NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (V)

Nga Ajaz Emini

E mërkurë 5 maj 1999

Pasi se kaloi mesnata, shumica e ushtarakëve gjithashtu edhe kolegët e mi kapiteni dhe vozitësi, po dhe shumica e të tjerëve për rreth meje ende ishin në gjumë.

Sot ishte edhe ditëlindja e shoqes së jetës time Shahadijes, kisha dëshirë shumë të madhe që t’ia uroja. Të paktën dëshiroja ta merrja në telefon që të isha i pari për t’ia uruar ditëlindjen, por edhe me e festu lirinë e Kosovës e cila tani nuk ishte aq large. Do të afrohej shumë shpejtë liria pas akcionit që do të ndërmerrnim! Po presim tani që të fillojë festa më e madhe e jetës, sulmi mbi forcat serbe, si dhe festimi i ditëlindjes së Shahadijes. Në vend të fishekëzjarreve, kësajë here do ta festojmë me raketa që do t’i djegin prapanicën serbisë. Do të jetë festë e dyfishtë dhe më madhështore për ne. Nga kjo pozitë edhe lidhjet satelitore nuk punonin si duhet sepse edhe kapiteni më kishte premtuar se do të më bëjë të mundur bisedën me telefonin e tij satelitor që të kontaktojë Shahadijen për ditëlindjen e sajë. Rreth 12:30 pas mesnate filloi një zhurmë prej së largu e që për ç’do sekondë po na afrohej gjithnjë e më afër. Ishin disa helikopter Apache që po vinin drejt nesh, të cilët u afruan dhe filluan të sillen mbi ne. Nuk m’u durua dhe nga gëzimi e kureshtja e zgjova vozitësin i cili më porositi që ta zgjojë nëse kemi ndonjë ndryshim para se t’ia fusë gjumit. Pas disa minutash u dëgjua edhe më shumë zhurma e grupit tjetër të helikopterëve Apachee AH-64 të cilët erdhën krejtësisht mbi ne, por pa kurrfarë dritash që zakonisht natën i kishin të dhezura. Meqenëse nata ishte me një ndriçim të mrekullueshëm të hënës edhe ishte e kthjellët dhe kur u ofruan po dukeshin shumë mirë, qartazi po duke u sjellë mbi kokat tona. Kapiteni ishte zgjuar pakë më herët edhe u largua drejt grupit komandues, dhe pas disa minutash pas largimit të tijë tani sapo kthehej. U afrua edhe më tha se ende nuk ka gjë, dhe sa po e shof nuk kemi për të gjuajtur as sonte siç na ndodhi edhe disa herë më parë. Pas një kohe na erdhi lajmi nga shtabi i përgjithshëm dhe tani u bë publike se edhe sonte nuk do të ketë kurrëfarë sulmi nga njësia jonë.

Me të ndëgjuar këtë lajm, që të gjithë ushtarët që ishin për rreth të gatshëm për akcion mbetën të dëshpëruar dhe të zhgënjyer. Ata për menjëherë sikurse të ishin sinkronizuar, filluan t’i bien burive të automjeteve në shenjë dëshpërimi dhe pakënaqësie. I binin borive edhe për t’i dhënë shenjë rojeve ushtarake për rreth neve që t’i lëshojnë pozicionet e tyre të rojes, të cilët mbrenda një kohe të shkurtër filluan që të largohen. Filluan të largohen sepse gjithçka për rreth kishin pasë bllokuar. Pas disa minutave edhe ne me të gjithë kolonën e automjeteve ushtarake filluam të tërhiqemi. Edhe kësajë here pozicioni ynë i ri ishte që të pozicionohemi diku jo shumë largë në fushën e Laçit. Në mëngjesin e hershëm nga Radio BBC ndëgjuam një lajm të hidhur se njëri nga helikopterët tanë Apachee AH-64 qenka rrëzuar ngase kishte pasë problem teknik, dhe për shkak të relievit të keq malor ku po manovronin diku afër kufirit me Kosovën. Edhe në këtë aksident paskemi dy viktimat e para të Ushtrisë Amerikane, këta ishin edhe viktimat e para ushtarake të NATO’s që nga fillimi i kampanjës ajrore në luftën kundër forcave paramilitaro-ushtarake serbe. Ky helikopter Apachee AH-64 sigurisht se do të ketë qenë ndonjëri prej atyre që mbrëmë erdhën dhe po silleshin mbi ne, atje ku ishim të pozicionuar për sulm. Ndoshta edhe sulmi ynë mundë që të jetë shtyrë nga shkaku i këtijë aksidenti.

Edhe sot mbante kohë e mirë, por disi koha ishte e mërzitëshme dhe nuk po kalonte dot. Në sytë e secilit ushtar vërehej njëfare pikëllimi, sigurisht se ishte nga lajmi i aksidentit të kolegëve në helikopterët Apachee AH-64 të cilët ishin kolegë nga baza jonë, si dhe dëshpërimi nga dështimi i sulmit. Nga lajmet më të reja të ditës së sotme kuptuam se Presidenti Klinton pasi se ta vizitojë Shtabin e NATO’s në Bruksel, po planifikonte që të vijë e t’i vizitojë edhe refugjatët shqiptarë të dëbuar dhe maltretuar nga Kosova prej armikut fashist serb.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Aviacioni i NATO’s gjatë ditës së sotme kishte kryer 72 operacione kundër forcave serbe. Në Kosovë u qëlluan 21 topa artilerike, 30 mortaja, 4 tanke, 10 autoblinda, 8 artileri anti ajrore si dhe automjetet e tjera ushtarake serbe. Gjithashtu u sulmuan edhe depot e municionit në Novi Pazar, Boljevac dhe Kurshumli, depoja e karburantit në Somobor, treni me cisternë karburanti në Leskovc, shtabi i MUP’it në Kula Milicia, aeroporti në Ponikve, poligoni i ushtrimeve në Çuprija, rilei i radios në Rudnik, radio stacionet në Serbobran, Pirot dhe Kapaonik. Gjatë ditës së sotme Presidenti Amerikan Clinton vizitoi qendrën e NATO’s ku takoi sekretarin Solana për çka i siguroi se këtë mision do t’a çojë deri në fund. Bullgaria tani ishte pajtuar edhe për lejimin e hapësirës ajrore për tu shfrytëzuar nga forcat e NATO’s në kampanjën kundër regjimit të Millosheviqit.

E enjte 6 maj 1999

Aty nga ora 2:30 u tërhoqëm nga kjo pikë strategjike i tërë konvoji i gjatë ushtarak që kishim, tani filluam lëvizjen në drejtim të Laçit. Që të gjithë ishim të dëshpëruar që nuk na u lejua të shfrytëzojmë momentin kryesor, që të shkatërronim agresionin ushtarak serb. Raketat që kishim me ne ishin raketa që kishin në shenjë caqet serbe në një largësi deri në 300 km.,që don të thotë se kishin në kontrollë të tërë Kosovën, si edhe mundë të arriheshin shumë lehtë edhe caqe mbrenda Serbisë. Në krye të këtijë aksioni ishte i caktuar Kapiteni Bernardoni i baterisë “Charlie”, i cili kishte një eksperiencë të madhe dhe shumë të suksesshme në sulmet me Lancuesit Raketor MLRS. Ai kishte qenë pjesëmarrës i suksesshëm gjatë luftës kundër Presidentit Sadam Huseinit në Irak. Vazhduam rrugën më tutje dhe vonë gjatë natës u ndalëm dhe parkuam diku në fushën e Laçit, edhe ashtu të ulur në karriget e automjeteve ia dhamë gjumit deri herët në mëngjes deri me fillimin e lindjes së diellit. Mëngjesi ishte shumë i bukur por i freskët.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme forcat e NATO’s sulmuan një numër të madhë të forcave serbe mbrenda Kosovës, ata sulmuan pjesët artilerike, postin komandues, bateritë raketore tokë-ajër, konvojin ushtarak në afërsi të Prizrenit, autoblindat në jug të Gjakovës si dhe qëlluan më së paku 7 tanke. Gjithashtu u sulmuan edhe shumë pika strategjike mbrenda Serbisë. Mbrëmë u sulmua rilei i radios në Kopaonik dhe Novi Pazar, si dhe fabrika e derivateve të karburantëve në Somobor, Prahovo dhe Nish. U sulmua edhe ura në Uzhicë, fabrika e municionit në Paninje dhe Kacak, si dhe aeroporti në Ponikvë.

Jamie Shea njoftoi mediat sot dhe tha: “I jemi mirënjohës që më në fund u lejua që Rugova të largohet për në Itali, si dhe gëzohemi që ai  është larguar me tërë familjen e tij. Gjithashtu shpresojmë se ai do të jetë i lirë që në të ardhmen të vijë dhe të bisedojmë me të, dhe të shohim edhe pozicionin e tij.”

E premte 7 maj 1999

Edhe sot mbajti kohë e bukur, e nxehtë edhe me diell. Gjatë ditës nuk patëm shumë obligime, përveçëse ndonjë herë kur vinte ndonjë ushtarë për të kërkuar ndihmën time për ndonjë mosmarrëveshje me popullatën lokale atje ku ishim për momentin, kur ato donin të kalonin rrugën për të shkuar në shtëpitë e tyre. Ata të cilët kishin shtëpitë mbrenda perimetrit ku ndodheshim ne, i lejonim që të shkojnë në shtëpitë e tyre , e kurse të tjerët nuk lejoheshin. Ishin të detyruar që të prisnin sepse rruga ishte e bllokuar për shkak të kalibrimeve të Lancuesve Raketorë MLRS. Dikur pas dite derisa ne po mirreshim me kalibrimin e Lancuesve Raketorë MLRS, si zakonishtë më kurioz ishin fëmijët që vinin që të na shikonin se ç’po bënim aty. Shumica e qytetarëve mbeteshin disi të habitur kur më ndëgjonin se i flisja në gjuhën shqipe, edhe pse e kisha mbiemrin e shkruar në helmetë dhe uniformën ushtarake me mbiemrin tim Emini. Atyre nuk iu besohej se mundë që të kishte edhe shqiptarë në mesin e ushtrisë amerikane. Deri sa po bisedoja me fëmijët, një ushtar erdhi më kërkoi që të shkojë për t’i ndihmuar  atij.  Ai  kishte  problem  me  një  burrë shqiptar të moshës së mesme, i cili po donte të vazhdojë rrugën e tij me makinë pa lejen e ushtarit edhe pse e kishim bllokuar atë rrugë. E kishim bllokuar sepse po bënin kalibrimin e Lancuesve Raketorë MLRS. Shkova aty edhe iu afrova atij personit shqiptar edhe e përshëndeta në shqip: “Mirë dita zotëri”. Kur më ndëgjoi se po i flisja shqip, disi filloi përnjëherë që ta ndryshojë qëndrimin. Filloi të trimërohet duke ngritë zërin dhe duke mu kërcënuar e duke më thënë: “Unë nuk kam kohë t’ju pres juve këtu tërë ditën, tani menjëherë do t’i hypë makinës dhe do të kalojë andej!” Unë i thashë i qetë: “Prit pakë ore burrë, sepse mbrenda disa minutash do t’ju lejojmë që të gjithëve, sepse ata atje gati sa s’e kanë kryer kalibrimin. Pastaj ju mundë që të vazhdoni rrugën tuaj”. Ushtari që ishte afër meje dëgjoi nga zëri atij burraleci se diçka nuk është në rregull dhe me pyeti: “Çka po të bërtet ty ky njeri?” I tregova drejtë se ky farë burraleci nuk po donë të presë që ta e kryejmë punën tonë të kalibrimit. Pa pritë aspak ushtari ia drejtoi pushkën burralecit trim edhe më tha: Thuaj këtij: “Nanë q…, ta e shohim se si do të kalojë andej pa e kryer neve punën!”. Për menjëherë burraleci i ndërroi fjalët, mu kthye mua edhe po më thotë: “ Po ore vllaçko, kryene punën tuaj se unë pres. Nuk e kam problem, por si duket ju më keqkuptuat. Vazhdoni ju me punët tuaja”. I thash:” Po ore vëllaçko, nuk pate nevojë ta nënçmosh veten për asgjë, ky ishte vetëm se një mësim për ty, kalofshi ditë të mirë ore burrec!”

Edhe kjo ditë thuajse kaloi, edhe ne kishim humbë të gjitha shpresat se do të sulmonim me raketa, edhe pse përsëri na u dha komanda që edhe sonte të jemi në gjendje të gatishmërisë. Aty nga ora 21:00 i nxorëm Lancuesit Raketorë MLRS, dhe përsëri brenda një kohe krejt të shkurtër zumë pozicionet e sulmit. Pas disa orësh përsëri nëpërmjet radiolidhjeve ushtarake na u tha se edhe kësajë herë edhe kjo ishte veçse dhezje e thatë, që don të thotë pa municion, të veprohej sikurëse në sulmet e vërteta (operacionet ishin të kompjuterizuara nga Lancuesit Raketor MLRS). Tani të gjithë ushtarët ishin të demoralizuar nga lajmi për mosveprim të sulmit raketor, të cilët nuk fshehnin dëshpërimin duke më thënë hapur se neve nuk kemi ardhë këtu në pushim. Ne kemi ardhë që të kryejmë punën dhe të kthehemi në bazat tona. Besimi i sulmit çdo ditë sa vinte e zbehej, pasi se tani veçëse kishin filluar bisedime dhe më serioze në mes të palës serbe dhe përfaqësuesve të NATO’s për një marrëveshje diplomatike me ndërmjetësues edhe nga pala ruse.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Sulmet e NATO’s kryesisht ishin përqëndruar në sulme kundër tankeve, pozicioneve të artilerisë, posteve kufitare si dhe kundër pozicioneve të armëve kundër ajrore.

U sulmuan pikat strategjike, si bombardimi i pistës së aeroportit të Nishit në juglindje të Serbisë, si dhe afër stacionit të autobusëve të Nishit dhe depoja e karburantëve Jugpetrol. Sulmi në aeroportin e Nishit ishte bërë për shkak se aty është parë edhe një aeroplan luftarak si dhe një kamion ndihmës për mbrojtje  kundërajrore.  Në  Nish  u  sulmua  edhe ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave, poashtu bombardime pati edhe në Beograd ku gabimisht u qëllua edhe Ambasada Kineze aty ku u vranë 3 dhe u plagosën 20 pjesëtarë të ambasadës. Në orën 21:46 të mbrëmjes bombarduesit B-2 sulmuan depon e armatimit në Beograd. Gjatë kësajë dite u bombardua edhe “Hotel Jugosllavia” për shkak se ky vend po shfrytëzohej si shtab i paramilitarëve të Tigrave të Arkanit, për shkak se hoteli tani një kohë të gjatë ishte në duart e Arkanit, dhe po përdorej si Qendër Komanduese për në Kosovë, si dhe qendrën policore të MUP’it. U sulmua edhe pika strategjike si depoja e karburantëve në Brohovo, Nish dhe Parane, depoja e municionit në Surdulicë, aeroportet në Seneca dhe Ponikive.

Në Maqedoni për momentin ishin përqendru 13,000 ushtarë të NATO’, të cilët po ndihmojnë shtetin Maqedon si dhe organizatat humanitare me ballafaqimin e mëse 200,000 refugjatëve shqiptarë të dëbuar nga Kosova…

E shtunë 8 maj 1999

Pas mesnatës, rreth orës 1:00 filluan lëvizjet për kthim në çadrat ushtarake të Rinasit. Ushtarët ishin të lodhur dhe të dëshpëruar, sepse për shumicën e tyre ishte ndoshta hera e parë për ta parë dhe përjetuar efektin e këtyre armëve artilerike. Këto ishin ndër armët më të përsosura të këtijë lloji të Lancuesve Raketorë MLRS. Në kampin ushtarak të Rinasit arritëm rreth orës 2:00 pas mesnate, ishte ditë me shi edhe balta kishte arritë nivelin e zakonshëm si nga ditët e para të miat në këtë kamp ushtarak. Ne ashtu të lodhur dhe rraskapitur, edhe pse kishim mbetë të pa larë e të pa pastruar për një javë, posa arritëm menjëherë shkuam edhe u futëm në thesin tonë të gjumit edhe fjetëm. Në mbrëmjen e së Premtes harrova të përshkruaj se në kompaninë apo njësinë tonë erdhi që ta zavendësojë kompania “Bravo” edhe disa pjesëtarë të kompanisë “Alpha”. Ishte mjaftë interesante se për herë të parë kishim patur rastin që të mblidhen që të gjithë së bashku, kishte kaq shumë automjete dhe ushtarë, ku me to ishin edhe 24 Lancuesit Raketore MLRS. Që të gjithë në një vend. Aty dukej si një bazë e madhe ushtarake e përmasave të mëdha, ku secili që kalonte aty pari mbetej i mahnitur sepse i përngjante edhe dukej sikurëse të kishte filluar lufta edhe këndej kufirit kosovar. Dukej si të ishte gjendje lufte.

Gjatë ditës së sotme isha i lirë, bëra edhe pakë më tepër gjumë se zakonisht. Pastaj u zgjova dhe u pastrova edhe një herë si herave të mëparëshme me ujë të ftohët, pasi se nuk munda të rregulloj nxemësen e ujit që kinse tani na e kishin kishin vënduar. Kjo ishte diçka e ndërlikuar për të rregulluar për një fshatar Llojanas, dhe nuk kisha hasë dhe nuk dija se si punonte një aparat i tillë. Më vonë mblodha rrobat e pa lara për t’i bërë gati për në vendin e larjes, pasi që ato i dërgonin në bazën tjetër ushtarake në Aeroportin e Shkupit. Këto i dërgonin në Maqedoni për t’i pastruar, sepse këtu në Rinas nuk kishim ujë të mjaftueshëm për ta kryer pastrimin që duhej. Për pastrimin e rrobave ato zakonisht dërgoheshin në qendrat tjera ushtarake për rreth arenës ku ishim, dhe pas tre ditësh na u ktheheshin rrobe të pastruara dhe të hekurosura. Gjatë kësaj kohe më erdhi lajmi se brenda  disa  ditësh  do  të  udhëtoja  në  terrenin shqiptarë me kompaninë “Bravo”, edhe atë për një kohë të pa caktuar. Duhej të shkoja diku deri në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë, diku shumë më afër vatrës së luftës, diku shumë më afër qendrës së zjarrit! Nuk e kisha ditën e caktuar se kurë do të nisemi, por më duhej të jam në gjendje gadishmërie për çdo kohë. Sot e kisha një ditë shumë të lumtur sepse ishte hera e parë që po sa mora letrën e parë prej familjes, nga koha që kurë se erdha në Shqipëri. Ishte gëzim i madhë dhe një ç’lodhje për mua, sepse kjo ishte e vetmja lidhje që kishim tani për tani, për shkak se lidhjet telefonike ishin gati se të pamundura.

Kjo letër që mora tani, më shtyri prapa shumë shumë vitesh kur isha në shkollën e mesme dhe gjatë studimeve. Sa me nostalgji po i kujtoja ditët kur shkëmbenim letra me axhën Emin, i cili kishte shkuar në punë të përkohëshme në Wienë të Austrisë. Prisnim me pa durim çdo ditë postën mos po na sjellë ndonjë letër prej tijë, sepse ajo ishte i vetmi mjet komunikimi që po ndëgjoheshim me të! Me lidhjet telefonike të brishta prej këndej nga Shqipëria e provova edhe disa here dhe fillova të bindem se ato ishin të pa mundura. E sa për telefonat satelitorë ushtarak, nuk na lejohej që të përdoren si lidhje civile, për shkak të kostos që kishin po edhe se ato ishin të rezervuara vetëm për shërbimet ushtarake. Po afrohej edhe ditëlindja e Liridonës vajzës më të madhe. Ajo kishte ditëlindjen pas një jave. Ajo po i mbushë 7 vjetë. Shkova përsëri deri te sportelet e aeroportit, aty ku kishim një duqan ushtarak për të blerë një kartë postale. Deshta të paktën që nëpërmjet sajë t’i shprehi urimet më të përzemërta bukuroshes së babit! Kartë postalen që e bleva menjëherë e shkrova dhe ia përcolla nëpërmjet postës ushtarake, me shpresë që t’i arrijë para ditëlindjes së sajë, sepse zakonisht letrat nga baza për të arritur në SHBA vononin më tepër se një javë.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Mbi 1.5milion Kosovar ishin ç’vendosë nga shtëpitë e tyre, tani mbi 900,000 prej tyre ishin larguar jashta Kosovës dhe mëse 100,000 të rinjë të moshës ushtarake nuk dihej se ku ishin! U raportua edhe për 4,600 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat kriminale serbe si dhe u dëmtuan apo u shkatërruan më shumë se 500 fshatra të Kosovës.

Rreth orës 16:10 pas dite forcat aleate bombarduan urën mbi lumin Nishava në qendër të Nishit, prej nga informohet se u dëmtua edhe konsulata Greke si dhe parkingu i autobusave të Nish Express’it. Këto sulme të kryera mbi urë ishin në një afërsi edhe të Shtabit të Armatës Jugosllave. U sulmuan edhe Ministria e Mbrojtjes Veri në Beograd, Ministria e Mbrojtjes Jug në Beograd, ndërtesa e Stafit të Përgjithshëm të Armatës si dhe antenat e komunikimit satelitor në Beograd. U sulmua edhe Shtabi i Përgjithshëm i Policisë Speciale MUP të Republikës Federale të Jugosllavisë si dhe depoja e armëve. NATO sulmoi edhe transformatorin e rrymës elektrike në stacionin 3,5 dhe 8 në Beograd dhe Obrenovac.

E diel 9 maj 1999

Sot ishte një festë mjaftë madhështore në Amerikë, ishte dita e nënës. Në mëngjes përsëri shkova deri në aeroport me shumë shpresë se mos po kisha fatin që të lidhemi në lidhjet telefonike me Shahadijen. Deshta që ta provojë të paktën mos po kam fatin ta marr në telefon që të mundë t’ia urojë festën asajë, nënës së dy bukurosheve tona më të mira. Përsëri edhe kësajë here ishte e kotë! Dështova dhe prej aty vendosa që të ndalem për disa minuta edhe në vetëshërbimin ushtarak që e kishim aty afër pakë më tutje mbrenda Aeroportit të Rinasit. Më tepër po shkoja sa për të parë se ç’kishim në këtë shitore. Për fat t’imin edhe shitorja qëlloi e mbyllur sepse tani kishin kohën e pushimit. U ktheva në çadër sepse nuk deshta të pres aty më tepër, sepse shkruante se do të hapej pas një ore.

Telefoni dhe shitorja ishin në një largësi bukur të madhë nga çadra ku ishim të vendosur ne, por dikur më vonë vendosa që përsëri të kthehesha atje. Po mbante mjaftë kohë e nxehtë, u nisa ngadalë edhe atje mbërrita diku rrreth orës 12:00 në mesditë. Pas të gjithë asajë rruge që bëra përsëri ishte e kotë, sepse shitorja ishte e mbyllur përsëri për shkak të mungesës elektrike! Atje qëndrova deri në orën 13:00 duke pritë se mos po rregullohet rryma që të hapet shitorja.Gjatë kësajë kohe sa prita aty takova një shqiptare lokale që po punonte aty, por tani kishin dalë që të gjtihë punëtorët jashtë për shkak të mungesës së rrymës elektrike. Filluam të bisedojmë duke pritur derisa të vijë rryma. Gjatë bisedës ajo më pyeti se pse unë nuk shkoj t’i bashkangjitem në radhët e UÇK-së? Disi mbeta i shokuar prej asajë pyetje! Përgjigjeja ime ishte: “Lash jetën time që e kisha rregulluar bukur mirë, lashë familjen, pra gruan me fëmijët e mitur edhe erdha këtu mu për atë qëllim. Ndoshta po më sheh tani që jam në krahun e UÇK-së që t’i ndihmojmë ata, pasi se kjo ushtri është aleati më i madh i shqiptarëve që kemi patur ndonjëherë. Saktë për këtë edhe vendosa që t’i bashkangjitem kësajë force, Armatës Amerikane!”. Pastaj unë pa mëdyshje e pyeta zonjën shqiptare:“Ju a keni ndonjë pjesëtarë të familjes tuaj që iu ka bashkangjitë apo po ndihmon UÇK-n?” Ajo me mimikat e saja më shikoi mua si të çmendur dhe për menjëherë mu përgjigj; “Jo! Pse ne të luftojmë, ne nuk kemi kurrëfarë problemi prej këndej. Ne jemi mirë, ai problem atje është i tyre, i kosovarëve. Ata duhet të luftojnë!” Mbeta i shokuar nga fjalët e saja. Sa e kuptova unë, ajo ishte një vajzë e re, e bukur me flokë kaçurrela por tepër arrogante. Mua më dukej se ajo nuk kishte pasë gjak shqiptari! Fjalët që m’i tha kjo arrogante, më la përshtypjen se nga“Nëna Shqipëri”, ndoshta nuk paskemi asnjë vullnetarë në aradhat e UÇK-së. Mua më dukej se ajo ishte një arrogante që urrente kosovarët tej mase! Nuk munda ta durojë më, edhe unë disi nga zemra e plasur i thashë diçka palidhje: “Po, ju s’keni kohë të ndihmoni vëllezërit tuaj, sepse ju jeni në luftë në mes veti. Edhe mu për këtë ne me ushtarët amerikan jemi të detyruar që edhe këtu mbrenda Shqipërisë të ecim të mobilizuar sikur me qenë në gjendje lufte edhe këtu. Po, sikur me qenë në frontin e luftës për shkak të kriminalitetit që keni në këtë vend!” U largova nga ajo kinse po shikoja diçka tjetër mbrenda objektit të aeroportit. Kishte qenë shumë më mirë e që mos ta kisha taku këtë vashë, sepse me të vërtetë më demoralizoi tej mase.

U bë ora 13:00, tani sa erdhi rryma edhe shitorja u hapë për menjëherë. Hyra mbrenda për të blerë ndonë send, por nuk gjeta asgjë që më interesonin mua. Kot që e kisha bërë të gjithë atë rrugë për asgjë. U ktheva në çadër i dëshpëruar nga takimi me atë punëtoren shqiptare që më mirë mos ta e kisha takuar, po edhe nga rruga e kotë që bëra nëpër atë zheg dhe pluhur të madh. Me të kthyer në çadër u zbatha dhe u shtriva në krevetatin e aluminit të mbuluar me një qebe dhe thesin tim të gjumit. Fillova leximin e një libri të shkruar nga Tom Brokaw, një gazetarë i njohur Amerikan të cilin e bleva në Aeroportin e Atlantës së Georgia’s në SHBA gjatë rrugës për në Shqipëri. Ky libër ishte një përmbljedhje e intervistave të Tom Brokaw si gazetarë me disa pjesëtarë të luftës së dytë botërore, si ajo në Normandi dhe disa vendeve tjera të Evropës. Rreth orës 18:00 të mbrëmjes erdhi Kapiteni Lerner aty afër, ashtu i qetë si çdo herë edhe më pyeti:“A don të vishë në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm, e cila po mbahej çdo ditë në orën 19:00 për komandën ushtarake. “Po” iu përgjigja, dhe së bashku me kapitenin shkuam në mbledhje, edhe kësajë here më tepër shkova për të ndëgjuar informatat më të reja nga zonat e luftës në Kosovë. Si çdo herë edhe sot mbledhja filloi me planet 3 ditore të armatës, dhe pastaj vazhdoi edhe për gjendjen e luftës mbrenda Kosovës. U informova për numrin e madh të refugjatëve që kishin hyrë në Shqipëri dhe Maqedoni mbrenda ditës së sotme, gjithashtu edhe për luftimet e rrepta të UÇK-së me forcat serbe që po zhvilloheshin në afërsi të Junikut. Pjesëtarët e UÇK-së me luftimet e tyre po mbanin të hapur koridorin për furnizim me armë në mbrendësi të Kosovës prej Shqipërisë. Aty gjithashtu ndëgjova edhe lajmin më të hidhur për vrasjen e albanologut dhe aktivistit të madh të çështjes shqiptare Prof. Dr.Fehmi Aganit, për vrasjen e të cilit kishin dy informacione: njëra ishte se na qenka vrarë nga pjesëtarët e UÇK-së, (krejtë pa bazë!) dhe tjetra të së cilës më tepër i besonim të gjithë se ishte nxjerrë nga grupi i refugjatëve kosovarë nga forcat kriminale serbe edhe ishte pushkatuar së bashku me burrat e tjerë. Lajmi i vrasjes së prof. Dr. Fehmi Aganit më tronditi pa masë, sepse këtë profesor e kisha taku shumë vite më herët. Ishte një shkencëtarë i sociologjisë dhe atdhetarë i madh i shqiptarizmit. Ç’të bësh, kur vrasjet e shqiptarëve në Kosovë janë diçka e zakonshme, sepse atje njerëzit e pa fajshëm vriten çdo ditë. Jeta e tyre është si asgjë, dhunohen dhe masakrohen gjithëandej  vetëm e vetëm pse janë shqiptarë!

Gjatë mbledhjes u bisedua edhe për bombardimet e NATO’s që po vazhdonin edhe mbrenda në Serbi, si dhe për bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd që sapo kishte ndodhur dhe po dyshohej se aty mbrenda ambasade ishin radiolidhjet kryesore të Shtabit Policoro- Ushtarak të Serbisë. Nga ana tjetër Kina dhe Rusia ishin ata që ende po përkrahnin Presidentin Jugosllav Millosheviqin! U bisedua edhe për bombardimin e Radio Televizionit të Serbisë, ku kishte të vrarë edhe disa gazetarë. Pas informatave për Kosovën, unë u ngrita ngadalë pa i pengu të tjerët edhe u largova nga mbledhja që tani do të fillonte në përgjithësi për planet e ardhëshme të luftës. Prej mbledhjes shkova përsëri në çadrën time dhe atje vazhdova me leximin e librit që e kisha filluar më herët dhe të cilin e lexova deri vonë në mbrëmje.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Pikat strategjike të sulmeve të NATO’s gjatë ditës së djeshme ishin: Aeroporti i Nishit edhe ai i Prishtinës si dhe Galenika. U sulmuan edhe urat në Nish, Crepij adhe Magric, transmetuesi televiziv në Kradulevec, radio rilei në Novi Pazar, Ivanica, Brudnic, Bladinovac, Losnika, shtabi i kazermës në Kragujevc dhe depoja e karburantit në Serbadjevo, Lokpaknica dhe Nish. Mbrëmë u sulmuan edhe 5 pozicionet e artilerisë dhe 6 pozicionet e mortajave në afërsi të Glearlanit, u sulmuan edhe 2 pozicione ushtarake, autoblinda, ushtarë, si dhe mjete tjera të trupave serbe, 1 radar si dhe shumë pozicione tjera mbrenda në Kosovë.

U bisedua edhe për marrëveshjen diplomatike në mes të envojit Rus Viktor Chirnomyrdin, Kancelarit Schreder si dhe anvojit special të posazgjedhur Mr.Carl Bildt të OKB, bisedë e cila ishte mjaftë e suksesëshme pasi se Rusia po qëndron në principet e G8. Gjatë ditës së djeshme kishte pasë takime dhe në mes të Kancelarit Schreder dhe udhëheqësit kosovar Ibrahim Rugovës, i cili tani ishte në Romë, ku po kërkonte që refugjatëve kosovar t’i lejohet kthimi sa më i shpejtë në shtëpitë e tyre dhe në vazhdim të bëhej edhe marrëveshja politike e Kosovës.

E hënë 10 maj 1999

Gjatë natës kishte shi me shumë frymë dhe me shpejtësi mjaftë të lartë, ndoshta ka arritë edhe me mbi 50 kmh, dhe gati sa na i mori edhe çadrat tona! Nga era e  fortë  edhe  shiu  filloi  të  na  pikojë  edhe  për mbrenda çadrave!

Gjatë ditës edhe sot ishte ditë e qetë, nuk kishte kurrëfarë lëvizjesh me rëndësi. Më vonë filloi një ditë e mirë me diell, dhe kohë pas kohe me pak re. Tani sa më lajmëruan që të bëhem gati për nesër. Më lajmëruan para kohe edhe pse ne gjithëmonë ishim të gatshëm, sepse kishim vetëm se nga një thes ushtarak me veshëmbathjet mbrenda tijë, dhe nga një çantë me disa sende personale. Këto më tepër ishin sende higjienike të përzier me ndonjë libër dhe fletore për të shkruar gjërat më interesante të ditës. Ne çdo herë ishim të gatshëm për në çdo moment të ditës apo natës. Më lajmëruan se nesër në orën 18:00 të mbrëmjes do të nisemi për në rrugë me kompaninë Bravo në drejtim të kufirit me Kosovën. Do të shkonim në një afërsi rreth 20 km., e sa më kujtohet mua, kjo ishte edhe hera e parë që po i afroheshim kaq afër kufirit Kosovë-Shqipëri. Më lehtë e kam të them më afër kufirit shqiptaro-shqiptarë, të cilin na kishin caktuar të huajt. Siç e dijmë nga ana historike ky kufi na erdhi pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atëherë kur pjesa më e madhe e tokave shqiptare iu dha Serbisë, Mali të Zi dhe Greqisë, kur edhe pushtohet nga sllavo-grekët. E gjithë kjo marri e ndarjes së tokave Arbërore u bë më 29 Korrik 1913 në Mbledhjen e Ambasadorëve të gjashtë fuqive botërore të kohës: Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë. E ndanë popullatën dhe tokat shqiptare në mes veti. E ndanë në pesë shtete, aty ku kufizohen shqiptarët me shqiptarë. Ja mu ashtu siç po shifet edhe në ditët e sotme, ndarje e cila na solli vetëmse vuajtje, vrasje, përdhunime, djegje dhe luftëra deri në ditët e sotme!

Informacionet e 24 orëve të fundit

Operacionet e sotme ishin më të pakta, ishin realizuar vetëm se gjysma e tyre për shkak të kohës së keqe. Sot gjithashtu sulmuan pikat strategjike duke i shkaktu dëme edhe më të mëdha Millosheviqit. Sulmi vazhdoi në aeroportin e Nishit, u shkatërrua rilei i radios usharake në Mitrovicë, Kotava dhe Novi Pazar, poashtu u sulmua  edhe depoja  e karburantëve  në afërsi të Prishtinës. Nga sulmet e aviacionit të NATO’s u asgjësuan 2 tanka afër Riznikut, 10 autoblinda në afërsi të Kalavës si dhe mjete ushtarake të kamoflazhuara në afërsi të Deçanit dhe Prizrenit, po ashtu edhe posti komandues në Gjakovë dhe një numër i qendrave ushtarake. Gjatë ditës së sotme patëm një sulm në afërsi të Lipjanit në Kosovë, kurse më vonë rreth orës 15:00 pas dite u sulmua edhe fabrika “Sloboda” në Çaçak, në  qendër të Serbisë. Sulmi kishte ndodhë kryesisht në zonën industriale në lindje të qytetit, rreth një kilometër nga qendra e qytetit.

Sipas informatave të UNHCR rreth 650,000 refugjatë ishin lajmëruar deri më sot në Shqipëri dhe Maqedoni, dhe tani në partneritet NATO’ja dhe UNHCR me organizatat humanitare duhej ndihmuar këto refugjatë me veshëmbathje dhe ushqime…

E martë 11 maj 1999

Pasi mora lajmin se sot do të nisemi rreth orës 18:00 të mbrëmjes, përsëri erdhën kolegët ushtarak dhe më thanë të behëm gati se do të nisemi edhe më herët se ishte planifikuar kjo rrugë të gjatë me njësinë Bravo. Unë veçse isha i gatshëm, dhe dikur rreth orës 13:30 i gjithë personeli ushtarak që po shkonim filluan përgaditjet e mëdha për në rrugë që do të ndërmarrim. Kështu që në orën 16:00 veçse u nisëm dhe dolëm nga baza ushtarake e Rinasit. Një orë para nisjes, me të shpejtë shkova edhe bëra një dush, sepse nuk i dihej se kur do të ktheheshim këtu në bazë. Po bisedohej se do të shkojmë në rrugë për tërë javën, e ndoshta edhe për më gjatë. Edhe kësajë here, sikur herave tjera, nuk kishte ujë të nxehtë. Ashtu si çdo herë më parë u pastrova me ujë të ftohët, edhe atë sa për të freskuar trupin pakë.

Pasi u nisëm, kapiteni Lerner më tha se kemi marre një rrugë bukur të gjatë, edhe atë do të shkojmë krejtësisht afër kufirit me Kosovën. Ky ishte një lajm që më gëzoi pak, dhe më tha se pika jonë strategjike ku do të qëndrojmë për një kohë do të jetë përtej qytetit të Shkodrës, diku në male në afërsi të qytetit të Pukës.

Rruga që morëm ishte e ngadalshme por edhe e vështirë, për të gjithë kolonën ushtarake që kishim rrugë të drejtimit tonë ishin të ngushta dhe mjaftë të rrënuara, e sidomos për automjetet e rënda ushtarake. Me vete kishim një kolonë mjaftë të gjatë ushtarake me: Lancuesit Raketorë MLRS, kishim edhe shume kamiona ushtarak, cisternën e karburantit, cisternë uji të pijshëm si dhe shumë Humvee’s. Kaluam Fushë Krujën aty  rreth orës 17:30 të mbrëmjes. Në qytet kishte mjaftë trafikë njerëzish dhe automjete të qytezës. Gjatë rrugës së qytetit derisa po kalonim më ranë në sy edhe disa të rinjë me uniformat ushtarake të UÇK-së, pamje që më gëzoi shumë. Gjatë rrugës gjithkund fëmijët po na pritnin me duartrokitje dhe të bërtiturat e tyre të zakonshme: UÇK, UÇK, UÇK, edhe na përshëndesnin me duartë lartë. Po edhe me dy gishta lartë në shenjë të V’s (Fitore/Victory). Gjatë këtijë udhëtimi për kapiten tani kisha një personel tjetër ngaqë kisha në herët e më parëshme, quhej Buth. Edhe ky kishte respekt të madh ndaj meje, edhe ishte mjaftë shoqërues. Tani po kalojmë dhe në afërsi të qytetit të Lezhës, një vend historik të një rëndësie të veçantë për ne shqiptarët. Qytetin ku u bë “Lidhja e Lezhës” e cila ishte e një rëndësie të veçantë historike. Po, sepse aty u bë një aleancë ushtarake e themeluar me 2 Mars 1444, në krye me prijësin tonë legjendar Gjergj Kastrioti-Skenderbeun. Ky ishte kryeprijësi prijësve Arbërorë dhe të tjerëve për rreth, që të bashkuar të luftojnë kundër Perandorisë Osmane. Anëtarët kryesorë të besëlidhjes ishin: Arianitët, Balshajt, Muzakajt, Spanët, Zahariajt dhe Gjurashët, e që Barleti e quajti “Generalis Concilium Universum Concilium” (Këshilli i përgjithshëm).

Kuvendi i Lezhës apo”Besëlidhja e Lezhës” është edhe si pikënisja e krijimit të shtetit të parë shqiptarë. Në Lezhë gjithashtu kemi edhe varrin e kryetrimi tonë legjendar Gjergj Kastriotit- Skenderbeut, i cili u varros aty pas vdekjes së tijë më 17 Janar 1468 në kishën Shën Kollit. Më vonë pas pushtimit të Krujës më 1480, pas 12 vjetësh pas vdekjes së heroit, thuhet se eshtrat e Skenderbeut u zhvarrosën nga ushtarët e Perandorisë Osmane, me qëllim që do ti përdornin eshtrat e kryetrimit si hajmali për t’u mbrojtë dhe për t’i dhënë kurajo për në betejat e mëtutjeshme me Arbërorët!

Qytetin e Lezhës e kaluam edhe nën eskortën e policisë shqiptare, e cila na udhëhoqi që nga nisja në Bazën Ushtarake të Rinasit. Kolona ushtarake ishte mjaftë e gjatë, ishte edhe më e gjata që kishim patur gjerë më tani, që edhe na vështirësonte për lëvizje më të shpejtë. Nëpër secilin vendbanim që po kalonim, rrugët ishin të stërmbushura plotë me njerëz, ndoshta edhe nga shtimi prej popullatës me ardhjen e refugjatëve nga Kosova e pushtuar nga forcat slave. Por, ishte edhe kohë e mirë pranverore kur shumica e popullatës dalin për të bërë xhiro. Tanimë ishte errësuar. Nga ramja e territ të natës, me të dalë largë nga Lezha, u ndalëm afër një stacioni hekurudhor mjaftë të madhë por krejtësisht i boshadisur dhe shkatërruar. Ky stacion më tepër po i përngjante më shumë një gërmadhe sikurse pamjet nga filmat për luftën e dytë botërore, kur gjithçka ishte e shkatërruar nga bombardimet dhe e lënë pas dore! Jo veçse stacioni hekurudhor që kishte një pamje të tillë, por edhe më tepër kishin përjetu uzinat që pamë gjatë rrugës e që po i përngjanin më tepër sikurse me i pasë kapë shkatërrimi i bombës atomike të Hiroshimës apo ajo e Nagasakit. Ishin me një pamje shumë të tmerrshme dhe të mjerueshme, gjithkund po shihej shkatërrim i dhimbshëm. Në afërsi të këtijë stacioni hekurudhorë stopuam dhe aty do të kalonim këtë natë të qetë pranverore.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë ditës së sotme forcat e NATO’s sulmuan pikat strategjike jugosllave si dhe mbi forcat serbe në Kosovë. Sot u sulmuan 7 radio rilej në Savac, Cenika, Ivanicka, Ferizaj, Azar, Kosovska dhe Kruçivac. Këto rilejë po shfrytëzoheshin nga forcat serbe të intelegjencës. U sulmuan edhe 7 ura, si dhe ura e hekurudhës në Gradilishka.

NATO konfirmoi se sot aviacioni i tyre kishte bombarduar depon e karburantëve “Jugpetrol” si dhe aeroportin e Nishit. Gjithashtu sot pati sulme dhe në depon e gasit “Energogas”. Gjatë ditës së sotme në orën 21:30 të mbrëmjes u sulmua edhe në jug të qytetit të Nishit. Sipas informatave të Tanjug’it, gjatë këtij sulmi u lëndua edhe Nënkryetari i Partisë Socialiste si dhe Nënkryetari i Këshillit Republikan për të cilët u tha se derisa ai me grupin e tijë po vizitonin “Jugpetrolin”ndodhi sulmi. Sot u bombardua edhe ura mbi lumin Moravë në Vladiçin Han në juglindje të Serbisë.

Sipas NATO’s u tha se ata ende nuk kishin parë kurrëfarë ndryshimi në lidhje me tërheqjen e trupave serbe, siç ishin marrë vesh me to, “por edhe sikur të ishte parë ndonjë lëvizje e vogël “pjesërisht” ajo nuk është mjaftë për ne”kishte thënë Sekretari i Mbrojtjes së SHBA’së William S. Cohen. Nesër në mëngjes pritet që të shkojë në Shqipëri edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, për t’i parë prej së afërmi refugjatët shqiptarë dhe pasdite të vizitojë refugjatët edhe në Maqedoni.

E mërkurë 12 maj 1999

Pasi u zgjuam, dikur rreth orës 9:00 të mëngjesit, përsëri vazhduam rrugën përpjetë për t’iu ngjitë maleve të Alpeve Shqiptare, male të cilat kishin një pamje të bukur dhe shumë mahnitëse. Vende vende nëpër  disa  majë  malesh  ende  po  shihej  dëbora  e bardhë që prej së largu dukej sikurse malit i kishin vu plisin e bardhë, edhe pse ishim gati në gjysmën e Majit! Rrugëtimi ndërmjet maleve të larta na mori disa orë udhëtim. Këto rrugë ishin mjaftë të ngushta, me lakesa të mëdha gjarpërore dhe shumë të vështira për të kaluar automjetet e rënda ushtarake.Gjithashtu të vështira ishin edhe për automjetet me karburantë furnizues si dhe Lancuesit Raketorë MLRS. Shkuam deri në afërsi të Shkodrës, dhe pastaj morëm rrugën në të djathtë të qytetit dhe vazhduam përpjetë ku më vonë arritëm në një majë mali. Kishim arritur diku në mes të Shkodrës dhe Pukës, por shumë më afër qytetit Pukës. Atje kishim edhe njërën nga pikat tona strategjike në rast të ndonjë sulmi. U ndalëm në një lëndinë dhe morëm pozicionet tona të nevojshme, ku gjithçka që kishim për rreth e mbuluan me mbulesën tonë me rrjetin kamuflazhë ushtarak. Këtë e bëmë për mos t’u hetuar nga rrethi prej së jashtmi, pasi se tani veçëse ishim ndoshta edhe brenda perimetrave të artilerisë serbe. Edhe sot po përjetonim edhe një ditë shumë të bukur dhe me diell, me një erë mjaftë freskuese dhe me gjelbërim të maleve gjithandej për rreth nesh. Këtë ditë e kaluam sikurse edhe shumë herëve të tjera: pusho, ha, pi dhe gjumë nën qiell të hapur. Në rrafshnalta tendat i stacionuam veçse disa kilometra larg qytetit të Pukës. Aty kishim një rreth malorë me shkurre por me gjelbërim, por edhe mjaftë piktoresk. Diku rrreth orës 15:00 pas dite patëm edhe vizitën e parë në këtë bazë të re ushtarake, ishin dy helikopterët e Armatës Amerikane “Black Hawk”, të njohur nga shumë beteja të më hershme të ushtrisë amerikane: në Vietnam dhe Irak, të cilët erdhën dhe na sollën postën dhe ca pjesë të automjeteve të cilat ishin kërkuar nga komanda jonë. Ishin kërkuar sepse gjatë rrugës malore në mes të Shkodrës dhe kësajë pike, atje afër dikund na mbeti në rrugë njëri nga Lancuesit Raketorë MLRS nga një defekt teknik, të cilit iu prish transmisioni! Në këtë rrafshlartë tani do të kalojmë dhe natën e parë të rrugëtimit. Gjatë mbrëmjes, nata ishte e kthjellët dhe me shumë yje. Tani ishim krejtë largë nga qytetet dhe vendbanimet. Nuk shihej kurrëfarë drite, përveçëse kohë pas kohe nganjëherë ndritej i tërë qielli në distancë dhe pas disa sekondash ndëgjohej edhe bubullima nga bombarduesit e NATO’s mbi forcat paramilitaro- ushtarake serbe. Bubullima ishte ajo që e pëlqeja pa masë, sepse më tregonte se diçka po bëhej për të mirë në emër të “Lirisë” së më të dashurve tanë, të vëllezërve dhe motrave tona në Kosovën martire!

Informacionet e 24 orëve të fundit

Mbrëmë kishim 24 orëshin më të nxanun të kampanjës që nga fillimi i bombardimeve të NATO’s. U tha se patëm 327 fluturime e që deri më tani ishin bërë rreth 20,000 fluturime dhe të cilat sulmuan forcat e Millosheviqit edhe në tokën e Kosovës. Caqet kryesore përsëri ishin tanket, autoblindat, armët artilerike, armët kundërajrore,  mortajat,  postet komanduese, grupet ushtarake në veçanti në “Suva Rekë- Therandë”, Junik dhe rreth Shtimjes si dhe u sulmuan edhe shumë kamione ushtarakë serb.

Pikat strategjike që u qëlluan gjithandej Jugosllavisë ishin: 5 aeroporte, 8 ura dhe 4 vende me material luftarak. Me shumë sukses ishte sulmi i djeshëm mbi Forcat  Ajrore Jugosllave, ku i shkatërruan 5 aeroplanë luftarak MiG 21, gjë që do t’i dobësojë pa masë Forcat Ajrore Jugosllave. Me këtë po i bëhej e ditur se Millosheviqi nuk ka kurrfarë rrugëdalje pos pranimit të 5 pikave kryesore të NATO’s, dhe tërheqjen e tërësishme të forcave serbe nga Kosova.

E enjte 13 maj 1999

Pasi se u zgjuam sot herët, disa nga mekanikët ushtarak shkuan që të ndihmojnë në rregullimin e Lancuesit Raketor MLRS që kishte mbetur gjatë rrugës, e që më vonë do ta e sjellnin këtu ku ishim përqendruar për momentin. Në fytyrat e shumicës së ushtarëve shihej njëfarë zhgënjimi sepse shpeshëherë më thonin:“Ne kemi ardhë këtu për të kryer një detyrim që e kemi, dhe pastaj të kthehemi prej andej nga erdhëm, e jo për pushime në malet e Alpeve të Shqipërisë!”

Sot ishte një ditë e veçantë për mua, sepse sot është ditëlindja e vajzës time më të madhe, ditëlindja e bukuroshes së babit Liridonës! Këtë ditë të cilën kisha dëshirë që ta festonim së bashku me të gjithë anëtarët e familjes, por për tani kemi diçka edhe shumë më të rëndësishme të këtyre viteve, luftën për lirinë e popullit tonë shqiptarë.

Për fatin tim, as që do të kem fatin që të paktën t’ia kisha uruar nëpërmjet telefonit. Sot bukuroshja e babit Liridona po mbusë 7 vite. Urime bija e babit, të urojë gjitha të mirat ty dhe të gjithë familjes!

Gjatë bisedës para disa ditësh me Kapitenin John Roadcap, kur po bisedonim edhe në lidhje me fëmijtë tanë që kishim lënë në Amerikë, edhe gjatë bisedës i tregova se në ditën e sotme ka ditëlindjen vajza ime më e madhja Liridona. Gjatë kohës që po bisedonim sot me kapitenin Roadcap ai nuk më tha asgjë, mirëpo e kishte mbajtë në mendje shumë mirë ditëlindjen e Liridonës, dhe pa përmendë asgjë më vonë pas disa minutash po më thotë:“Të lutem eja me mua sepse kam lidhje të ngushtë me mekanikun civil të Lancuesve Raketor MLRS, i cili ka një telefon satelitor të kompanisë së tijë private. Do t’ia marrë për ta dhënë ty që t’i telefonosh familjes, të paktën sa për t’ia uruar ditëlindjen bukuroshes tënde. Por me kusht  që bisedën ta keshë sa më të shkurtë dhe mos t’i tregosh askujtë. Askujtë sepse mundë t’i nxjerrim telashe kolegut për përdorime private të telefonit të tijë satelitorë! ”Kapiteni shkoi te shoku i tij, dhe ia kishte marrë telefonin satelitor dhe ma solli mua. Më tregoi se si përdoret, edhe më tha: “Tani ik pas kaçubeve dhe telefono familjen!” Mora telefonin dhe u fsheha pas kaçubeve që mos të shohë askush prej grupit tonë edhe telefonova shtëpinë. Ishte ora 14:00, që me kohën e Clevelandit ishte ora 8:00 e mëngjesit. Nga ana tjetër telefonin e hapi Shahadija e cila sa më duket ishte ende përgjumshëm. Bisedova shkurtë me Shahadijen, sa për tu ndëgju se si ishin e gjithë familja dhe ç’kishte të re atje. Pastaj bisedova edhe me Liridonën të cilës i urova ditëlindjen me shëndet dhe me jetë të gjatë dhe të lumtur. Pas sajë bisedova edhe me Mimozën të cilat ishin zgjuar edhe u gëzuan pa masë që bisedum në telefon, sepse kjo ishte hera e parë që po bisedoja edhe me vajzat. Më në fund u përshëndetëm dhe u ndamë nga biseda tepër e shpejtë dhe e shkurtër por tepër e vlefshme. Ia  ktheva  telefonin kapitenit edhe iu faleminderova shumë me gjithë zemër për shërbimin që më bëri kapiteni Roadcap me shokun e tij.

Gjatë ditës në këtë vend qëndrim erdhi një djalë kurioz lokal rreth10-12 vjeç, për të na parë se ç’po bënim. Iu afrova dhe e përshendeta, përnjëherë fytyra e tijë buzëqeshi pasi se më ndëgjoi që po i flisja shqip. E pyeta se prej nga na erdhe, pasi se aty për rreth nuk shihej kurrëfarë vendbanimi? Më tha se ishte nga fshati Dedaj, aty afër ku ishim vendosë ne, dhe jo aq largë edhe nga qyeteti i Pukës. Për menjëherë më tha: “O ti qenke shqiptarë”. Iu përgjigja:“Po edhe unë jam shqiptar si ti”. U gëzua shumë pse i fola. Më tregoi se në familjen e tij kishin marrë edhe shumë refugjatë nga Kosova që kishin ardhë në fshatin Dedaj. Më pyeti se kur do të shkonim që t’i shporrim forcat serbe nga Kosova? Unë iu përgjigja se do të shkojmë së shpejti, veçëse jemi duke pritur kur të na jipet urdhëri! Deri sa po bisedonim, me njërën dorë nxorra disa sheqerka nga xhepi të cilat i kisha mbledhur nga ushqimet e paketuara ushtarake MRE që na vinin edhe lloje të ndryshme sheqerkash, për t’ia dhënë këtijë bukuroshi të vogël i cili me sjelljet e tij ishte shumë i matur. Po sikurse me qenë i moshës shumë më të madhe! Mirëpo për çudi ky bukuroshi i vogël refuzoi që t’i marrë sheqerkat duke më thënë: “Jo faleminderit shumë, ato janë për juve, unë nukë i marrë sheqerkat e tua”! Pasi se iu luta t’i merrte, më në fund ai i pranoi duke mu faleminderua me përkulje. Por disi sikur të ishte i penduar dhe duke më siguruar se mos po mbetesha unë mangu pa to. Pas gjysëm ore bisede kërkoi lejen që të largohej në drejtim të kafshëve që po i ruante në kullosë. Aty ku ai kishte 3 lopë për të cilët po kujdesej pak më poshtë në lëndinën tjetër, në një kullosë të bukur rreth 50 metra largë neve. Pas ndarjes me vogëlushin shqiptar, përsëri vazhdova me lexime derisa edhe po shijonim edhe të gjitha këto bukuri natyrore të maleve të rrethit të Pukës. Lexova për derisa filloi të errësohet dhe pastaj përsëri filluam të shijojmë dhe bukurinë qiellore me yje të pa numërta që shifeshin në horizont nga kjo pikë e lartësisë kodrinore. Nganjëherë shihej ndonjë meteor që dhezej për një kohë të shkurtër, por ajo më e bukura ishte kur kohë pas kohe përsëri po shifeshin drita si lloj vetëtime, e mëpas shoqërohej edhe me krismën e bombave nga bombarduesit e NATO’s. Po, atje larg diku përtej kufirit shqiptaro-shqiptarë që po bombardonin mbi forcat e armikut serb.

Informacionet e 24 orëve të fundit

U raportua se lidershipi i NATO’s është i vendosur që me çdo kusht ta përfundojë për gjithmonë agresivitetin dhe pastrimin etnik që po bëjnë forcat e Millosheviqit. Sot Presidenti Chirac do të flasë në  orën 16:00 nga Moskva për kërkesat e Aleancës me palën ruse, që të insistojnë te Millosheviqi që të pranojë 5 pikat esenciale dhe të pa negocushme të komunitetit ndërkombëtarë. Kryeministri Blair dhe presidenti Clinton janë të vendosur në këto pika, dhe nuk do të ketë kurrëfarë lëshimi.

Në orën 11:50 të mbrëmjes u sulmuan Forcat e Armatës Jugosllave në fshatin Korishë në afërsi të Prizrenit, ku thuhet nga informatat e NATO’s se ishte sulmuar posti komandues dhe kampi ushtarak i forcave serbe. Gjatë këtijë sulmi forcave serbe i shkatërruan edhe shumë mjete ushtarake si: një autoblindë si dhe më tepër se 10 pjesë artilerike që ishin parë në këtë lokacion. NATO nuk mundë që të konfirmojë numrin e viktimave, kurse pala serbe jep një numër të madh të vrarë të refugjatëve që ishin aty të vrarë nga bombardimet e NATO -së, e që nga NATO-ja mendohet se refugjatët po shfrytëzoheshin nga forcat serbe si mure mburoje e gjallë për ta.

Sipas informacioneve të Ammnesty International thuhet se Korisha ishte sulmuar më herët nga forcat ushtarako policore para se të bombardohej nga NATO-ja.

Gjatë vizitës së Gjeneralit Clark të nesërmen, thuhet se forcat ushatarako policore serbe po shfrytëzonin popullatën civile shqiptare, si mburojë të gjallë nëpër shumë vendbanime të Kosovës. Më 16 Maj1999, një refugjat kosovar dëshmoi se kishte qenë në Korishë me atë grup kur u sulmua prej NATO-së, ku dëshmoi se policia jugosllave i kishte përdorë rreth 600 Kosovarë të çvendosur si mur të gjallë para se të sulmonin aeroplanët e NATO-së…

E premte 14 maj 1999

Sot u zgjuam herët në orën 4:00 të mëngjesit që të nisemi menjëherë për të dalë dhe për të caktu pika tjera strategjike të sulmit. Pasi u bëmë gati, nuk e dijë se pse, por përsëri edhe ky plan u shty për më vonë.

Koha sot ishte e bukur me diell mirëpo pakë e freskët, ndoshta edhe pse ishim pothuaj se në majë mali. Më vonë mu afrua Kapiteni Roadcap edhe më tha:“Pasi se nuk e keqpërdore telefonin satelitor, tani pas disa ditësh ia marrim përsëri edhe bisedo me bashkëshorten dhe fëmijët”. Për çka e faleminderova nga zemra për kujdesin që po tregojnë për mua. Pastaj filloi të më tregojë se edhe ai kishte një vajzë në moshë adolshente në shtëpinë e tij në Vest Virxhinia (West Virginia). Më tregoi një rast kur vajza e tij kishte filluar të kalojë me një djalë të moshës së sajë të cilin Kapiteni Roadcap (babai i vajzës) nuk e kishte pëlqyer aq shumë për vajzën e tij. Pastaj ai vazhdoi të më tregojë se i kishte ftuar njëherë që të vijnë për në skarë (me pjekë mish në gril) dhe në gjuajtje me armë tek shtëpia e tij. Djaloshi i ri kishte pranuar ofertën për të ardhë dhe me shumë dëshirë për në shtëpinë e të dashurës. Më vonë kapiteni me të dashurin e vajzës dalin me familjen e tyre përjashta me pjekë në skarë mish, e pastaj për t’u ushqyer me mish të pjekur dhe me pije, ku marrin nga një birrë në dorë. Pas një kohe të shkurtër Kapiteni Roadcap i thotë atij djaloshit: merre këtë shënjestër edhe shko edhe veje atje largë nja 20 metra më tutje për të gjuajtur me revole në shënjestër. Për derisa ky i riu kishte qenë entuziast i armëve, e merr shënjestrën dhe shkon në vendin e caktuar për ta ngulë në tokë. Posa e ngulë në tokë, ende pa u larguar nga vendi i shënjestrës, kapiteni e gjuan dhe e qëllon shënjestrën. Këtë gjest ai e kishte bërë me qëllim që ta frikësojë të dashurin e vajzës së tij, që të frikësohet i riu dhe të ndahet nga vajza e tijë. Ashtu i kishte ndodhë! Që nga ajo ditë, më kurrë nuk e kishte parë më atë djalin me vajzën e tij! Ma tregoi si shembull sepse edhe unë kisha vajzat, që nëse edhe unë më vonë nuk ia pëlqejë vajzave të mia të dashurit e tyre, kjo ishte mënyra më e lehtë për t’i shkaktuar atyre ndarjen !

Edhe kjo ditë na kaloi e qetë dhe pa kurrëfarë lëvizjesh, por edhe mbrëmja ishte e qetë përveçëse kohë pas kohe që përsëri po ndëgjohej ndonjë krismë e bombardimeve të aviacionit të NATO-së, si dhe ndonjë gjuajtje artilerike diku largë përtej kufirit të Shqipërisë në mbrendësi të Kosovës.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit Forcat Ajrore të NATO’s kishin numrin më të madhin e fluturimeve deri më sot. Patën 679 fluturime nga gjithësej 20,772 që ishin kryer deri më tani. Nga këto fluturime, 237 ishin kryesisht sulme kundër sistemit ajrorë dhe mbrojtjes ajrore serbe. Gjatë kësajë kohe u sulmuan pikat strategjike: komanda ushtarake jugosllave, u sulmuan 5 termocentale prodhues elektrik, 3 aeroporte, 3 rilejë të radios ushtarake, 2 ura, një depo karburanti si dhe një depo e municionit.

Aviacioni i NATO-së rreth orës 13:30 sulmoi mbi trupat ushtarako policore jugosllave në mes të Gjakovës dhe Deçanit, rreth fshatrave: Bistrazin, Gradishe, Madanaj, dhe Meje, por për sulmin piloti bombardues tha se kishte sulmu direkt mbi konvojin ushtarak serb. Nga informatat e NATO’s u ndëgjuan, se pas sulmit të NATO-së forcat serbe kishin sulmuar popullatën e pa mbrojtur shqiptare në shenjë hakëmarrjeje dhe kishin vrarë mëse 73 civil shqiptarë dhe kishin plagosur edhe shumë të tjerë. Ata tani po fajësonin sulmuesit e NATO-së. Për këtë incident edhe Gjenerali Clark tha se duhet të bëhen hetime më të hollësishme në lidhje me këtë krim…

E shtunë 15 maj 1999

Përsëri u zgjuam në orën 4:00 të mëngjesit, pas ngrënies së mëngjesit në orën 5:00 filluam të lëshohemi kodrës te poshtë, rrugës në drejtim të qytetit të Pukës me një konvoj prej 12 automjetesh ushtarake: me kamiona ushtarak, Hamvee’s dhe Lancuesit Raketorë MLRS. Pamja nga maja e malit ku ishim ne kishte një pamje të bukur spektakulare, me male edhe më të larta sipër nesh si dhe luginës poshtë neve. Rruga ishte e ngushtë dhe me shumë kthesa dhe shumë pluhur. Kaluam përmes qytetit të Pukës dhe pastaj filluam rrugën në drejtim të Kukësit. Pasi i kaluam disa dhjetëra kilometra, diku në mes të Pukës dhe Kukësit në anën e djathtë të rrugës, në një luginë lartë mbi rrugën tonë gjarpërore, pamë një kazermë ushtarake ku ushtarët e rojes ishin me uniforma ushtarake të UÇK-së Ishin dy të rinjë që po bënin roje në hyrje të kazermës të cilët prej së largu na përshëndetën me duart lartë, e që në hyrje kishin vendet e rojës si dhe afër tyre kishin dy shtyllat e larta. Në njërën kishin të varur flamurin e kuq me shqiponjën dy krenare, pra flamurin kombëtarë apo të Shqipërisë dhe në shtyllën tjetër kishin të varur flamurin e kuq me stemën e UÇK-së. Kur e pashë se ishte kampi UÇK-së, zemra mu bë mal nga gëzimi, sepse aty pashë prej së largu se si një grup të rinjësh tanë, tani po ushtronin dhe po skaliteshin për ta luftuar armikun fashist sllav. Rrugës më tutje gjithashtu hasëm në shumë traktora me rimorkio prapa tyre, apo karrocat e ngarkuara me pleq, gra dhe fëmijë. Po të ngarrkuar me këto të cilët po ma lëndonin zemrën, ku shpeshherë duke i përshëndetur me lëvizjet e dorës më pikonin edhe lotët kur i shihja me fytyrat e tyre të lodhura nga vuajtjet dhe maltretimet që kishin përjetuar si dhe nga rruga e gjatë dhe e vështirë e tyre. Ndoshta ishin edhe pa ngrënë dhe pa pirë deri këtu në tokat e bekuara shqiptare. Kishin pamjet trishtuese të cilat të lëndonin shpirtin, disa na përshendetnin e disa veçse na shiqonin me sytë e tyre të habitur. Ndoshta edhe ishin të zhytur diku thellë në dhimbjet e pa numërta të tyre që kishin përjetuar. Pas disa kilometrash rrugë u ndalëm në një rrafshinë, e që sipas fjalëve të disave aty afër që takuam, na thanë se dikur në kohën e diktaturës (sipas fjalëve të njerëzve lokal) aty ishte punuar nga vëllezërit kinez, ku kishin dashtë për ta bërë Aeroportin e Kukësit në këtë vend! Gjatë bisedës me fshatarët, kuptuam se aty më herët kishte qenë i vendosur një kamp ushtarakë i UÇK-së deri para një muaji, e më vonë qenka gjuajtur me artileri prej forcave serbe, ku për fat të mirë predha e artilerisë serbe nuk e kishte arritë cakun që të qëllojë mbi kampin e UÇK-së. Ajo asgjë nuk kishte arritur, perveçëse një të riu shqiptar të atij fshatit që kishte plagosur. Menjëherë pas atij incidenti forcat e UÇK-së ishin tërhequr më tutje edhe për disa kilometra. Po kishin shkuar atje më lartë në luginën përtej fabrikës së kromit, e cila ishte pakë më tutje prej neve ku po qëndronim. Më vonë vazhduam rrugën në drejtim të Kukësit dhe arritëm te një fshat në hyrje të Kukësit. Menjëherë pas qafës së malit ishte e vendosur ushtria e Shqipërisë, kurse pakë më lartë në kodër shiheshin ku ishin të vendosur edhe topat e artilerisë me kalibër të lartë të Shqipërisë, të vendosura në drejtim të Kosovës. Sigurisht se ishin të drejtuara për t’iu kundërpërgjigjë forcave serbe nëse sulmohen forcat e armatosura  të  Shqipërisë.  Nuk  ishin  aq  largë  prej vendit ku po ndodheshim ne. Në njërin nga fshatrat që u ndalëm në afërsi të Kukësit ishte edhe fshati Myç Mamëz, për derisa ne po shiqonim për rreth u ndëgjua një eksplodim i fortë i artilerisë serbe e që më vonë u pa edhe tymi dhe pluhuri lartë në kodrën e malit të Gjallicës. Krisma ishte aq e fortë saqë kapiteni që ishte me mua përnjëherë u shtri për tokë, mendoi se po na gjuanin neve! Unë u qesha me të, jo që isha ndonjë trim por ndoshta edhe nga mosdija ushtarake që kisha! Pakë më tutje, aty buzë fshatit takuam shumë fëmijë që loznin futboll me një lëndinë të hapur, dhe posa na panë neve fëmijët me vrap erdhën dhe filluan të na pyesnin se kush ishim dhe ku po shkonim? Prej tyre kuptuam se shumica prej tyre ishin fëmijë të ardhur refugjatë në këtë fshat nga Kosova. Gjatë bisedës më treguan se aty afër ishte shtëpia e njërit që po jetonte në SHBA, dhe gjatë bisedës pasi se ma thanë emrin e tijë e kuptova se ajo ishte shtëpia e një shokut tim nga Cleveland’i, ishte shtëpia e Kujtim Dautit. Me të njifeshim dhe kishim bashkëpunuar për më tepër se 20 vjet në Cleveland të Ohio’s, edhe i cili po planifikonte që më vonë edhe ai dë të vinte për Kosovën e lirë në detyrën e përkthyesit me Forcat e Armatës Amerikane. Gjatë mbrëmjes u kthyem diku në vendin afër rrugës Pukë-Kukës, ish aeroporti kinez apo si me thënë ku kishte qenë kampi i UÇK-së para disa muajsh. Aty u vendosëm që të kalonim natën. Meqenëse një pjesë e kolonës ushtarake u ndal diku afër Pukës, ne që vazhduam rrugën ishim me 3 Hamvee’s. Meqenëse nuk ishim shumë veta në grup, vendosëm që secili prej nesh duhej të bënte roje derisa të tjerët të flejnë në thasët e gjumit që kishim. Tani për herë të parë më caktuan edhe mua për të bërë roje 3 orëshe, derisa të flinin grupi i ushtarëve të tjerë dhe më vonë për të më zëvendësuar ushtari tjetër. Por mua meqenëse isha pa përvojë më lejuan që të zgjedhi ndërrimin e natës për të bërë roje e që unë zgjodha prej orës 21:00 sepse edhe ashtu e mendoja ende është herët edhe nuk do të më zë gjumi në roje! Unë zgjodha ndërrimin e parë prej orës 21:00 deri në 24:00 në mesnatë, e që ishte ndërrimi më i lehtë, pasi se edhe ashtu unë nuk kisha gjumë për momentin! Gjatë rojes ishte errësirë, kapiteni m’i dha një palë dylbija nate (night vision binoculares) të cilat për herë të parë po i përdorja, dhe më tha se për çfarëdo lëvizjesh na trazon edhe neve. Që të gjithë hynë në thasët e gjumit edhe ia futën gjumit si me pasë qenë në orë të kurrdisur. Deri sa bëja rojen e pashë se i tërë grupi që ishim, menjëherë ia futën gjumit edhe aty nga ora 23-24:00 filloi të bëhet si monotone roja, pasi se nuk ndëgjohej asgjë përveçëse ndonjë gërrhatje e ushtarëve që ishin tretur në gjumë këtu afër meje. Në orën 24:00 u zgjua ushtari tjetër që ishte afër meje i cili ishte caktua që të mbajë rojen e radhës për të më zavendsuar mua, kurse tani unë hoqa çizmet edhe hyra në thesin e gjumit tim i shtruar në lëndinë, dhe fjeta si qingji në natyrë të hapur me ajër të pastër dhe pa kurrëfarë mbulese!

Informacionet e 24 orëve të fundit

Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes së SHBA’s Keneth Bacon, gjatë fjalimit të tijë tha se pa marrë parasysh aksidentin në Korishë, kampanja e NATO- së do të vazhdojë edhe më tej edhe me rritjen e sulmeve mbi forcat ushtarako policore jugosllave mbrenda Kosovës. Zëvendës Sekretari tha se gjërat do të  rishikohen  por  nuk  pritet  që  të  ketë  ndonjë ndryshim të madh në sulmet e ardhëshme.

Siç u vërtetua edhe dje nga Amnesty International se rajoni rreth Korishës është një rreth shumë aktiv i forcave serbe, si dhe gjatë asaj kohe kishte pas shumë të shtyra armësh prej forcave serbe.

Sulmi i aviacionit të NATO-së ishte legjitim, dhe ishte një cak i qartë mbi forcat e armikut, por siç po shifet forcat serbe pas sulmit të NATO-së duket se kanë sulmuar refugjatët shqiptarë në shenjë hakmarrjeje kundër NATO-së. Këtë e kanë bërë me qëllim që vrasja e refugjatëve t’i mveshet bombardimeve të aviacionit të NATO-së…

E diel 16 maj 1999

Që të gjithë u zgjuam në ora 5:00 të mëngjesit, lamë sytë me ujë nga shishet që bartnim me vete, dhe vazhduam udhëtimin nëpër pikat tjera strategjike. Kohë pas kohe po bënim edhe kalibrimet tjera të Lancuesve Raketorë MLRS, siç kishim bërë gjatë të gjitha atyre ditëve që nga ardhja ime në tokën e bekuar shqiptare! Gjatë rrugës, nga radio-lidhjet kuptuam se sulmi ynë nuk do të fillonte më së paku gjerë më 17 maj,e kjo po bëhej për shkak se tani ishte në plan edhe vizita e zonjës së parë të SHBA’së: Zonja Hillary Clinton në kampin e refugjatëve kosovarë në Maqedoni. Me marrjen e këtij lajmi që të gjithë neve mbetëm të dëshpëruar, e sidomos unë që po e prisja me pa durim nga të gjithë këto shtyerjesh pa lidhje nga dita në ditë e sulmeve mbi forcat paramilitaro- ushatarake serbe. Ashtu të dëshpëruar por filluam që të  ktheheshim  dhe  tani  po  ngjiteshim  përpjetë  në drejtim të Pukës, në rrafshlartën në malet drejtë bazës së re, atje ku ishim vendosë tani disa ditë më parë. Pak para hyrjes në qytetin e Pukës na u bashkangjitë edhe pjesa tjetër e kolonës ushtarake që e kishim lënë aty një ditë më herët, atëherë kur ne me 3 Hamvees vazhduam rrugën në drejtim të Kukësit. Derisa po ktheheshim ne në kalim e sipër, diku në të dalë nga qyteti i Pukës, lartë në qiell vërejtëm dy helikopterë ushtarak Amerikan Black Hawk që po na përcjellnin! Pas një kohe të shkurtër na u dha urdhëri që të ndalemi e gjithë kolona ushtarake. Që të gjithë që ishim menduam se mos ndoshta si surprizë paska ardhë që të na vizitojë në teren Lt. Gjenerali John J. Hendrix, i cili ishte personi kryesorë që po udhëhiqte Ushtrinë Amerikane në Shqipëri. Pas stopimit tonë, që të dy helikopterët u lëshuan nja 50 metra largë nesh, në shtratin e gjërë me rërë të lumit aty për anësh ku po kalonte një vadë uji, mu në krahun e majtë të rrugës. Meqenëse me ne ishte edhe Koloneli i Armatatës Amerikane Kol.Hannes, menduam gjithashtu ndoshta paskan ardhë që ta marrin kolonelin, sepse na kishte ndodhë edhe më parë, kur ai ishte me ne dhe nga një herë vinin edhe e merrnin atë me helikopter prej rruge. Kishim mendime të ndryshme për derisa zbriti kapiteni jonë Lerner në shtratin e lumit afër helikopterit për të parë se pse kishin ardhë aty. Meqenëse ishim në dalje të qytetit, shumë prej qytetarëve u mblodhën. Po, më tepër nga kurioziteti për të parë se ç’po ndodhëte. Unë isha ai që gjithëmonë isha në front me popullatën lokale për t’i sqaruar se pse ishim aty, apo se ç’po bënim, apo ç’po ndodhëte aty. Për derisa unë po bisedoja me popullatën lokale dhe  po i sqaroja se helikopterët erdhën për ta marrë kolonelin që ishte me ne. Ende pa iu afruar kapiteni ynë, kur po në të njejtën kohë prej së largu në distancë 20-30 metra m’u drejtua mua njëri që zbriti nga helikopteri e që ai ishte Kapiteni Walter

Wiggins, i Forcave Speciale të Armatës Amerikane, e që më vonë ai do të ishte personi me të cilin do të bashkëpunoja në të ardhmen. Ai më pyeti se a jamë unë përkthyesi CAT 2 (shifra e përkthyesve amerikanë të pranuar nga Deparamenti i Shtetit Amerikan)? Unë përmenjëherë ia ktheva “Po, unë jamë CAT 2”, atëherë ai më tha “Të lutem shko merri gjërat e tua që i ke në makinë dhe eja me ne, dhe përsëri më tha:“Gjithashtu i thua edhe përkthyesit tjetër, kolegut tuaj CAT 2 të vijë me ne” e që ishte në të njejtin konvoj ushtarak por me grupin që kishte mbetë disa makina më mbrapa nesh. E thirra kolegun tim i cili quhej Muhamed Blakaj, me të cilin nuk njifeshim mire, i cili ishte me prejardhje nga Peja, por që jetonte në shtetin e Connecticut (Konektikat).

Që të gjithë mbetëm të habitur, sepse nuk dinim se ç’po ndodhëte me ne sepse nuk kishim kurrëfarë paralajmërimi. Së bashku me plaçkat tona mbi supe u nisëm drejtë dy helikopterëve të ndalur në zhavor mbi shtratin e lumit. Kapiteni Lerner që ishte me mua u revoltua tepër shumë, dhe filloi të shajë dhe të pyes vetëveten në zë se pse erdhën me na marrë neve? A nuk paskan pasë përkthyes të tjerë por me ardhë këtu, tani kishim bërë një shoqëri të mirë dhe mbi të gjitha kishte besim të madh në mua edhe kishim marrëdhënie shumë  të mira  me to. Deri sa  ne po largoheshim në drejtim të helikopterëve, gati se e gjithë kompania Bravo dhe kapitenët Lerner dhe Roadcap na uruan rrugë të mbarë dhe kthim sa më të shpejtë në njësitë e tyre! Tani për derisa neve po i afroheshim   helikopterëve, i   gjithë   grumbulli i popullatës nga Puka që ishin për rreth neve, mbetën disi të habitur. Po, se unë para disa minutash po i spjegoja se helikopterët erdhën për të marrë kolonelin, tani ata ndoshta po mendonin se në të vërtetë paskan ardhë që të marrin shqiptaro-amerikanët, diçka që në të vërtetë edhe ishte ashtu sepse ata erdhën për të na marrë neve! Për mua personalisht ky ishte fluturimi im i parë me helikopter, për çka isha mjaft kurioz, por edhe diçka që s’e kisha provuar asnjëherë më parë. Në të hyrë mbrenda u  njoftuam me ekuipazhin e helikopterit, dhe pasi u ulëm menjëherë na dhanë të vejmë ndëgjonjëse në veshë. Ata ishin për bllokimin e zhurmës së rotorëve të helikopterit, për të mbrojtë shqisat e ndëgjimit gjatë fluturimit. Me helikopterë menjëherë u ngritëm lartë në ajër, rreth 50-60 m.lartësi dhe filluan lëvizjen e fluturimit drejtë luginës së shtratit të lumit në drejtim të kodrës në rrafshlartën mbi ne ku kishim vënë bazën tonë. Fluturimi ishte mjaftë interesant, i shpejtë dhe me luhatje të shumëta nga njëra anë në tjetrën sipas lakesave të lumit. Ky fluturim më përkujtonte ditët kur shkonim me familje në parkun e luahatëseve, që ishte rreth një orë largë nga shtëpia jonë në Ohio, në vendin e quajtur Cider Point. Ky është ndër parqet më të njohura në botë, ku janë luhatëset më të mëdha të botës që të bënin luhatjet nga një anë në anën tjetër dhe në shpejtësi tepër të madhe dhe shumë trishtuese  që të ngritë adrenalinën në kupë të kokës! Gjatë rrugës deri tek baza jonë në krahun tim të djathtë ishte kolegu im Muhamed Blakaj i cili filloi të më irritojë pa masë, duke më thënë dhe në të njejtën kohë edhe duke më bërë pyetje: “Ku po na çojnë, unë nuk kam ardhë këtu për të luftuar, unë nuk shkojë në vijën e parë të frontit…”etj, etj.,  Dikur  nuk m’u durua  më  edhe  i thash: “Po ore burrë, çka paske mendu, se a mos kemi ardhur këtu në pushime? Ne jemi këtu për të shërbyer dhe me ndihmuar gjithëkund ku është nevoja, po nëse duhet dhe është nevoja do të shkojmë dhe në vijën e parë të frontit.  Po, atje ku po luftohet, atje ku po derdhet gjaku, atje ku po vdesin edhe më të dashurit tanë! Po s’deshte të vishë thuaj këtyre, thuaji kapitenit tani edhe menjëherë do të rregullojnë kthimin prej nga ke ardhur, e mos më çajë  kokën  me  kopallat  e tua! ”Meqenëse nuk ishim largë nga baza jonë ushtarake mbrenda disa minutash fluturimi arritëm në vendin tonë të caktuar, aty ku po na prisnin dy Humvee të blinduara ushtarake, si dhe një kamion me policë ushtarak të Ushtrise së Republikës së Shqipërisë. Po me të cilët i kishin caktu që të na shoqëronin në udhëtimin tonë të më tejmë, për në qytetin e Kukësit. Tani grupi ushtarak me të cilin neve do të  shkojmë ishte Njësia Speciale e Ushtrisë Amerikane, ku ky ishte një ekip ndërlidhës (LeisonTeam) të cilët ishin përcaktu që të bashkëpunonim me Gjeneralin Kudusi Lama nga Komanda e Ushtrisë së Shqipërisë, nga kazerma e tyre në Kukës. Bashkëpunimi ynë me Gjeneralin Kudusi Lama të Shqipërisë kishte për qëllim lehtësimin e marrjes së informatave sa më të sakta nga grupi vëzhgues i UÇK-së të komanduar nga Gjenerali Agim Çeku, për objektivat e vendëndodhjes dhe lëvizjeve të forcave të armikut serb.Ne me këto informata do t’ia lehtësonim punën pilotëve të aviacionit të NATO-së për caqet më të përpikta të bombardimeve të tyre në mbrendësi dhe rreth Kosovës. Po, kjo po bëhej për shkak të burokracisë së OKB’së që nuk lejonte që siç ishim  ne  pjesëtarët  e  NATO’s  që  të  kishim  lidhje direkte me shtabin e pjesëtarëve të ushtrisë së UÇK- së.

Informacionet e 24 orëve të fundit

Më 16 Maj kishin intervistuar edhe dëshmitarin për rastin e bombardimeve në Korishë, ishte një refugjat kosovar i cili tha për DeutcheWelle se forcat policore jugosllave kishin marrë rreth 600 refugjatë për t’i përdorë si mur i gjallë për rreth forcave të tyre serbe, para se të sulmoheshin nga bombarduesit e NATO-së. Para se të ndodhë incidenti policia iu kishte thënë refugjatëve; “Se po që se ikni ju prej këtu do t’ju ndodhë diçka shumë e keqe”. Policia Serbe iu kishte thënë edhe këtë: “Tani do të shifni se çka është sulmi i NATO-së, dhe pas sulmit për derisa refugjatët kishin fillu që të ikin, forcat serbe kishin gjuajtur me armë të ndryshme mbi to…

(VIJON)

© Pashtriku.org

____________

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (VI)

Nga Ajaz Emini

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura