Pashtriku.org, 15. 06. 2013 – “Tek Homeri pellazgët janë fqinj të Trojanëve.., por në Këngën II (varg. 233) të Iliadës poeti e quan Zeusin që adhurohej në Dodonë të Epirit, Zeusin pellazgjik, gjë që dëshmon se edhe atje banonin dikur pellazgë, dhe në Këngën II (varg. 681) gjithë Thesalinë ose një pjesë të saj e quan “Argos Pellazgjik”.
11. KAPSALI (këshilltar arsimi) “Konkluzionet e gërmimeve në Akropol dhe tradita. Kazma,… udhëheqës i ndritur në gjurmimin e kohëve parahistorike, hodhi dritë mbi historinë e lagjeve të para të Akropolit duke zbuluar se edhe mbi këtë shkëmb të shenjtë jetoi dhe veproi një popull, qytetërimi i të cilit ishte i njëjtë dhe kaloi në të njëjtat faza me qytetërimin e atij populli, që u bë zot i Akropolit, i Tyrinthit dhe i Akropolit të Mykenës, që ishin qytetet më të dalluara të Greqisë akaike..
Sot e pranojnë pothuaj të gjithë që vendet më të vjetra të banuara edhe në Atikë ishin ato të pellazgëve, të degës më të madhe në numër ndër fiset parahelene, e cila kishte njohuri elementare qytetërimi.. Fisi parahelen barbarofon.. autokton i pellazgëve të Herodotit sot pranohet se ka paraekzistuar me të vërtetë dhe jo si një trillim i fantazisë. Skepticizmi superkritik, armik i traditës, u përkul dhe tradita e athenasve për pellazgët Kranaj.. për fisin e pellazgëve Aigialeas dhe të danaasvet si pasardhës të pellazgëve.. besohen sot si dëshmitarë plot besim të ekzistencës së tyre. I papërcaktuar mbetet vetëm vendi dhe koha e prejardhjes së tyre. (Enciklopedia e Madhe Greke – Pyrsos, vol. II, fq. 44).
Pellazgët (Ark.) Quhen kështu nga shkrimtarët e vjetër grekë banorët më të vjetër të vendit të tyre, dmth fiset parahelene, të cilat gjenden të shpërndara jo vetëm në Greqinë kontinentale dhe nëpër ishujt, por edhe nëpër brigjet e Azisë së Vogël, si edhe nëpër brigjet e Ilirisë, të Italisë dhe vendeve të tjera, gati në të gjithë bregdetin e pellgut të Mesdheut, duke formuar këshu një popullsi parahistorike të panumërt.
Origjina e këtij populli, djepi i tij i parë, gjuha e tij, dhe në përgjithësi qytetërimi i tij, kanë preokupuar dhe preokupojnë dijetarët specialistë të arkeologjisë parahistorike dhe të degëve të tjera të afërta të shkencës, por këta duke pasur parasysh edhe informatat e shkrimtarëve të vjetër mbi pellazgët, s’kanë arritur gjer më sot në pajtim midis tyre.
Informatat e shkrimtarëve të vjetër për pellazgët përmblidhen pothuaj në këto: “Tek Homeri pellazgët janë fqinj të Trojanëve.., por në Këngën II (varg. 233) të Iliadës poeti e quan Zeusin që adhurohej në Dodonë të Epirit, Zeusin pellazgjik, gjë që dëshmon se edhe atje banonin dikur pellazgë, dhe në Këngën II (varg. 681) gjithë Thesalinë ose një pjesë të saj e quan “Argos Pellazgjik”…
Gjithashtu Homeri pranoi se në Kretë banonin pellazgë (Odis. XIX, 177) të cilët nuk kishin të njëjtën gjuhë me fiset e tjera që banonin atje (eteokretasit, hydonet, doriejt). Tek Homeri, pra, pellazgët, gjenden të shpërndarë edhe në Greqinë kontinentale, edhe në Azi të Vogël e në ishujt grekë. Sipas Herodotit, burimi kryesor për ata që merren me problemin etnologjik të pellazgëve.., pellazgë ishin jonët dhe eolët, degë e të cilëve ishin akejtë dhe helenët, doriejtë..
Kështu, pellazgët autoktonë, stërgjyshër të grekëve, nuk janë një popull përrallor, por një popull, përrallat (mitet) dhe perënditë e të cilit nuk dallohen nga ato të grekërve, një popull që bashkë me grekët formoi një komb me anë të bashkëjetesës paqësore, të shkrirjes, të ndërrimit vetëm të emrit, siç dëshmon tradita për Danaun se pellazgjotët e Argolidës u quajtën prej tij Danaj”. (Enc. Madhe Greke, 19, 873-874).
12. LEFEVRE “Origjina helenike” (Paris 1893): ”Përballë disa sulmeve… pjesa më e fuqishme e pellazgëve shkoi drejt Dodonës.. pastaj… e lanë vendin. Një profeci e orakullit nga ana tjetër u rekomandonte të shtinin në dorë Italinë. Kështu, para se të helenizohej dhe gjatë mjaft shekujve, bota greke, duke u përfshirë këtu Italia e Jugut, Daunia, Enotria, ka qenë pellazgjike. S’ka fakt më të vërtetë. Tani, nga vinin këta pellazgë kaq të shumtë në numër dhe vendosur në mënyrë të qëndrueshme ndërmjet Ballkanit dhe Kretes, ndërmjet Kalabrisë dhe Kapadekisë?
13. ELEFTHERIADHI (këshilltar juridik special orientalist, në veprën e tij “Greqia pelazgjike – Parahelenët”, Athinë, 1931): “Kështu, pra, sipas dëshmive të prera të të vjetërve, po ata popuj pellazgjikë, që banuan në vendet kryesisht greke, banuan shumë herët dhe shumë para luftës Trojane dhe në të gjithë Italinë, si edhe në Sicili, ku flitej dhe e njëjta gjuhë pellazgjike, shumë përpara dukjes së grekërve, edhe në vendet e tanishme greke, si edhe në Azi të Vogël, sikurse edhe në Itali dhe Sicili, dhe shtoj, dhe në gadishullin Iberik e në Afrikën e Veriut, si edhe në Francën meridionale dhe në shumë vende të tjera (faqe 123).
Dhe popujt pellazgjikë që banonin në gadishullin Iberik, në Francë, në Itali dhe në krahinat greke e në sa e sa vende të tjera ishin që prej fillimit kaq të shumtë në numër, saqë s’është nevoja të imagjinojmë, siç bëjnë Dionisi dhe të tjerët, vetëm një popull pelazgjik, i cili banoi në fillim në Peloponez dhe u çvendos pastaj vazhdimisht në vende të ndryshme, duke bërë kështu paprerë një jetë fort endacake, gjersa edhe ndërtimi i qyteteve të parë edhe qytetërimi i të gjitha vendeve të lartpërmendura u detyrohet pellazgëve, të cilët banuan me mijëvjeçarë të tjera nëpër vendet që kishin pushtuar (faqe 124).
Me këtë mënyrë, pra, pellazgët, përbënin një botë të re pellazgjike dhe bota greke, e formuar dhe e zhvilluar në kohë shumë të mëvonshme, përbën në të vërtetë një shkëputje dhe specializim, një veçanti dhe fazë të asaj bote origjinale të madhe dhe të ndritur (faqe 132). Kështu edhe greqishtja u formua në pjesën më të madhe dhe gati e tëra nga gjuha pellazge shumë e pasur..” (faqe 133).
14. E. ÇABEJ (Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe – Tiranë, 1936): “Nuk do të mundim të kënaqim ata që edhe sot kanë besim të patundur në një origjinë pellazge të gjuhës sonë. Përkundrazi, është koha që, së paku në shkollë, të mos mbushen trutë e nxënësve me hipoteza të mjegullta të mesit të shekullit të kaluar”.
15. ENCIKLOPEDIA BRITANIKE (botim i 11-të, 1910-1911, vol. XXI, fq. 65) “Emri “Pelazg”, që përmendin shkrimtarët grekë, tregon një popull parahistorik, gjurmët e të cilit besohet se ekzistonin në krahinat greke. Qyteti i tyre (i pellazgëve) quhet Larisa, ka qenë i pasur, kurse ata (pellazgët) janë shqiptarët me famë”.
16. G. SERGI (Origjina dhe përhapja e trungut mesdhetar, Romë, 1896 – përkthim anglisht 1901): “Më në fund, karakteri i ndërtimit të murit të vjetër të Akropolit të Athinës (i cili është vepër e pellazgëve) është i njëjtë me atë të të gjitha veprave të ndërtuara prej tyre që nga Azia e Vogël dhe gjer në Spanjë (fq. 65)”.
…………………………………..