FSHATI IM (BREZNA) PO VDES!

FSHATI IM (BREZNA) PO VDES!

Nga Korab Lecaj, Prishtinë 23 shtator 2021

“Ikën t’ritë, mbetëm veç pleqtë”, po më thotë sot axha Elmaz, rreth 90 vjeç, të cilin pleqëria ka filluar ta vërboj.

“Nuk mbet kush k’tu. Tillë ky katund ka mbet thatë”, po vazhdon ai.

Kjo është një e vërtetë, që në fakt, të godet në gjoks.

Të shkakton një dhimbje të fuqishme.

Ta merr frymën!

Ti, para syve t’u, e sheh se si po shuhet jeta, dita-ditës, në vendin ku i ke ndërtuar ëndërrat!

Njerëzit po ikin për një jetë më të mirë, dikush poshtë në qytet, shumica e të rinjëve nê Perëndim!

Dikur këtu, zhurma e njerëzve, bagëtive, traktorëve, kamionëve shitës që vinin nga Krusha e fshatrat e tjerë, ta qanin veshin.

Sot, heshtja të vret. Rrugët janë të zbrazura. Shtëpitë të braktisura, të cilat i ka mbuluar bari.

Nuk ka as shitës me kamion. As bagëti. As zhurmë fëmijësh.

As dasma të zhurmshme me shumë traditë.

As vajza e djem të rinj nëpër rrugë në festa tradicionale.

S’ka mê festê!

S’ka as aromë të drurit të djegur, që dikur vinte nga tymi i dalë nga oxhaqet në vjeshtë.

Jeta po shuhet, në fshatin ku dikur, në vjeshtë, larg dëgjohehin, dhjetra e dhjetra sharra motorike të druve, në mesin e të cilave edhe e axhës Elmaz.

Sot, mbizotëron, një qetësi e frikshme, e cila, t’i vret edhe kujtimet më të bukura të fëmijërisë.

Edhe shkolla, ku dikur në klasë të parë, nxënësit ndaheshin në dy paralele me nga dyzet fëmijë, sot mezi bëhen 15-20 nxënës në një klasë.

Ikën ngadalë, poshtë rrugëve të braktisura, drejt liqenit, e merr me vete heshtjen e fshatit. Edhe dhimbjen, gjithsesi!

Te liqeni i takova dy bashkëvendas, të cilët, janë më të vjetër se unë, Bomin dhe Mirsën dhe bashkë me ta, ngjallëm kujtime, për Breznen, fshati që dikur, ka qenë plotë jetë.

Kjo, me dha pak shpirt!

Pastaj, vjen koha për t’u nisur për Prishtinë dhe sërish i merr me vete heshtjen, dhimbjen dhe kujtimet e bukura të fëmijërisë!

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura