(SHBA, 03. 10. 2012) – “Bashkimi nuk është që të ulim kryet përpara njëri-tjetrit, por të merremi vesh njerëzishëm, të punojmë të gjithë të lirë, për një qëllim, për ta bërë Shqipërinë e Vërtetë. Nocioni i Shqipërisë së Madhe është një trillim i grekëve dhe sllavëve, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë Shqipëri të Madhe, por Shqipëri të bazuar në kufijtë e katër Vilajeteve”. (…) Përderisa jemi shqiptar, ne jemi të gjithë të një fisi, të një toke, të një gjaku. Unë vij prej Dibre, një tjetër prej Çamërie, njëri vjen prej Kosove e kështu me radhë nga trojet tona etnike. Se shihni vallë që sot, në shekullin e 21, jemi të copëtuar e të ndarë si në kohërat e principatave. E pra, sot duhet ti lëmë mënjanë grindjet, egoizmat dhe interesat e ngushta ekonomike dhe mbi të gjitha interesat personale të ngremë lartë Përmendoren e Bashkimit Kombëtar. Tani si kurrë më parë, të bashkuar, të ngjeshur njësh, nën besën e dhënë që 100 vjet më parë, mund të realizojmë ëndrrën shekullore të stërgjyshërve.
Kush mund t’ua tregojë rrugën e bashkimit Shqiptarëve? Kush ka për detyrë por dhe mundësinë për t’u treguar rrugën e shumëdëshiruar, ëndrrën shekullore? Ja pra një pyetje që u vihet sot intelektualëve, si atyre brenda njashtu dhe atyre jashtë Shqipërisë. Është e hidhur të themi se: ushtarakë, politikanë dhe intelektualë të lavdishëm me origjinë shqiptare, jo vetëm që nuk luftuan për t’ia treguar rrugën e bashkimit këtij populli tragjik, por bënë çmos për të ndarë nga kombi pozitën e tyre. Shumë prej tyre fshihnin edhe origjinën e tyre në shtetet ku bënë karrierë. A nuk ishin shqiptarët që bënë shtet Egjiptin, Greqinë, Turqinë, Garlibaldi i Italisë, Napoleoni i Francës etj; për të përfunduar në themelimin e Maqedonisë së sotme.
Shqiptarët që jetojnë në Diasporë, në veçanti intelektualët e Diasporës edhe pse ndodhen larg tokës mëmë, kanë përparësinë të shohin çka ndodh në Tokën mëmë me qartësi mendore më të madhe dhe më objektivisht, prej përvojës që kanë nga kontaktet ndër vite me popuj tjerë për zgjidhjen e problemeve kombëtare të rëndësishme. Prandaj sot disa intelektualë të Diasporës në SHBA kanë marrë përsipër iniciativën për Bashkimin Kombëtar, por duhet të bëjmë kujdes nga Virusi i përçarjes që buron nga kryeneçësia. Ky Virus është akoma i fortë në mendjet dhe shpirtrat e politikanëve bajraktar. Të gjithë së bashku mund ta realizojmë Amanetin e të parëve, Një Komb në një Shtet, me një Pasaportë.
………………………………………………………….
Me njohje të thellë të historisë së vërtetë, populli do të ndërgjegjësohej jo vetëm për virtytet e tij, por kryesisht për të metat e tij dhe do të gjejë mënyrën t’i kapërcejë të metat dhe të kultivojë virtytet. Dhe ky obligim ndodhet kryesisht në supet e intelektualëve. Në mënyrë të veçantë, intelektualët e diasporës edhe pse ndodhen larg atdheut të tyre, kanë përparësinë t’i hidhen përpjekjes për gjetjen e zgjidhjes për problemet e rëndësishme kombëtare. Kultivimin adekuat të ndërgjegjësimit dhe përqendrimin në gjetjen e lidhjes së unazave të humbura të zinxhirit kombëtar, do të konsideroja si detyrë të rëndësishme për intelektualët e diasporës. Sepse të përçarë nën sundimin e bajraktarëve lokalist të gjithë mund të mbesim në jetë të jetëve skllevër modern të sllavëve dhe grekëve. Ndërsa Diaspora shqiptare të cilës i digjet shpirti për Ëndrrën e Atdheut të Bashkuar do të ishte e dënuar të jetoj nëpër dhera të huaja, duke mos e puthur kurrë më tokën mëmë.
Gjendja e vërtetë e shqiptarëve në Ballkan është ende e vështirë dhe e mjerueshme si në fillim të shekullit 20. Në Mal të Zi shqiptarët votuan për një shtet demokratik të pavarur, por atje shqiptarët burgosen, akuzohen si terroristë, ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar dhe përjetohen të tjera veprime që bien ndesh me parimet e demokracisë së vërtetë.
Në Luginën e Preshevës shqiptarët vazhdojnë të dhunohen në mënyrë sistematike nga pushteti i Beogradit, dhjetëra djem arrestohen dhe dënohen pa asnjë dëshmi, pa asnjë shkak. Atje, gjendja lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut është shumë e mjerueshme edhe pse ekzistojnë shumë marrëveshje të firmosura nga Serbia për respektimin e këtyre të drejtave. Numri i trupave të policisë speciale dhe të ushtrisë serbe janë shtuar kohëve të fundit të cilat qarkullojnë nëpër vendbanimet shqiptare.
Shqiptarët nga Çamëria vazhdojnë të kenë të ndaluar të vizitojnë shtëpitë e tyre, varret e gjyshërve. Jemi dëshmitarë që shteti grek ka kthyer mbrapsht pas asnjë pretekst dhe sqarime qindra të moshuar të cilët më lot në sy kanë synuar plotësimin e dëshirës së fundit; për të shkelur në Çamëri, për të kaluar edhe njëherë kalldrëmet e rrugicave të fshatrave të tyre ku kanë kaluar fëmijërinë. Greqia me këto veprime ka vërtetuar se vazhdon të ndjekë politika raciste duke iu ndaluar ish-shtetasve të saj vizitat për të kryer edhe ritet fetare në varret e të parëve.
Në Shqipëri politikanët vazhdojnë të çirren për demokraci, por ata prej kaq vitesh nga rënia e sistemit komunist, merren vetëm me fjalë duke penguar njëri-tjetrin. Ky lloj veprimi ka bërë që Shqipëria të jetë e vonuar politikisht për tu anëtarësuar në BE. Kuvendi i Shqipërisë dhe Qeveritë shqiptare ndër vite nuk kanë hedhur sytë për të ndihmuar shqiptarët në trojet etnike që janë të shkëputura nga Dheu mëmë me dhunë në fillim të vitit 1913. Shqipëria ka detyrim që të kujdeset për pjesën tjetër shqiptare edhe përse ato ndodhen juridikisht nën juridiksionin e shteteve të tjera, por shpirti dhe zemra e çdo shqiptari rreh fortë për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, me një pasaportë, bashkë në një shtëpi ku shqiptari nga Çamëria, nga Maqedonia, nga Presheva, Kosova, Mali i Zi do të ulen tok në një sofër me shqiptarin nga Tirana. Nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarët e këtyre trevave, nuk mund të ekzistojë një shtet i fuqishëm shqiptar pa u bashkuar të gjithë bashkë nën një kulm. Sepse prej kaq vitesh mbi kokën e qeverive shqiptare qëndron hanxhari i grekëve dhe serbëve të cilët janë gati ta gëlltisin të tërën si një sandviç ashtu siç kanë bërë ndër shekuj me radhë.
Në Maqedoni ende vazhdon një gjendje e mjerueshme për shqiptarët në çdo aspekt të jetës edhe pse në vitin 2001 u firmos një Marrëveshje Kornizë në Ohër për respektimin e gjuhës, flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare për shqiptarët dhe kombet e tjera që jetojnë në këtë Republikë shumetnike. Prej kaq vitesh jemi dëshmitarë se qeveritë nuk punojnë për një Maqedoni shumetnike, por për një Maqedoni vetëm e sllavo-maqedonasve duke shtypur popujt e tjetër. Sot për fat të keq politika e shqiptarëve të Maqedonisë është pa vizion të qartë. Nëse analizojmë deklarimet publike të politikë-bërësve aktual në asnjërën prej tyre nuk do të gjejmë ofertë apo ide konkrete për tejkalimin e gjendjes së mjerueshme të shqiptarëve. Nga ana tjetër është skajshmërisht e pakuptimtë dhe e dyshimtë frika dhe turpi për të thënë troç kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve në Maqedoni. Pushtetarët e shumicës sllavo-maqedonase po realizojnë me hapa të shpejta ëndrrën e kamotshme për krijimin e shtetit një-etnik, ekskluziv maqedonas duke shpikur dhe huazuar pikë referime historike për lashtësinë e tyre, duke u ndeshur në këtë udhëtim jo vetëm me shqiptarët por edhe me gati të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Partitë politike shqiptare qëndrojnë të ngujuar në istikamet e tyre, duke besuar çdonjëra për të arriturat e veta dhe duke mos çarë kokën për një strategji të përbashkët veprimi.
Te partitë tona mungon puna sistematike dhe e planifikuar mirë. Strategjitë dhe politikat e partive tona janë ditore dhe të ¬çastit dhe zakonisht vijnë si kundërpërgjigje ndaj ndonjë veprimi të partnerit maqedonas në qeveri apo të partive opozitare. Partitë shqiptare janë duke fajësuar aq thellë dhe fuqishëm njëri tjetrin, duke radhitur dështimet e njërës apo tjetrës parti në lëmi të ndryshme, duke na bërë të konstatojmë që gjatë këtyre 2 dhjetëvjeçarëve të pluralizmit arritjet janë të pakta. Në mungesë të ideve, planeve dhe kuadrove të aftë për të jetësuar këto ide dhe plane, partitë shqiptare kanë gjetur rrugën më të lehtë, thurjen e odave nacional romantike mbi të kaluarën, oda të ndërthurura me dëshirat e tyre për një të ardhme të imagjinuar. Përditshmëria e partive politike shqiptare është e përmbushur me përgjigje e kundërpërgjigje mbushur plot e përplot me fyerje e ofendime drejtuar njëra-tjetrës. E gjithë kjo ka sjellë që faktori politik shqiptar të mos merret seriozisht jo vetëm nga politika maqedonase por edhe nga faktorët rajonal dhe miqtë ndërkombëtar.
Nga veprimet e turbullta të partive shqiptare pushteti sllavo-maqedonas ushtron dhunë, presione pa kufi. Jemi dëshmitar të arrestimeve në masë dhe pa asnjë dëshmi duke i akuzuar shqiptarët pa të drejtë si terroristë islamik. Ende nuk është faktuar akuza e terrorizmit që iu bë shqiptarëve në fillim të vitit 2012, kur policia na ofroi një spektakël të llojit të filmave Hollywood-ian. Flamuri dhe gjuha jonë pas 100 vitesh vazhdojnë të jenë ilegale në shtetin e Maqedonisë, në shtetin në të cilin pretendojmë se jemi themelues të saj. Historia e librave sllavo-maqedonase ku ofendohet një popull i tërë nuk kanë të ndalur, ende Enciklopedia e famshme sllave qarkullon si një libër i shenjtë, një palo libër ku nuk ofendohen rëndë vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, fqinjë me Maqedoninë e sotme.
Janë mijëra shqiptar të lindur, të martuar me shtetas të Maqedonisë të cilëve u mohohet e drejta e shtetësisë duke mos figuruar askund, njerëz pa ardhmëri. Ka fshatra të tëra në të cilat asnjë banor nuk është shtetas i Maqedonisë dhe askush nuk interesohet për këtë gjendje tragjike. Strukturat e po këtij shteti iu mohojnë të drejtën e shtetësisë me pretekstin se janë të rrezikshëm për këtë republikë të brishtë. Mos dhënia e shtetësisë njerëzve që kanë dhjetëra vite që kanë krijuar familje, jetojnë në Maqedoni, në këtë mënyrë u ndalohet integrimi në jetën shoqërore dhe kulturore të shtetit ku paguajnë taksat e ndryshme.
Qytetarët e Maqedonisë i prijnë listës së kallëzimeve penale të ngritura pranë Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Në këtë gjykatë janë parashtruar mbi 1.300 kallëzime penale nga ana e qytetarëve kundër shtetit të Maqedonisë, për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Mirjana Lazarova – Trajkovska, gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut ka deklaruar kohë më parë se problemi i mbingarkimit të kësaj gjykate me lëndë nga Maqedonia është krijuar për shkak të jo-efikasitetit të gjyqësorit në vend. Të drejtat e njeriut dhe rastet e shkeljes së tyre duhet të zgjidhen nga gjykatat vendore, duke respektuar standardet e Gjykatës Evropiane.
Nga e gjitha kjo sa thamë më lartë të gjithë këto mangësi do të eliminohen lehtë kur postet drejtuese do tu jepen gjeneratave të reja të cilët karakterizohen me njohuri profesionale, qëndrueshmëri kombëtare, njerëz që prioritet do të kenë avancimin e popullit të vet e jo ngritjen personale. Pra, duhet të themelohet një garniturë e re politike që nuk do jetë vasale dhe peng i dosjeve të spiunazhit sllav. Prandaj, ne bijtë e tokës shqiptare të cilët pas shtypjeve të ndryshme politike emigruam në SHBA, vendosëm krijimin e lëvizjes së re e cila do të bëjë përpjekjet për nxjerrjen e popullit shqiptar nga kjo katrahurë në të cilën e kanë sjellë dhe vazhdojnë ta mbajnë politikanët tanë.
Po përse unë i them të gjitha këto gjëra dhe përse i kam hyrë kësaj iniciative? Po i shkruaj, ore, vëllezër që shqiptarët të shkojmë të gjithë bashkë me një mëndje në Europë. Përderisa jemi shqiptar, ne jemi të gjithë të një fisi, të një toke, të një gjaku. Unë vij prej Dibre, një tjetër prej Çamërie, njëri vjen prej Kosove e kështu me radhë nga trojet tona etnike. Se shihni vallë që sot, në shekullin e 21, jemi të copëtuar e të ndarë si në kohërat e principatave. E pra, sot duhet ti lëmë mënjanë grindjet, egoizmat dhe interesat e ngushta ekonomike dhe mbi të gjitha interesat personale të ngremë lartë Përmendoren e Bashkimit Kombëtar. Tani si kur më parë, të bashkuar, të ngjeshur njësh, nën besën e dhënë që 100 vjet më parë, mund të realizojmë ëndrrën shekullore të stërgjyshërve. Ne, do të jemi të pamposhtur sa herë që do të përbuzim vdekjen dhe do jemi të bashkuar në një mendje, do të veprojmë me një BESË. Sepse kemi ardhur në këtë jetë për t’i kontribuar kombit në të cilin Zoti vetë na përcaktoi. Jetët tona dhe atyre afër nesh i përkasin shqiptarisë, prandaj nuk duhet të kthehemi pas nga rruga që kemi nisur që kur kemi lindur për të folur shqip, për tu ndier krenar që jemi shqiptar, për të vepruar me shpirt e zëmër si shqiptar, si Skënderbeu që moti.
– Autori është Ish-Kandidat i Partisë Demokratike për në Kongresin e SHBA.