Prishtinë, 4 Prill 2020: Tek po hidhja petët e tortës , me silleshin vërdallë tërë këto vite që sot po shënonin një jetë të tërë !
Dhe befas më rrokulliseshin sumbulla lotësh, që nën avujt e kremit të tortes, ngjanin në vesë freskuese e këtyre ditëve të prillit!
O zot si ishte rrokullisur mullari i viteve stuhishëm në lumin e të cilave kishin rrëshqitur aq shumë gjëra! Të mira, të këqia, të sikletshme, jo të nevojshme e imponuese…
Qaja, sepse ti vërtetë nuk e meriton afrimin e pleqërisë! Ku do të tretet gjithë ai vullnet për punën, cilado qoftë ajo! Ku do të tretet gjithë ajo përgjegjësi e kujdes ndaj prindërve, ndaj familjes së ngushtë e të gjërë!
Në cilat petale të kohës, do të thërmohet gjithë ajo dashuri babai që ke derdhur në dy fëmijët tu!
Ku do të tretet dashuria ndaj njerëzve dhe kombit tënd!
Apo, ndoshta e gjithë kjo do të gjejë strehë diku në univers…
Ne, familja juaj që të ishim pranë tërë këto vite, u mësuam që mëngjeset tona mund të fillonin me shumë gjuhë nën kulmin e shtëpisë sonë! Shpeshherë ngjante sikur jemi në një strehë shumëkombëshe e shumëgjuhëshe!
Ishin ata artist ndërkombëtarë të cilët kur vinte momenti të vinin në Kosovë, e thërrisnin të mirreshin vesh për hollësirat më të vogla të ardhjes së tyre! Dhe ardhja e tyre bëhej nga shumë vende të Europës, nga shumë laryshi gjuhësh e dokesh!
U mësuam me cingërrimën e telefonit në orët e hershme të mëngjesit! Ishin gazetarët e mediave nga më të ndryshmet të cilët në prag të koncerteve, donin të informonin dëgjuesit e tyre!
U mësuam me orët e stërzgjatura të punës tënde të palodhshme! U mësuam me udhëtimet koncertale të shumta! Kudo! Në Amerikë, në Japoni, nëpër të gjitha shtetet europiane!
U mësuam të bëheshim pjesë e përplotë çasteve që mblidheshin në lëmshin e ngjarjeve herë të bukura dhe të paharruara e herë të sikletshme që përballoheshin me zor!
Të lumtura ishin ato momente kur mundi dhe djersët e shumë ditëve e javëve mbuloheshin suksesshëm si kurora dafinash të freskëta!
Të sikletshme e të dhimbshme ishin atëherë kur vullneti, dëshira, vizioni, përplaseshin në mykun e injorancës …
Në shijen e athët të ngutisë e stresit që nganjëherë grumbullohej sikur pëlhura e reve të zeza në qiellin e para shiut, sidomos në ditën që ishin performancat e dhjetëra e qindra herave gjatë këtyre viteve, Ti na dukeshe një individ në të cilin fshiheshin përplotë individ të tjerë!
O Zot ! Po si ishte e mundur gjithë kjo energji! Gjithë ky vullnet!
Gjithë kjo punë ndër vite me ditë e netë të tëra numrim, e ngjyerë me dashuri hyjnore për artin e kombit tënd, për vlerat dhe virtytet ngjashëm me kaltërsinë e qiellit shkëlqim në avujt e kësaj toke, që ti ishe i destinuar të bëje ecejakjet e asaj që quhet Jetë!
Ka aq shumë gjëra për të thënë! Një jetë e tërë përplotë thurje ëndërrash për më të bukurën, për më të virtytshmen…
Por, le të flet koha, le të flasin vitet, le të flet vet puna dhe le të mbështillen prajshëm në pëlhurën e këtyre gjashtë dekadave tua!
Andaj, në emër të dy fëmijëve tonë – Artës dhe Visarit, në emrin e gjithë jetësisë së viteve bashkë,
Gëzuar Ditëlindja e 60-të!
Postime të Lidhura
VAXHID SEJDIU: NJERËZIT E DËRZHAVËS (1)!
Shkup, 22. 04. 2015 – Shkupit i ka ra një hije e rëndë. Jeta shqiptare është rënduar nën…
PASHTRIKU: PROTESTA NË FRANKFURT- KUNDËR POLITIKËS VARFËRUESE QË PO REALIZOHET NGA ‘BE’ DHE ‘BQE’!
Pashtriku.org, 31. 05. 2013 – Lëvizja ‘Blockupy’ ka mbledhur mijëra protestues, të cilët sot në mëngjes kanë bllokuar…
ALI MEHMETI: RINIA E DIASPORËS E KA “KAPUR IDENËâ€
Gjenevë, 9 shkurt 2021: Ditëve të fundit është shpeshtuar pyetja e habitshme nga disa “të habiturit”, se pse…
HIPOKRIZIA E KRYEMINISTRIT RAMA …
Hipokrizia e Kryeministrit Rama me “lavdërimet” për artistet e xhudistet e Kosovës Nga Skënder S. KAPITI, Durrës –…