ELIFE LUZHA: INTEGRIMI I SLLOVENISË NË BE, SHEMBULL PËR RAJONIN

Europa asnjëherë nuk do të jetonte në paqe përderisa Ballkani ziente nga politikat konfliktoze. Në përpjekjet për zgjedhjen e këtyre konflikteve, shpesh here Europa u tregua e padrejtë (rasti i copëtimit të tokave shqiptare). Kjo ka ndikuar në humbjen e besimit, se Europa kontribuon në zgjidhjen e drejtë të krizave (kjo u dëshmua edhe në luftrat e fundit ). Pas Luftës së dytë Botërore, shpresohej për një paqe të qëndrueshme në këtë rajon. Por, mosrealizimi i të drejtave të popujve për vetëvendosje, sipas premtimeve të dhëna gjatë luftës së përbashkët kundër fashizmit, si dhe shkelja e këtyre të drejtave të përcaktuara edhe në Kartën e Atlantikut, bënë që krizave të mos u shihet fundi në këto pjesë Evropës Juglindore.

Gjithçka ndryshoi me përfundimin e Luftës së Ftohët. Rrymat liberale demokratike fuqishëm po ndjeheshin kudo. Shqiptarët më të prekurit nga padrejtësitë, të parët e përqafuan këtë rrymë. Demonstratat studentore më 1968, në Prishtinë, përkonin me ato të studentëve në Francë që e rrëzuan De Golin. Kurse Federata Jugosllave e krijuar me dhunë, donte të mbijetonte me dhunë. Pakënaqësitë kundrejt ish-federatës Jugosllave, i shprehën edhe republikat tjera. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ishin kulmi i pakënaqësive. Shtypja e demonstratave nga ushtria e ish-federatës Jugosllave, u gjykua nga bota demokratike edhe nga vet republikat jugosllave, si Sllovenia dhe Kroacia. Lufta për liri dhe demokraci filloi në Kosovë. Kurse Sllovenia ishte e para nga republikat e ish-Jugosllavisë që u materializua nga kjo luftë duke u shkëputur nga ish-federata, dhe shpallur shtet i pavarur.

Republika e Sllovenisë është një vend bregdetar pranë Alpeve në Europën Jugore. Në perëndim kufizohet me Italinë, dhe detin Adriatik që përfshinë një sipërfaqe prej 47 kilometrave bregdetare. Në pjesën jugore dhe jug-lindore fillon të zgjerohet drejt ultësirës së Panonisë, me Kroacinë. Kurse në veri-lindje Sllovenia kufizohet me Hungarinë. Shteti i parë slloven njihet në fillimet e shekullit të VII-të, në Koroshkë (sot pjesë e territorit të Austrisë) Karantanija. Pas një shekulli e gjysmë i bashkëngjitet shtetit francez, duke pranuar sistemin feudal e bashkë me të edhe besimin katolik. Në shek. XIII-të i bashkohen parisë austriake të quajtur Mbretëria e Habsburgëve.

Fuqizimi i vetëdijes kombëtare sllovene u arrit sidomos në shek. XIX-të, kohë kjo e ngritjes së vetëdijes nacionale e kombëtare të popujve, kur edhe populli slloven paraqiti programin, për bashkim kombëtar. Por Programi kombëtar slloven nuk pati sukses, sepse nuk u arrit realizimi i tij. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore, e tërheqjes së sllovenëve nga Monarkia e Habsburgëve. Sllovenët shpresonin se qëllimet e tyre do të mund ti realizonin vetëm duke ju bashkangjitur shtetit të ri të sapokrijuar Serbo-Kroat. Asnjëherë më parë të drejtat dhe idealet sllovene nuk ishin nëpërkëmbë sikurse në këtë bashkësi shtetesh, shprehet studiuesi slloven Janko Purnik. Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, nga viti 1929 u quajt Jugosllavi, ku sllovenët dukshëm arritën të përforcojë pozitat e tyre kombëtare. Sllovenia përpos realizimit pothuaj të plotë, të të drejtave të saja në ish-Jugosllavi, arriti edhe shkallën më të lartë të pjekurisë politike kombëtare për krijimin e Shtetit të Pavarur Slloven. Në fund të shekullit XX, Sllovenia vendosi të largohet edhe nga shteti i ish-Jugosllavisë. Më 25. 06. 1991 me deklaratën për pavarësi, u shpall Shtet i Pavarur.

SI U INTEGRUA SLLOVENIA NË BE

Dëshirën për tu anëtarësuar në BE, Sllovenia e ka shprehur menjëherë pas shpalljes së saj si shtet i pavarur më 1991. Deri më 1992, Sllovenia është njohur nga të gjitha vendet anëtare të kësaj bashkësie. Të vetedijshëm se bashkëpunimi me këtë organizatë është kompleks edhe i ngadalshëm, Sllovenët negociatat intensive për bashkëpunimin me BE-në i kanë filluar menjëherë më 1993, deri në anëtarësim të plotë më 2004. Ky bashkëpunim kaloi në tri faza:

– Marrëveshja për bashkëpunim

– Negociatat për anëtarësim

– Statusi vëzhgues

FAZA E PARË & E DYTË

Faza e parë, që njëherit është edhe faza më e kufizuar, ka të bëjë kryesisht me bashkëpunimin në fushën e ekonomisë. Sllovenia si fazën e parë ashtu dhe atë të dytën i ka vazhduar njëkohësisht, duke bashkëpunuar krahas fushës së ekonomisë edhe në atë të politikës.

Në këtë fazë të bisedimeve marrëdhëniet bilaterale janë tepër të rëndësishme. Aq sa janë të rëndësishme aq janë edhe vendimtare, në mos edhe çelësi për vazhdimin e negociatave të mëtutjeshme. Bashkëpunimi dhe lobimi për përkrahjen e anëtarësimit të Sllovenisë në BE, nga vendet anëtare të kësaj bashkësie, është arritur nga aktiviteti intensiv politik, si dhe qëndrimi këmbëngulës, i negociatorëve Slloven.

Shiquar nga ana globale, çdo negocim i shteteve për tu anëtarësuar në BE, përfundon me anëtarësim. Por në këtë fazë të bisedimeve përshtatja e legjislacionit kushtetues me atë Evropian është me rëndësi në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

Fillimi i reformave politike, ekonomike e sociale, si dhe realizimi i tyre në praktikë ishin prioritet për qeverinë sllovene. Delegacioni negociues slloven vazhdimisht ka mbajtur kontakte me Komisionin Evropian, për të raportuar arritjen dhe sukseset, apo për të marr sugjerime për hapat e zhvillimeve të mëtutjeshëm. Gjatë negocimit ka pasur raste kur pala sllovene është dashur të bëjë kompromise të forta dhe të dhimbshme, por gjithsesi është arritur rezultati real duke mbrojtur me këmbëngulësi edhe interesin nacional.

FAZA E TRETË

Në këtë faz Sllovenia e nënshkruan marrëveshjen si kandidate reale për anëtarësim. Me këtë ajo e fitoi statusin e kandidates vëzhguese, që do të thotë se Sllovenia mund të jetë pjesëmarrëse në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Evropës.

Tanimë dialogu bilateral u zëvendësohet me atë multilateral, ku mundësia për të krijuar ‘mikun’ apo ‘armikun ‘ e përhershëm nuk ekziston. Kjo vjen nga fakti se përderisa në një pikë të programit mund të kesh përkrahjen e një shteti, në pikën e dytë mund të mos e kesh at përkrahje nga po i njëjti shtet. Andaj kjo është faza e kërkimit të zgjidhjeve dhe kompromiseve, nëpërmjet analizave profesionale, politike, ekonomike, nacionale etj.

Arritja e qëllimit të një shteti në këtë proces është e lidhur ngushtë me përcjelljen e çdo veprimtarie në të gjitha institucionet e BE-së. Fatkeqësisht kjo për shtetet e vogla shpesh është edhe e pamundur sepse duhet patur një numër të madh diplomatësh në Bruksel. Sllovenia me politikën e saj intensive u tregua e suksesshme, përkundër numrit të vogël të diplomatëve.

KUSH ISHIN NEGOCIATORËT SLLOVEN?

Ministri i jashtëm slloven, ka qenë negociatori kryesor në negociatat për anëtarësimin e Sllovenisë në BE. Gjithsesi ishte zgjedhur edhe grupi operativ negociues. Me një fjalë në negociata kanë qenë aktive të gjitha ministritë, si dhe grupet qeveritare e joqeveritare sllovene. Delegacioni negociator gjatë kontakteve me përfaqësues të Komisionit Evropian, çdo here ka marr udhëzime shtesë, se si duhet realizuar me sukses procesi i integrimit në BE, si duhej përshtatur me sa më pak ‘dhimbje’ legjislacionin slloven me atë komunitar etj. Ata informoheshin për secilin ligj, në secilën fushë veç e veç, duke përcaktuar edhe mënyrën se si duhej realizuar ligji, dhe kohëzgjatja e realizimit.

Për këtë arsye Sllovenia formuloi programin nacional, në mënyrë që të jenë të qartësuara të gjitha ligjet që duhej ndryshuar apo përshtatur me legjislacionin komunitar. Ky program mundësoi që Sllovenia të përshtat me sukses legjislacionin shtetëror me atë komunitarë, duke mos i ‘dëmtuar’ interesat nacionale.

Negociatat ishin të gjithanshme. Ato vazhdonin edhe gjatë takimeve nëpër konferenca ndërqeveritare nëpërmjet ministrit të jashtëm, apo edhe nëpërmjet zëdhënësit të tij. Edhe pse shpeshherë gjatë negociatave arriheshin rezultate të kënaqshme, duke realizuar të gjitha kushtet në çështje të caktuara, për delegacionin slloven çdo here ka vlejtur slogani se: ‘Përderisa nuk është arritur çdo gjë, nuk është bërë asgjë’!

KRITERET PËR ANËTARËSIM

Anëtarësimi i Sllovenisë në BE, kërkonte realizimin e të gjitha kritereve të përcaktuara në Kopenhagë në vitin 1993, të ashtuquajtura edhe Kriteret e Kopenhagës. Realizimi i stabilitetit institucional, nëpërmjet forcimit të demokracisë, shtetit ligjor, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, funksionimin e ekonomisë së tregut, si dhe përshtatjen e legjislacionit me atë komunitar, ishin kriteret që sllovenia duhej ti plotësonte.

Sllovenia e renditur ndër vendet më të zhvilluara, të ish bllokut lindor apo SEV-it, nuk parashihte ndonjë pengesë të veçantë sidomos në realizimin e kriterit ekonomik. Për këtë, në atë kohë studiuesi i njohur slloven për çështjet evropiane Marko Kos thoshte: ‘Integrimi i Sllovenisë në BE, nuk do të ndjehet. Përderisa ekonomia sllovene do ta ndjejë shumë ekonominë evropiane’. Që nga pavarësimi i Sllovenisë më 1991, tregtia mes Sllovenisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishte ngritur ndjeshëm. Kurse me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim më 1997 BE ka hequr doganat e të gjitha prodhimeve industriale sllovene, që e kanë vlerën e njëjtë me ato në tregun e BE-së.

Me anëtarësimin në BE shtetit i ofrohen mundësi të shumta përfitimi nga buxheti i bashkësisë. Por se sa është i mundur ky përfitim, varet nga njohuritë dhe aftësitë e specialistëve të fushës së ekonomisë. Për këtë shteti Slloven ka miratuar edhe programin ekonomik, për mënyrën se si mund të arrihet deri tek shfrytëzimi pastaj edhe kontrollimi i këtyre mjeteve. P.sh, planifikohej që Sllovenia në hapësirën kohore prej vitit 2004-2006, do të përfitojë 262 milion euro, me çka suficiti i bilancit të pagesave do të rritej në 45 deri në 85 milion euro. Planifikohej edhe përfitimi me rastin e aprovimit të marrëveshjes shengen në kufi me Kroacinë, ku më shumë se gjysma e mjeteve për realizimin e kësaj marrëveshjeje do të jenë të ndara nga BE, përshkak se kufiri i ri me Kroacinë tani do të jetë kufiri i jashtëm i BE-së. Me një fjalë ekonomistët Slloven përfitimet nga buxheti evropian në hapësirën kohore: 2007-2013, i kishin planifikuar me përpikëri, zbatimi i të cilit do të fillonte menjëherë me anëtarësimin e Sllovenisë në BE, që edhe u realizua më 2004.

Mirëpo, përkundër përpjekjeve të negociatorëve slloven, për të kaluar me sukses të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE-ja, procesi nuk kaloi pa vështirësi. Kriteri politik edhe për Slloveninë nuk ishte i lehtë të realizohej. Çështja e përshtatjes së legjislacionit Slloven me atë komunitar ngjalli polemika të fuqishme në opinionin e gjerë slloven. Përfaqësuesit italian në Parlamentin Evropian, e kishin aktualizuar çështjen e kthimit të pronave shtetasve italian të ikur nga Istra (sot pjesë e territorit slloven, një pjesë edhe Kroate) qysh pas luftës më 1945.

Me një fjalë ish-Jugosllavia pas luftës e kishte nënshkruar marrëveshjen me Italinë, që të ikurve italian nga Istra, tu kthehej dëmshpërblimi në shumë prej 110. milion dollar amerikanë në 13 këste. Jugosllavia deri në shpërbërjen e saj, kishte paguar vetëm dy këste. Pjesën tjetër përfaqësuesit Italinë, kërkonin ta paguaj shteti Slloven. Ata gjithashtu kërkonin që çështja e kthimit të pronave të rregullohej me ligjin kushtetues slloven, përndryshe nuk lejohej vazhdimi i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së asocimit me Slloveninë.

Kjo ngjalli reagimet me të ashpra në opinionin e gjerë slloven, ku për herë të parë u ‘përfol’ drejtësia Evropiane. Populli slloven ndjehej i privuar, duke i quajtur popujt e mëdhenj anëtarë të BE, si ‘popuj majoritar’ . U organizuan lëvizje dhe protesta të shumta rreth kësaj çështje me slogane si: ‘Sllovenia nuk është në shitje të lirë’, etj. Përfaqësues të Komisionit Evropian përkundër angazhimit shtesë të aktivitetit të tyre politik, nuk gjenin asnjë zgjidhje.

Kompromisi u arrit më 1995, kur një delegacioni Spanjoll, që e vizitoi Lubjanën, paraqiti propozimin për ndryshimin e ligjit, propozim ky që u pëlqye nga pala sllovene. Me një fjalë ligji parashihte të drejtën e pronësisë për të gjithë qytetarët e BE-së, që kanë mundësi ta argumentojnë qëndrimin e tyre tre vjeçar në Slloveni.

Debatet polemizuese sadopak u shtensionuan me propozimin e delegacionit spanjoll, që njëherit edhe u quajt:’ Kompromisi Spanjoll’. Pala sllovene ishte akorduar për ndryshimet e parashtruar të ligjeve. U bë edhe ndërrimi i notës diplomatike mes dy shteteve, Italisë dhe Sllovenisë. Palët u pajtuan me ndryshimet e bëra. Me këtë Sllovenisë ju dha drita e gjelbër për nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me BE-në, që u nënshkrua më 10 qershor 1996. Sllovenia me këtë rast edhe zyrtarisht e parashtroi kërkesën për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

EUROTELEFONIA

Me sloganin: ‘Evropa shtëpia ime’, Zyra qeveritare Sllovene më 1998, ka hapur numër telefoni falas, nëpërmjet të cilit qytetarët janë informuar për të gjitha pyetjet e interesuar rreth anëtarësimit të Sllovenisë në BE. Këtë formë të informimit më parë e kishin zbatuar edhe Suedia, Austria, më vonë edhe Holanda. Në hapësirën kohore 1998-2004, qytetarët Slloven kanë marr përgjigje nga 19 mijë pyetje të parashtruara nëpërmjet telefonit. Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet janë botuar ne revistën ‘Eurondihma’ me tirazhin prej 8. milion copë. Të gjitha këto revista qytetarëve ju janë ndarë falas. Kurse gjatë kësaj kohe studentët slloven kanë përgatitur 1500 projekte për Bashkimin Evropian. Përshkak të interesimit të madh të qytetarëve slloven rreth anëtarësimit të Sllovenisë në BE, është hapur edhe faqja e internetit nëpërmjet të cilës bëhej paraqitja i shtetit slloven si: shkollat, hapësirat tregtar, panaire të ndryshme etj. Pyetjet më të shpeshta që janë parashtruar nga qytetarët slloven kanë qenë ato rreth, përparësisë që do ta ketë Sllovenia me rastin e anëtarësimit në BE, ngritjes së të ardhurave, politikat sociale, punësimi, zbatimi i monedhës euro, si dhe mundësitë e shkollimit në vendet anëtare të BE-së.

SLLOVENIA U ANËTARËSUA NË BE

Më 1991 Sllovenia u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Vetëm 13 vite më vonë më 1maj 2004, u bë anëtare e plotë e BE. Vullneti i popullit slloven u shpreh në referendumin e 23 marsit të vitit 2003, ku 85,64% të votuesve slloven u shprehën pro BE-së. Suksesi i Sllovenisë në universitetin e Bashkimit Evropian në Bruksel, ishte i shkëlqyeshëm. Lëndët kryesore studimore ishin: E drejta ligjore, përshtatja, negocimi në 31 fusha tematike, institucionet demokratike, arritja e marrëveshjeve si dhe përshtatja e shprehjeve të ndryshme me ato komunitare. Kurse, mundësitë për lëndët zgjedhore nuk ishin të madha. Ato ishin: E ardhmja e Sllovenisë në BE, novatorizmi, dhe informimi i plotë!!!

Profesorët e BE-së, por edhe ata vendor: Qeveria, Parlamenti, Komisionet parlamentaresh dhe mediet, ishin shumë të rreptë. Gjithçka duhej realizuar në mënyrën e duhur, dhe kohën e duhur. Lëshimi shumë i vogël mund ti kushtonte shtrenjtë shtetit të ri. Kopjimi edhe ishte i lejueshëm, por pa mësimin sistematik asgjë nuk kishte vlerë. Gjatë studimeve Sllovenia, realizoi një numër të madh seminaresh, studimesh, e qindra detyra semestrale, nga e cila rrodhi një punim diplome i shkëlqyer por edhe kompleks. Në të gjitha detyrat e caktuara nga Brukseli, rezultati ishte i shkëlqyeshëm. Pas çdo provimi pasoi edhe lëvdata dhe përkrahja shtesë. Shpjegimet, sugjerimet, përmirësimet, çdo here ishin të mirëpritura. Sllovenia u Diplomua. Anëtarësimi i plotë në BE, ishte rezultati i Diplomës!

Nuk munguan përkrahjet dhe lëvdatat nga shtetet anëtare të Bashkësisë. Për historinë gjysmëshekullore të BE-së, ky ishte zgjerimi i pestë me radhë. Kandidate për anëtarësim në BE, bashkë me Slloveninë, ishin edhe nëntë vende tjera. Në Kopenhagë më 2002, përveç Sllovenisë ftesën për tu anëtarësuar e kishin marr edhe këto shtete: Qipro, Çekia, Estonia, Hungaria, Litva, Lituania, Malta, Polonia, si dhe Sllovakia.

Sllovenia tanimë po rrugëtonte me familjen Evropiane. Hapi i parë që qeveritarët Slloven morën pas anëtarësimit, ishte negocimi në fushën e ekonomisë. Aktiviteti intensiv politik, përveç angazhimit serioz, kërkonte edhe financimin e duhur. Tani më si anëtare e plot e BE-së, Sllovenia, kishte të drejtën e shfrytëzimit të mjeteve buxhetore të bashkësisë. Përgatitja e programit nacional u ndihmoi që në negociatat për çështje ekonomike, në hapësirën kohore 2007-20013 të përfitojnë 4,57 miliard EURO. Kjo shumë sigurisht se i kishte tejkaluar edhe planifikimet e parapara. U hapën edhe mundësi të reja për studentët slloven. Tani ata mund të studiojnë kudo në vendet anëtare të bashkësisë. Kjo hapte mundësi të reja arsimimi dhe kualifikimi. ‘Vendosmëria e bënë të mundshme të pamundshmen’ është thënie e mendimtarit të madh shqiptar Sami Frashrit. Pranimi i Sllovenisë si shtet i pavarur nga gjithë shtete e BE-së vetëm pas një viti shtetësie, ishte rezultat i një politike të zgjuar aktive dhe hesap birëse.

Ky rrugëtim i suksesshëm i një shteti të vogël si për nga hapësira gjeografike ashtu edhe përbërja e popullisë, le të shërbejë si shembull edhe për shtetin e ri të Kosovës, si për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar ashtu edhe integrimin në strukturat euroatlantike. Nisur nga zhvillimet globale integrimet janë të pkthyeshmë dhe të domosdoshme për të mbijetuar. Andaj një angazhim sa më aktiv dhe i kontrolluar drejtë këtyre integrimeve, do tu sjellë mundësi shqipëtarëve te jene aty ku edhe e meritojnë, pra përkrah familje së madhe Europiane. ( Marrë nga punimi seminar i vet autores)

Prishtinë, 24. 04. 2010

Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTOR – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura