FATMIR LAMAJ:…IKU DHE HYSENI

Tiranë, 13. 03. 2014 – Hysen! Ike nga kjo botë duke marrë me vete dëshpërimin dhe zhgënjimin për ëndrrën tënde dhe për endrrën tonë për një Shqipëri më të mirë, për një jetë dinjitoze në këtë vend ku ti dhe ne të gjithë e deshëm kaq shumë.
Vdiq dhe një tjetër i burgosur politik i lënë në heshtje dhe vetminë e vet, jo familjare por nga nga shteti dhe qeveritë e këtij vendi ku jetojmë. Jeta është një fenomen i përkohshëm ndërsa vdekja diçka e pashmangshme. Hysen Shoshori, një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, është një histori e veçantë. Urrejtja e tij ndaj diktaturës komuniste filloi për pronën e grabitur duke e shndërruar atë në një luftëtar të përmasave heroike, vepra e të cilit tronditi pushtetin e kohës. Për vite të tëra ai do të shpërndante trakte anembanë Tiranës duke i futur drithmën dhe organit më ogurzi që kishte diktatura, sigurimit të shtetit. Vetë Kadri Hazbiu, ish ministër i organit përkatës do të vihesh në krye të operacionit për kapjen e këtij armikut të padukshëm dhe finok, i cili për 13 vjet rresht vendoste parrulla kundër pushtetit të Enver Hoxhës, i cili i kishte sjellë “lumturinë” popullit shqiptar duke i marrë gjithçka kishte më të mirën në tërë ekzistencën e vet, si pronën e traditat e tij.
– Vëllai spiunonte vëllain,
– gruaja-burrin,
– fëmija-prindërit,

ky ishte njeriu i riu që kishte krijuar Partia dhe në ato kohë të “arta” sigurimi i shtetit nuk po arrinte dot të zbulonte një armik, i cili nën hundën e tyre hidhte si pa gjë të keqe trakte kundër pushtetit popullor. Duhet bërë gjithçka që është e mundur dhe e pamundur për të kapur këtë armik mëse të rrezikshëm. Një shtet i tërë kundër një individi. Operacion i përgatitur me shumë kujdes në zyrat e sigurimit të shtetit dhe angazhimi masiv i gjithë armatës së langonjve dhe zagarëve që ai kishte në dispozicion më në fund do të jepte rezultatet e veta. Pas muajsh e vitesh të tërë përgjimesh në shi dhe breshër, natën dhe ditën të qindra e qindra oficerëve të sigurimit të shtetit dhe shumë akseseve të tjerë si spiunët vullnetarë etj., Hysen Shoshori do të “kapesh”. Urra…urra… fitore e madhe!

– I ndjeri Hysen Shoshori (1934 – 2014) –

 Armiku u zbulua, mjerë ai se ç’e pret, hetuesi intensive, tortura nga më çnjerëzoret sepse ky armik nuk ka vepruar i vetëm, mbas tij duhet të jetë një grup i madh i lidhur me agjenturat e huaja!
Për tre vjet rresht Hysen Shoshorin pas torturave e mbyllin në arkivol, ku dhe gjumin kllapi e bënte në krahët e vdekjes, duke i thënë asaj çdo ditë e çdo mbremje “mirëmengjes” e “mirëmbrëma” dhe shpesh herë i luteshe në mënyrën më të sinqertë ta merrte me vehte…. Vdekja kishte aleancën e vet të ndyrë me shërbëtorët besnik të saj, ndaj ajo s’ia dëgjoi atëherë kurrë lutjet e tij.
Pas tre vjetësh hetuesie, Hysen Shoshori doli në gjyq ku midis shumë dëshmitarëve të sajuar ishte dhe një DOKTOR, i cili më vonë do të bëhej “zëdhënës” i atyre idelave për të cilat kishte luftuar Hyseni dhe shokët e tij. Ai ulërinte në delirin e egërsisë kafshërore, të varet, të varet, të varet armiku. Ky doktor ishte SALI BERISHA. Ai duke zbatuar fanatikisht dhjetë cilësitë e komunistit, s’mund t’ia falte armikut të klasës – fajin e rëndë që kishte bërë… ndërsa partia e tij u tregua “zemërmadhe” duke e dënuar Hysenin me vite të gjata burgu.

Dëshmitari i Hysen Shoshorit, Sali Ramë Berisha!

* * *
Hysenin e kam njohur në Spaç në vitet ’80-të dhe ruaj për të përshtypjet më të mira, si njeri i mirë dhe i panjohur. Gjithashtu, i paekspozuar në vese negative që prodhonte ai ambjent ku përveç heronjve të sëmirës ishim edhe monstrat e së keqes. Ai dhe atje jetonte nën koracen hermetike të vetizolimit të detyruar, ai ishte nga të vetmit të burgosur që jetonte me vetveten e tij.
Në fillimet e proceseve demokratike kur DOKTOR SALI BERISHA do të dilte si “udheheqës legjendar” i proceseve demokratike dhe antikomuniste, Ceni (kështu e thirrnin Hysen Shoshorin – Sh.B) i befasuar dhe i zhgënjyer do të denonconte aktin e shëmtuar dhe imoral si dëshmitar në gjyqin e tij. Ishte koha kur dhe entuziazmi e mundi arsyen dhe shumëkush nuk e merrte për bazë këtë fakt tronditës. Ceni këmbëngulte e këmbëngulte vazhdimisht se “Unë mund t’ju them që asnjëherë nuk harrohet Bisha që të kafshon!”

=====================

Shikoni deklaratën e Hysen Shoshorit!

Kur kjo bishë na kafshoi të gjithëve, ne, të burgosurit politik, pronarët e persekutuarit e këtij vendi, më vonë e kuptuam se Sali Berisha ishte trekëndëshi ramizian ku e djathta shqiptare vari vetvehten, ku akoma edhe sot erërat e kohës, tundin kufomën e saj tek ai trekëmbësh. Ne ecëm me symbyllje të plotë drejt humnerës së dështimit të joshur nga zërat e sirenave komuniste të orkestruara djallëzisht nga krye komunisti Berisha sipas porosive ramiziane.
Ne harruam se është më mirë t’i besosh djallit sesa një komunisti dhe harresën tonë e paguam shtrenjtë, shumë shtrenjtë. Harresa do të mbetet gjithmonë shtrati i ngrohtë ku e keqja bie shtatzënë duke ricikluar vetvehten në formën e saj më të shëmtuar.
Që nga ’91-i e deri më sot, kanë vdekur me mijëra Hysenë në varfëri e uri, të përbuzur e të harruar nga shoqëria, të cilës ata i dhanë aq shumë duke luftuar parreshtur për kauzën e lirisë dhe të demokracisë, duke ndërtuar në kushte më çnjerëzore me mijëra vepra si fabrika e uzina, hapje kanalesh e tharje kenetash, rrugë e toka të reja, ndërtime banesash dhe sot kalojnë ditët e tyre nën rehati xhelatët e djeshëm, ndërsa ish të burgosuri ndërtesat e tyre duhet t’i paguajnë me vlerë të plotë.
Hysen! Ike nga kjo botë duke marrë me vete dëshpërimin dhe zhgënjimin për ëndrrën tënde dhe për endrrën tonë për një Shqipëri më të mirë, për një jetë dinjitoze në këtë vend ku ti dhe ne të gjithë e deshëm kaq shumë. Ky vend është qeverisur deri më sot nga pinjollë komunistë dhe “parajsën demokratike” e kanë krijuar vetëm për vetvehten e tyre duke rrëmbyer pronat e pasuritë tona e të këtij vendi. Ndaj atë botë bëjua të ditur shokëve e miqve tanë se në Shqipëri të burgosurit politik kanë mbetur sërish të burgosur, pronarët e vërtetë pa pronë si dhe të persekutuarit sërish të persekutuar. U thuaj atyre, se sërish Ilirjan Mustafaraj, ish zv/ministër i sigurimit të shtetit që drejtonte shtypjen e masakrimin në revoltën e Qaf Barit e më vonë është prap zv/ministër i punëve të brëndshme si dhe shumë e shumë të tjerë.

Ilirjan Mustafaraj, Nasip Naço, Spartak Braho dhe Luan Omari.

U thuhej që prokurorët e Enver Hoxhës që na kanë dënuar dje me akuza fallco janë bërë prapë ministra e deputetë si Spartak Braho e Nasip Naço etj. U thuhej që reforma në drejtësi pritet ta bëjë nipi i Enver Hoxhës, Luan Omari, hartuesi i Kushtetutës famëkeqe të ’76-ës, sepse djali i Kurt Kolës, i një ish të burgosur politik, një jurist i shkëlqyer është i papranueshëm për ta drejtuar atë reformë si dhe Benard Çaushi, biri i prindërve ish të burgosur politik, një oficer i shkëlqyer nuk mund të punojë më në polici se vendin e tij e ka zënë Ilir Mustafaraj së bashku me të tjerë.
– U thuaj o Cen, se qeveria e re i njohu borxhet që kishte lënë pas Berisha, ndërsa këstet tona të prapambetura nuk i njohu të dhënë nga ligji gjysmak dhe djallëzor i tij, i cili duhej shlyer si i tillë.
– U thuaj o Cen, se qeveria e re na ka listuar në shtresat sociale bashkë me romët dhe antikapatët si dhe shtresat e tjera në nevojë nën kujdesin e një ministri djalosh, Erion Velisë, i cili përveç premtimeve është i pafuqishëm për të bërë gjëra konkrete në ndihmë të kësaj shtrese.
– U thuaj Cen, se monumenti që simbolizon vuajtjet dhe dhimbjet tona nga koha e diktaturës qëndron i qetë në demonizimin e vet duke reflektuar shpërfytyrimin tërësor të qënies njerëzore, dhe qeveria aktuale s’mund të nxjerrë dot një vendim për ta zëvëndësuar, sepse këtë vit është duke u marrë me 70 vjetorin e mënxyrës kombëtare, për glorifikimin e heronjve pa heroizma, atyre që vranë e masakruan shqiptarët.
Eh…sa gjëra ke për t’i thënë o Cen bashkëvuajtësve tanë, por besoj se do të kesh kohën e mjaftueshme për rrëfimin tënd rrënqethës duke mos u ndërprerë më nga ulërimat bishërore të Berishës, të varet, të varet, të varet armiku!…

U preftë në paqe, shpirti yt fisnik!…

* * *
– Autori është ish i burgosur politik. Kontakti me autorin: [email protected]

 ************************************

– LEXONI –
PASHTRIKU: MË 28 SHKURT KA NDËRRUAR JETË, ISH I BURGOSURI HYSEN SHOSHORI, PËR TË CILIN DËSHMITARI SALI BERISHA KISHTE KËRKUAR ‘VARJE NË LITAR!’

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2531

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura