FAHRI DAHRI: MIRËNJOHJE TË SINQERTË VENDASVE TË QYTEZAVE MIKPRITËSE

Bergamo(Itali), 19 qershor2017: Kam lindur në Risian (Rrëzanj) Gumenicë -Thesproti, me datë 18/12/1937, jam larguar me 22/07/1944, për në Shqipëri. Fillimisht kam banuar në Durrës; më pas në fshatin Qerret të Durrësit; pastaj në fshatin Çermë Biçak të Lushnjës; në qytezën e Rrogozhinës të rrethit të Durrësit; në Belsh dhe Cërrik të rrethit të Elbasanit dhe nga viti 1974 e deri sot banoj në Tiranë. Vitet e fundit, krahas rezidencës në Tiranë, banoj në Bergano dhe në Londër.
Kam botuar shkrime për problemin e Çamërisë dhe banorët e saj, komente të shumta të sferave politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe disa libra, ndër të cilat: Vatani Flet; Arbëria dhe thesprotët; Princesha e Ballkanit; Amaneti Çam; Të njohin vetveten; Të vërtetat që duhen njohur për Çamërinë; Njohuri historike për Thesproti-Çamërinë; Në rrjedhat e kohës; Realitete që vuvosin akuzat Greke; Dhimbje, përkujdesje plotësuese dhe moshkall brenda një jete afro shekullore; bashkëautor në tre libra për Kontabilitetin dhe analizat ekonomoko-financiare të ndërmartrjeve bujqësore.

 

Shtëpia e lindjes në Risian-Gumenicë Çamëri (18 /12/ 1937). Nuk më lejohet të shkoj, jam i padëshiruar për shtetin ortodoks Grek!!
I.-QYTEZA E RROGOZHINËS
Rrogozhina, shtrihet në koordinatat 41°4′34″N – 19°40′0″E. Sipërfaja që përfshin Bashkia e Rrogozhinës është 223, 50 km² dhe një popullsi prej 22.148 banorë, sipas rregjistrimit të vitit 2011. Ajo ndodhet përafërsisht në mes të Republikës së Shqipërië, ku ndahet Jugu me Veriun. Rrogozhina është qytet dhe komunë që ndodhet në qarkun e Tiranës, qëndra ndodhet në rajonin e ultësirave perëndimore të Shqipërisë. Historikisht njihet si qendër e banuar që nga shekullin II pas Krishtit. Zhvillim të ndjeshëm ka patur në kohën e shfrytëzimit të rrugës Egnatia, në periudhat romake, të kryqëzatave evropiane drejt Lindjes në kohët e qytetërimit Bizantin. Në ato periudha qyteza ka qenë një nyje lidhëse për vendin me rrugët nga Jugu në Lindje dhe në veri të Shqipërisë.
Në periudhën e Mesjetës, jeta në Rrogozhinë u zbeh shumë, duke ulur ndjeshëm nivelin e jetesës së banorëve rreth zonës. Rrogozhina në mesjetë quhej “Rogozëza” mbasi në fushat buzë lumit Shkumbin, rritej me shumicë zhuka dhe kallamat, të cilët shërbenin për prodhimin e rogozave që përdoreshin për shtresa, për shporta, kanistra etj.
Rrogozhina është përfshirë në të gjitha periudhat historike dhe ka dhënë kontributet e saj, veçanërisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku janë zhvilluar disa aksione nga partizanët, sidomos ata të Grupit të Pezës. Në Rrogozhinë, nën ndikimin e Pezës u ngrit, më përpara se në çdo vend tjetër, Këshilli Nacionalçlirimtar. Gjatë Luftës, gjermanët shkatërruan urën e Shkumbinit që lidhte Rrogozhinën me jugun e Shqipërisë. Në vitin 1945 u ndërtua një urë tjetër një kalimshe (e ngushtë) dhe në vitin 1968, njëherësh me ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Vlorë, u ndërtua ura e re në vendin e urës që shkatërruan gjermanët. Rizgjimi i jetës urbane e qytetare në Rrogozhinë u bë gjatë periudhën së socializmit.

Pozicioni gjeografik, vendndodhja ndërmjet fushave pjellore të Cerrikut, luginat e Papërit, Bishqemit, fushat e Peqinit, të Myzeqesë dhe të Kavajës, kanë favorizuar zhvillimin ekonomik, industrial, tregtar, etj. të qytezës. Në Rrogozhinë u ndërtua industria e përpunimit të produkteve bujqësore që grumbulloheshin nga fshatrat, qytetet dhe rrethinat. Kishte fabrikat më në zë të Shqipërisë, si: NISH Vaj-Sapuni, ku prodhohej vaji i ullirit dhe sapuni, lënda e parë sigurohej nga grumbillimi i prodhimit të ullirit në lokalitetet e Rrogozhinës, Peqinit, Kavajës, Lushnjës dhe Beratit. Mbas çlirimit prodhohej edhe vaji nga bima e lulediellit; u krijua linja e përpunim-konservimit të ushqimeve, midis të cilave edhe një fabrikë makaronash. Kishte fabrikën e Litarit, ku përpunohej kërpi që prodhohej litari i linit. Me rëndësi ishte edhe Uzina e zhveshjes së pambukut, e cila përpunonte pothuajse gjithë prodhimin e pambukut në vend. Krahas tyre ishte edhe punishtja e përpunimit të bimëve mjekësore dhe etero-vajore, ajo përmendej për rakinë e dëllinjës (juniperos), e cila përdorej si pije por kishte edhe vlera kurative.
Zhvillim dhe gjallëri të madhe mori sidomos me ndërrtimin e hekurudhës Durrës-Peqin në vitin 1947, që e shndërroi në një qendër të rëndësishme, me një stacion hekurudhor më të rëndësishm në vend, më pas me zgjatjen e vijave të hekurta, ajo u shndërrua në një nyje hekurudhore që lidhte qytetet më të mëdhenj të vendit, që nga Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani, Pogradeci, Lushnja, Fieri, Ballshi dhe Vlora. Ky fluks lëvizjesh shtoi objektet tregtare dhe social-kulturore në qytet, u krijuan kushte shumë të mira jetese, si efekt i shtimit të punësimit u sigurua edhe rritje në zhvillimin ekonomik e kuluturor. Rrogozhina kishte pallat kulture, spital, shtëpi lindjeje, grupe artistike si dhe një rrjet shërbimi komunal dhe tregtar që plotësonte nevojat e mbi 10 mijë banorëve. Në vitin 1945 u hap shkolla e parë fillore, në vitin 1949 shkolla (shtatëvjeçare) unike “Qamil Gjuzi”; në vitin 1958 u ndërrtua godina e re e Gjimnazit “Haxhi Qehaj”.
Bashkia e Rrogozhinës, në saje të reformës territoriale për qeverisjet lokale të vitit 2015, ka përfshirë dhe është bashkuar me ish komunat Gosë, Kryevidh, Lekaj, Rrogozhinë dhe Sinaballaj, duke u bërë një njësi komunale. Selia e komunës është qyteti Rrogozhinë. Me riorganizimin e ri, kjo njësi komunale përbëhet nga këto fshatra: Ballaj, Domën, Fliballije, Gërmenj, Gosë e Madhe, Gosë e Vogël, Hamenraj, Harizaj, Hasdushk, Kalush, Kazie, Kërçukaj, Koçaj-Sheshaj, Kodrasej, Kryevidh, Lekaj, Levanaj, Luz i Madh, Memollaj, Methasanaj, Mlik, Mushnikë, Okshtun, Patk-Milot, Rrostej, Rreth-Greth, Sinaballaj, Spanesh, Spille, Stërbeg, Sharrdushk, Shkozet, Thartor, Vilë-Ballaj, Zambish, Zashtik, Zhabjak (Gjithësejt 37)
Sot në Rrogozhinë nuk ka fabrika industriale si më parë, ato u shkatërruan gjatë viteve nëntëdhjetë. Qyteti sot nuk e ka gjallërinë e dikurshme. Toka, megjithëse është pjellore por është e pamjaftueshme për banorët. I vetmi objekt dhe institucion shtetëror i ndërtuar pas vitit nëntëdhjetë është burgu i Rrogozhinës. Ndërtimi i tij ngjalli fillimisht shpresë për punësim, por ato u shuan shpejt, kur u panë të punësoheshin militantë partie që vinin nga Tirana, Durrësi, Lushnja dhe Elbasani. Sot burgu është në Rrogozhinë, por atje nuk ka të punësuar nga kjo njësi komune, apo nga ky qytet. Shumë familje të Rrogozhinës, jetojnë me të ardhura nga emigracioni. Veç të tjerash Rrogozhinën e izoloi edhe ndërrimi i drejtimit të autostradës, e cila devijohet tek “Bishti i Zhurit”. Shumë objekte tregtare, dyqane, lokale falimentuan. Qyteti ka pësuar një rënie të nivelit ekonomik.
Aktualisht në Rrogozhinë gjallëri dhe lëvizje të shumta sjell vetëm dita e shtunë, që është dita e pazarit që zhvillohet një herë në javë. Pazari i Rrogozhinës, sidomos ai i gjësë së gjallë, nis nga qyteza dhe përqëndrohet tek ura e Shkumbinit, është nga më të mëdhenjtë në vend, mbasi Rrogozhina ka një pozicion shumë të favorshëm gjeografik. Në pazarin e Rrogozhinës vijnë fermerë që sjellin për të shitur gjënë e gjallë, produkte bujqësore dhe blegtorale nga disa fshatra si ato të fushës dhe kodrës së Kavajës, nga Peza, Peqini, Kodra dhe Fusha e Lushnjes etj.
Në periudha të ndryshme, për shkak të pozicionit gjeografik, mundësive dhe lehtësive të terrenit, në Rrogozhinë kanë ardhur komunitete të ndryshme si: demokratët grekë gjatë Luftës Civile Greke të vitit 1945; komuniteti çam, i ardhur gjatë vitit 1944 e 1945 e më pas, si pasojë e gjenocidit grek gjatë Luftës së Dytë Botërore; vllehë të ardhur shekuj më parë; gollobordas; lebër gjatë kohës së socializmit; myzeqarë; kuksianë të ardhur në fillim të vitit 1950 si tregtarë; harixhinj; romë; të ardhur gjatë periudhave të ndryshme, si dhe dyndje banorësh të zbritur nga fshatrat e zonës, sidomos mbas vitit 1991. Të gjithë të ardhurit janë vendosur poshtë hekurudhës, ndërsa vendasit deri para vitit 1990 banonin krysisht sipër hekurudhës.
Komuniteti më i madh dhe më në zë në Rrogozhinë, kanë qenë dhe janë çamët, të vendosur tek “Bishti i Zhurit”, “Dy Çezmat” dhe në lindjen e qytetit kur shkon për Peqin. Në Rrogozhinë është një lagje me emrin “Miqësia”, e cila e ka justifikuar vërtet emrin. Vendasit, me natyrë të butë e të qytetëruar, kalojnë në një harmoni të admirueshme me çamët dhe me të gjithë komunitetet e tjerë. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, kulturës vendase ju shtua edhe kultura e komunitetit çam me vallet dhe këngët e tij, siç ishte edhe kënga e famshme polifonike e Çelo Mezanit, këngë e vlerësuar si një simfoni botërore.
Familje autoktone, me emër, të nderuar, me reputacion, të urtë dhe dashamirës nuk i kanë munguar Rrrogozhinës. Një vend nderi të merituar dhe të trashëguar mbajnë familjet e fisit të Dedallarëve, Gjuzët, Gjumçi, fisi Meka, Toska, etj.
Në Rrogozhinë kam kryer shkollën unike (1950-1953). Kam punuar në NISH Vaj – Sapunin nga viti 1956 (shtator) deri në gusht 1960.
II. QYTEZA E BELSHIT
Bashkia e Belshit shtrihet në zonën e Dumresë (“Duam ré “ – në kuptimin: duam shi), në një zonë që ka një numur të madh liqenësh, me bukuri dhë peizazh tërheqës. Për bukuritë dhe imazhet e veçanta, Sami Frashëri, rilindasi dhe mendimtari i madh shqiptar, mendonte që Belshi të ishte kryeqendra e shtetit të ardhshëm shqiptar.

Belshi është kryeqendra e zonës së Dumresë, një qytet i vogël buzë liqenit. Ndodhet rreth 30 km në jug-perëndim të Elbasanit, në koordinatat 40°59’N – 19°53’E. Ajo ka një sipërfaqe prej 196.44 km² dhe një popullsi 19.503 banorë (sipas rregjistrimit te vitit 2011).
Në afërsi të Belshit ndodhet një vendbanim i lashtë Ilir. Gërmimet arkeologjike të kryera në Gradishtë, dëshmojnë se ka qenë vendbanim i lashtë Ilir. Në bazë të sendeve të gjetura tregon se zona ka qenë e banuar që në periudhën e bronzit të hershëm.
Bashkia Belsh, ka nën administrimin e saj disa fshatra, si: Belsh, Stanaj, Çepë, Seferan, Marinës, Gradishtë, Shtith, Dushk, Trojas, Shkëndi, Shkozë, Qafshkallë. Ka një sipërfaqe të madhe toke të cilat janë të pasura kryesisht me potas dhe mesatarisht me azot dhe fosfor. Tokat janë të tipit “të hirta, kafe livadhore “dhe “livadhore të hirta kafe“.
Dumreja fillon nga 80 metra deri në 200 metra lartësi nga niveli i detit. Numuri i madh i liqeneve është rrjedhojë e përbërjes gjeologjike me elementin karstik të territorit. Liqenet janë krijuar si efekt i lëvizjeve arkitetonike ose vullkanike të tokës, duke formuar herë pas here gropa. Tre gropa kanë ndodhur në vitin 1982, në vitin 1998 dhe në vitin 1999, e cila u krijua në fshatin Fierzë; ndërsa në vitin 2009 u krijuar gropa më e re në fshatin Shalës me diametër 30 metra dhe thellësi 100 metra.
Zona ka kushte të përshtatshme klimatiko-toksore për kultivimin e shumë kulturave bujqësore, veçanërisht të drithërave të bukës, duhanit, perimeve, hardhisë dhe pemëve frutore, me sukse mbarështohet edhe blegtoria. Në Bashkinë e Belshit ka edhe resurse të tjera përveç bujqësisë dhe blegtorisë, si ato të minierave dhe gazit. Në këtë zonë kanë funksionuar dy miniera karriere, në Trojas dhe Gradishtë, të cilat shfrytëzohen nga fabrika e çimentos në Bradashesh të Elbasanit. Në zonën e Dumresë janë bërë studime dhe shpime edhe nga shoqëria italiane AIPA. Nga studimet dhe kërkimet, të dhënat janë premtuese, funksionojnë disa puse dhe vazhdon nxjerrja e naftës.
Në mbarëvajtjen e mirëqënies dhe në përmirësimin e punësimit, ndikim të rëndësishëm zë edhe peshkimi. Në liqenjtë e Belshit rriten peshq të llojeve të ndryshëm si: trofta, krapi natyror, krapi i kultivuar, ballgjëri, amuri edhe ngjala si specie endogjene. Ndër liqenjtë më të rëndësishëm veçohen: liqeni i Çestijes me sipërfaqe 9.7 km², Seferaj me sipërfaqe 8.7 km²;liqeni i Merhojes me sipërfaqe 6.5 km²; ndërsa liqenet më të thellë janë: Liqeni i Merhojes me 61 metra thellësi, liqeni i Përraskës 52 metra thellësi, dhe ai i Çerragës me 29 metra thellësi. Përveç këtyre resurseve, në Bashkinë e Belshit ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 125 subjekte private si: kafene, restorante, industriale, ushqimore, pika karburanti, shërbime, klinika, farmaci, organizata jo fitim prurëse, firma ndërtimi, etj. Shërbimi shëndetësor në këtë zonë ka fillime të hershme, që nga viti 1937. Në vitin 1968-1969 filluan punimet për ndërtimin e spitalit të ri, i cila përfundoi në vitin 1971. Spitali vazhdon të funksionojë normalisht për të gjithë zonën. Në çdo fshat ka infermieri. Pranë qendrës shëndetësore në Belsh ka 3 farmaci dhe 3 klinika dentare private në shërbim të banorëve. Zona e Belshit është një zonë arsimdashëse, fillimet e mësimit të gjuhën shqipe kanë nisur në vitet 1920-1923. Rol të rëndësishëm në hapjen e parë të shkollës shqipe në Belsh ka luajtur “Kongresi Arsimor”. Në Bashkinë e Belshit funksionojnë 8 shkolla, nga të cilat 7 janë 9 vjeçare dhe një e mesme e përgjithshme. Nga këto shkolla, shumë nxënës kanë vazhduar studimet e larta dhe sot punojnë në sektorë të ndryshëm, japin kontribute të rëndësishme për zhvillimin e zonës dhe jo vetëm.
Kultura e Belshit është e lashtë, e pasur sa vetë historia e tij. Ajo ka këngët dhe vallet e saj karakteristike, këngët e Belshit këndohen me iso polifonike, shpesh shoqërohen me valle, si e veçanta e kësaj zone. Emër dhe gjallëri kulturës së Belshit i ka dhënë Ansambli Folklorik. Ai ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike kombëtare të organizuara në Gjirokastër, është nderuar dhe vlerësuar me çmime; ka marrë pjesë edhe në festivalin ndërkombëtar në Toskana të Italisë, ku u vlerësua me çmimin e dytë. Zona ka dhe veshjet e saj karakteristike, të cilat janë 5 kostume që prodhohen në mënyrë artizanale. Belshi ka shtëpi kulture model për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. Kultura dhe tradita ruhet nga të gjithë banorët e Dumresë, por një kujdes të veçantë për ruajtjen dhe trashëgiminë ndër breza, tregojnë njerëzit e njohur të zonës si: Qemal Fejzo, Petref Hysa dhe Shefqet Tafani. Në periudhën e socializmit, në Belsh ishte Drejtoria e Ndërmarrjes Bujqësore e cila përfshinte sektorin e Cërrikut, Xibrakës si dhe tokat shtetërore që ndodheshin në të gjithë Dumrenë. Ndërmarrja bujqësore në Belsh kishte sektorin e mekanikës me një fuqi të madhe mekanike, sektorin e investimeve dhe në Cërrik kishte sektorin e transport-amballazhit.
Godina e zyrave të ish NB Belshit (Me mikun tim Ramiz Osmani)
N.B. Belshi, ishte një ndërmarrje e fuqishme, nga madhësia e tokës bujqësore, prodhimeve bujqësore e blektorale, fuqisë mekanike e motorrrike dhe investimeve, ajo në llojin e saj zinte vendin e dytë në shkallë republike, mbas NB “29 Nëndorit”në Lushnjë.
Në Belsh kam punuar në Ndërmarrjen Bujqësore Belsh nga janari i vitit 1966 deri në dhjetor të vitit 1978. Ndërmarrja Bujqësore shtrihej në 12 sektorë, duke filluar nga sektori i Cërrikut, Dushkut, Gjyralës, Xibrakës, Seferaj, Çërragës, Çepës, Fierzës,Kosovës, Dragotit, sektorët e mekanikës, ndërrtimit dhe transport-amballazhit.
III. DHIMBJE E PASHËRUESHME-E PËRJETSHME
Dhimbje të pashërueshme mbeten pasojat e veprimeve të kryera nga shteti dhe institucionet e tij, kur ai shfaros një komunitet të tërë, për shkak të vendosjes me dhunë unifikimin fetar dhe etnik . Dhimbja çame, do mbetet e tillë në çdo zemër shqiptari, ajo nuk ka çvlerësim, as harresë, asnjëherë, pavarësisht viteve, dekadave apo shekujve. E tillë është dhe mbetet dhimbja që ka shkaktuar gjenocidi grek kundër çamëve myslimanë, ndaj të cilëve u përdorën të gjitha format denigruese dhe mjetet vrasëse që dispononte shteti dhe kisha ortodokse Greke.
Nuk është aspak e thjeshtë të ndërtosh jetën njëlloj, ashtu siç do të vazhdoje ta ndërtoje po të ishe në vendlindjen tënde dhe të paraardhësve të tu.
E pranishme në çdo çast, mungesa e vendlindjes!!!.
Kjo pjesë bashkohet me vendqendrimet e mia, sepse i tillë ka qenë realiteti i rrugëtimit tonë deri në vendbanimet e ndryshme të viteve të jetës.

●●●
Me disa shkurtime, shkëpusim pjesë nga shkrimi i 27.al , e cila ka publikuar disa materiale të regjimit, ku rrëfehen vuajtjet e emigrantëve shqiptarë çamë në fillimet e viteve që kishin mbrritur në Shqipëri.
“Po vjen dimri, jemi zbathur, zhveshur, pa zjarr e dritë, në godina pa derë e dritare”. Kjo ishte një ndër thirrjet dëshpëruese të popullsisë së Çamërisë, drejtuar regjimit komunist në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Kasolle kashte, pa dyer e dritare për popullsinë e Çamërisë. Këtë i ofroi regjimi komunist shqiptarëve të Çamërisë, të cilët i mbijetuan genocidit grek. Megjithëse Lidhja e Kombeve kishte dhënë fonde e ndihma të veçanta për popullsinë e Çamërisë, në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, por të shpërngulurit përfunduan nëpër kasolle me kashtë në disa qytete të Shqipërisë, ku humbën jetën nga uria dhe të ftohtit shumë fëmijë. Kushte të mjerueshme për popullsinë e Çamërisë, ishin rezervuar nga komunistët, të cilët me vështirësi vendosën vetëm një çati mbi kokë për shqiptarët çamë që dolën gjallë nga terrori i Napoleon Zervës.

Kur dimri po afronte dhe fëmijë, burra e gra të zhveshur ndodheshin në kushte të mjerueshme, një grup familjes vendosën t’i drejtohen Kryetarit të Shqipërisë të sapo dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte thirrje dëshpëruese e asaj popullsie që i lutej udhëheqësit komunist, për t’iu krijuar disa kushte minimale për të mbijetuar. Në të vërtetë shumë prej tyre humbën jetën nëpër këto kasolle pa dritare e dyer, në dimrat e ftohtë të viteve të para të pasluftës. Ndaj, një pjesë e tyre i drejtohet me një letër udhëheqësit komunist Enver Hoxha, por ai nuk e vuri ujin në zjarr. Shihni në këto fotografi, gra dhe fëmijë në oborret e kasolleve pa dyer e dritare. Krejt tjetër sjellje dhe kushte krijuan komunistët e Enver Hoxhës për sivëllezërit e tyre grekë gjatë luftës civile të vendit fqinj, të strehuar në vendin tonë gjatë viteve 1949deri në vitin 1953.
●●●
Letra, Shokut President Enver Hoxha!
“Këtu marrim nderin t’ju parashtrojmë lutjen si poshtë vijon: Këtu në Berat deri sot jemi mbledhur 110 frymë, burra, gra e fëmijë refugjatë Çamër, të ndjekur nga Zerva.
Si në Korçë, e këtu në Berat, kemi gjetur, ndihmat e përkrahjet vllaznore shqiptare. Sot, për fatin e lumtur që u lirua Shqipëria dhe u formua Qeveria Shqiptare, lutemi kini mirsin- na vendosni në një vënt të caktuar, për të jetuar dhe neve si shqiptarë të lirë, e të sigurtë, për të mos u sjellë, rrugavet e kontinendevet e qytetevet. Prandaj ju kujtojmë, në kohë dimri jemi zbathur, çveshur pa tesha fjetjeje, pa zjarr e dritë, vetëm në godina pa derë e dritare. U lutemi, se po na afron dita e Bajramit, dhe duham ta gëzojmë dhe nevej si bashkë vllezrit t’onë në Shqiprinë e lirë, për deri sa të vinjë ora, të rikthehemi, e nevej (dhe neve-FD), ndër tokat t’ona stërgjyshërve.
Me nderime e Respekte të veçanta Kujdestarët e 110 frymve refugjatë

Sali Mehmet- Mussa Rushit.- Berat 23.XI.1944”.
●●●
Nuk do ndalem në vendqendrimet e tjera si Tirana, Bergamo apo Londra, mbasi ato janë qendra të mëdha, njihen dhe dihen nga të gjithë. Kjo trajtesë shërben si mënyrë të shprehuri, për mirënjohje të sinqertë dhe respekt për banorët e atyre qytezave që, sëbashku kemi ndarë shumë vite jete aktive, nëse disa kanë ndërruar jetë, mirënjohja dhe respekti u takon vazhduesave të tyre.
Fahri Dahri Bergamo, më 06 /06 / 2017

Godina e ish zyrave të NB Belshit (Me mikun tim Ramiz Osmani)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura