ELVIS HOXHA: ISA MUSTAFA FOLI ME KOMITETIN E TIJ

Tiranë, 23. 10. 2015: Komiteti foli. Komiteti u mblodh rreth Isa Mustafës. Komiteti tha se demokracia është arti i votës. Por ky art në rastin e Komitetit synon ta kthejë shprehjen e një populli nëpërmjet votës në një gabim të përjetshëm të kryer mbi veten. Isa Mustafa respekton vetëm ligjin – si dikur -, madje ligji për të përkufizon idealin. “Idealet tona duhet të përkufizohen me ligj”.
Sa bukur dhe sa dhimbshëm. Kushtetutën na e cenoi Ahtissari, ekzekutivin EULEX-i, mendimin politik ndërkombëtarët. Ideali na erdhi nga jashtë. Ne po përpiqemi ta vëmë në ligj. Pra, ç’tha Komiteti: ky popull bëri një gabim, na zgjodhi ne që me 2/3 e votave ratifikuam një ligj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këtë gabim do ta kthejmë në faj dhe ndëshkimin e këtij faji mbi shqiptarët e Kosovës do ta përkufizojmë me ligj në mënyrë që ai të jetë një faj i përjetshëm.

Cili është ky gabim i popullit: populli zgjodhi në Kuvendin e vet njerëz që nuk e kanë problem nëse Kosova është multietnike.
– Cili është populli dhe cili Komiteti?
– Populli është pa ideal dhe Komiteti është për ligj.

Kështu mendon Komiteti. Epërsia e ligjit përcaktohet thjesht kur nuk ka ideal. Kjo ide pa ideal e Komitetit është forcuar nga dialektika e pashembullt që e sheh sot Rugovën të përfytyruar në Mustafë dhe Jasharajt në Thaç. Nëse duam ta themi në formë vullnetesh përfytyrimi do të jetë më i thjeshtë. Me Rugovën kishim as më shumë e as më pak ushtrimin e një vullneti shqiptar përballë sundimit serb. Me Mustafën do të kemi ushtrimin e një pushteti serb ndaj sovranitetit të Kosovës. Sepse mendja e mykur e Komitetit të Isa Mustafës nuk ka lidhje as me idealin, as me historinë, as me emrin shqiptar të vet rezistencës, kjo dialektikë do të kthejë nga Serbia dhe një herë. Mustafa dhe komitetet e tij mund ta gjymtojnë dhe një herë tjetër njësinë e shqiptarëve. LDK-ja nuk kupton më veten. Ndërsa PDK-ja po bëhet LDK. Ky është gabim i popullit: ka vënë shejtanin dhe budallanë në krye. Të paaftë për ideale ata po na trembin me forcën e ligjit. Pra, jo vetëm “Zajednica”, por forca pa ideal nuk duhet të kalojë.
Dhe Isa Mustafa e tha qartë: Ne nuk mund të lejojmë vendosjen e referendumit në Kosovë, sepse kësisoj mund të paraqitet mundësia që Kosova të jetë shqiptare. Referendumi mund të përdoret në mënyrë të papërgjegjshme. Kuptohet, sipas Mustafës, populli është i papërgjegjshëm për referendume, ai di dhe ka përgjegjësi sa për të vënë hajnat në krye, por jo për të mbartur sovranitetin. Populli është i papërgjegjshëm. Papërgjegjshmërinë e tij duhet ta zëvendësojmë me korrupsionin e organizuar të deputetëve të LDK-së dhe PDK-së. I ngjan kryekëput Sava Janic: edhe ai do një Kosovë të krimit të organizuar, pasi populli shqiptar është neonazist nga natyra.
Vëmendja e popullit të Kosovës duhet të jetë e thirrur nga çdo frazë që thërret për multietnicitet.
Sepse multietnicitet në Kosovë do të thotë vetëm dy gjëra:
1. Në Kosovë do të ketë vetëm serbë dhe kosovarë;
2. Meqë Kosova është ose e Serbisë, ose e shqiptarëve, serbët e Kosovës do t’i nënshtrohen njërës prej dy zgjedhjeve dhe dihet mirë cilës.

Dhuna e Serbisë e ushtruar nga Komiteteti i Isa Mustafës synon t’i shndërrojë serbët e Kosovës në pushtet të Beogradit dhe shqiptarët e Kosovës në kosovarë. Ky është stabilizimi që Mustafa e ka aq për qejf prej 1980-s. Stabilizimet, të cilëve u qëndron besnik, janë të gjitha ligjvëniet ku nuk ekziston shqiptari i Kosovës. Qeveria dhe Komiteti i tij po realizojnë në fakt një Kosovë monoetnike: etnia e vetme janë serbët. Për faj të virtytit demokratik populli kryen domosdoshmërisht gabim, mendon Isa Mustafa. Dhe kur populli kryen një gabim, bën fajin më të madh mbi veten po ia shijoi frytet e këqija deri në fund, këtë mendojmë ne të rrugës. Udha e së keqes nuk duhet asfaltuar, por mbyllur.
Isa Mustafa mendon gjithaq se populli është budalla. Se populli çdo gabim logjik mund ta marrë për vërtetësi juridike: Jo Asociacioni, por komunat vendosin për çdo gjë. Kështu na tha Mustafa. Kjo është si të themi se lukunia e ujqve nuk do ta hajë qengjin nëse ujqit veç e veç nuk kanë oreks. Pra, shkurt. Populli ka faj nëse ne i japim përkatësi serbe. Ne thjesht po zbatojmë ligjin. Populli është budalla, si i tillë ai është i papërgjegjshëm për t’u shprehur në referendume. Kjo është filozofia e Isa Mustafës. Natyrisht që pas ca vitesh këtë filozofi do ta urrejmë, por do të jetë vonë sepse pasojat e saj do të jenë ligje mbi kokat tona. Nëse nuk zbatojmë idealet e luftëtarëve sot, do të pësojmë pasojat e këtyre paramilitantëve të serbëve nesër.

– Autori është profesor i Filozofisë.

Emisioni “Komiteti” – Mysafir, Isa Mustafa:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura