Tiranë, 19. 04. 2014 – Lord Bajroni për shqipetarët: “S’ka komb tjetër, të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm, nga shtetet fqinjë”.) – I – Bombardimet e NATO-s mbi Kosovë dhe Serbi – Më 24 mars 1999 nisi sulmi ajëror, i Organizmit më të fuqishëm ushtarak botëror, NATO (Organisation du traité de l’Atlantique Nord-OTAN), mbi forcat dhe objektet ushtarake serbo-malazeze. Që të vihej në lëvizje një organizëm i tillë ndërkombëtar i 28 shteteve europiane, në rradhët e cilëve kishte mbështetës historikë të Serbisë, do të thotë që ishin shkelur rëndë të gjitha normat e të drejtave të njeriut. Në Kontinentin europian, po zhvillohej genocidi më kriminal që kishte njohur shekulli i XX. Kjo zhurmë, e avionëve të NATO-s, tek shqipetarët risolli ndjenjat që përfshinë qytetarët europian para 54 viteve, kur nisi sulmi ushtarak kundër Aleancës fashiste që kishte zhdukur kuptimin e emrit NJERI.
Ishte hera e parë, që pas shkëputjes nga Perandoria Osmane e Serbisë, për veprimet kriminale kundër popullit shqipetar ky shtet dënohej ushtarakisht nga Fuqitë e Mëdha. Përball kësaj mbështetje ndërkombëtare të luftës vet-mbrojtëse të Ushtrisë Ҫlirimtare të shqipetarëve, makineria ushtarake e Millosheviçit u detyrua të pranojë “de facto” humbjen e Kosovës.
Bombardimet e NATO’s përfunduan më 9 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit te OKB-së (10. 06. 1999) dhe nisjes së tërheqjes e forcave ushtarake jugosllave nga Kosova dhe ardhjen e 36 000 paqeruajtësve ndërkombëtarë.
Në historinë botërore, nuk ka ndodhur asnjëherë që një shtet i cili ka kryer të gjitha krimet e përfshira në Konventat Ndërkombëtare, të ndihet viktimë.
Edhe në ditët e sotme, në tekstet shkollore shpesh Serbia paraqitet si komb-viktimë e popujve që e rrethojnë, duke ushqyer rininë me urrejtje sidomos ndaj shqipetarëve. Sipas teksteve serbe të historisë: “Krizën në Kosovë e kanë sjellë aksionet e grupeve terroriste të shqiptarëve (UÇK), rebelimi dhe konflikti me forcat e rendit (policinë dhe ushtrinë e Serbisë … se pas hyrjes së forcave të NATO’s janë shpërngulur 200.000 serbë dhe janë vrarë disa qindra të tjerë (Historia e kl. 8 fq. 192). (1)
Edhe politikanë e analistë serb si Milosh Knezeviç (Miloš Knezhević), në librin “Rrëmbimi i Kosovës” (Otmica Kosova) mohon genocidin duke e quajtur ndërhyrjen e NATO’s si “të nxitur nga Amerika, (e cila) në vitin 1999 kryen një agresion ushtarak kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Për rrjedhojë, “ne – vijon autori – (dmth Serbija) nuk do ta pranojmë rrëmbimin e Kosovës”. (Kapitulli 7, f. 187-204) (2)
Mohimi i genocidit racist duke i shtrëmbëruar faktet historike, nga ana e shtetit serb, dhe cilësimi i ndërhyrjes së NATO-s si “një padrejtësi të madhe” bile “agresion” – sipas legjislacionit juridik të BE’së përbën një krim kundër njerëzimit. (Konventa e Strasburgut 28.01.2003 Artikulli 6- Mohimi, minimizimi, aprovimi apo justifikimi i genocidit dhe krimeve kundra njerezimit.) (3)
II – Serbia dhe shqipetarët, një problem dy shekullor
Fundi i Perandorisë Osmane që kishte nisur të tatpjetën në fillim të shekullit të 19, e ndau fatin e popujve të Ballkanit në “fitimtarë” dhe “humbës”. Çuditërisht, humbëse doli popullsia më e lashtë, më luftarake dhe e madhe e saj – SHQIPETARËT.
Nr. Vendi Sipërfaqja Popullsia
1 Trevat shqipetare 75.000 km2 1.700.000 banorë
2 Serbia 54.800 km2 1.600.000 banorë
3 Greqia 51.300 km2 1.400.000 banorë
4 Mali i Zi 8400 km2 190.000 banorë
Ami Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog francez, në fillim të shekullit të 19, gjatë viteve 1836-37 ndërmori një udhëtim në Ballkan. Në vitin 1840, studimin e tij mbi popujt e Ballkanit, e botoi në katër vëllime. Akademiku Aleksandër Beliç pohonte: “Librat e Bue-s janë një enciklopedi e vërtetë, që nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloi”. Sipas A.Bue’s, Serbia në gjysmën e parë të shekullit të 19 ka pasur më pak se 900 mijë banorë, kurse Shqiperia mbi 1 milionë e 600 mijë banorë. Në analizat e tij, Shqipëria etnikisht e pastër ka qenë një hapsirë me rreth 180 mijë kilometra katrorë. Në gadishull kishte shumë më tepër Shqipetarë se sa Grekë dhe së paku dy herë më shumë se sa Serbë. (4) Edhe pas Kongresit të Berlinit 1878), trevat dhe popullsia shqipetare ishte, më e madhe se sa ajo e shteteve të krijuara në fillim-shekullin e 20’të si Serbia, Mal i Zi dhe Greqia. (5)
Në fillimin e shk.19’të, kur e gjithë vëmendja e mbretërive europiane qe përqendruar në hapësirat „e lira“ të pas Perandorisë Osmane, për rëndësinë e faktorit shqipetar në Ballkan shkruajnë analistët e kohës. Në gazetën “Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1) që botohej nën sponzorizimin e shoqerisë së famshme “Lloyd”, shkruhej: “Në kontekstin e “çështjes orientale”, ata (shqipetarët) marrin një peshë edhe më të madhe se sa malazezët dhe boshnjakët të marrë së bashku, dhe përballë armikut janë më të respektuar se sa grekët; jo vetëm ata të rajoneve në brendësi të vendit, por edhe ata të shtrirë buzë detit (…) Ata, jo vetëm që hasen në një numër të madh dhe të përhapur gjeografikisht, por paraqesin edhe një popull të fuqishëm dhe me rrënjë, dhe formojnë njërin ndër faktorët më të rëndësishëm në dramën e fundit që pritet të luhet”. (…) Nuk do jenë grekët ata që do të arrijnë hegjemoninë në Jug, por shqipetarët, dhe jo vetëm në Maqedoni dhe Thesali, por edhe në vetë Greqinë, ata do të bëhen zotër dhe këtë do ta arrijnë në mënyrën më të lehtë të mundshme, pasi në Veri të vëndit, ata faktikisht janë shumicë”. (6) Koha e dëshmoi vërtetësinë e këtij parashikimi. Formimin e shtetit të parë të pavarur ballkanik i vitit 1821 (Helladës – Greqisë) ishte kryesisht kurorzim i luftës së shqipetarëve.
Në kohën kur Perandoria Osmane i kishte ditët e numëruara dhe ballkanasit po projektonin shtetet e tyre të ardhshme, në Perëndimin europian bëheshin studime për rrugët e mundëshme për aritjen e sundimit botëror. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm luajti politikani britanik Halford John Mackinder (1861-1947) një nga themeluesit e gjeo’politikës aktive. H. Mackinder, ndërmjet tezave të tjera, nënvizonte rëndësinë e zotërimit të detit nëpërmjet hapsirave tokësore bregdetare duke përsëritur shprehjen e lundërtarit të shquar anglez, Sir Walter Raleigh: «Kush zotëron detin, zotëron tregëtinë e botës; kush zotëron tregëtinë, zotëron pasurinë e Botës, pra vetë Botën» (7)
Në këtë strategji që po hartohej nga Fuqitë e Mëdha, Gadishulli ballkanik ishte në qëndër të ngjarjeve të shek.19 dhe fillimit të shek.20. Ballkani ishte porta hyrëse e Perëndimit drejt Lindjes dhe porta për të dalë në detin Mesdhe për Rusinë. Kjo e fundit, përqëndroi të gjithë vëprimtarinë e saj ushtarake, politike dhe dipllomatike në “Çështjen e Lindjes” dhe veçanërisht në Ballkan. Përfaqsuesi i saj, Benckendorff (Alexandër Konstantinovich Benckendorff, 1849-1917) kërkonte sakrifikimin e shqipetarëve, në emër të “së drejtës së kompensimit territorial” të aleatëve ballkanikë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi), si shtete fituese në luftën për dëbimin e Turqisë.
Rusia dhe Fuqitë e Mëdha fshehën faktin historik, se në Ballkan ishin shqipetarët që kishin luftuar pa ulur armët gjatë të gjithë kohës së sundimit të Perandorisë osmane dhe kishin ngritur me sukses shtetin E PARË të lirë, më 1821 në jug të Europës osmane. Por siç shkruante gazeta “Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1): “Çështja Orientale” po shkon gjithnjë e më shumë drejt një zgjidhje me kahje dhune; për një zgjidhje paqësore as që bëhet fjalë… (dipllomatët tanë) duke qëndruar galiç mbi fuçinë e barutit që kërcënon të shpërthejë çdo çast, këndojnë himnet e qetësisë dhe…ngushëllohen me fjalinë e moçme: “Après nous, le déluge” (Pas nesh, u bëftë qameti)“.(8)
Para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (1878) dhe të merreshin vendimet, shqipetarët përjetuan tre shpërngulje të dhunshme në Shqiperinë Veri-Lindore. Shpërnguljet e para masive fillojnë ne vitet 1830, sidomos nga viti 1844, me programe shfarosëse, duke i ndjekur shqiptarët nga Beogradi, Nishi, Pllana e Madhe, krahina e Toplicës, Surdulicës, Maçkaticës, me fjalë tjera nga Sanxhaku i Nishit drejt Kosovës aktuale. (9)
Më 1878, pushteti serb, me aksione të përgjakshme, shpërnguli popullsinë e mbi 780 fshatrave shqipetare, nga Sanxhaku i Nishit, Leskovcit, Kurshumlisë dhe Jabllanicës. Këto shpërngulje u bënë me një terror të egër dhe humbjen e shumë jetë njerëzish duke përfshirë edhe fëmijët në barkun e nënave.
Në luftën serbo-turke (1876-1878), forcat e organizuara serbe filluan shfarosjen e shqipetarëve në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore. Sipas bashkëkohësve numëroheshin mbi 35 000 viktima shqipetare të çdo moshe e gjinije. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se nga një lagje e Nishit, prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan në tokë. Në kazanë e Leskovcit u shkatërruan 1228 shtëpi në 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20 667 banorë; në rrethin e Perkuplës, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogj ose u shkatërruan…(10)
Ky genocid masiv mori hov sidomos pas vendimeve të Fuqive të Mëdha për coptimin e trevave shqipetare. Gazeta “Populli” e 25 Fruer 1919 shkruante: “Mbas lajmeve të sakta qi arritën dje në Shkodër, komitat serbë e malazezë, mbas nji lufte të përgjakshme qi kan ba pesë ditë rresht me popullin shqipetar të atjeshëm, kan zaptue me përdhuni Plavën e Gusinjën tue shkaktue të djeguna e dame të mëdha me top, pos gjindes (njerëzve) qi kan mbetë dekun në kët të ndeshun. Katundi Vuthaj prej 200 shtëpish, gadi asht rrënue krejt nën zierm të topave. Po priten tufa muhaxhirash me ardhë në Shkodër.
Po kjo gazetë më datën 28 Fruer 1919: «Pardje, të hënën, filloi tufa e parë e muhaxhirëve të duket në Shkodër, e këtij populli fatkeq të Plavës e Gusinjës, n’at hall të përvajtuëshem e vargu nuk asht mbarue ende. Midis këtyre muhaxhirëve në vend të vet fytyronin (bënin pjesë-shen im) edhe njerëzia e Rugovës, pse edhe këtë krahinë e paskan djegë e shkretue jugosllavët…. Ky popull shqipetar i bamë me dalë muhaxhir, kapet (janë) deri më pesëmbëdhjetë mijë frymë, por një pjesë ka marrë anën e Malësisë së Gjakovës. Numri i atyne që kanë mbetë të dëkun nuk mund të dihet psë nuk po e njeh qeni të zotin, siç thonë.” (11) Kënga e Asllan Krasniqit, i torturuar nga pushtuesit turq dhe pushtuesit e rinj serbë e bullgar, këndohet edhe sot në lagjen e muhaxhirëve në Prishtinë. Këngën ia ka dhënë amanet, këngëtarit Demir Krasniqi, që ta ruaj e ta këndojë gjithandej trojeve dhe krahinave shqipetare:
O, nam po banë, o, qajo Sërbi-e,
O, poj çon para, o, më singi-e,
O, tanë tu i myt-e, o, tu i shpërthye,
O, keq maroj, o, kjo shqiptari-e !
O, po therrë fëmi, e , o po pret pleq-e,
O, kush s’ ka ba, o, n’ dynja ma keq-e!
O, po prenë burra, o , po prenë gra-e,
O, ksi adaleti, o, kush n’ dynja s’ ka ba-e!
O, çka po banë,o , qajo Serbi-e,
O, n’ dynja, kush s’ka ba ma zi-e !
O, n’ dynja kush s’ ka pa më sy-e ,
O, nanave – fminë n’ bark ty ja shpërthy-e!
O, nanave n’ bark – o , fminë me jav nxjerr-e,
O, veç Serbija e banë kit tmerr-e!
O, gjallë shqiptarët nuk don mej lan-e! … (12)
Genocidi që zhduku qindra fshatra shqipetare bashkë me banorët e tyre, jo vetëm në veri-lindje nga sllavët por edhe në jug nga shteti hellen, nuk kaloi pa u vënë re në kancelaritë perëndimore. Por kjo gjakderdhje dhe ky spastrim etnik, nuk kishin asnjë rëndësi për shtetet koloniale të Europës, sepse genocidi ndaj popujve, në atë kohë nuk quhej krim por një e drejtë e ligjshme e çdo pushtuesi.
Shqetësim për ta ishte zgjerimi i hapsirave tokësore të sllavëve me mbështetjen e Rusisë dhe ndeshjen e saj me interesat e Fuqive të Mëdha në Ballkan. U pa e nevojshme që krahas forcës, të përdoreshin forma të reja në marrdhëniet ndërkombëtare. Britaniku H. Mackindër, sikurse edhe shumë analistë të fund’shekullit 19, u shpreh për zbatimin e politikës së “ekujlibrit” midis Fuqive të Mëdha. (13)
Ky “ekujlibër” (i kthyer më vonë në emërtimin “paqe”) midis Fuqive të Mëdha, filloi të zbatohej në veprimtarinë politike dhe ushtarake europiane, para dhe pas luftrave, edhe në shekujt e mëvonshëm.
Më 12 gusht të vitit 1913 në Dhomën e Komunëve ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Sir Edward Grey (1862 – 1933), mbasi u copëtuan trevat shqipetare, pohoi:
“Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky vendim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë (…) por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rrëth kufijve të Shqiperisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftëse marrëveshja mbi Shqiperinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi së ka qënë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes n’Europë!”
Në kujtimet e tij, themeluesi i shtetit shqipetar të 1912’ës Ismail Qemali shprehet me ironi: “qemë të ngushëlluar kur dëgjuam së duhej të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës”…
Nga 180 mijë km² dhe rreth 2 milionë banorë shqipetarë, teritoret shqiptare në fund të shekullit të 19, kishin mbetur vetëm 80 mijë km².
Në Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht1913) diplomacia ruse dhe franceze arritën t’i shkëputin Shqiperisë krahinat më të pasura. Fuqitë e Mëdha europiane aprovuan hartën ballkanike ku Serbia, që synonte të kthehej në një fuqi ballkanike, megjithëse kishte vetëm 900 mijë banorë, përsëri u rrit me 39.000 km², duke i marrë Shqiperisë 1.290.000 banorë, ose 55% të banorevë të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit më 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.(14) Mbas shumë përpjekjeve për ta zhdukur nga harta e Europës, ju la shqipetarëve 28.748 km² që përbëjnë sot hapësirën e Republikës së Shqiperisë. Kjo grabitje nga shtetet sllavo-hellene, u arit vetëm duke shkelur mbi kufomat e banorëve autoktonë shqipetarë.
“Më 25 shkurt 1914, në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët, ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës, ku i vrau në mënyrë barbare… (kockat e tyre u pretenduan nga shteti hellen si të ushtarëve grek). Në fshatin Peshtan, foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi, ku ishte një pus. I merrnin me radhë, u prisnin kokat dhe i hidhnin brënda. Ndërkohë, gratë pasi i përdhunuan, i vranë me bajoneta… (15)
Në emër të palës shqipetare, amerikani C.T.Erikson në vitin 1919 përpara Komitetit të Mardhënive me Jashtë të ShBA’së, theksoi: “Bota e qytetruar duhet të kërkojë falje për zhdukjet masive të fshatrave shqipetare, në prag të Luftës së I Botërore… Kjo u pasua me një propagandë të tmerrshme, e cila ka favorizuar diskriminimin e popullit shqipetar duke nxitur urrejtjen…” (16)
Etnia shqiptare në prag të shkatërrimit të Perandorisë së kalbur Osmane humbi krahina të tëra nga më pjelloret dhe strategjike, si Zona e Tivarit, e Hotit, e Grudës, e Pazarit të Ri, Sanxhakut (Novipazarit) Nishit, Rrethinat e Manastrit, krahinat e Janinës dhe të Çamërisë, të cilat u shpopulluan ose u asimiluan me forcë nga pronarët e rinj.
Me këtë copëtim të trojeve shqipetare nga ana e Fuqive të Mëdha, nisi genocidi më i egër sllavo-hellen kundër popullit më të vjetër në Ballkan dhe Europë. Dëshmitare e krimeve të serbëve në vitin 1912-1913, ka qenë edhe një vajzë e vogël me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhi (26 gusht 1910 – 5 shtator 1997), që bota sot e njeh me emrin e Nënë Terezës. Kriminelët serb i helmuan të atin dhe familja e saj shpëtoi vetëm duke u arratisur në drejtim të Tiranës.
“Paqja europiane” me gjith “ekujlibrin” për të plotësuar orekset e Fuqive të Mëdha dhe satelitëve të tyre, brënda një harku kohor prej afro 32 viteve, (1913-45) solli përfshirjen e Ballkanit në dy luftra ballkanike dhe dy botërore.
III – Genocidi dhe racizmi ballkanik kundër etnisë shqipetare
Janë disa ideollogji që u kanë dhënë emër periudhave në histori. “Racizmi kundra çifutëve” ka emërtuar atë të Luftës II Botërore. Ky racizëm, që i dedikohet veprimtarisë së shtetit nazist të Hitlerit, në fakt ishte vetëm zbatim i ideologjisë së përpunuar mbi teza “pseudo-shkencore” të shumë intelektualëve, studiuesve të shkencave natyrore, analistëve të politikës dhe të shoqërisë moderne të shek. 19-20 nga vende të ndryshme perëndimore europiane (Herbert Spencer, libri “Lufta e racave” (La lotta delle razze) e Ludwig Gumplowicz, Francis Galton e Ernst Haeckel, Halford J.Mackinder etj).
Etnologu francez Georges Montandon, në nëntor 1940 botoi librin «Si ta njohim Çifutin?» (Comment reconnaître le Juif?) që shërbeu si bazë shkencore e propagandës anti-semite hitleriane. Kjo veprimtari intelektuale, që nuk ua nxiu faqen autorëve të saj (siç u damkos me të drejtë Hitleri), shërbeu si bazë për politikat e shteteve europiane dhe më gjerë.
Për genocidin kundër çifutëve është folur dhe flitet edhe në ditët tona. Janë kthyer në muze kampet e çfarosjes së tyre dhe janë realizuar shumë filma artistikë, dokumentarë, janë botuar libra historikë e kujtime. Por kanë mbetur në heshtje shumë genocide të natyrës raciste të përjetuara nga popujt e Europës, të kryera para dhe pas Luftës II Botërore, që edhe sot trajtohen si të paprekshme.
Një prej këtyre krimeve, që ka qënë tipari themelor i ngjarjeve gjatë dy shekujve (19 -20) në Ballkan është RACIZMI KUNDËR SHQIPETARËVE.
Ky racizëm, nuk u frymëzua nga tezat e “seleksionimit natyral” të darvinizmit dhe as të “racës superiore” të studiuesve perëndimor, por për fitimin e “hapësirave jetësore” për kolonët e huaj. Holokausti i parë në Europë mbi baza raciale është planifikuar dhe zbatuar nga Programet qeveritare të sllavëve në veri-lindje dhe i shtetit të Helladës në jug, kundër popullit shqipetar. Në dallim nga genocidi kundër çifutëve dhe popujve të tjerë europianë, genocidi racist kundër shqipetarëve është ushtruar në vijëmsi (në kohë lufte dhe paqje) deri në fund-shekullin e XX.
Më 1913, pa shpërthyer akoma Lufta Ballkanike një shkrimtar izraelit Leo Frojndlih (Leo Freundlich) botoi librin “Golgota e Shqipetarëve” (“Albanienes Golgotha”, Wien, 1913). Në të, përfshihen dokumeta të cilat rrëfejnë barabarizmat masive të bëra nga Serbët në krahinat shqiptare të veriut. Ay kishte ruajtur koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës, që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysëm milioni të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913.
Leo Freundlich: Albaniens Golgatha 1913
http://www.albanianhistory.net/texts20_1/AH1913_3.html
“Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve” – shkruan Frojndlih për ngjarjet në Kosovë dhe Maqedoni – “Ata që mundin ti shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjëndeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqipetare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzana, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mbildhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”.
Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë “më 12 /28/ nëntor të 1912’ës, u masakruan në afërsi të Shkupit dhë Prizrenit 7000 shqipetarë. Shumë fshatra u dogjën dhe popullsia e tyre u vra. Në rrethin e Prishtinës vetëm gjatë përiudhës 18 tetor – 12 nentor 1912 u zhdukën nga tërrorizmi serb afro 5 000 shqipetarë. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9) Edhe të dorëzuarit vriteshin si në “kasaphanë”. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 15-16). (17)
Mis Edith Durham (1863-1944), tregon se kur ndodhej në Mal të Zi (tetor të vitit 1912) kërkoi që të vizitonte Prizrenin: “I pyeta malazezët se përse nuk më lejohej të shkoja atje. Ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqipetar me hundë të paprerë!”. Dhe vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqiperisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë e buzë të prera”.
Gazetat kryesore si “Giornale d’Italia”, “Wiener Alge meine Zeitung”, “Neue Freie Press”, “The daily mail”, “Reichpost” etj. kishin dërguar reporterët e tyre të luftës ndërmjet të cilëve qe edhe Trocki. Në shkrimet e tij ay jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqipetarët: “Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre: “As vetë s’e di sa shqipetarë kam vrarë’, tha njeri nga ata. Por tek asnjeri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e thera një grua, gjeta tek ajo dhjetë lira ari”.
Fishta në Konferencën e Paqes 1919 shprehej: “Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” (“Sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen”).
Dokumentat arkivore të shtetit serb, dëshmojnë se gjatë 164 vjetëve, janë të njohura 24 programe serbe (me shumë pak ndryshime e modifikime nga njera-tjetra), që planifikonin në mënyrë të hollësishme shfarosjen e shqipetarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqipetare. Qeveritë serbe kanë vepruar në mënyrë sistematike në dëbimin dhe spastrimin etnik të mbi 700 fshatrave etnike shqipetare të Sanxhakut të Nishit, të Toplicës e Kosaonicës (1876-1878). Mjafton të kujtohet “Naçertania” (1844) e Ilija Garashaninit, projektet e Jovan Cvijiçit (midis viteve 1912 dhe 1921) e përpunuar nga Vasa Çubrilloviçi (1937, 1944), projektet e Ivo Andriçit (1939) e të Stevan Moleviçit (1941) e deri te “Mëmorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (1986) dhe projekti i Millosheviçit “Te gjithë serbët në një shtet të vetëm” (1990). Pothuajse secila parti serbe kishte nga një program “nacional”. Ato garonin me njera-tjetrën se cila do ta zgjidhte “më mirë” një herë e përgjithmonë çështjen e Kosovës. (18)
Dosja 58, ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 410 (Prefekturat dhe komunat e Tokave të Liruara)
Raporte dërguar nga Prefekturat për dhunën e vazhdueshme të serbëve të ushtruar ndaj shqipetarëve:
“Pikë së pari jugosllavët kërkuen dorëzimin e armëve dhe të çdo lande që ka lidhje me mjete lufte. Shqipetarët e këtushëm, mbas shumë e shumë vuejtjeve shtazore pa kurrfarë mëshire e njerëzie, banë dorëzimin që kërkohësh. Mbas disa kohë qeveria e bashkueme nën emnin “Jugosllavi” organizoi një bandë vullnetarësh më 2000-3000 serbë e malazez dhe nën komandën e majorit Sav Llazari filloi të bajë shqiptarët me e ndërrue fenë e deriatëhershme dhe me besue orthodoksizmin e tyne… Shpesh herë me qindra e qindra burra shqiptarë lidheshin për gardhi t’oborrëvet, në mënyrë që këmbët e tyne të mos prekeshin në tokë, tue përdorë dru e kamxhik, lageshin me ujë të ftofët në kohën e dimnit vetëm e vetëm që ata nuk pranojshin me ndryshue besim. Kur u pa se shqiptarët e pushtuem bjenë (sollën) gjithçka që u kishtë mbetë veç tokës, këta u kujtuan edhe këtë ta bajshin të tyne. Kështu në vitin 1929-1930 nxurrën në shesh agrarin e tyne mizor e shpirtlig dhe filloj vumje kufijsh përmidis tokash të trashëgueme prej të parëvet, njëkohësisht me vorfnue edhe mjerue mbarë vendasit shqiptarë të këtushëm. Ay i bani të huejat për zotnuesit e deri at’hershëm arat, livadhet, baçet, pyjet, kullosat dhe çdo tokë të vlefshme. Shqiptarët zun të varfënohen sa që dhe buka e përditshme me zor u sigurua, e nga kjo filluan të bëheshin çipçi të shkijeve në tokat e veta. Agrari nuk u njoftonte menjëherë, por u duk herë mbas here e gjithnji tue rëndue kurrizin e shqiptarëvet të lodhun e tue shtue sipërfaqet e sekuestrimit sa që erdhi me zaptimin e oborreve të shtëpive deri në prag të derës.
Kolonistat serb e malazez i ftojshin shqiptarët dhe veçanërisht myslimanët që vendi i tyne ashtë Turkija dhe do të jetë ma mirë të shkoni në kohë atje së sa të çfaroseni prej Qeverisë,
Shpesh herë patrullat e xhandarmërisë së asaj kohe hyjshin ndër shtëpia dhe ndajshin me gisht të gjithë ata djelmosha shqiptar që njifeshin për zotësi personale e ma të zgjuar dhe, porsa u largojshin prej katundit, në ma të parin prrua o gropë që gjejshin ata, djelmoshat tanë pushkatoheshin në vend dhe hudheshin në gropa a prrua ku pushtuesat dëshirojshin. Edhe ndër kazermat e ushtrisë shpeshherë oficerët serbe thirrshin me listë ushtar shqiptar dhe, mbasi i lidhshin, i vritshin me mitraloz në mënyrat ma të poshtra e ma tradhtare që mund të veprohej prej rracave të këqija të njerzis”.
… Ngjarje të tilla, si një praktikë e zhdukjes se shqipetarëve, kanë vijuar ndër vite në ushtri. L I S T A e personave shqiptar të mbytur prej vullnetarëve e ushtrisë jugosllave, me datë 11-15 prill 1941, në rajonin e komunës së Vogovës. (vijon Numri- Emri e mbiemri – Vendbanimi – Besimi – Data e mbytjes). (19)
VIJON…
*************************************
FATBARDHA DEMI: DY SHEKUJ GENOCID MBI SHQIPETARËT (II)
PJESA E DYTË: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2686
**************
/ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG, Sh.BERISHA/