GJOKË DABAJ: LAJM I MIRË-SHQIPËRIA DHE MYZEQEJA, SË SHPEJTI ANËTARE NË BE

(Durrës, 21. 02. 2013) – E dëgjova këtë lajm dhe m’u bë zemra mal. Shqipëria i kish miratuar të 3 ligjet. Kish miratuar edhe kërkimet për eshtrat greke. Myzeqeja, krah për krah me Shqipërinë, i kish zgjidhur disa probleme që e shqetësonin bashkësinë ndërkombëtare, dhe tash, të 2 flamujt tanë do të valëviteshin krenarë, mbi 2 shtiza të larta, mu në Bruksel.
Uji ishte i ngrohtë, shkuma e sapunit dhe e shampos ma kish mbuluar trupin, qeshë zhytur i tëri në një kënaqësi të papërshkrueshme, kur spikeri, edhe ai dukshëm i kënaqur, vazhdoi ta lexojë artikullin e gazetës që kish përpara: Edhe Labëria e Shqipëria pritet që së shpejti të pranohen në BE. Edhe Tropoja e Shqipëria… Edhe Malësia e Madhe, që nga Vraka deri në Han të Hotit, jo përtej Hanit të Hotit, së bashku me Shqipërinë, do të pranohet në BE. Mendohet që, pas kësaj, pasi të jetë zgjidhur e sqaruar ajo puna e Shtëpisë së Verdhë, edhe Mati, ashtu si Shqipëria, ta shohë veten në BE. Por as Devolli nuk do të mbetet pa u pranuar, krahas Shqipërisë, në BE.

Ecja e shqiptarëvet për në Europë!

……………………………………………….

Të 27 apo 30 flamujvet të Europës, do t’u shtohet kështu edhe vargu i flamujvet të shqiptarëvet, tashmë plotësisht të europianizuar. Në krye do të vihet flamuri i Myzeqesë, pas tij i Labërisë, i Tropojës, i gjysmës së Malësisë së Madhe, i Matit (që do të jetë i verdhë), i Devollit (me kryqat e grekëvet të vrarë aty më 1949-n), në fund fare, edhe ai i Shqipërisë, me shqiponjën e zezë 2-krerëshe.
BE…BE…BE…BE…BE…BE…
Papritur, ndjeva se më ishte ftohur uji në vaskë. I hapa sytë. Paskam qenë në kllapi! Nëpër veshë ende më kullonte rrokja e butë, mikluese, BEBEBE, si blegërima e një deleje të tejplakur.
U shkunda, u çova duke u dridhur. Nuk e di çfarë bëra, au vesha apo mbeta lakuriq. Kokën po ma rrihte nga brenda, si një bubullimë, shprehja tashmë e standartizuar në fjalorin tonë të përditshëm: SHQIPËRIA DHE KOSOVA. Arsyeja e vërtetë e halucinacionit tim të frikshëm! Të frikshëm, edhe vetëneveritës!
Është bërë tashmë pjesë e zhargonit tonë: SHQIPËRIA DHE KOSOVA. Kemi mbaruar që të gjithë nga një shkollë. I kemi, midis dokumentevet, dëftesat e shkollës fillore dhe prapë s’na duket gabim I madh të themi: KOSOVA DHE SHQIPËRIA. SHQIPËRIA DHE KOSOVA. Kemi mbaruar edhe nga një shkollë të mesme. I kemi nëpër sirtarë e valixhe dëftesat e pjekurisë. Dëftesat që rrahin të dëshmojnë, me firma e me vula, se jemi njerëz tashmë të pjekur, dhe prapë e përdorim pa teklif shprehjen: SHQIPËRIA DHE KOSOVA. Kemi mbaruar edhe nga një fakultet, madje, mund të kemi edhe tituj, Dr i shkencavet, Prof Dr, dhe prapë, pa farë shqetësimi, natyrshëm fare, i shqiptojmë sloganet: KOSOVA DHE SHQIPËRIA. SHQIPËRIA DHE KOSOVA.
Balli im dhe unë, veshi im dhe unë, barku im dhe unë, veshkat e mia dhe unë, u vizituam te mjeku. Mjeku preku në fillim ballin tim, pastaj edhe mua. Mjeku më bëri ekon e veshkavet dhe, me atë rast, ma mati edhe mua pulsin.
Gazetarë të shquar (Ata që kemi. S’kemi të tjerë!), e kanë kulturën e nevojshme dhe prandaj na thonë: “Zonja H.Klinton e vizitoi më parë Kosovën, pastaj erdhi edhe në Shqipëri.”
E gjithë kjo mençuri e jona, ky kujdes i yni për të qenë europianë të mirëfilltë, para se me qenë shqiptarë me këmbë në tokë, lulëzon në të njëjtën kohë kur edhe qytetari më i arsimuar i Sërbisë, 5 vjet mbasi Kosova është shpallur shtet më vete (larg dhe jashtë Shqipërisë), nuk ngurron të thotë: Kosova është Sërbi. Dhe Sërbia nuk ngurron të ketë ministri për Kosovën e Metohinë, mu në Beograd. Dhe nuk ngurron të ketë Sërbia një kushtetutë, ku Kosova dhe Metohia të emërtohen si pjesë e Sërbisë.
E gjithë kjo mençuri e urtësi e jona, për të qenë evropianë të mirëfilltë, para se me qenë shqiptarë me këmbë në tokë, lulëzon në të njëjtën kohë kur Greku, i cili gjithashtu e ka një diplomë shkollore, nuk ngurron të deklarojë që Vorio Epiri është Greqi. Deputetët dhe ministrat grekë nuk ngurrojnë të mbajnë në zyrat e veta, edhe kur u shkojnë për vizitë delegacione nga Rep.e Shqipërisë, harta të cilat Greqinë e çojnë deri në Elbasan.
Ndërkombëtarët, ndërkaq, sapo ne të përmendim një Preshevë apo një Prevezë, vihen në lëvizje, që, Zot na ruaj, thua se ka rënë meterori mu këtu.
E unë tash, mbasi kam dalë prej vasket, duke u dridhur, pyes veten: Ç’do të thoshte Sërbia dhe ç’do të na thoshin ambasadorët, nëse ne do t’u jepnim pensione preshevarëvet? Mos u përzieni në punët e brendshme të Sërbisë, do të na thoshin. Ç’do të thoshte Greqia dhe ç’do të na thoshin ambasadorët, nëse ne do t’u jepnim pensione paramithiotëvet e janinjotëvet? Ç’do të bënte Greqia, nëse do të dilnin shqiptarët e Janinës, me flamuj shqiptarë në duar, për të kërkuar pensione nga Tirana?
Më në fund dhe fare në fund:
A do të shqetësoheshin kaq shumë këta zotërinj ambasadorë, nëse z.H.Thaçi do t’i thoshte sot z.I.Daçiq: “Merre, more, Mitrovicën e Veriut! E kam lejen prej kuvendit!” ?! Jo!! Ju betohem që jo!! Përkundrazi, do ta ndienin veten të lehtësuar.
Dhe, për të gjitha këto, s’na e ka fajin askush tjetër, përveç vetë nesh. S’na e kanë fajin ambasadorët. E kemi ne, që u plakëm e po vdesim pa e mësuar gjuhën shqipe. Duhet në radhë të parë ne vetë ta mësojmë gjuhën tonë, pastaj t’u kërkojmë të tjerëvet ta njohin këtë gjuhë dhe ta pranojnë. Edhe të përditshmen, edhe diplomatiken.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura