FATMIR BRAJSHORI: HERONJTË E DJESHËM – MERCENARËT E SOTSHËM!

Cyrih, 08. 10. 2016: (Jo atyre që kanë bërë burgimin por atyre që kanë marrë pagimin!) –
1.

Njëra prej kategorive më të rëndësishme të ekzistencës së njeriut është liria! Mirëpo po të mos ekzistonte ajo ne nuk do të dinim se si duket robëria, ose më mirë me thënë si duket të qenit jo i lirë. Liria është mënyra absolute e jetës sonë. Secili frymor mëton të jetë i lirë sidomos at’herë kur është i robëruar.
Për mua gjithnjë ka qenë shumë e rëndësishme që pas shoqërisë së lirë, liria e individit të jetë jetësore mbrenda shoqërisë së lirë…
Liria mbetet efikase deri sa luftëtarët e lirisë e shohin si praxisi nga i cili dalin vet ata… Nuk ka shoqëri në botë, principatë më herët, kombe të formuara më vonë e shtete e të cilat s’paku njëherë nuk kanë luftuar për ta fituar lirinë; por ka edhe nga ato kombe që kanë luftuar për t’fituar lirinë dhe njëkohësisht kanë luftuar për t’ua marrë lirinë të tjerëve… Në të gjitha kontinentet e tokës, secili shtet ekzistues sot dhe ekzistues dikur, kanë bërë luftëra dhe përpjekje për të arritur lirinë e tyre… Jo rrallë, në ato luftëra u kanë ardhë të tjerët për t’ju ndihmuar… Këta të tjerët herë kanë ikur për të ndihmuar fqinjët që pastaj e keqja e roberisë të mos shfaqej tek ata, e herë-herë u kanë ndihmuar me shpërblesë…
Këta që shpërblehen me para gjatë luftës dhe pas lufte fjalorët e të gjitha gjuhëve botërore i quajnë: Mercenar, ose luftetar me pagesë, vrasës me pagesë etj…
Të tillë gjatë historisë, ka pas edhe tek Principatat Ilire, te Gjergji ynë i madh po njësoj sikur tek të tjerët… Pra, mercenarë e të cilët me një shpërbles sipas marrëveshjeve, viheshin në shërbim të sundimtarit dhe luftonin për të dhe atë… gjerë sa sundimtari tjetër kundershtar i sundimtarit që i shërbenin nuk ofronte një çmim më të favorshëm…

Por në trojet shqiptare as edhe një here nuk ka ndodhur që, shqiptari vendas të luftoj për lirinë e tij, për ekzistencën e tij, për ruajtjen e qenjes së tij, traditës, gjuhës, dheut, tokës, e për këtë sakrificë të tijën të kërkonte ndonjë shpërblim ose t’kërkonte para si dëmshpërblim…
Kur të burgos okupatori ti je i burgosur i lirisë, i burgosuri i çështjes kombëtare, i burgosur politik dhe kjo kategori as edhe një herë nuk e mendon shpërblesën! Ose më mirë me thënë nuk e njihte një gjë të tillë, s’paku shqiptari fisnik dhe i etshëm për liri jo!
Shqiptari i etshëm për materializimin e veprimtarisë është i ngjashëm për luftrat që i bënë mercenari që qëllim ka pasurinë…
2.
Territoret shqiptare nën okupimin serbo/kroato/slloven e që njihet si Mbretëria e tyre, më pastaj Jugosllavia, bënë përpjekje skenderbegjane për liri dhe bashkim kombëtar… Në këtë përpjekje, armiku, okupatori pra, vrau shumë nga ata, ca të tjerë i zhduku e me mijëra të tjerë i burgosi…
Të burgosurit politik konsideroheshin si Heronjë!
•Në faktë edhe ishin heronjë!
Por kur heroi për heroizmin e tij të treguar kërkon të paguhet at’herë ai më nuk është hero!
Kur i burgosuri politik, revolucionari, luftëtari i lirisë, pra të mbijetuarit, (sepse, kemi të burgosur politik, revolucionar dhe luftëtar që s’kanë mbijetuar), kërkon për mbijetesën e tij të paguhet, atëherë ai kalon në taborin disfatist; pra në taborin e luftëtarëve me pagesë e që njihen si mercenar!
A janë heronjtë e djeshëm të burgosurit politik mercenarët e sotshëm?
Në Kosovën tonë të 1001 çudirave, pas lufte ndodhi, për mua një nga çudirat e radhës…
Një qeveri u premtoj dhe realizoj qindpërqind premtimin duke u paguar secilit të burgosur politik (që kishin aplikuar për pagesë) më duket nga 17 euro ditën – për secilën nga ato ditë të kaluar në burgjet serbo-jugosllave… Pra, varësisht nga ditët që kishin kaluar ata u paguan… Nuk e di, këtu, a kërkuan vet të burgosurit politik një gjë të tillë, të paguhen për kohërat e kaluara në burg apo këtë gjë ua propozoj qeveria apo një qeveri e padukshme, dhe e cila e kontrollon dhe e dirigjon këtë tonën të dukshmen?
Nuk e di!
Por ajo që e di është kjo gjë…
Me pagesën që u është bërë dhe me marrjen e parave nga këta – dikush – me qëllim apo pa qëllim i ka barazuar dy kategori të bërë në një: udbashin torturues në njërën anë dhe të burgosurin rezistues në anën tjetër…
Tani mund të imagjinojmë një bisedë në mes këtyre të dyve:
I burgosuri: Ju udbashët na keni maltretuar dhe gjakosur në kazamatet e juaja!
Udbashi: e vërtetë por kemi qenë të paguar me e krye atë punë!
I burgosuri politik: Dhe s’keni turp t’ma thoni këtë gjë?
Udbashi: Më parë kisha drojë tash jo se nëse mua më kanë paguar që t’kam maltretuar – ty t’kemi paguar sot që ke qenë i maltretuar… t’kemi dal “hakësh”… Ku është dallimi tani kur që të dy jemi të paguar për punën që kemi bërë?”
3.
Kur luftëtari i lirisë kërkon për punën e paguar që të paguhet, ai jo që kalon në taborin disfatist por, ai bëhet pjesë e variantit më të keq që mundet me të vënë historia në atë të mercenarizmit…
Në momentin që cilido i burgosur politik është paguar apo do t’paguhet për secilën orë të kaluar në burg, për çdo gjak të derdhur – idetë e tyre – janë të dështuara, edhe vet janë të dështuar ideologjikisht por jo materialisht ngaqë qëllimi i mercenarizmit është përfitimi personal dhe jo kolektiv, dhe bashkë me ato bie edhe liria e tyre!
Marrja e parave nga shoqëria se gjoja unë luftova për lirinë e shoqërisë do të thotë vetëvrasje për luftetarin e liris, qëllimi kryesor të cilin e kishte i burgosuri politik.
Pra, Luftën e bërë për një jetë nën lirinë absolute e shndërrojnë në disfatë absolute…Natyrishtë për shumicën e tyre paragjykimet tona s’kanë vlerë, sepse ata mendojnë që janë paragjykime por ne po bëjmë jo një paragjykim por një pas-gjykim dhe atë pas aktit të kryer! E, pasgjykimin tonë ose timin ndoshta do ta kuptojnë si Iracionale apo si rezistenc të mendjes idealiste që ka mbetë në një të kaluar të afërt-të largët, e që nuk po mundet të lirohet dhe të ec me kohën… Por unë e di që secila kohë i kishte luftëtarët e lirisë dhe mercenarët e lirisë dhe të robërisë…
Të paguhesh për të kaluarën do të thotë të jesh viktimë e teoris së interesit. Kjo teori është tipike për njeriun si qenje egosite dhe jo për njeriun si luftëtar i lirisë, e që mendon se interesat personale, përbëjnë bazën e integrimeve…
Për mua personalisht kur një i burgosur politik kërkon të paguhet dhe shoqëria e paguan, më ngjanë në atë ligjeratën e një farë deputetit me emrin Ramiz Kelmendi (s’ka t’bëjë asgjë me shkrimtarin Ramiz dhe me fisin Kelmend – pjesën e shëndosh) i cili në një „ligjeratë” para studentëve thoshte:
„Unë s’kam qenë në luftë por tre punëtorë të mi kanë qenë edhe ata atje kanë luftuar për mua…unë i kam paguar, thoshte ai, që ata me luftue në emër tim!”
Ku është dallimi tani në mes pagesës që ka bë qeveria për çdo ditë të kaluar në burg si i burgosur politik me pagesën që u ka bë ky këtyre tre punëtorëve të tij për t’luftuar për të?
Hetoni ju dallimin?
Unë e quaj: qytetërimi i pabarazisë i stimuluar nga paraja.
4.
Duke e shkruar këtë artikull me dashje (të gjithë shkruajnë pa dashje) po i kujtoj të burgosurit politik e të cilët rezistuan në ato burgje për të cilat disa sot morën para, si: Fazli Grajçevci, Shaban Shala, Omer Çerkezi me shokë në Goli Otok, Zijah Shemsiu, Xhemajli Berisha,,,, e shumë të tjerë, e të cilët, vdiqën në burg! Në faktë ata e dinin që do të vdisnin ngaqë për të vdekur për atdhe i kishin hyrë veprimtarisë dhe jo për t’u paguar për atdhe!
Kush mund t’i shikon tani këta drejt e në sy?
Sot?
Kur edhe torturuesi edhe i torturuari janë të paguar!
Padashje, pastaj duke parë që pas lufte ‘komandantët’ pasuroheshin më shkoj mendje në janë dhe këta “komandant mercenarë?”
Të tillëve nuk mund t’u besosh, sepse gjithmonë synojnë për vetën e tyre pasurimin, madhështinë nën ndriçimin e parave dhe jo të teorive luftarake, qoftë duke mënjanuar epror të zot, qoftë të tjerë pavarësisht nga aftësitë e tua…
E keqja më e madhe është se si në politik, si në ushtri nëse eprorët janë të paaftë ata të shkatrrojnë! Qeveritë e Kosovës duke e ditur që janë të paaftë dhe duke e ditur që në mesin e tyre kanë një kategori politikisht shumë të aftë, të burgosurin politik, ata për ta shkatërruar vendosën ta paguajnë dhe me këtë gjë ta eleminojnë nga çdo thirrje në të kaluarën për luftën dhe rezistencën liridashëse!
Unë e di që nga ky shkrim i imi do të preken shumë të burgosur politik por u hodhën juve grepin, e kapët, u kapën dhe nën fuqinë e parave, i shitët ditët e juaja të burgut…
E përfundoj: Mos i shitni ditët e juaja të burgut për ta bërë pasurinë
Por shitne pasurinë për mos me ua njollos veprimtarinë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura