ESAT PASHË TOPTANI DËMTUESI I INTERESAVE KOMBETARE! (DOKUMENTE ARKIVORE)

Pashtriku.org, 24 tetor 2018: Në vitin 1920 Esat pasha banonte në Paris. Ishte koha kur në Shqipëri funksiononte një qeveri e dalë nga Kongresi i Lushnjes, ndërsa fuqitë e mëdha ende nuk kishin arritur një marrëveshje përfundimtare se si do të veprohej me vendin tani pas mbarimit të luftës. Italia ngulte këmbë se shqiptarët ishin të paaftë për t’u vetqeverisur dhe donin protektoratin mbi Shqipërinë, ose të paktën portin e Vlorës me rrethinat. Rivale e tyre ishte Serbia, e cila kërkonte pjesë të Veriut nëse Italia merrte Vlorën. Gjendja ishte mjaft e komplikuar. Qeveria në Tiranë kërcënohej edhe nga forcat e Esatit që përpiqeshin ta rrëzonin dhe që kërkonin me çdo kusht kthimin e pashait. Me nxitjen e italianëve, ajo dërgoi në Paris një delegacion për të biseduar me Esat pashën.

Në librin e tij të njohur, “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti” gazetari i Zërit të Amerikës Ilir Ikonomi na paraqet një dokument tepër të rrallë për bisedimet e Esat pashës në Paris me delegacionin që vinte nga Tirana.
***
Më poshtë lexoni pjesë nga libri i autorit Ilir Ikonomi:
“Fillimisht u bë fjalë për dërgimin e dy vetëve, imzot Gjergj Kolecit dhe Bajram Fevziut. Përkrahësit e Esatit kërkuan që edhe ata të dërgonin përfaqësues. Në emër të tyre do të shkonin kushëriri i Esatit, Fuat Toptani dhe anëtari i senatit, Ymer Deliallisi.
Më 7 maj delegacioni shqiptar arriti në Paris dhe anëtarët u vendosën në dy hotele të ndryshme: Koleci dhe Fevziu në Bellevue, Avenue de l’Opera, ndërsa Toptani dhe Deliallisi në Continental, pranë sheshit Vendome, ku tani banonte edhe Esati. Në fakt edhe misionet ishin të ndryshme. Dy të parët, të cilët e përbuznin pashain, kishin shkuar për ta pyetur se çfarë mendonte për të ardhmen e Shqipërisë dhe ç’program do të ndiqte nëse hipte në fuqi. Të dytët do t’i propozonin të kthehej e të merrte frenat e qeverisë, por jo kurorën princërore.
Esati ishte rikthyer në Continental në muajin prill (1920) dhe kishte zënë në katin e dytë një apartament, që përbëhej nga një sallon dhe një dhomë gjumi me pamje nga kopshtet e Tyilërive. Pashai e priti delegacionin e Senatit me buzë në gaz më 8 maj paradite dhe të dyja palët shkëmbyen përshëndetjet e rastit. Të ardhurit u ftuan për drekë në Continental. Pastaj Esati vuri në dispozicion të Ymer Deliallisit dhe Fuat Toptanit njërin prej automobilëve të tij që ata të shëtisnin nëpër Paris. Dy ditë më vonë filluan bisedat zyrtare. Esati e priti delegacionin e Senatit i veshur me uniformën e gjeneralit.
Koleci dhe Fevziu i thanë se kishin ardhur, pasi disa njerëz në Shqipëri, duke vepruar nën emrin e Esatit, po përpiqeshin të prishnin qetësinë. Ata i thanë se do t’i flisnin fare hapur e se ai nuk duhet t’ua merrte për keq. Pashai u përgjigj se, sa më të hidhura të ishin fjalët në fillim, aq më të ëmbla do të dilnin në mbarim. Ata u përpoqën t’i bënin qejfin:
– Zotëria jote, – i thanë, – ke qenë dhe je një burrë i ndershëm dhe ndër oxhaqet më të para të Shqipërisë. Ke treguar dashuri për kombin dhe për gjuhën në parlamentin e Stambollit. Por sot po na nxjerr pengesa. A je ti ai që i mëson këta njerëz?
– Të mitë janë.
– Dhe ti, si shqiptar, ngrihesh kundër një qeverie shqiptare?
– Unë nuk njoh tjetër qeveri veç times.
– Ku e ke këtë qeveri?
– Në Selanik.
– Kokën në Paris, krahët në Selanik dhe këmbët s’dihet se ku. Qofsh faqebardhë, se dashke të na bësh një Shqipëri tepër të hapur. Një qeveri shqiptare jashtë Shqipërisë nuk ka kuptim, – tha Koleci.
– Prandaj po përpiqem të kthehem në Shqipëri.
Pas kësaj, biseda u acarua. Koleci e akuzoi pashain se ia kishte shitur vendin armiqve. Esati bëri be e rrufe se të gjitha këto ishin gënjeshtra. Ata e pyetën se ku i merrte paratë me të cilat paguante njerëzit e armatosur në Shqipëri.
– Puna ime se ku i marr, – tha Esati.
– Puna jote dhe e jona, por më shumë e jona, prandaj duam të dimë se a janë të gjitha këto dredhi në kurriz të Shqipërisë?
– Për ato që marr, unë nuk e fus shtetin shqiptar në borxh asnjë dysh, – tha Esati.
– Ku e paske gjetur ti këtë mik kaq bujar që të fal para pa asnjë kusht?
– Ja ku po jua them: ato para m’i jep Serbia për nderin që i bëra, duke i hapur rrugën ushtrisë së saj të shpëtonte drejt Italisë, kur u dëbua nga Austro-Hungaria.
– Po ti ke marrë para edhe përpara kësaj, qysh në kohën e kryengritjes kundër Vidit. Ti prej Serbisë hyre në Tiranë; ti me Serbinë e shtype vendin tonë. A mund të bëhen të gjitha këto pa asnjë marrëveshje?
– Vetëm një marrëveshje kam me Serbinë dhe më pas një mirëkuptim për disa rregullime në kufi: për t’u dhënë Lumën e disa vende atje dhe për të marrë Dibrën. Këtë e bëra për hatër të dibranëve, të cilët m’u lutën tepër që t’i marr me vete. Po delegacioni juaj përse merr para nga Italia?
– Cili delegacion i ynë?
– Imzot Bumçi me shokë.
– Nuk marrim nga Italia.
– Po me se mbahen prej një viti e gjysmë në Paris, përveçse duke i shitur asaj Shqipërinë?
– Këtë nuk e dimë. Ne dimë se ata po i mban e varfëra Shqipëri.
– Ku i merr Shqipëria këto para? – pyeti Esati.
– Përse nuk u bashkove ti me delegatët tanë për të vepruar bashkarisht për shpëtimin e atdheut?
– Të kishin ardhur ata tek unë. Por nuk janë dukur fare.
– Ata nuk mund të vinin pas gjithë shpifjeve që ke përhapur kundër tyre. Ti gjithmonë je ndarë nga të gjithë shqiptarët. Si ka mundësi që vetëm ti qenke shqiptar i vërtetë e ne të tjerët të gjithë me hile? Përse je kundër nacionalistëve?
– Nuk jam kundër nacionalistëve, por kundër atyre që duan ta hapin përçikun aty ku nuk u arrin pëllëmba.
– Po sot që programi i qeverisë është i ngushtë, për një Shqipëri të 1913-s?
– Ky është edhe programi im.
– Atëherë të veprojmë së bashku me qeveri, – tha Koleci.
– Jo. Me qeverinë e Tiranës nuk punoj. Atë do të përpiqem ta rrëzoj. Unë kam qeverinë time.
– Dy qeveri në një shtet nuk mbahen. Si mendon të vish në Shqipëri?
– Si të dëshirojë populli. Ose si princ, ose si kryetar qeverie, ose, tek e fundit, për të vdekur me ta.
***
Esati i dorëzoi delegacionit një letër për kryetarin e Senatit, Xhemal Naipi, ku thuhej: “Me gëzim të madh mësova prej delegacionit që m’u dërgua nga populli shqiptar se më ftojnë të bëhem pjesë e Këshillit të Naltë. Për këtë shpreh falenderimet e mia. Siç i bëra të ditur delegacionit, programi im është për një Shqipëri të madhe e të pavarur, por fati i Shqipërisë do të varet nga Këshilli Ndëraleat dhe ende nuk është vendosur se cili do të jetë ky fat. Unë nuk kam traktate politike me asnjë fuqi të huaj, me përjashtim të Serbisë, me të cilën kam bërë një pakt doganor dhe si shkëmbim, kam marrë premtimin për një pozicion strategjik për mbrojtjen e Shqipërisë. Rekomandoj të ruani qetësinë, sepse jemi të rrethuar nga armiq që duan të përfitojnë nga rasti. Përsa i përket ardhjes sime, tani për tani ajo është e pamundur. Më duhet të pres vendimin e Këshillit Ndëraleat.”
***
Rreth një muaj më vonë, më 13 qershor 1920, Esati u vra nga Avni Rustemi në Paris përpara Hotelit Continental. Me vrasjen e tij, esadistët u shpërndanë dhe qeveria e Tiranës mendoi se hoqi një kërcënim ndaj pushtetit të saj. Por përmbysjet politike vetëm sa kishin filluar.
(…)
(Shkëputur nga i Ilir Ikonomit “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”)
___________________
Shtojcë e pashtriku.org
ESAT PASHA NDEROHET NGA ALEKSANDËR VULINI NË PARIS!
Esat Pashë Toptani, i njohur për shqiptarët për të bëmat e tij antokombëtare është nderuar për së vdekuri pas gati shekulli nga një serb me pozitë të lartë shtetëroe.
Varri i Esat pashës u vizitua nga ministri serb i mbrojtjes Aleksander Vulin. Ai vendosi kurorë lulesh në nderim të tij, për siç tha kontributin e tij për Serbinë.
“Serbia i kujton heronjtë e saj por Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe ne nuk do ta harrojmë Esat Pashën i cili në momentet më të vështira ishte përkrah nesh. Esat Pasha ishe mik i serbëve, padrejtësisht i harruar dhe i anatemuar nga historia, qoftë edhe e jona”, – ka thënë Vulin. Sipas tij, Esat Pasha duhet kujtuar përherë ngaqë përveç se u varros pranë serbëve në varrezat e Parisit, ndihmoi forcat ushtarake serbe për të depërtuar në Shqipër gjatë luftës së parë botërore…!!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura