vlerat faktorit shqiptar në krijimin e shtetit, por që për mua censura si historiane dhe si qenie njerëzore është e paimagjinueshme. Kështu që unë paraqes pa censurë faktet arkivore të arkivit të Austrisë, dokumentet diplomatike Italiane, Franceze, Angleze të cilat japin qartë faktin se merita për krijimin e shteti shqiptar i takon shtetit Austro-Hungarez dhe se shqiptaret kanë shumë pak ose aspak peshë në këtë çështje. Nga ana tjetër unë i përkas brezit të ri të historianëve dhe jam e pa ndikuar nga ideologjia e materializmit dialektik në interpretimin e historisë. Kështu lexuesi në fund të librit do të njihet me të vërtetën historike dhe nuk besoj se do të këtë ndonjë lexues që të jetë i mendimit që ne krijuam vet shtetin tonë. Nëse sot ka jo vetëm Shqipëri por edhe racë shqiptare në hartën demografike të Europës, kjo është merita e madhe e shtetit austriak që Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohëse. Shqiptarët gjendeshin para zhdukjes kombëtare. Të mos jemi mosmirënjohës dhe të na errësojë logjikën egoizmi kombëtar dhe nacionalizmi dhe të marrim merita që në fakt nuk na takojnë, por të nxjerrim mësim nga të vërtetat historike për të mos i përsëritur më gabimet tona të së shkuarës në të ardhmen.

SHEKULLI: Austriakët i kërkojnë Toptanit të bashkohet me Ismail Qemalin
E.KOCAQI:
Austro-Hungarezët ishin të vetmit që mbështetën këtë qeveri. Në 3 dhjetor 1912 Berchtold i shkroi Vlorës dhe i tregoi mbështetjen e Austrisë. Austria donte bashkimin e Shqipërisë me qeverinë e Vlorës dhe ajo i dha shuma të mëdha të hollash Esat Toptanit dhe Prenk Bib Dodës që ata të bashkoheshin me këtë qeveri. Por kjo gjë kundërshtohej në radhë të parë nga vet Ismail Qemali, që në këtë rast është bërë pengesë për bashkimin kombëtar. Kështu ai e bëri me vonesë emërimin e Dodës në qeveri. Nga ana tjetër Toptani ishte një njeri që shitej tek armiqtë e Shqipërisë dhe ka luajtur rol tepër negativ në këtë kohë dhe më pas në bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Këta bejlerë në pjesën më të madhe të tyre ishin me origjinë osmane dhe vinin nga rajonet e Iranit, Irakut, Turqisë dhe ishin sjellë si sundues në Shqipëri, ashtu si shqiptarët shkonin në Egjipt dhe Lindjen e Mesme pasi nuk lejohej që feudalët të ishin vendas dhe kështu që ata nuk identifikoheshin aspak me shqiptarët. Nga ana tjetër, vetëm historiografia shqiptare meritën e krijimit të shtetit në të gjithë historinë botërore, ja dedikon feudalëve. Feudalizmi dhe bashkimi kombëtar janë armiq të njëri-tjetrit, pasi feudalët shikojnë te një bashkim i tillë shkatërrimin politik dhe ekonomik te tyre”.
Projekti serbo-grek për ndarjen e Shqipërisë
Por çfarë thonë dokumentet Austro-Hungareze për qëndrimin e Serbisë e Greqisë ndaj Aktit shqiptar të Shpalljes së Pavarësisë? Eleni Kocaqi thotë: “Sebia e Greqia as që donin të njihnin një shtet shqiptar pasi ato kishin marrëveshje ta ndanin Shqipërinë midis tyre. Serbia donte pothuajse pjesën me të madhe të Shqipërisë me një dalje të gjerë në bregdet dhe Greqia donte Epirin deri në gjirin e Vlorës. Serbia pati një konflikt të madh me Austro-Hungarinë në nëntor 1912 kur ushtria serbe zuri Durrësin. Ajo u detyrua të mobilizoi një milion ushtarë e t’i vendosë ata në kufijtë e Serbisë dhe Rusisë me qëllim që të mos lëshonte në çështjen e bregdetit shqiptar qoftë edhe në koston e një lufte botërore. Ndërsa sipas arkivit austriak në 30 dhjetor 1912, qeveria greke ka njohur qeverinë e Vlorës por jo pavarësinë e Shqipërisë pasi ajo bazohej në marrëveshje që kishte me Ismail Qemalin që të njihet qeverinë tij me koncesion territorial në favor të Greqisë. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar 5 vjet më parë dhe Epiri i kalonte i gjithi Greqisë. Në 1912 ajo vazhdoj të funksionojë pasi sipas dokumenteve, Ismail Qemali ishte dakord që Greqisë t’i kalonte Janina e Çamëria. Si shkëmbim ajo njihte qeverinë e Vlorës”.
Intervistën e zhvilloi: Leonard Veizi

==============================

A duhet ti jemi Austro-Hungarisë mirënjohës, aq sa i jemi SHBA për shtetin shqiptar

………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura