ELIFE LUZHA: ÇKA PO PRET SERBIA?

Opinioni për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, i shpallur nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi, pa dyshim se ka hapur një kapitull të ri, si për Kosovën, ashtu dhe për rajonin në përgjithësi. Mbështetja dhënë pavarësisë së Kosovës në thelb është mbështetje e parimeve demokratike. Serbia nuk e pranoi opinionin që vet e kërkoi nga Gjykata. Si kundërveprim ndaj vendimit të GJND’së, ajo paraqiti një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke dëshmuar kështu kokë – fortësinë e një politike të prapambetur. (Shikoni: Serbia dorëzon në OKB, Rezolutën për Kosovën ) Bashkësia ndërkombëtare tanimë e ka të njohur sjelljen mospërfillëse serbe ndaj vendimeve të saj. Të kujtojmë me këtë rast Millosheviqin, i cili pati nënshkruar 18 marrëveshje, por asnjë kurrë nuk e respektoi. Regjimi millosheviqian (që vazhdon edhe sot) nuk respektoi as 73 Rezoluta të miratuara nga Këshilli i Sigurimit, nëpërmjet të cilave i bëhej thirrje Serbisë që të ndërpresë agresionin kundër fqinjëve të saj. Ishte pikërisht agresioni dhe mospërfillja e vendimeve ndërkombëtare që e detyruan NATO’n për ndërhyrje kundër ushtrisë Serbe. Por ajo vazhdon me mosbindje ndaj institucioneve më të larta të botës. (Shikoni dokumentaret: Shpërbërja e Jugosllavisë – personazhi kryesor ishte Kryekrimineli Sllobodan Millosheviç dhe Lufta në Kosovë )
Projektrezoluta e dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga Serbia, ku kërkohen bisedime për të gjitha çështjet me Kosovën, duke aluduar edhe për statusin e saj, është hapi i radhës i një “çmendurie politike serbe” siç edhe tha kryeministri ynë. Gjithsesi, projektrezoluta serbe dhe mënyra e formulimit të saj u kritikua dhe kundërshtua nga SHBA’të dhe BE’ja. Pa hyrë në detaje se çka e përshpejtoi Serbinë për të bërë një hap të tillë (kur kemi parasysh paralajmërimin e paraqitjes së një projektrezolute nga BE’ja, pastaj u fol edhe për një projektrezolutë nga ndonjë shtet mik i Kosovës) projektrezoluta serbe u vlerësua e gabuar, dhe e destinuar për të dështuar, edhe nga disa akter të politikës serbe.
Gjithsesi, vendimi pozitiv i Gjykatës e ka përforcuar pozicionin e Kosovës. Prishtina zyrtare, edhe para shpalljes së vendimit të GJND’së ishte deklaruar se do të respektoj vendimin e Gjykatës. Por, politika jo koherente serbe, siç thotë në artikullin e tij Marko Attila Hoare, vazhdon ”të derdh lotët e Kasandrës ndaj vendimit të GJND’së, që nuk shprehin asgjë më shumë se sa qëndrimin tradicional kolonialist”. (Për më tepër lexoni artikullin e Marko Attila Hoare’s: “Kundër tiranëve dhe spastruesve etnikë” )
Disa analist për Ballkanin, kohëve të fundit kanë publikuar të dhëna, që shpjegojnë se: ”arsyeja e vetme pse Serbia bënë kaq shumë zhurmë për Kosovën, ka të bëjë kryesisht me zhvendosjen e vëmendjes të opinionit publik serb nga problemet reale të Serbisë, që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Ndërkaq edhe studiues të sigurisë janë deklaruar se një ndër fushat më të minuara me krim të organizuar dhe korrupsion në rajonin e Ballkanit Perëndimor është Serbia.
E ndodhur mes një busulle pa akrepat orientues, dhe e paaftë për tu menaxhuar dhe udhëhequr me veten, Serbia e sëmura e Ballkanit, e sulmon dhe etiketon shtetin e ri të Kosovës, me synim që ta pengojë rrugëtimin e tij. Veprime të tilla, ajo mori edhe kundër ish’republikave jugosllave, pas shpalljes së tyre si shtete të pavarura. Ajo “vajtonte” dështimin e tyre për shkak të paaftësisë për t’u qeverisur. Sot jemi dëshmitarë real, të zhvillimit dhe të prosperitetit demokratik e shtetëror të të gjitha ish’republikave jugosllave, të cilat në çdo segment të shtetndërtimit, me hapa gjigantë e kanë tejkaluar Serbinë.
Loja tradicionale serbe e të gjykuarit dhe provokuarit të të tjerëve, pa pastruar para pragut të vet, përkundër të gjitha zhvillimeve, më shumë se kurrë, dominon në politikën serbe. Tani për tani, kjo është strategjia, që e përdor politika serbe, për të përfituar kohë në pritje të ndonjë konjukture të rastit. Dorëzimi i projektrezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, edhe pas vendimit të GJND’së, është pjesë e kësaj strategjie.
Në anën tjetër Serbia nëpërmjet agjenturave të saj shpif dhe shantazhon kundër qeverisë së shtetit tonë, siç ishte gjoja dhënia e pëlqimit për një status special për serbët në veriun e Kosovës. Destabilizimi i skenës politike kosovare do ta favorizonte shumë Serbinë, duke ia lehtësuar asaj “argumentin” para botës, për gjoja paaftësinë e shtetit të Kosovës për t’u qeverisur si shtet. Kurse disa pretendent për poste politike në skenën kosovare, duke dëshiruar pushtetin politikë me çdo kusht, ia mbajnë ison shantazheve serbe.
Serbia e ka të qartë qëndrimin kombëtar të qeveritarëve tanë. Andaj dhe përdor metoda të lloj-llojshme, që ta mbaj pezull çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë duke përfituar kohë, ajo shpreson daljen në skenën politike kosovare të ndonjë “Ahmet Zogu”, me të cilin do ta kishte më të lehtë dialogun. Madje ajo edhe do ta “ndihmonte” padyshim ndërrimin e pushtetit, në këmbim të ndonjë copë toke Kosove, si në rastin e Shën Naumit. (Lexoni: Si u shit Shën Naumi) Është për të ardhur keq dominimi i një politike aq të mbrapsht dhe të prapambetur në Serbi. Si duket ende nuk e kanë të qartë se diplomacisë së vjetër, i dha fund Woodrov Willson’i, para 89 vjetëve ( më 1919 në Konferencën e Parisit‘Versajës ), pikërisht duke i thënë JO copëtimit të mëtejmë të tokave shqiptare!
Si do që të jetë, bota sot ka rregulla tjera bindjeje, edhe për më të pabindurit. Atë më së miri e din vet Serbia, e cila jo shumë larg e përjetoi në kurrizin e vet. (Shikoni: Lessons of Kosovo 1 of 5: Operation Allied Force dhe President Bill Clinton – Statement on Kosovo Intervention) Krijimi i shtetit të Kosovës është dëshmia më e mirë e triumfit të së resë kundrejt së vjetrës. Politika mesjetare serbe është mposhtur tanimë në të gjitha fushat. Pas humbjeve ushtarake e diplomatike, me vendimin e GJND’së, Serbia pësoi humbjen traumatike edhe në aspektin juridik. Dështimi shumë i sigurt i radhës për politikën serbe, pa dyshim se është diskutimi i projektrezolutës të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së që do të mbahet në shtator. Kurse qeveria e Kosovës, me hapat më të dukshëm se kurrë ndonjëherë më parë, po i radhitë fitoret e shtetit të Kosovës.
Prishtinë, 07. 08. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY , Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura