HISTORIA E ILIRËVE (4)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Topografia e fiseve Ilire

Një pjesë e madhe e ilirëve siç duket as që ka ditur që i përket një grupi më të gjerë etnik, të cilin ne sot e quajmë ilir; e vetmja gjë që kanë ditur ka qenë ajo se i përkasin një fisi të caktuar, të cilin ne, në bazë të fakteve të autorëve antikë ose në bazë të rezultateve të shkencës bashkëkohore, sot i quajmë ilirë. Këto fise të cilat i njohim edhe me emra të veçantë në viset perëndimore të Ballkanit kanë qenë rreth shtatëdhjetë, ndër të cilat disa që kanë qenë fise shumë të vogla.Emrat e fiseve ilire dhe vendosja e tyre janë të njohura së pari nga shënimet që na kanë lënë autorët antikë dhe nga emrat e gjetur shpeshherë në mbishkrime. Territori i fiseve ilire nganjëherë është fare lehtë të caktohet, por natyrisht vetëm për ato periudha kur për ta kemi shënime të shkruara. Çka ka ndodhur më parë me këto fise, në çfarë drejtimesh kanë qarkulluar, nëse kanë lëvizur, janë çështje për të cilat vështirë se do të mund të përgjigjemi ndonjëherë. Në raste të këtilla vetëm mund të supozojmë se ç’ka ndodhur me ato fise, të cilat i përmendin disa nga autorët e lashtë dhe më vonë u humbin të gjitha gjurmët.

Duke u nisur nga jugu drejt veriut hasim këto fise më të mëdha ilire:

Në pikën më jugore kemi së pari fiset, të cilat kanë banuar Epirin antik (atintanët,5′ kaonët, molosët etj.) të cilët në periudhën historike nuk i përkasin më familjes së fiseve ilire, sepse në ndërkohë kryesisht janë helenizuar, por mendohet se janë me origjinë ilire. Në veri të tyre jetonin taulantët ilirë, të cilët në kohët më të lashta kishin qendrën e tyre në veri të Drinit, në mënyrë që më vonë të shtrihen në jug, në rrethet e kolonive greke Dyrrhachion dhe Apollonia. Simbas disa burimeve ky fis ka qenë i përbërë prej disa fisesh më të vogla siç janë helidonët (Cheilidonioi), sesaretët, abrët (Abrei), partinët (Partini), por shpeshherë këto fise përmenden edhe si të pavarura. Edhe taulantët fqinjtë e tyre enhelejët (Encheleae) gjithashtu lëvizin nga veriu në jug. Duket se ata së pari kanë jetuar rreth Gjiut të Bokës së Kotorit, por më vonë i gjejmë në pikën më jugore të tokave ilire, në mes të taulantëve dhe kaonëve të Epirit. Tek liqeni i Ohrit jeton fisi dasaret (Dassaretae), në veri të atij liqeni, rreth Drinit të Zi, gjenden penesët (Penestae), kurse afër tyre pirustët Pirustae) – xehtarë të mirë, të cilët më vonë në kohën e romakëve, do të shkojnë në Daci për të nxjerrë ar. Besohet se gjurmë të emrave të tyre gjenden në emrin e qytetit Perast në Bokë të Kotorit. Në jug të liqenit të Shkodrës, në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, jetonin një varg fisesh më të vogla, ndër të cilat duhet përmendur fisin e albanëve (te Ptolomeu në formën Albanoi), i vogël për nga domethënia dhe madhësia, por i rëndësishëm për shkak se sipas tij shqiptarët e sotëm morën emrin e tyre kombëtar.

Rreth liqenit të Shkodrës (Lacus Labeatis) jetuan labeatët (Labeates), afër tyre në lindje scirtonët (Scirtones), e mandej nga veriu fisi i dokleatëve (Docleates) të cilët emrin e tyre e morën simbas emrit të qendrës kryesore fisnore Doklea (Doclea, Dukla e sotme afër Titogradit në Mal të Zi), ku simbas disa autorëve të lashtë ka lindur edhe perandori romak Diokleciani, mandej melkumanët (Melcumani), deremistët (Deraemistae), ndërsa midis Bokës së Kotorit dhe Peleshacit pleraei. Vazhdon fisi i ardiejve (Ardiaei, Vardaei) të cilët në luftrat kundër romakëve do të luajnë një nga rolet kryesore. Më parë, deri në shekullin IV para e. r. ata kishin qendrën e tyre në bregun e djathtë të Neretvës, por prej andej u detyruan të shpërngulen nën presionin e keltëve. Së pari kaluan në bregun e majtë të lumit, e mandej shkuan në brendësi, ku përleshen me autariatët. Pasi e humbën luftën u shpërngulën në drejtim të detit dhe zunë bregun prej Neretvës nga jugu, deri në Vjosë të Shqipërisë. Në shekullin II para e.r. ardiejt gjenden në kulm të fuqisë së tyre. Shpejt hynë në konflikt me grekët e me romakët dhe pasi pësuan disfatën definitive nga romakët në vitin 135 para e.r. u detyruan të shpërngulen përsëri në drejtim të brendësisë. Të pamësuar me jetën e re, larg nga deti, në trojet e vrazhda të reja, pothuajse ishin zhdukur në kohën kur për ta shkroi Plini Plak (shek. I).

Rreth Neretvës jetonin gjithashtu edhe daorsët (Daversët), qendra fisnore e të cilëve gjendej në vendbanimin e madh të fortifikuar, të zbuluar dhe të hulumtuar, afër Oshaniqit, jo larg Stollcit në Hercegovinë. Në veri të tyre jetonin dalmatët (Delmati), të njohur nga luftrat e tyre të gjata e të rrepta që zhvilluan me romakët; për shkak të atyre luftrave ata u bënë sinonim i rezistencës ilire kundër penetrimit të tyre në bregun lindor të Adriatikut, prandaj edhe e quajtën Dalmaci provincën e tyre në pjesën perëndimore të Ballkanit. Dalmatët së pari, sa mund t’i përcjellim lëvizjet e tyre në bazë të lajmeve të autorëve antikë, jetuan në brendësi, në Hercegonën e sotme, ku gjendej edhe qendra e tyre gisnore, Delminiumi. Në shekullin II para e.r. u lëshuan në det, duke pushtuar bregdetin midis Kërkës dhe Cetinës.

Në veri të Kërkës, përgjatë bregdetit jetonin liburnët, fis që në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të parë para e.r. ishte dominues në Adriatik por më vonë fuqia u bie. Në shekullin IV para e.r. liburnët duke shfrytëzuar rrethanat e vështira të cilat u krijuan tejapodët fqinj për shkaktë sulmeve kelte, zgjeruan territorin e tyre, në dëm tëjapodëve duke pushtuar kështu tërë brezin bregdetar deri në Rashë të Istrisë si dhe ujdhesat para saj, duke përfshirë edhe ato të Kvarnerit.

Japodët (Japodes, lapydes) zinin rajonin e gjerë midis Sanës në lindje, Zërmanjes dhe Velebitit në jug, detit Adriatik në perëndim (deri në shekullin IV para e.r.). Në Istri me lumin Rasha janë kufizuar me histritët, ndërsa gjurmët e kulturës së tyre materiale i gjejmë gjithashtu edhe në viset jugore të Sllovenisë. Në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të parë para e.r. ky fis së bashku me liburnët luajti rol shumë më të madh në ngjarjet që zhvillohen në basenin e Adriatikut. Japodët i hasim në mesin e atyre fiseve të cilat nuk mund të merrnin pjesë në ceremonitë fetare të përshkruara në tabelat iguvine, kështu që në shekullin V  IV – e. r. padyshim ishin të pranishëm në Italinë e Mesme. Supozohet se edhejapodët kanë marrë pjesë në dyndjet e popujve të Ballkanit ngafundi i epokës së bronzit dhe më tutje në drejtim të Siujdhesës Apenine.

Prej Rashës në perëndim deri te lumi Reka në veri dhe deri te kufiri i venetëve në veriperëndim jetonin histritët, simbas të cilëve mori emrin Istria e sotme. Për ta është vështirë të flitet si fis i pastër ilir sepse në siujdhesën e Istrisë përzihen elementet venete dhe ilire. Megjithatë, kultura materiale e histritëve është shumë më e afërt me kulturën ilire, prandaj edhe për këtë fis mund të flitet se ishte kryesisht ilir.

Në viset e brendshme jetonin një varg fisesh, disa prej të cilëve janë fare mirë të njohura nga burime historike dhe epigrafike. Duke shkuar përsëri prej jugut në drejtim të veriut hasim së pari maqedonët, për origjinën dhe karakterin etnik të të cilëve është diskutuar shumë në shkencë. Grekët deri në shek. V- IV para e.r. i radhisin në mesin e popujve barbarë, por me kohë, veçanërisht prej kohës së mbretit të tyre, Filipit II e më tutje, maqedonët helenizohen shpejt, kështu që Polibi në shek. II para e.r. i mban si grekë. Një gjë e ngjashme kishte ndodhur edhe me fqinjtë e tyre peonët (Paeones), të cilët padyshim kanë origjinë ilire, por prej shekullit IV para e.r. u helenizuan gati plotësisht. Peonët zinin rajonet e rrjedhës së mesme të Vardarit (Axios) dhe rreth degëve të tij Bregalnica (Astibos) dhe Cërna Reka (Erigon) deri te lumi Struma (Strymon). Në kohën e vjetër ky fis duket se ka qenë shumë më i përhapur, deri në detin Egje.

Në veri të tyre shtrihej fisi i madh i dardanëve (Dardani). Për hapësirën në të cilën janë shtrirë, mund të gjykojmë në bazë të asaj që kanë shkruar autorët antikë, kanë jetuar gati në tërë Serbinë e sotme jugore, në perëndim të Moravës si dhe në një pjesë në lindje të Moravës deri te rrjedha e sipërme e lumit Pek (Pingus) dhe Timok (Timachus), në Maqedoninë veriore dhe në Kosovë. Sipas përhapjes gjeografike, ky fis ishte më i madh se të gjitha fiset e tjera, mirëpo nuk ishte i bashkuar, pasi përbëhej prej shumë fisesh të tjera më të vogla.

Në perëndim të dardanëve jetonte fisi i autariatëve (Autariatae) dhe i desidiatëve (Daesitiates). Autariatët, sipas fjalëve të Strabonit “një kohë kanë qenë populli më i madh dhe më i fuqishëm ilir”. Prej shënimeve të pakta nuk është e mundur të caktohet saktësisht hapësira në të cilën kanë jetuar, përafërsisht mund të thuhet se qendrat e tyre kanë qenë në Bosnjen lindore rreth lumitTara (emri i të cilit lidhet me autariatët) dhe të Limit, e deri në Moravë, në lindje. Desidiatët jetuan në Bosnjen qendrore, e afër tyre dindarët, deurët, deretinët, mezejët (Maezaei) dhe fise tjera më të vogla.

Talasokracia Ilire

Për talasokracinë e liburnëve në Adriatik (mbi pjesëmarrjen e japodëve në këtë talasokraci faktet janë mjaft të pakta) na flasin burimet e shkruara në mënyrë indirekte të mëvonshme, të cilat, megjithatë, nuk lënë kurrfarë dyshimesh lidhur me faktin se ky fis një kohë mbizotëroi në tërë Adriatikun. Së pari kemi lajmin për praninë e liburnëve në Picenum, të cilin e përmendëm më parë, mandej lajmet e autorëve antikë për praninë e tyre në ujdhesat Hvar, Llastovë, bile edhe në Korfuz në detin Jon. Simbas Teopompit liburnët themeluan qytetin Adria në Itali, ndërsa simbas Florit, liburnët shtriheshin nëpër tërë detin Adriatik (“longissime per totum Adriani maris litus efftisi”). Më i rëndësishmi në mesin e lajmeve e autorëve antikë është ai që na ka lënë Straboni (VI, 269), sipas të cilit në vitin 734 para e.r. bakhiadi i Korinthit, Hersikrates, arriti t’i përzërë liburnët nga Korfuzi (Corcyra). Ky fakt na tregon për dy gjëra të rëndësishme: së pari është dëshmi se deri në atë kohë liburnët kishin qendrat e tyre strategjike bile edhe jashtë detit Adriatik dhe e dyta, ky është konflikti më i lashtë i dokumentuar historik midis grekëve dhe ilirëve. Ky konflikt është i pari në mesin e një vargu luftërash për dominim e rrugëve detare, të cilat qysh prej neolitit e këndej kalonin nëpër bregun lindor të Adriatikut. Grekët ishin shumë të interesuar për këtë rrugë, sepse i çonte në vise të pasura të Italisë së Veriut, të Panonisë dhe të Evropës Qendrore. Kjo është e njëjta rrugë e vjetër, tradicionale nëpër të cilën ndikimet kulturore nga baseni i Egjeut dhe në përgjithësi nga Mesdheu lindor depërtuan nga veriu qysh prej epokës së neolitit dhe nëpër të cilën në epokën e bronzit kalonte pjesa e rrugës së qelibarit që nga Evropa Veriore çonte së pari nëpër rrugën tokësore deri në Adriatikun verior, e mandej nëpër det deri në Greqi. Për shkak të përbërjes së bregdetit  italik anijet që lundronin nëpër Adriatik detyroheshin të kalonin nëpër bregdetin lindor, i cili me kanalet, grykat dhe limanet natyrore, të mbrojtura nga erërat (sidomos nga stuhitë dhe juga) ka mundur t’u sigurojë mbrojtje detarëve të atëhershëm. Konflikti midis grekëve dhe zotëruesve të atij bregdeti për këtë shkak ishte i paevitueshëm. Liburnët, e me ta sigurisht edhe fiset e tjera ilire, i bënë rezistencë një kohë të gjatë fuqisë gjithnjë e më të madhe detare të Greqisë; për një kohë të gjatë grekët nuk do të vendosin që në brigjet e Adriatikut të themelojnë qendrat tregtare dhe kolonitë e tyre. Me kohë, megjithatë, edhe kjo do të ndodhë, ndërsa prej fuqisë së madhe detare libume nuk do të mbesë gjë: të shtyrë nga njëra anë nga grekët dhe nga ana tjetër nga fiset e ndryshme italike liburnët që në shekullin V para e.r. bëhen fuqi e shkallës së dytë ushtarake. Fiset e tjera ilire vetëm më vonë do të paraqiten në skenën historike si faktorë politikë. Në të vërtetë, në kohën kur në bregun lindor adriatik nuk ekzistonte ndonjë fuqi e organizuar detare e ilirëve ndodhi edhe depërtmi i fuqishëm i grekëve në brendësi të Adriatikut si dhe kolonizimi i bregdetit ilir.

Kolonizimi grek

Themelimi i kolonive greke në bregdetin ilir është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e fiseve ilire dhe në përgjithësi në historinë e Adriatikut. Ky kolonizim shkaktoi ndryshimin e kushteve politike në këtë rajon, gjë që për ilirët do të ketë pasoja shumë të rënda në fushën politike, por në të njëjtën kohë edhe pasoja shumë më të thella për zhvillimin e kulturës materiale dhe shpirtërore ilire si dhe të shoqërisë ilire.

Kolonitë e para greke në bregdetin ilir u themeluan në jug të këtij bregdeti. Qysh në vitin 627 para e.r. korkyrasit themeluan qytetin Epidamnos (më vonë romakët do t’ia vënë emrin Dyrrhachium, Durrësi i sotëm), e pak më vonë, më 588 para e.r. korkyrasit dhe korinthasit së bashku themeluan qytetin Apollonia, gërmadhat madhështore të të cilit shihen edhe sot te manastiri i Pojanit në afërsi të Fierit.

Themelimi i kolonive kishte domethënie jashtëzakonisht të madhe për zhvillimin e fiseve ilire që jetonin në afërsinë e tyre, por gjithashtu edhe për zhvillimin e shumë fiseve që jetonin më në thellësi. Marrëdhëniet shumë të zhvilluara tregtare midis atyre kolonive dhe ilirëve i kontribuan zhvillimit të tyre më të shpejtë dhe i shndërruan në fidanishte të klasës së parë të kulturës dhe të teknologjisë greke në mesin e ilirëve. Deri para disa kohësh për ndikimin e kolonive në kulturën materiale dhe shpirtërore të ilirëve kemi mundur të flasim në mënyrë të përgjithshme për shkak të mungesës së fakteve, mirëpo hulumtimet permanente të arkeologëve shqiptarë kohët e fundit nxorën në dritë një mori materialesh që hedhin dritëtë re në rolin e atyre kolonive në zhvillimin e një vargu aktivitetesh midis ilirëve. Përveç kësaj, këto hulumtime kontribuan që të flitet për ilirizimin e kolonive gjatë shekujve të jetës së përbashkët si për një fakt të vërtetuar shkencërisht. Emrat e vendasve në monedha dhe në përmendoret e varrezave që u zbuluan në Dyrrhachium dhe në Apolloni tregojnë në të vërtetë se procesi i ilirizimit kishte përfshirë aq shumë kolonitë greke sa që mund të thuhet – si është shprehur njohësi i shkëlqyeshëm i këtij problemi Skënder Anamali- se ato koloni në shekullin III para e.r. humbën në pikëpamje etnike, karakterin e kolonive greke.

Ne brendësi të Adriatikut grekët themelojnë si kolonitë në një numër më të madh vetëm në shekullin IV para e.r. Para kësaj ata kishin qendra shumë të forta tregtare në Spinë dhe në Adri në deltën e lumit Po të Italisë. Edhe më herët, sipas disa autorëve, grekët silinin mallrat e tyre për të shitur në emporinë tregtare Naronë që gjendej në lumin Neretva. Në Korçullë, sipas disa autorëve, ka ekzistuar qysh në shekullin VI para e.r. një koloni knidase, por asgjë e sigurt nuk dihet për vendin se ku do të duhej të shtrihej kolonia në fjalë. Kolonizimi në përmasa të gjera ndodh në fillim të shekullit IV para e.r. me meritën e tiranit energjik dhe ambicioz të Sirakuzës, Dionisit Plak. Me qëllim që të zgjerojë sundimin e vet edhe në brigjet e Adriatikut, Dionisi themeloi së pari Issën, (në siujdhesën Vis) midis vitit 397 dhe 390 para e.r. e mandej u ndihmoi kolonistëve nga ujdhesa Paros në detin Egje që të themelojnë koloninë Pharos në vend të qytetit të sotëm Starigrad në ujdhesën Hvar (385 – 384 para e.r.). Në fillim Issa ishte në kuadrin e shtetit të Sirakuzës, mirëpo menjëherë pas vdekjes së Dionisit politikisht u bë plotësisht e pavarur. Issa zgjeroi ngadalë ndikimin e vet në ujdhesat fqinje, themeloi koloni si dhe emporitë tregtare e kështu bëhet edhe vetë fuqi e shkallës së parë ekonomike dhe politike në Adriatikun e mesëm. Ajo qysh gjatë shekullit IV para e.r. themeloi një koloni në Lumbardën e sotëm në ujdhesën Korçulla, ndërsa në shek. II para e.r. themelon empori të tjera- Tragurion (Trogirin e sotëm) dhe Epetion (Stobreqi i sotëm, nëjugtë Splitit) në pjesën bregdetare. Në shek. II para e.r. themelon edhe një empori në Salonë (Solini i sotëm afer Splitit) krahas vendbanimit ekzistues ilir në këtë vend.

Përveç kolonive të përmendura greke në truallin ilir kishte edhe të tjera, mirëpo për to dimë fare pak. Dihet me siguri, për shembull se diku në Dahnacinë e mesme, në shekullin IV para e.r., ka ekzistuar qyteti Herakleja, i cili bile preu edhe monedha. Besohet gjithashtu se me veprimtarinë kolonizuese greke është lidhur edhe themelimi i disa qyteteve të tjera në bregun lindor të Adriatikut, si janë Olciniumi (Ulqini i sotëm) dhe Epidauri (Cavtati i sotëm), ndërsa për disa qytete të tjera dihet se gjithsesi kanë qenë qendra tregtare greke, ndonëse ato nuk i temeluan grekët, e as më vonë këto qytete nuk u helenizuan (si për shembull Buthoe, Budva e sotme në bregdetin malazes).

Nuk kemi shënime se si i pritën vendasit kolonistët në Vis. Siç duket nuk patën vendosurt’u bëjnë rezistencë, por ilirët reaguan shumë rreptë lidhur me themelimin e Pharosit. Po atë vit që u themelua, ilirët vendas, banorë të ishullit Hvar, ftuan në ndihmë popullsinë e brigjeve të aferta në ndihmë për të përzënë kolonistët. Rreth 10 mijë ilirë me barka të vogla, u shkuan në ndihmë banorëve të ujdhesës. Duke kuptuar se nuk do të mund t’u kundërshtojnë armiqve më të fortë pharasit i ftuan në ndihmë qytetarët e Isës. Ata menjëherë dërguan një radhë triremash, të cilët shpartalluan lehtë anijet e flotës ilire. Në këtë betejë të parë, midis kolonistëve grekë dhe ilirëve u vranë, nëse mund t’u besohet historianëve grekë, 5 000 ilirë, ndërsa u zunë robër 2000 të tjerë.

VIJON

© Pashtriku.org

_____________________________

HISTORIA E ILIRËVE (5)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura