FATBARDHA DEMI: SELLENIZMI – BESIMI QË SUNDON BOTËN

Pashtriku.org, 14. 11. 2016: Këto ditë Shtëpia Botuese ‘DUDAJ’ nxori në qarkullim librin e studiueses, Fatbardha Niazi Demi: “SELLENIZMI – BESIMI QË SUNDON BOTËN”. Ky libër u prezentua edhe në panairin e librit “Tirana 2016”. Me këtë rast portali pashtriku.org, prezenton fjalën e autores “Dy fjalë për lexuesin” dhe pasqyrën e titujve të këtij libri.
***
Për të praktikuar shkencën, artin, për të sajuar më në fund diçka interesante për njerëzimin, duhet të flasim vetëm atëherë, kur ka diçka të re për të thënë. Walter Żelazny
DY FJALË PËR LEXUESIN

Emri sellenizëm është i panjohur, jo vetëm për lexuesin e thjeshtë të ditëve të sotme, por edhe për studiuesit e lashtësisë. Nga titulli kuptohet se bëhet fjalë për besimin. Por të kujt popullsie?
Ky libër nuk ka qëllim të bëjë “mësime” mbi fenë, përkundrazi, temat zënë fill nga jeta jonë e përditëshme, për simbolet e varseve që ne i varim në qafë, i bëjmë tatuazhe, apo i shënjtërojmë në institucionet fetare dhe ato shtetërore. Gjatë vizitave turistike dhe në faqet e revistave, ne admirojmë pikturat, skulpturat dhe objektet arkeologjike të qyteteve më me emër të lashtësisë, shqiptojmë emërtime të lumenjve, deteve, oqeaneve, maleve dhe vargmaleve, të shumë qyteteve dhe deri të shteteve të sotme, flasim në një gjuhë dhe na pëlqejnë të ndjekim disa tradita, pa e ditur se origjina e tyre, lidhet me mitet, simbolet dhe botkuptimin e njeriut të lashtë primitiv.
Ndoshta emri “besim” siç e kuptojme ne sot, nuk është plotësisht i saktë për ato kohë të largëta. Sado e çuditshme të duket, por për “ditët e para” të shoqërisë njerëzore, do të përshtateshin më sakt emërtimet e sotme: fe, filozofi, mjekësi, art, gjuhësi (krijimi dhe pasurimi i fjalorit për komunikim), poezi (vargëzim), numërim (matematikë, gjeometri), astronomi (njohjen e ndikimit dhe shfrytëzimin e pozicionit të yjeve), administrim (organizimin dhe ligjet e mbretërive), etj. Të gjitha këto fusha, në studimet historike e kanë zanafillën në atë që emërtohet SELLENIZMI, duke nënkuptuar: mitollogji dhe shkencë.
Këtë fakt e dëshmojnë botimet që lexojmë mbi lashtësinë, ku shumë Perëndi, të Egjiptit të lashtë, të oborrit hyjnor mbi Olimp dhe tek mitet e popujve të tjerë, paraqiten si krijues, mbrojtës apo zbatues të të gjitha shkencave dhe arteve të lart-përmëndura.

Autorja Fatbardha N.Demi

Sellenizmi, ka patur në shërbim të tij vetëm një mjet: KRAHASIMIN. Mbi bazën e ngjashmërive apo dallimeve, të dukurive qiellore dhe tokësore në botën që e rrethonte, njeriu primitiv e emërtoi veten, natyrën dhe thurri histori mitike. Studiuesit e sotëm bëjnë përpjekje për ta matur kohën e lindjes së njeriut ‘që mendon’ , duke e lidhur me kohën e përdorimit të zjarrit dhe të gurit, si mjet jetese. Nga provat arkeologjike (shpella e Petralones në Greqi) mendohet se kjo ka ndodhur afërsisht para 700 mijë vitesh nga ditët e sotme.(1)
Diku nga mesi i kësaj periudhe kaq të gjatë kohore, e emërtuar Pléistocène, mund të hamëndësojmë edhe zanafillën e besimit, gjuhës (një rrokëshe, në atë kohë me një / dy gërma) dhe kërkimit “shkencor” të njeriut primitiv. Në libër, mosha e besimit dhe e gjuhës është vendosur bazuar në artin e shpellave. Por fakti, që gjuha shqipe ruan një fjalor të pasur me fjalë një rrokëshe, të cilat mbartin edhe një kuptim simbolik-besimtar, tregon se zanafilla e saj lidhet me kohën e cikleve akullnajore të Pléistocenit, pra afërsisht para 400 mijë vjetëve.
Libri hapet me studimin se ç’kuptim ka emri SELLENIZËM dhe përse jemi të bindur se i përket besimit hënor. Siç do ta vë re menjëherë lexuesi, nuk kemi të bëjmë me një material akademik historik apo gjuhësor, por me trajtime të temave të ndryshme nëpërmjet analizës historike, të paraqitur me një formë të re, më të kuptueshme, por pa u shkëputur nga metoda shkencore.
Aty janë shtruar mendime për tradita, emërtimet dhe sidomos mbi simbolet, që në botimet historike nuk kanë gjetur shpjegime ose janë shpjeguar gabim apo nuk janë trajtuar asnjëherë, si psh:
– Nga e ka origjinën simboli dhe emri i fjalës Kryq, Krisht, Papë?
– Sa e lashtë është Besa e traditës së shqipetarëve?
– Qeleshja e jonë ka qënë thjesht një veshje, apo një nga simbolet më të lashta «të të dërguarit të Zotit»?
– Kush ka qënë Zoti i parë?
Lexuesi do të ketë mundësi të njihet me mbretërit e parë të lashtësisë, për të kuptuar se çfarë përfaqson «svastika» e huazuar nga nazizmi apo të mësojë rolin besimtar të emrit që përdorim sot, Shqipëri dhe Shqipetar etj.
Pothuaj tek të gjitha shkrimet do të zbuloni faktin:
– se Besimi në lashtësi ka qënë burimi i krijimit të fjalëve të reja, që i përdorim edhe sot në jetën e përditëshme, pa ua ditur origjinën si psh: hëna, dielli, ara, yll, ylber, mal, oqean, kau, kal, rreze, etj.
– se GJUHA dhe BESIMI, të lindura (mund ta pohojmë) njëkohësisht në agimin e shoqërisë njerëzore, kanë zhvilluar e përsosur njeri-tjetrin dhe sot janë «mjetet» më të sakta matëse, për të dëshmuar origjinën, hershmërinë apo vonshmërinë dhe përhapjen gjeografike të gjuhëve dhe popujve të zhdukur apo të atyre që njohim sot.
– se pa u njohur me DIALEKTET, të folurën e gjysheve e stërgjysheve tona, pa njohur besimin mitik, që në formë të copëzuar është ruajtur tek TRADITA rituale dhe folklorike e popullit, dokumentet e «gurta» ARKEOLOGJIKE dhe ETNOGRAFIKE, nuk do të arijmë dot tek E VËRTETA në studimet historike mbi lashtësinë.
Libri mbyllet me tre materiale nga ngjarje të shekullit 19’të:
– Mbi shkollën e parë Albanologjike, të formuar nga etërit e besimit bizantin ortodoks dhe intelektualët arbereshë të Italisë. Studimet dhe tezat e shtruara prej tyre, mbi historinë e gjuhës dhe të Kombit tonë, para më shumë se një shekulli, ruajnë dëshmi të panjohura apo të pashkruara në tekstet e sotme të këtyre shkencave.
– Mbi “luftën fetare” midis shqipetarëve, panorama e së cilës (betejat, shkatërimet, “Perënditë” europiane që vendosin fatin e ndërluftuesve, dhe aratisja e dhunëshme e popullsisë), është një pasqyrim besnik i luftës trojane të përshkruar nga Homeri. Nuk mungon sigurisht edhe Kali i Trojës.
– Mbi “Iliadën”, jo me vargje por me piktura, të Teofil Haxhimihalit nga ishulli i famshëm i Lesbos, që përjetësoi bëmat e kohëve të lashta, mesjetare dhe të ditëve moderne, të historisë sonë.
Në fund, nuk mund të lija pa shtuar edhe studimin e emrit të fiseve më të famshme të Lashtësisë Euro-Aziatike, të cilat shkrimet e shenjta biblike i emërtojnë fise udhëheqëse (lider): fiset DARDANE dhe të vendit të tyre, DARDANISË.
Po përse e kam cilësuar «Besimi që sundon botën» dhe kush ishin ata që e zbuluan dhe e përhapën në çdo kontinent? Këtë do ta mësoni vetë, nga libri që mbani në dorë.
Ky libër i kushtohet prindërve, të cilët më mësuan të dua Kombin tim dhe të gjithë studiuesve, profesionistë dhe autodidaktë, që më ndriçuan rrugën e njohjes së Historise së jashtëzakonshme të Shqipetaro-Arbërve.
Fatbardha Niazi Demi ([email protected] )
***
PASQYRA E TITUJVE TË LIBRIT: SELLENIZMI – BESIMI QË SUNDON BOTËN
1- RRUGA E ZBULIMIT TË EMRIT TË BESIMIT PELLAZG DHE I VASHËS KRAHË – SHQIPONJË

2- PERËNDESHA MË E FUQISHME E TË GJITHA KOHRAVE – NË XHOKEN E MIRDITORES

3- SI U HYJNIZUA «BESA» E ARBËRVE NË TEMPUJT E FARAONËVE

4- BESIMI HËNOR DËSHMI E AUTOKTONISË SË KOMBIT ARBË

5- EMRI «JEZUS», «KRISHT» DHE «KRYQ» SHPJEGOHEN VETËM ME GJUHËN DHE BESIMIN E PELLAZGO – SHQIPETARËVE

6- NGA DODONA NË TIBET

7- SHQIPE – RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (pjesa e parë)

8- SHQIPE – RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (pjesa e dytë)

9- PLISI – MITI I ORIGJINËS SË PËLLAZGËVE HYJNORË

10- BIBLA – HISTORIA E NJERËZVE ME PLIS
11- HËNA DHE DIELLI, SIMBOLE KULTIKE NË DY KOKAT E SHQIPONJËS PELLAZGE
12- TEK ZOTI PASH VËNDIN TIM

13- BASHKJETESA FETARE DHE ANA TJETËR E MEDALJES

14- PIKTORI QË PËRJETËSOI NË HELLADË (Greqi) HISTORINË E SHQIPETARËVE
15- DARDANIA E PAZBULUAR.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura