Vendimi i Qeverisë së Kosovë për të marrë kontrollin e dy pikave kufitare në veri të vendit ishte momenti i fundit kur shteti i Kosovës duhej të vendoste autoritetin kushtetues në tërë territorin e vet. Janë pikërisht dy pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinë dhe Bernjak që u dogjën nga bandat serbe vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Që atëherë këto vendkalime kufitare u shndërruan në një shëtitore të lirë për strukturat paralele si dhe kontrabandistë e kriminelë serb të të gjitha ngjyrave. Boca nafte e sasi të mëdha armësh e droge u kontrabanduan në pikë të ditës, pa u penguar nga askush. Përderisa autobus, kamion e mauna qarkullonin, madje pa u kërkuar as dokumentet e identitetit! Kjo vetëm sa u jepte krah bandave të organizuara serbe për ta shtrirë aktivitetin e tyre kriminal edhe në pjesët tjera të Kosovës, për çka mediet e formateve të ndryshme shpeshhere patën identifikuar edhe emra të personave të caktuar. Kështu, veriu i Kosovës jo pak filloi t’i ngjasonte vendeve ku sundonin kartelet e drogës, armëve, duke damkosur kështu shtetin e ri, që për pasoj disa here nëpër raporte të organizatave të ndryshme u rendit ndër shtetet më të korruptuara.
Misioni EULEX, që ishte përgjegjës për sundimin e ligjit në Kosovë, jo vetëm se nuk i pengoi kriminelët kontrabandistë dhe strukturat paralele serbe në veri, por, përkundrazi, me tërë mekanizmat e vet destruktiv u partnerizua me to, duke minuar kështu stabilitetin e shtetit të ri, Kosovës. E për financimin e tyre me miliarda euro të pista në vit u kujdes edhe vet Serbia. Në anën tjetër shqiptarët e dëbuar që nga pas lufta u penguan të rikthehen në shtëpitë e tyre. Përderisa për ata që ende ishin aty, misioni EULEX përdori standarde të dyfishta. Me një fjalë, kriminalizimi i shqiptarëve dhe nëpërkëmbja e integritetit territorial të shtetit të Kosovës po vazhdonte edhe pas 12 vjetësh lufte. E gjithë kjo, përveç tjerash, i solli humbje të mëdha buxhetit dhe ekonomisë së varfër kosovare, duke ndikuar në ngecjen e zhvillimit dhe pengimin për të ecur përkrah vendeve të zhvilluara në familjen e madhe evropiane. Ishin 12 vjet përpjekjeje të kota nga ana e udhëheqjes kosovare për t’iu shmangur dhunës dhe zgjidhur situatën me dialog. E për çudi, edhe kur Qeveria e Kosovës vendosi të ndërmarr hapa ndryshe në mbrojtje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit, EULEX’i e refuzoi atë?! Vallë, atëherë cilin ligj apo drejtësi po na e mbroka ky mision në Kosovë?
Jo rastësisht Serbia edhe refuzoi dialogun me Kosovën, që vet e pati kërkuar. Ajo u mbështet fort në qëndrimet dhe veprimet e EULEX’it. Taktikat e tërheqjeve serbe ishin të njohura tanimë që në Rambuje, por edhe në proceset tjera pasuese, megjithëse çdo here dolën strategji të dëmshme për vet Serbinë. Kosova, e përcaktuar për respektimin dhe zbatimin e obligimeve ndërkombëtare, çdo here u dëshmua si partnere serioze jo vetëm në rajon. Gatishmëria për bashkëpunim u tregua edhe në rastin e respektimit të marrëveshjeve siç është ajo e CEFTA’s, sado që munguan përfitimet nga kjo. Respektimi i vulave doganore ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i reciprocitetit për qarkullimin e mallrave ishte një ndër të arriturat gjatë bisedimeve teknike. Por, tërheqja e Serbisë nga bisedimet e bllokoi zbatimin e marrëveshjes, pasi ato u shtynë deri në një kohë të përshtatshme, që supozohej të ishte shtatori, kur edhe pritet që Serbia të merr statusin e vendit kandidat për integrim në BE. Për këtë ajo u kujdes që shpejt e shpejt ta arrestoj edhe kriminelin tjetër të kërkuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Goran Haxhiq. Ishte kjo një lojë e zakontë e diplomacisë së paskrupullt serbe, që me gënjeshtra, dredhi e mashtrime të përvijohet në instancat më të larta ndërkombëtare, pikërisht duke anashkaluar obligimet e vet atyre, siç është respektimi i reciprocitetit apo edhe marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, pra edhe me Kosovën.
Vendimi i Qeverisë sonë për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj produkteve serbe ishte kryesisht pasoj e politikës destruktive serbe, që rezultoi edhe me urdhrin e Qeverisë për të vendosur kontrollin legjitim në doganat anë e këndë Kosovës. Kërkesa për të zbatuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në tërë territorin e vet nuk është asgjë më shumë se detyrë e çdo qeverie në çdo shtet të botës. Andaj dhe është krejt i pakuptimtë refuzimi i EULEX’it për të zbatuar urdhrin e Qeverisë për shtrirjen e autoritetit të saj në tërë territorin e shtetit të Kosovës. Nuk ka dyshim se vendimi i Qeverisë jo vetëm se është vendim i drejtë, legjitim dhe i marrë në kohën e duhur, por edhe i nevojshëm për të dëshmuar edhe një herë para vendit dhe botës se dalzotësit e Kosovës njashtu siç ditën të marrin vendime edhe në kohët më të vështira për çlirimin e Kosovës, njashtu dinë dhe munden ta ndërtojnë edhe shtetësinë e saj.
Sulmet e ekstremistëve serb kundrejt Policisë së Kosovës dhe vrasja e policit Enver Zymberi, i shpallur nga kryetarja e shtetit Hero i Kombit, patjetër se duhet të jetë vërejtje dhe porosi, si për udhëheqjen politike, ashtu edhe për të gjitha institucionet e Republikës, por edhe për secilin nga ne, se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nuk ka çmim. Duhet aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetëror si një trup i vetëm, dhe t’u bëhet e qartë ekstremistëve serbomëdhenj në Beograd dhe kudo qofshin ata për borxhet e mëdha që kanë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës dhe se grabitja e tokave shqiptare një herë e përgjithmonë ka marr fund!
Prishtinë, 29. 07. 2011
Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe i Diplomacisë në Prishtinë.
Postime të Lidhura
AVDI IBRAHIMI: PUNA DHE DIJA I DUHEN SHOQËRISË SHQIPTARE
(Prizren, 12. 11. 2012) – Sot më shumë se kurrë ndonjëherë më parë, na është bërë e mundur…
ARTAN LAME: SI PO SHKATËRROHET TRASHËGIMIA JONË HISTORIKE?!
Tiranë, 07. 07. 2012 – Që kur është zënë bota, njerëzit janë përpjekur të mbrohen dhe për këtë…
ADIL FETAHU: A PO ZBATOHET NË KOSOVË MEMORANDUMI 2 I AShS?!
Tiranë, 29. 01. 2015 – Në qershor të vitit 2011, kam botuar një shkrim me titull: “Memorandumi 2…
Skënder Sadri KAPITI: Përshëndetje Z.Kurti dhe Znj. Osmani që vizitën e parë zyrtare do ta bëni në Shqipëri
Durrës, 5 shkurt 2020: Është për t’u përshëndetur fakti që si Kryeministri Z.Kurti ashtu edhe Kryeparlamentarja Znj.Osmani vizitën…