GJOKË DABAJ: TË PUNOJMË PËR NJË REALPOLITIKË SHQIPTARE

Durrës, 3 qershor 2012 – I mbushur deri në fyt, deri ku s’mban më, me indinjatë, pata bërë një shkrim plot me sarkazma. E mbajta nëpër duar, e zjeva në mendje, pastaj hoqa dorë. Ç’do të fitonim, nëse e publikoja? Do të fitonim atë që dikush tjetër të kërkonte edhe ai shprehje “sa më të forta”, ndaj meje e jo ndaj atyre që e kanë realisht fajin. Kështu, në vend që të gjenim një rrugë racionale, në një kohë kur lakmuesit e tokavet shqiptare do t’i kryenin punët e veta, siç po i kryejnë, ne do të merreshim me njëri-tjetrin.
Ia ndërrova edhe titullin dhe thashë: Të punojmë për një realpolitikë shqiptare! Dua të them me këtë: Politika “të arsyeshme” ndaj nesh, sipas këndvështrimit të tyre, mund të kenë shumë politikanë dhe shumë shtete, por ne shqiptarët duhet të kemi politikën tonë të arsyeshme. Duhet të kemi një realpolitikë tonën, me të cilën t’ia mbushim mendjen jo vetëm vetes, por edhe atij tjetrit, kushdo qoftë ai. Teoria mbi të quajturin “shkëmbim territoresh” në truallin e Shqipërisë (gjeografike), nuk është e pranueshme për ne shqiptarët. Në truallin e Shqipërisë nuk duhet as të hamendësohet, as të pranohet, kurrfarë “shkëmbimi territoresh”: Më jep këtë tokë timen e unë po të jap këtë tjetrën,  që gjithashtu është e imja. Asnjë vend në botë e, rrjedhimisht, as Shqipëria, nuk përcaktohet vetëm me faktin se të cilës etni janë banorët. Për të përcaktuar një vend, ka disa faktorë. (Nuk po i numërojmë këtu.)

_____________________________________

Në Shqipëri jetojnë dhjetëra mijë romë. Ç’do të thoshim nesër, kur psh romët e Elbasanit, të arrinin e të vinin në krye një Nikoliq, një Koshtunicë, një Tadiq, të merrnin përkrahje e armë prej një vendi të ngjashëm me Rusinë dhe të na thoshin: Elbasani është yni, sepse ne jemi shumicë!? Në Shqipëri ka boshnjakë, psh në rrethin e Durrësit. Në Shqipëri ka ashkali dhe goranë, psh në trevat e Prizrenit e të Kukësit. Në Shqipëri ka grekë, psh në lindje të Gjirokastrës, edhe brenda në Gjirokastër. Në Shqipëri ka sllavomaqedonë, psh në Manastir, në Ohër, në Kërçovë, në Shkup. Në Shqipëri ka edhe kinezë, psh në Tiranë e gjithandej, dhe dihet që Kina nuk është ndonjë shtet i pafuqishëm. Kështu, me “realpolitika” të njërit apo tjetrit, Kombi shqiptar nuk do të pushonte kurrë së humburi territore, herë me “shkëmbime”, herë pa kurrfarë shkëmbimi. Do të na kërkohej Golloborda, do të na këkohej Liqenasi i Prespës, në shkëmbim gjoja me Tetovën. (Janë thënë këto gjëra në media.) Pastaj, ose në të njëjtën kohë, do të na kërkohej Pogradeci. Pse. Pogradeci?! Sepse ka emër sllav dhe kjo “dëshmon” që aty jeton popullatë me prejardhje sllave. Grekët po kërkojnë pjesë të tjera të Shqipërisë (veç atyre që na i kanë marrë), që nga Himara deri në Korçë. (Edhe kjo është thënë e po thuhet në media.)
Le që, a është shtruar ndonjëherë pyetja: Kujt “do t’ia jepte” Anamoravën Sërbia, pasi të na i ketë marrë (me ose pa autonomi), Leposaviqin, Zubin Potokun, Trepçën, Zveçanin (Doemos, Trepçën e Zveçanin, se ata u duhen më shumë.) dhe Mitrovicën Veriore? Kujt kish për t’ia “dorëzuar” Sërbia Anamoravën, në shkëmbim të këtyre që ne sapo pranuam t’ia japim?! Një shteti që nuk e ka njohur?! Një shteti ku Sërbia nuk ka ambasadë?! Apo Ministrisë për Çështjet e Kosovës, që e ka në Beograd dhe për të cilën askush nuk ia bën as gjysmë vërejtjeje?! Sërbia ende nuk i ka hequr, nuk i ka abroguar, ata nene të Kushtetutës Millosheviqjane, me anë të cilëvet i është hequr Kosovës autonomia. Ia ka hequr Kosovës autonominë (për të cilën duhej të alarmohej bota e të mblidhej Këshilli i Sigurimit) dhe na u propozoka që t’i japim Leposaviqit autonomi!!! Pra, duhet ta kemi të qartë, të paktën ne vetë: Anamorava nuk do t’i jepej kurrë Republikës së Kosovës, ndërsa Kosova Veriore mund të përfundojë një ditë si Ingushtetia. “zyra speciale” s’është tjetër veçse portë për të hyrë atje, mbase qysh nesër, “specialët” e Nikoliqit.
Qëndrimi i shqiptarëvet duhet të jetë i prerë, unanim dhe i pandryshueshëm në kohën dhe në gjendjen që është sot Ballkani. E para: Ne shqiptarët aktualisht nuk kërkojmë ndryshime kufijsh të shtetevet ekzistues. Janë 2 shkaqe kryesorë që na e imponojnë këtë qëndrim tonin: 1. Nuk kemi fuqi, as ekonomike, as politike, as ushtarake. 2. Nuk dëshirojmë të bëhemi shkaktarë destabilizimi në rajonin ku jetojmë, sepse çdo destabilizim, shkaktuar prej nesh, do të na kthehej në bumerang. E dyta: Nëse dikush i jashtëm, qoftë edhe dashamirës si z.J.Bugajski, do të na këshillojë apo do të na kërkojë ndryshim të kufijvet shtetërorë, ne shqiptarët mund të pranojmë vetëm zgjërimin e tyre dhe çuarjen në caqet e shekullit XIX, ku edhe kanë qenë deri në Traktatin e Shën Stefanit.
Kjo është realpolitika jonë. Tjetër “realpolitikë” në kurrizin e shqiptarëvet Kombi ynë nuk mund të pranojë! E dimë që imponimi e ka edhe komponentin e mashtrimit brenda vetes, por ne nuk duhet kurrsesi të biem në kurthe të tillë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura