ENIS SULSTAROVA: SHTETI I NEGOCIATAVE DHE NEGOCIATORI I MADH

Tiranë, 19. 12. 2013 – Refuzimi i krerëve të porsazgjedhur të nëntë komunave “serbe” për të njohur sovranitetin e Prishtinës, dëshmon edhe njëherë se sovraniteti i Republikës së Kosovës po është i kërcënuar së brendshmi, krahas kërcënimit të jashtëm që i vjen nga Serbia. Për më tepër në Kosovë ekzistojnë disa burime sovraniteti, që e ndërlikojnë praktikën e tij. Jo vetëm që sovraniteti atje është i fragmentarizuar, por edhe juridiksioni i secilit organizëm që ushtron sovranitet në territorin e Kosovës ndërpritet nga juridiksionet e organizmave të tjerë, duke e bërë edhe më të paqartë se cili është autoriteti i fundit vendimmarrës në disa raste. Atribute të sovranitetit në Kosovë kanë institucione që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës:
– mbrojtja mbulohet nga NATO,
– policia dhe gjyqësori mbikëqyret nga Bashkimi Europian (BE) përmes EULEX-it,
– ndërsa në komunat veriore funksionojnë herë de jure, por gjithmonë de facto si institucione të Serbisë.
– Po kështu, OSBE-ja dhe OKB-ja përmes UNMIK-ut vazhdojnë të jenë të pranishëm në Kosovë, edhe pse janë asnjanës ndaj statusit të Kosovës, pra nuk e njohin për sovran shtetin e Kosovës.

Përveç këtyre, kemi sovranitetin e popullit të Kosovës, të ushtruar përmes Kuvendit, qeverisë dhe Presidencës. Teorikisht, ky i fundit duhet të ishte burimi i vetëm i sovranitetit, por nuk ndodh kështu. Qeveria, si ekzekutuese e sovranitetit popullor, në letër ka autoritet mbi të gjithë territorin, por që ta ushtrojë atë faktikisht, ajo ka nevojë për të negociuar me organizatat ndërkombëtare, serbët lokalë – të cilët nuk e njohin autoritetin e saj dhe që dora-dorës po e krijojnë “Serbinë e vogël” brenda Kosovës – Beogradin, Uashingtonin, Brukselin, përfshirë edhe Kishën Ortodokse të Serbisë që ushtron autoritetin e saj “ekstraterritorial”.

 Me fjalë të tjera, sovraniteti popullor nuk mjafton për vendimmarrjet e rëndësishme në Kosovë, sepse ai është vetëm njëri krahas burimeve të tjerë të sovranitetit. Kryeministri i cili është i veshur nga Kuvendi me autoritetin e ushtrimit të sovranitetit popullor, ka nevojë që vazhdimisht t’u drejtohet edhe burimeve të tjerë të sovranitetit, që ndonjëherë i kundërvihen sovranitetit popullor, duke iu imponuar këtij të fundit. Vendimet e Kuvendit po shërbejnë si gjethe fiku për mbulimin e vendimmarrësve të vërtetë. Kryeministri më shumë se kreu i ekzekutivit po tregon se është negociator midis sovranëve të Kosovës. I tillë do të ishte Thaçi edhe pa ekzistuar procesi i negociatave në Bruksel, sepse e tillë është ndërtuar ngrehina e autoritetit në Kosovë sipas pikave të Pakos së Ahtisarit.
Mirëpo, negociatat në Bruksel e paraqitën zhveshur faktin se Kosova është “shtet i negociatave”, ngaqë edhe vetë Pakoja “e paprekshme”, e cila më parë shpallej si vija e kuqe, u shkel dhe po ndryshohet. Autoritarizmi i qeverisjes së Thaçit nuk buron vetëm nga votat e vjedhura, klientelizmi e korrupsioni, por edhe nga funksioni i tij si negociator midis sovranëve. Ndoshta ky funksion është ai që e përcakton në masën më të madhe pushtetin që ka Kryeministri: ai është ndërmjetësi që kujdeset që direktivat e Beogradit, Uashingtonit dhe Brukselit për Kosovën t’i përcjellë në Kuvend për t’i legjitimuar, në mënyrë që qeveria e tij t’i zbatojë më pas. Pra, Kuvendin e kemi parë në rolin e vulosësit të vendimeve që merren jashtë tij dhe jashtë Kosovës. Ky proces sjell një palë të re të negociatave, sepse vetë suksesi i procesit për Serbinë e bën atë që ta përsërisë sërish në interesin e saj për të marrë sa më shumë koncesione brenda Kosovës dhe për t’u bërë sa më e pranueshme për Brukselin dhe Uashingtonin. Fundja Kosova iu shkëput me luftë dhe ajo po depërton brenda saj paqësisht, përmes negociatave me Thaçin. Si kompensim, Thaçi, partia e tij dhe klientët që ka në opozitë, media etj., mbahen në pushtet dhe imunizohen nga përndjekja ligjore për krimet dhe korrupsionin.
Kryeministri Thaçi është “autonom” përballë Kuvendit dhe i paprekur nga ligjet e vendit për sa kohë që ai përkrahet nga sovranët e tjerë të Kosovës dhe për sa kohë që ai garanton pjesëmarrjen e Kosovës në negociata. Prandaj, duke parafrazuar titullin e një filmi të njohur të Çarli Çaplinit, Kryeministrin e Kosovës ia vlen ta quajmë “Negociatori i Madh”. Sikurse Çaplini parodizon madhështinë e diktatorëve duke nxjerrë në pah banalitetin e etjes së tyre për pushtet, por kështu madhështia e Thaçit si negociator nuk qëndron te sukseset, por te dështimet që i ka sjellë Kosovës. Negocitatat do të vazhdojnë derisa Serbia të ketë se çfarë të kërkojë në Kosovë dhe Thaçi të ketë lëshime për të bërë dhe Kuvendi e populli të gënjehen se këto janë lëshimet e fundit “të dhimbshme” që ata janë të detyruar të bëjnë. Thaçi është i interesuar për zgjatjen e tyre, sepse kërkon ta mbajë sa më shumë rolin e ndërmjetësuesit të pazëvendësueshëm të sovranëve. Atij asnjëherë nuk do t’i ikë frika se ndoshta sovranët në Uashington dhe Bruksel do ta zëvendësojnë si të mbikonsumuar, apo se sovrani popullor do ta thërrasë të japë llogari për pasurimin e tij dhe të njerëzve të tij me anë pronave publike. Prandaj, ai do të kërkojë që të shfaqet gjithnjë i freskët e i gatshëm për kompromise të reja, madje duke shkelur mbi ligjet dhe Kushtetutën ekzistuese të Kosovës. Ai do të përpiqet të duket “i madh” në sytë e shqiptarëve të Kosovës, sepse këtë “madhështi” kërkon ta këmbejë me zgjatjen e jetës së “negociatorit”, d.m.th. ndërmjetësit. Për këtë do të jetë gati të shesë e të privatizojë të gjitha pasuritë publike të Kosovës, sepse kështu ushqen rrjetin e klientëve në parti, koalicion qeveritar, opozitë dhe media.
Procesi i negociatave ka qenë dhe vazhdon të jetë i dëmshëm për Kosovën. Ai e paraqet konfliktin në Kosovë të pambyllur dhe situatën atje si gjendje të jashtëzakonshme. Dihet se në gjendje të jashtëzakonshme pezullohet funksionimi i shtetit ligjor në të gjithë territorin apo në pjesë të tij. Kjo po ndodh në komunat e veriut nuk mund të flitet për një shtet ligjor. Serbia ia ka dalë që të dëshmojë para botës se komunat e veriut janë të paqeverisshme pa të, ndërkohë që me dhunën sistematike në Luginë të Preshevës u heq shqiptarëve të atjeshëm çdo shpresë se gjendja e tyre do të përmirësohet. Në fund të procesit të negociatave, Serbia mund ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, por pasi të marrë garancitë e duhura se në komunat veriore dhe në pasuritë e tyre nëntokësore do të ushtrojë ajo sovranitet ose së paku bashkë-sovranitet me Prishtinë
Në këtë mënyrë, Serbia e paraqet veten e saj si shtetin kyç në rajon, e administruar për krimet e saj, e afruar me shpejtësi me BE-në, me marrëdhënie të veçantë miqësie me Rusinë dhe me ndikim përmes tentakulave që ka në Bosnjë, Kosovë dhe IRJM. Serbia do të ketë çelësin e destabilizimit të disa shteteve dhe do të ndikojë në zhvillimin e tyre të brendshëm dhe në integrimet e tyre europiane. Edhe Brukseli në rritje po ia njeh këtë rol, përderisa miraton nisma të dyshimta për krijimin e një federate të re “jugosllave” në Ballkan, me qendër në Beograd dhe kësaj radhe edhe me pjesëmarrjen e Shqipërisë.
Gjithashtu, negociatat po e nxjerrin të pavlefshme demokracinë në Kosovë, përderisa vendimet më të rëndësishme po merren jashtë dhe jo brenda saj. Qytetaria nuk do të funksionojë në Kosovë për sa kohë që aty veprojnë disa sovranë që kanë interes në ndarjen e qytetarisë sipas vijave etnike. Të jesh serb apo shqiptar, të jesh në këtë apo atë komunë, të jesh mysliman a ortodoks ka më shumë rëndësi sesa të jesh qytetar i Kosovës, sepse prej këtyre përkatësive varen shanset e jetës. Dështimi i qytetarisë është dështim i universalitetit të ligjit dhe është fitore për partikularizmin, klientelizmin dhe korrupsionin. Zhvillimi i një vendi ka nevojë për infrastrukturë unike ligjore dhe për qeverisje të njëjtë e të përgjegjshme në të gjithë vendin.
Ndarja, përmes negociatave, në “kantone” vetëqeverisëse dhe me lidhje të privilegjuara me vende të tjera, është pengesë për investimet strategjike vendase dhe huaja në Kosovë. Për të mos folur pastaj për pabarazitë shoqërore të nxitura nga vetë negociatat që i njohin buxhet më vete komunave të veriut. Dihet fare mirë se barazia e qytetarëve para ligjit dhe sistemi shtetëror i mirëqenies shoqërore janë shpikur në Perëndim për të zbutur pabarazitë që krijon tregu, por në Kosovë, janë vetë ligjet dhe rregullimet e brendshme të kërkuara nga Serbia që krijojnë pabarazi të reja, veç atyre që krijon nga tregu.
Sovraniteti e ndan sferën e brendshme të ligjit prej botës së jashtme. Ai është një lloj mburoje për të mbrojtur (qoftë edhe pjesërisht) qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e brendshëm nga ajo që ndodh në shtetet e tjerë apo në rrjedhat botërore. Sovraniteti popullor është domosdoshmëri për kultivimin e qytetarisë dhe të demokracisë. Sovraniteti i fragmentarizuar në Kosovë nuk e ndan Kosovën nga ajo që ndodh jashtë Kosovës, prandaj vendime të rëndësishme merren nga të tjerët për Kosovën dhe populli i Kosovës ndihet i pafuqishëm për të bërë ndryshimin. Si i tillë, ai nuk arrin të jetë dot popull, por disa popuj që shohin në drejtime të ndryshme: serbët në drejtim të Beogradit, ndërsa shqiptarët si jetimët e përjetshëm shohin për nga Uashingtoni dhe “të mëdhenjtë” vendorë të tipit Thaçi, me shpresë se këta nuk do ta lejojnë kthimin e Serbisë në Kosovë. Meqenëse Serbia është tashmë brenda Kosovës, atëherë edhe përfytyrimi i shqiptarëve për Kosovën rrudhet edhe më, duke u ngushtuar deri në bregun e Ibrit.
Si mund të dilet prej kësaj gjendjeje?
Është e qartë se negociatat duhen ndalur me çdo kusht dhe pa marrë parasysh koston. Serbëve të Kosovës të papërfshirë në krime u është dhënë dhe do t’u jepet kurdoherë mundësia e bashkëpunimit dhe e kontributit në shtetin e ri, por Serbisë i duhet mbyllur dera për sa kohë që mban qëndrimin armiqësor dhe nuk bën vërtet përpjekje të sinqerta për pajtim e paqe me shqiptarët. Për ta bllokuar veprimin e Serbisë në Kosovë dhe për të ndalur negociatat, edhe përkundër porosive që vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni, nuk mjafton vetëm heqja e Thaçit nga pushteti, sepse edhe pasuesi i tij mund të vazhdojë në të njëjtën rrugë. Nevojitet një mendim dhe strategji politike që niset nga ndërtimi i sovranitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sovraniteti duhet të burojë vetëm nga populli dhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë objekt i të njëjtit ligj. Atributet e sovranitetit në mbrojtje dhe rend duhet t’i marrin përsipër institucionet e Kosovës. Qeveria duhet ta parashikojë një të ardhme pa praninë e NATO-s dhe të kërkojë e të marrë nismën në përgatitjen e ushtrisë së Kosovës. Për të fituar këto ide, kërkohet ndërrimi i elitës politike puthadore, së bashku me Kushtetutën ahtisariane. Duket qartë se kjo do të kërkojë kohë dhe veprim qytetar, por procesi tashmë ka nisur. Alternativa qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje! premton që ta rimëkëmbë dhe fuqizojë sovranitetin popullor, por kjo gjë nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen demokratike dhe aktive të qytetarëve. Asnjëherë nuk fitohet liria duke marrë rrugën e lehtë të negociatave dhe kompromisit, por rrugën e qëndresës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura