FATBARDHA DEMI: FATOS LUBONJA DHE LEVANTINËT E FAIK KONICA

Pashtriku.org, 01. 08. 2013 – «Mendimi i themelit tek Levantinët, është që çdo gjë e vjetër në Shqipëri u duket ose e poshtër ose qesharake» (f.85F.K.) Ky përcaktim i një prej figurave të shquara të gazetarisë sonë, Faik Konicës më erdhi ndër ment duke lexuar shkrimin «Bëhu i ditur (që) të jesh i lirë» i F.Lubonjës (dt 2.12.2008) lexuar në internet dhe katër numrat «Mbi debatin për Skënderbeun» në gazetën «Korrieri» (dt.5,9,12,16.2.2009)
Ky mohim i vlerave të së kaluarës historike, që bëhet në emër të shekullit të XXI-të i cili kërkon «të tjera instrumente intelektuale e shpirtërore» bëhet për arsyen, siç vëren Lubonja, «se armiku më i madh i shqipetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, është PADITURIA e cila « i tregon të papjekur (shqipetarët-shën im) kulturalisht për t’u bërë pjesë e komunitetit europian».


Lexoni: Bëhu i ditur të jesh i lirë
http://perpjekja.blogspot.de/2008/11/bhu-i-ditur-t-jesh-i-lir.html

Dhe për të ftilluar (ndriçuar) këtë popull «të paditur» Lubonja ka më se dhjetë vjetë që boton revistën «Përpjekja» synimi i së cilës është «futja e frymës kritike në kulturën shqipetare». Një synim i tillë është për t’u lavdëruar. Por kritika, sidomos kur merr përsipër të udhëheq mendimin e shoqërisë së cilës i drejtohet, bën të domosdoshme dy faktorë: njohjen e FAKTEVE historike të temës që trajton si dhe ATDHE-DASHURINË (fjalë alergjike për autorin).
Pavarësisht se në qendër të debatit është figura e heroit tonë kombëtar- Skënderbeut, thelbi në fakt është trajtimi i problemit «kombi» dhe «nacionalizmi».
Sipas Lubonjës «Shoqërija jonë, duke filluar nga shkollat apo akademitë, ka prirjen të ngurtësohet në klishetë nacional-komuniste … (në këto) mite kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste».
Ku qëndron thelbi i kësaj metode nacional-komuniste-kombtariste-totalitare që nënvizon autori? Tek manipulimi i Historisë për qëllime ideollogjike e politike të kohës.
Siç na e tregojnë kritikët e Historisë, që nga koha e Aleksandrisë së lashtë e deri në ditët e sotme, Historia gjithmonë është shfrytëzuar për qëllime ideollogjike dhe politike të kohës. Ky fakt nuk lidhet vetëm me kohën e E.Hoxhës, që është pikë referimi i të gjitha përfundimeve të autorit dhe as ajo e Rilindasve. Historia është përdorur për qëllime të larta e fisnike, por edhe për ato shoviniste e regresive (autori bën mirë t’iu drejtohet sidomos studimeve shqiptare, meqenëse flet për historinë tonë). Një shëmbull tipik i ditëve tona është trajtimi i sulmit fashist italian gjatë Luftës së II Botërore, si “pushtim italo-shqiptar”, për nevojat e politikës së Greqisë për të përvetësuar pronat e popullsisë shqipetare dhe zbimin e saj. Çuditërisht, asnjë nga Levantinët e «nacionalizmit totalitar shqipetar» nuk flasin për këto fakte.
Me qenëse Lubonja bën thirrje për dituri dhe merr përsipër të fusë frymën kritike në kulturën shqipetare, nuk besoj të mos dijë Historinë e krijimit të Kombeve dhe trajtimi i temës «Nacionalizëm» që nga shk.18, deri në ditët tona. Gjithashtu si studiues dhe analist shqipetar, i duhej të na sillte tiparet e nacionalizmit shqipetar dhe dallimet nga ai europian, veçanërisht ai ballkanik në shk.20-21.
Në artikujt dedikuar “nacionalizmit totalitar shqiptar” që na e paskan bërë « peshqesh » Rilindasit, Levantinët, çuditërisht nuk përmendin në asnjë rrjesht nacionalizmin shovinist serb, shtet që ka shpallur synimin për t’iu bashkuar BE-së. Nuk përmëndet as edhe nacionalizmi mesjetar i një shteti anëtar të saj, si Greqia (gjë që nuk e nderon aspak BE-në), trysnija e të cilëve është aq e pranishme në ditët e sotme në trevat dhe shoqërinë shqipetare.
Po le t’iu drejtohemi fakteve historike që të bëhemi «më të ditur !!!».
«Shëmbujt e parë (të lindjes së shteteve nacionale në Europë-shën im) nuk shkojnë më parë se shkekulli i 18-të » shprehet historiania franceze Anne Marie Thiesse.
Por nga se ndërtohet një shtet nacional?
Sipas Renan-it, «është një trashëgimi e pasur kujtimesh», «është përfundim i një të kaluare të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe privimesh… (ku) kulti i të parëve është më legjitimi nga të gjithë. Të parët na kanë bërë kjo që jemi ». A.M.Thiesse më poshtë sakteson: « T’i përkasish Kombit do të thotë të jesh një nga trashëgimtarët e kësaj pasurije të përbashkët dhe të pandashme, ta njohësh dhe ta nderosh… I gjithë proçesi i formësimit të identitetit ka konsistuar në përcaktimin e pasurisë së çdo kombi dhe në përhapjen e kultit të tij» (f.10,11 A.M.Th)
Nuk marrim përsipër t’i fajsojmë për «nacionalizëm totalitar komunist» shtetet europiane që edhe sot e kësaj dite, në shk.21, vazhdojnë ta bëjnë këtë punë. Në krahinën e Rouenit gjatë zgjedhjeve presidenciale në Francë (2007), Nicola Sarkozy ju kujtoi zgjedhësve figurat më të shquara të Historisë, si Zhan Dark (1431), Corneille, Cid, Horace e deri tek vlerat 2000 vjeçare të krishtërimit francez. Ai shtroi domosdoshmërinë e njohjes në shkolla, të kësaj Historie dhe kulture. «Atyre të cilëve kjo nuk ju pëlqen, nuk janë të detyruar të qëndrojnë në territorin e Republikës Franceze» u shpreh Sarkozy.
Ndërkohë, jo vetëm nga politikanët tanë në fjalimet e tyre, por as në tekstet e Historisë, nuk përmendet fakti se, kur në trevat arbërore ishte përhapur feja e krishtere, popullsia e pjesës tjetër të Europës ishte akoma pagane dhe ishte perandori ilir Kostandini, ai që lejoi të praktikohej krishterimi dhe ndaloi dhunën mbi besimtarët e tij. Studimet historike dëshmojnë se popullsia arbërore, në dallim nga popullsitë europiane, gjithmonë ka qenë e vetëdijshme për përkatësinë e saj kombëtare. Duke qenë autoktonë në trojet e sotme dhe të pastër etnikisht (arsyet e së cilës nuk është temë e këtij materiali) i njihte mirë heronjtë e saj që nga lashtësia e hershme (Aleksandrin e Madh, Pirro Burrin, Gentin, Teutën etj), dhe prejardhjen pellazgo-ilire.
Hobhauzi, miku i Bajronit, i kishte bërë shumë përshtypje ndjenja kombëtare si një tipar i shqipetarëve: “…një shpirt pavarsie dhe dashurie për atdheun nga i gjithë populli, e kjo në një masë të madhe e mënjanon (e tregon-shen imi im) dallimin e thellë që vihet re në pjesët e tjera të Turqisë ndërmjet përfaqësuesve të dy feve. Kështu kur banorët e viseve të tjera i pyet se çfarë janë, ata përgjigjen: “Jemi turq” ose “Jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet : ”Jam shqiptar”… Ndjenja kombëtare bie fort në sy në karakterin e tyre” (f.114 F.K.) Shumë kohë përpara se ta shprehnin Rilindasit, admirali francez Zh.de la Gravjere që kishte bërë një studim të thelluar mbi shqipetarët, pohon se “Kombësia i bashkon shqipetarët shumë më tepër sesa i ndan feja” (f.115 FK.) Ky pohim i takon periudhës kur mbretëritë e Europës ishin akoma në valën e punës për formimin e Shteteve Nacionale. Fakti se 90% e shqipetarëve, (sipas statistikës së Lubonjës) vazhdojnë të vlerësojnë luftën e Skënderbeut, pohon se ndjenja kombëtare edhe sot qëndron e fortë në shpirtin e popullit tonë.
Formimi i Shteteve nacionale në Europë lindi në shk.18 si një trysni e ardhur «nga lart» (në dallim nga popullsia arbërore) sidomos nga borgjezia e re, që kërkonte mbështetje dhe mbrojtje për kapitalet dhe veprimtarine e saj. Formimi i lëvizjeve nacionale lidhet me modernizimin ekonomik dhe shoqëror, integrimin e tregjeve nacionale, dmth krijimin e hapësirave ekonomike të unifikuara dhe drejtuara nga rregulla dhe norma të përshtatshme për zhvillimin kapitalist të garantuara nga Monarku apo Shteti. Kjo lëvizje, për të bashkuar nën një flamur popullsinë shumë etnike të mbretërive europiane, i duhej një bosht – LAVDIA historike e TË PARËVE!
Kësaj lëvizjeje historiko-kulturore ju desh shumë punë dhe kohë, për të kërkuar “rrënjët” e të parëve të tyre të lashtë. Të parët e nisën poetët skocezë që rrugëtuan nëpër fshatra të thella e të izoluara malore, për të mbledhur krijimtarinë gojore dhe t’i afronin skocezëve dhe britanikëve një epikë si ajo e “Iliadës” së Homerit. Më 1761 u botua “Poema e Lashtë Epike” (6 vëllime) e shkruar nga Ossian (figurë e sajuar), dhe e përkthyer nga gjuha galike prej J.Macpherson. Sapo u botuan Epopetë osianike “…shumë filologë vlerësuan se Macphersoni nuk ka mundur ta gjente epopenë e shk.3 veçse në përfytyrimin e vet… (atij) ju desh të shpikte disa dorëshkrime të lashta, sipas të gjitha gjasave, bardike” (f.29 A.M.Th.) Franca, Gjermania dhe shumë shtete të tjera europiane, nxituan të ndiqnin shëmbullin e britanikëve për të ndërtuar edhe ata “lashtësine” e tyre.
Ndërkohë, për fatin e keq të Levantinëve si Lubonja&Co, në Historinë shqipetare nuk ka asnjë rast ku të sajohen figura dhe ngjarje historike. Rilindasit vijuan traditën e herëshme të arbërorëve, të cilët e gjenin frymëzimin tek figurat më të ndritura të të parëve. Barleti e ka përkufizuar si «ligji i ndjekjes së gjurmëve të gjakut dhe të fisit».
Sipas kujtimeve të Papa Piut II, Skënderbeu më 1636 i përgjigjet princ Antonio Orsinit: «…të parët tanë kanë qenë epirotë nga të cilët ka dalë Pirroja me nam…në thënç se Arbëri është pjesë e Maqedonisë, atëherë të parët tanë i pranon edhe më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin u futën gjer në Indi» (f.35 Dh.P)
Lëvizjet historiko-kulturore europiane, më vonë u shndërruan në ideologji nacionaliste, herë çlirimtare e herë agresive. Nga lëvizje kulturore për t’u çliruar nga sundimi i lashtësisë greko-romake dhe kulturës franceze, u kthye në lëvizje politike nacionaliste për të ndërtuar shtete nacionale me popullsi të ndryshme, duke zhdukur shpesh gjuhën dhe kulturën e nënshtetësve autoktone. Lëvizjet nacionaliste gjatë historisë patën çfaqje të ndryshme. Secili shtet duke treguar “lashtësinë” e vet, ndërtonte supremacinë e vet dhe pretendimet territoriale. (Rast të freskët kemi Shtetin Serb)
Edhe sot e kësaj dite, nën emrin “Nacionalizëm” përfshihen lëvizje ideologjike dhe shtetërore krejt të kundërta si psh “nacionalizmi popullor” gjatë luftës së popullsisë shqipetare të Kosovës dhe “nacionalizmi agresiv” i Shtetit shovinist serb, që shkaktoi jo pak gjak-derdhje tek popullsia e pafajshme e Ballkanit. Pikërisht ky dallim mungon në shkrimet e Lubonjês dhe të autorëve të tjerë, që e kanë shumë për zemër të flasin për “nacionalizmin totalitar shqiptar”. Po për t’u bërë «më të ditur» le të kuptojmë se ç’do të thotë emërtimi «nacionalizëm agresiv». Nacionalizmi agresiv është ekzaltimi i shtetit nacional, prestigji dhe hyjnizimi i të cilit kërkonë një pozitë sunduese në Botë apo një hapësirë gjeografike. Ky nacionalizëm bëhet një nga frymëzuesit kryesor të luftërave ndërkombëtare. Në planin ekonomik, nacionalizmi agresiv përfaqëson interesat e industrisë dhe kapitalizmit nacional.
Po le të përqëndrohemi në Ballkanin e ditëve tona.
Në një shkrim të L. B. Henri «Të ndihmojmë Rugovën, armikun e histerisë nacionaliste» (dt.19.03.1998 «Corriere della Sera») lexojmë: «Rugova mbetet barikada e fundit dhe më e mira përball histerisë nacionaliste «pan-shqiptare» triumfi i së cilës do të ishte një shkatrim». Është më se e dukshme se, me gjithë thirrjen e drejtë që u bën shteteve europiane për rrezikshmërinë e shtetit shovinist serb, autori nuk e njeh historinë e Ballkanit. Nuk është për t’u habitur, sepse krahas shtrëmbërimeve historike që janë bërë një metodë pune e sërbo-grekëve, Levantinët shqipetarë si Lubonja&Co, shkruajnë për «nacionalizmin totalitar shqiptar» edhe në anglisht, e në media të huaja (që ta kuptojë e gjithë Bota se të paanshem janë!!!).
Si pasojë e këtyre shkrimeve të Levantinëve shqipetar që përforcojnë korin sllavo-grek për rrezikshmërinë e «nacionalizmit totalitar shqiptar» shumë media europiane barazojnë nacionalizmin shqipetar me atë shovinist serb.
Ai që, sa do pak e njeh historinë, e ka të qartë se arbërorët në historinë shumë shekullore të gadishullit, nuk kanë qenë kurrë pushtues dhe historia e Ballkanit është një histori e zaptimit të trojeve, e dëbimit dhe çfarosjes se tyre nga fqinjët sllavo-ortodoks. Dhe siç pohojnë studiuesit «Historia përsëritet». Kjo dukuri vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Që kur u bë nacionalizmi shqiptar i rrezikshëm për fqinjët?
Nga na doli ky “Nacionalizëm totalitar shqipetar”?
Në kohën e E.Hoxhës nuk flitej për shqipetarët e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Greqisë dhe historia e shqipetarëve u tkurr, edhe për lashtësinë ilire brënda 28 mijë km². Interesat jetike të tyre ishin të huaja për Shtetin komunist. Në atë periudhë (dhe as sot) nuk flitej për rolin e madh që kishte dhënë Kombi ynë në formimin e Shteteve moderne në tre Kontinente (Europë, Azin e Vogë dhe Afrikën Veriore), si element të krenarisë kombëtare të shqipetarëve. Pasuria kulturore dhe ajo historike arshivohej vetëm në raftet e Institucioneve tona studimore. Me gjithë studimet shqipetare dhe të huaja per gjuhën pellazgo-shqipe, në tekstet që ka sot rinia, ajo përcaktohet vetëm me disa rrjeshta. Shqipëria dhe historia e popullit tonë edhe sot vijojnë të mos njihen. Arkivat e huaja ishin të paaritshme për studiuesit shqipetar (fatkeqsisht dhe sot). Historia e jonë edhe për periudha të vonshme ishte në kufijtë e minimales në shkolla. Edhe në kohën e demokracisë. Historia e kombit shqipetar si tërësi, në ciklin para-universitar, është reduktuar në një mesatare vjetore prej 3% të materialit historik mësimor (besoj një rast i paparë në Europë e Ballkan) .
Para viteve 90, në fakt kemi “nacionalizëm partiak” që në ideollogjinë e tij shfrytëzonte ndjenjën kombëtare dhe atdhe-dashurinë e popullit dhe jo “nacionalizëm komunist shqipetar”. Nocioni i atdheut dhe shqiptarizmës u zëvëndësua me atë partiak dhe ideollogjinë komuniste (me drejtuesin e saj të lavdishëm) që nuk kishte asgjë të përbashkët me mbrojtjen e interesave kulturore, historike dhe ekonomike të Kombit shqipetar. Vetë politika kapitulluese ndaj problemeve të shqipetarëve, jashtë shtetit dhe falimentuese brënda tij, sa e katandisi Shqiperinë si vendin më të varfër në Europë e Ballkan, tregon qartë se nuk ka ekzistuar ndonjë «nacionalizëm shqipetar» por «nacionalizëm partiak totalitar » i rrezikshëm vetëm për shqiptaret.
Gjatë asaj periudhe, figurat historike jepeshin të zbehta për nga faktet dhe të seleksionuara dhe të zvogëluara në numër. U botuan shumë pak studime historike ndërkohë që shtetet fqinjë edhe mbas Luftës së dytë botërore, botojnë një numër të madh «studimesh historike» të mbështetura nga shteti, simbas ideologjisë së tyre shoviniste. Këto shtete ushqejnë popullin e tyre me urrejtje ndaj shqipetarëve nën frymëzimin e ideollogjisë së “nacionalizmit agresiv”. Në media dhe në kancelaritë dipllomatike, pa ju tharë akoma në duar gjaku i viktimave me paturpsi bërtasin «për rrezikun nacionalsit shqipetar që kërcënon pakicat serbe dhe objektet e kultit» në shtetin e Kosovës.
* * *
Këtë muzikë e dëgjojmë edhe nga fqinji ynë jugor, që gjithashtu ka vënë në lëvizje median, lobin e tij dhe përfaqësitë dipllomatike për «padrejtësitë» që përjeton minoriteti grek në Shqipëri.
Faktet e planeve pushtuese të shtetit grek pas Luftës së dytë botërore flasin vetë:
– Në fillim të prillit të v.1949 qeveria greke i dërgoi një Memorandum Londrës dhe Washingtonit i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë
– Në 1960, kur Shqipëria preu marrëdhëniet me B.Sovjetik dhe mbasi kishte siguruar mbështetjen e Hrushovit, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht për të aneksuar Shqipërinë e Jugut.
– Mbas 1990-ës, Gjenerali Grilakis kujton: « …më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi për të shkëmbyer pikpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit » që solli më vonë konkretizimin dhe hartimin e «Planit Lotos» që kishte për detyrë të çlironte «Epirin e Veriut».
– Më 10.04.1994 një komando terroriste greke e armatosur me armë zjarri dhe me uniformë ushtarake greke u fut në territorin shqipetar, në një repart ushtarak në afërsi të fshatit Peshkëpi, kryen masakra të përgjakshme duke thirrur: “Këtë e keni për Vorio-Epirin!”.
– Në vitin e famshëm 1997 (skenari i të cilit akoma nuk është i njohur) Greqia i kërkoi Amerikës ta lejonte të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut.
Këto janë vetëm disa nga veprimet e hapura të shtetit shovinist grek. Një pasqyrë më të hollësishme Lubonja & Co për marrëdhëniet e popujve të Ballkanit do ta gjejnë në studimin «Tensioni greko-shqiptar…» i historianit Beqir Meta.
* * *
Një politikë të ngjashme ka ndjekur edhe ish fqinji ynë verior. Pasi kanë masakruar shqipetarët për vite të tëra, pasi i ka shkuar në thikë së paku 1000 foshnja nën 5 vjeç, siç e ka pohuar vetë shtypi serb (gazetari Filipoviç në gazetën “Le Mond” e “Liberation”) pasi i ka përdhunuar qindra vajza e gra të reja dhe shpërngulur barbarisht rreth 1 milion njerëz, shteti shovinist serb ngre zërin për rrezikun nga “nacionalizmi shqiptar”. Makina e tij ushtarake dhe politike agresive vazhdon veprimtarinë edhe mbas vitit 1999, mjafton të ndjekish median. Këto kanë ndodhur dhe po ndodhin, jo në një periudhë mitike, por në ditët e sotme. Pra zoti Lubonja, armiku më i madh i shqiptarëve nuk është padituria, por nacionalizmi agresiv dhe shovinist shtetëror sllavo-ortodoks.
Si përfundim të të gjithë meditimit të tij «filozofik», në shkrimet e F. Lubonjës shprehet idea se «kulti i atdheut» njeriu perëndimor e ka vënë në dyshim, pasi ky e çoi në luftrat botërore. Sot jo më analistët por edhe lexuesit e thjeshtë të historisë i kanë të qarta shkaqet e vërteta të luftrave botërore. Mbrapa tyre janë interesat e kapitalit dhe rindarja e «zonave gjeo-strategjike». Na vjen çudi, që drejtuesi i revistës «Përpjekja» i ve në një thes të gjitha luftrat. Ashtu sikurse historikisht janë çfaqur forma të ndryshme të «nacionalizmit», edhe luftrat kanë qenë të natyrave të ndryshme: luftra çlirimtare dhe luftra pushtuese. Ndërsa e para bëhej në emër të lirisë dhe jetës, e dyta në emër të robërimit dhe grabitjes apo zhdukjes së një popullsije.
Dua ta mbyll shkrimin tim me një vëzhgim të goditur të studiuesit Veis Seiko: «Shumë të vërteta elementare nuk njihen për Shqipërinë dhe shumë-kush flet përçart për të».
Fatbardha Demi – Tiranë, 20. 02. 2009
__________
– F.K.- Faik Konica «Ҫ’është liria»2005
– A.M.Th-Anne Marie Thiesse “Krijimi i Identiteteve Kombëtare” Pejë 2004
– Dh.P.-Dhimiter Pilika «Pellazget… »

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura