Pashtriku.org, 25. 02. 2017: (Nga arkivi i pashtrikut, 24 gusht 2011) – Për ta penguar shtetndërtimin e Kosovës, shteti serb aktivizoi tërë arsenalin shtetëror duke financuar e yshtur edhe struktura mafioze e paramilitare kundër shqiptarëve. Kjo më së miri u dëshmua më 25 korrik, kur pas aksionit të Policisë së Kosovës për të kontrolluar pikat doganore 1 dhe 31 në veriun e vendit, udhëheqës të politikës serbe nga zyrtarë të lart u shndërruan në prijës të bandave kriminele atje. Ata vranë heroin e kombit Enver Zymberin. ‘Kriminelët janë bashkuar me politikën’ u tha në një dokumentar për mediet gjermane. Si për ta dëshmuar këtë realitet tragjik, edhe NATO’ja bëri publik dokumentin konfidencial prej 400 faqesh, ku paraqiteshin të dhënat faktike për kontrabandistët dhe kriminelët vrasës të shqiptarëve. Vuko Antonijeviq, Marko Jakshiq, Millan Ivanoviq janë vetëm disa nga emrat e kriminelëve kontrabandist që me vite kriminalizuan veriun e Kosovës. Në dokument u publikua gjithashtu edhe vrasja e 26 shqiptarëve gjatë luftës nga Oliver Ivanoviq. Duke komentuar ngjarjet në veriun e Kosovës Daniell Server tha se: ‘Dobësimi i kriminelëve mund të vij përmes rrugës së dobësimit të bizneseve të paligjshme’. Përderisa eurodeputetja Doris Pack apeloi bashkësinë ndërkombëtare për ‘ndërhyrje të fort’ pasi sipas saj ‘serbët në veriun e Kosovës kanë synime kriminale’.
Kur është fjala për ndjekjen dhe ndëshkimin e kriminelëve, kritikat kundrejt bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë munguar as nga zyrtarë tjerë ndërkombëtarë por megjithatë deri tani dëshira apo iniciativa serioze ka munguar. Për këtë kemi dëshmi edhe rezultatet e disa hulumtimeve të realizuara nga raportues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Profesori i mjekësisë nga Rijeka dhe raportuesi në KE’së z.Miljenko Doriq gjithashtu fajson bashkësinë ndërkombëtare për shumë të ndodhura gjatë dhe pas luftës në hapësirën ish’Jugosllave. Në një intervistë me gazetarin Branko Soban në gazetën ‘Dello’ të Lubjanës publikoi zbulimin edhe të 98 personave që dyshohen për krime lufte në ish’Jugosllavi. Është tmerrues fakti thotë ai se si kriminelët (me identitet të ndryshuar) ende lirshëm shëtisin jo vetëm në shtetet e treta, por 43 prej tyre fshihen edhe në shtetet e krijuara nga ish’republikat jugosllave! Z.Doriq, derisa kujton 15.000 njerëz të vrarë dhe dëmtimin e një të tretës së Kroacisë gjatë luftës, njëkohësisht e quan të padrejtë ‘dënimin e ‘vetëm 5 apo 10 kriminelëve serb për 15.000 shqiptar të vrarë në Kosovë’. Ai gjykon paaftësinë e Tribunalit të Hagës për t’i dhënë dënimin e merituar kriminelëve dhe agresionit serb në ish’Jugosllavi. ‘Janë vrarë 300.000 njerëz, (të mos harrojmë masakrën monstruoze të 8000 boshnjakëve civil të pafajshëm vetëm në Srebrenicë) dhe zhvendosur 4 milion të tjerë, por megjithatë Tribunali i Hagës ‘ka dështuar të thotë hapur të vërtetën se kush i filloi dhe furnizoi ato luftëra edhe pse çdo here ishte një shkaktar, një person dhe një fuqi’, thotë z.Doriq.
Mitrovicë, 22 shkurt 2017: Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për Oliver Ivanoviçin! Oliver Ivanoviq akuzohet për krime lufte kundër shqiptarëve në vitin 1999-2000 dhe pasi është shpallur fajtor për aktet kriminale është dënuar me 9 vjet burg. Ai ka qenë në paraburgim që nga janari i vitit 2014. (sh.b)
…………………………………………………….
Duke lexuar intervistën e profesorit nga Rijeka dhe argumentet që faktohen aty, nuk mund të mos krijosh bindjen se shumë zhvillime politike botërore janë thjesht rezultat i planeve dhe skenarëve të konstruktuara paraprakisht. Ai identifikon realitete befasuese për ish’Prokuroren e Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte, e cila sipas tij ‘ajo ishte e urdhëruar të dënojë persona nga të gjitha grupet e implikuara në luftë dhe se kë sakt duhet ta arrestoj në Hagë’!!! Dhe duke qenë se jemi dëshmitar të arrestimeve të disa pjestarëve të UÇK’së edhe përkundër faktit se ata ishin vetëm mbrojtës të pragut e nderit të vet, lirisë dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar, nuk kemi pse të mos besojmë se akuzat kundër tyre janë të pavërteta dhe thjesht pasojë e një skenari të dirigjuar. E si mund t’i themi ndryshe rigjykimit nga Gjykata e Hagës të z.Ramush Haradinaj dhe çlirimtarëve tjerë edhe pasi vet Gjykata rrespektive i pati shpallur të pafajshëm?! Vallë si mund ta emërojmë ndryshe edhe rihapjen e hetimeve për z.Fatmir Limaj nga ana e EULEX’it në Kosovë?! Pastaj si mund të kërkohen rihetime për akuzat e pabaza serbe për disa pjesëtarë të e UÇK’së, gjoja të dyshuar për trafikim organesh kur për të njëjtat akuza para 10 viteve pas hetimeve të bëra prokurorët e Administratës së OKB’së në Kosovë, patën deklaruar se: ‘nuk ka asnjë fakt’. E në anën tjetër kriminelët serb të rinj e të vjetër ashiqare para ndërkombëtarëve e pa u ndëshkuar nga askush vazhdojnë ta gjakojn tokën e Kosovës me vrasje makabre të shqiptarëve. Vallë bashkësia ndërkombëtare deri në cilën masë do të provokoj durimin e shqiptarëve dhe të toleroj kriminalitetin shtetëror serb në Kosovë?! Nuk mund të ketë liri as paqe të qëndrueshme pa ndëshkimin e kriminelëve, është mësimi më i qartë që na e mëson historia. Hegjemonizmi serbomadh, shkaktar i gjenocidit më të rëndë në historinë tonë më të re, duhet të ndëshkohet dhe t’i dorëzoj të gjithë kriminelët para drejtësisë. Shteti serb vullnetshëm duhet të ndal praktikën e lojës me struktura mafioze në Kosovë. Zaten kjo do të ishte në të mirën edhe të vet Serbisë. Në të kundërtën duhet detyruar!
Prishtinë, 24. 08. 2011