SABIT GECI: UҪK’ja S’KA PASUR KAMPE NË SHQIPËRI! NUK E DI PSE ISH’SHOKËT E MI TUTEN EDHE EMRIN ME MA PËRMEND?!

Pashtriku.org, 02. 03. 2014 – Në 16-vjetorin e plagosjes së tij (në betejën e 28 shkurtit 1998 në Likoshan), një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Sabit Geci, ka vendosur të flasë. Eprori i parë i kësaj ushtrie që është dënuar për krime lufte, ka bërë një rrëfim ekskluziv për gazetën “Tribuna”. Ai ka folur për të vërtetën e luftës, për krimet e pretenduara, dhe për zhgënjimin që ka me shokët e luftës që tash i thotë se i ka vetëm ish’shokë. Geci është tepër i zhgënjyer me ish’bashkëluftëtarët. Ai është në burg që nëntë vjet. Me një vendim të gjykatës është shpallur fajtor për krime lufte dhe është i dënuar me 15 vjet burg. Është pjesë e aktakuzës edhe në Grupin e Drenicës. Në pjesën e parë të intervistës për Tribunën, ai ka ftuar që të mos mohohet lufta. Ua ka kujtuar ish’shokëve se nëse Komandanti Legjendar Adem Jashari e ka sakrifikuar gjithë familjen, dhe nuk kanë pse të brengosen për vete këta të tjerët. Lexoni në vijim këtë intervistë.

Sabit Geci, ish’ushtari i ditëve të para të UÇK’së

 Tribuna: Jeni njëri nga themeluesit e UÇK’së dhe i pari i dënuar për krime lufte. Pse ke vendosur tash të bësh intervistë?
GECI:
Nuk është që kam dashur të flas shumë. Kam qenë njeri praktik. Unë ju njoh juve. Kam folur pak por nuk është që kam dashur të jem shumë në media.
Tribuna: Ku keni qenë gjatë luftës?
GECI
: Kryesisht në Drenicë. Mandej një kohë kam qenë edhe në Shqipëri për t`u shëruar pas plagosjes.
Tribuna: Çfarë raportesh keni pasur me Adem Jasharin?
GECI:
Të lutem, ai për ne ka qenë dhe mbetet Komandant yni. Me Komandantin jemi nip e dajë, por me të na ka lidhur ideali i çlirimit. Kushdo që ka qenë pranë nesh në atë kohë, mund të dëshmoj se raportet e mia me komandantin përherë kanë qenë në nivelin më të lartë. Për këtë mund t’i pyesni: Sahit Jasharin, Nuredin Lushtakun, dajtë e Komandantit, si Jetullah Gecin, Xhevahir Gecin, Sejdi Gecin, Ilaz Dergutin, Zenun Kodrën, Fadil Kodrën, Sylejman Selimin dhe Rexhep Selimin. Këta e dinë më së miri për raportet tona me Komandantin. Të flasin këta e jo unë.
Tribuna: Ish’shokët nuk po flasin?
GECI:
Raportet e mia me Komandantin Adem Jashari kanë qenë përherë të mira, raporte bashkëluftëtarësh të lidhur me besa-besë e të pandashëm deri në rënien e tij heroike.
Tribuna: Kur u nis lufta?
GECI:
Aksionin e parë me Komandantin, me Sahit Jasharin dhe Jakup Nurën e kemi bërë në vitin 1989, për të vazhduar më vonë aksionin tjetër të të njëjtit vit me pjesëmarrës: Komandantin (Adem Jasharin – sh.b), Sami Lushtakun, Hamzë Jasharin dhe Bali Osman Gecin, Jetullah e Xhevahir Geci, Jakup Nurën, unë… ka edhe ndonjë që s’më kujtohet emri.

 Adem Jashari, Sabit Geci, Jetullah Geci me grup shokësh (1989)

Tribuna: Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me Hashim Thaçin gjatë luftës?
GECI:
Kam pasur marrëdhënie të mira.
Tribuna: Po më intereson për udhëheqësit tash të partive të dala prej lufte. Ku ka qenë Jakup Krasniqi atëherë?
GECI:
Jakup Krasniqi është këtu në Prishtinë, dhe është mirë që ta pyesni atë, por me sa më kujtohet, ai para luftës ka qenë ilegal, i burgosur politikë, në prag të luftës, më vonë, u angazhua në UÇK.
Tribuna: E Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nuk kanë qenë në atë kohë?
GECI:
Ramush Haradinaj në luftë ka ardhur ndër të parët. Për luftën dhe heroizmin e familjes Haradinaj mund të flas me vite, për politikë nuk më intereson. Fatmiri e Hashimi e këta të tjerët kanë ardhur vonë, kur unë veç kam qenë i plagosur rëndë.
Tribuna: Ku ka qenë Kadri Veseli në atë kohë?
GECI:
Në vitin 1989, kur ia pata dhënë një snajper Jakup Nurës, më sa më kujtohet ai ishte së bashku me Kadri Veselin.
Tribuna: A e qartësojmë mënyrën se si ka rënë komandanti legjendar Adem Jashari. Ju jeni njeriu ndoshta më kompetent për të treguar gjithçka rreth asaj ngjarjeje. Flitet shumë. A ka pasur hezitim të shokëve për ta ndihmuar? A ka pasur dështim taktik të UÇK’së?
GECI
: Nuk jam unë më kompetenti. Unë kam qenë i plagosur dhe pa vetëdije. Sot 16 vjet, më 28 shkurt unë jam plagosur. Rrethimi ka ndodhur dy-tre ditë pas plagosjes sime. Të gjithë shokët tregojnë se çfarë rrethimi ka pasur Llausha dhe Prekazi. Ka qenë teknikisht e pamundur që t`i shkohet në ndihmë. Kështu thonë ish’shokët dhe unë u besoj. Shumë njerëz po e fshehin realitetin por nuk është mirë. Komandanti e ka pritur ditën e rënies. 48 orë përpara e kanë lajmëruar prej Llaushe dhe i kanë thënë se po na qitet një rreth i tmerrshëm. Fjalët e tij kanë qenë: “Le të vijnë se këtë ditë mezi po e presim. Që sa vite jemi mundu për këtë ditë”.
Tribuna: Teknikisht po thoni se ka qenë e pamundur t`i ndihmohet?
GECI:
S`ka pasur kurrfarë mënyre.
Tribuna: Sikur të kishit qenë më shëndet të mirë, a do t`i shkonit ju në ndihmë?
GECI:
Nuk kam qejf me e lavdërua veten. Por shokët e dinë për shembull se në ofensivën e Likoshanit, të gjithë më kanë thënë ‘mos shko se është e pamundur për shkak të rrethimit’, por unë kam hyrë. E kam marr vëllanë tim Nuhiun, tani dëshmor dhe një shok timin dhe Avni Nurën, dajë imi.
Tribuna: Flasim tash për kohën e pasluftës. A i dini të gjitha akuzat që ju ka bërë UNMIK’u e pastaj edhe EULEX’i?
GECI:
Edhe pa m’i ngritur akuzat, e kam ditur se po më përgatisin. Sepse më vinin njerëzit dhe më tregonin për atë që po ma flasin. Kurrë nuk më ka interesuar me u marrë me akuzat. As para e as pasi që janë bërë. Unë kur e kam rrokë pushkën me luftu, kam menduar që kam me vdek. Pas përfundimit të luftës, mua nuk më ka interesuar as çka po bëhet me mua e as me familjen time. Komandanti e ka sakrifikuar gjithë familjen. Nëse ai e ka sakrifikuar gjithë familjen, kush jam unë që të brengosem për veten time?!
Tribuna: Do të flasim më vonë për këto, por ende kemi çfarë të flasim për Sabit Gecin. Thuhen shumë gjëra për ju? A është e vërtetë se jeni njeriu më i rrezikshëm i UÇK’së?
GECI:
Qëllimi ka qenë që me më arrestuar. Më të rënda se këto që kam qenë i rrezikshëm në luftë janë do gjëra tjera që i kanë fol për mua. E di që qëllimi ka qenë që me i largu njerëzit prej meje. Janë frikësuar që populli ka me më mbështet. M`i larguan ish’shokët. Tash ata po tuten edhe emrin me ma përmend. Qe dhjetë vite jam në burg. Asnjë personalitet nuk ma ka përmend kurrë emrin. Unë u dënova për 15 vjet për do gjëra të montuara. Vetë prokurori hoqi dorë prej pretendimit se kam bërë vrasje në Shqipëri. Askush nuk flet. Serbi për 40 shqiptarë të vrarë dënohet me tetë vjet.

Sabit Geci…

Tribuna: A është e vërtetë se keni qenë autoriteti i vrazhdë i UÇK’së. Thonë se edhe vetë njerëzit e UÇK’së janë frikësuar prej Sabit Gecit?
GECI:
Unë jam natyrë e butë. Nuk e besoj. (Qeshet).
Tribuna: A e ke arrestuar Gjergj Dedën dhe një grup tjerë të deputetëve të parlamentit paralel të Kosovës në vitet e 90’ta? Dedaj ka folur në media dhe ka thënë se është maltretuar?
GECI:
Ai mundet me ba spektakël e me mendu që të fiton politikisht diçka, por ai edhe të tjerët e dinë se nuk kanë qenë të arrestuar. Ata janë shoqëruar nga ne nëpër pozicionet e UÇK’së. Qëllimi ka qenë që t`u tregohet se kush jemi dhe çfarë po bëjmë. Ne në Drenicë luftonim, e ata (politikanët e rezistencës paqësore v.j.) mbanin zgjedhje. Do të thotë ne u kemi ndihmuar ta realizojmë pikërisht qëllimin që kanë pasur në atë vizitë. Ta kuptojnë kush jemi dhe çfarë po bëjmë.
Tribuna: Pse kurrë nuk ke pranuar të flasësh para prokurorëve dhe hetuesve? Pse asnjëherë nuk i ke ftuar ish’bashkëluftëtarët që të dëshmojnë kundër akuzave që të janë bërë?
GECI:
Po të gjithë këta ish’shokët e mi i kam pas në aktakuzat ndaj meje. Mirëpo kur them ish’shokët, i kam një milion arsye që t`i quaj ish.
Tribuna: Nuk i ke më shokë?
GECI:
I kam ish’shokë. Dhe të lutem nëse ndonjëherë në intervistë kam harru me e përmend këtë fjalën ish, ta kesh parasysh që unë gjithmonë atyre u drejtohem me ish’shokë. Unë nuk i kam armiq sepse është kundër parimeve të mia. Nëse dikë e kam mik njëherë, kurrë nuk e bëj armik. Miqësinë mund ta ndërpres siç e kam ndërprerë me këta, por armiq nuk i kam.
Tribuna: Kush janë ata ish’shokë?
GECI:
Të gjithë. Secili prej tyre tutet me ma përmend edhe emrin thuajse jam faqezi. Nuk e di pse tuten? Çka kanë bërë këta që tuten kaq shumë?! Unë i kam pas shokë. Mirë që e përmendin e bëjnë deklarata politike për të tjerët, për Fatmirin ose Ramushin, por dua që të tregojnë publikisht pse po tuten me më përmend? Nëse ata dinë diçka më shumë se unë, le të dalin e të tregojnë.
Tribuna: Pse nuk i ke thirrë me dëshmu? Në aktakuzën tënde janë përmendur Kadri Veseli, Daut Haradinaj e shumë të tjerë? Pse nuk i ke ftuar që të dëshmojnë?
GECI:
Ka qenë gabim i madh i imi.

Sabit Geci,…

Tribuna: Kush ka qenë në aktakuzën tënde?
GECI:
Paj për shembull në aktakuzë e kam Daut Haradinajn. Një matrapaz ka bërë një dëshmi të rreme. Daut Haradinaj ka qenë shumë i ri në Luftë. As atë e as Kadri Veselin kurrë nuk i kam pa në Shqipëri. Po një matrapaz në dëshminë e tij thotë se t’u u mundu më ma hjek kokën, Dauti ma ka pre dorën. Sipas tij Fatmir Limaj e ka urdhëruar Dautin që mos me ba vrasjen. Unë e njoh këtë dëshmitar…
Tribuna: Pse nuk i ke ftuar që të dëshmojnë këta që janë përmend?
GECI:
Nuk kam dashtë me ja dhanë kënaqësinë prokurorit që t`i ketë këta njerëz përballë. Unë nuk kam fol kurrë as me prokurorin e as me hetues. Nuk ia kam dhënë kënaqësinë me më marrë në pyetje as mu e as atëherë shokët, tash ish’shokët e mi. Në jetën time me asnjë prokurorë e asnjë polic hetues nuk kam pranuar të flas. Më kanë ardhur si mjek, e në çfarëdo lloj forme. Më thoshin ‘preke hartën ku po do me jetu nëse bashkëpunon?’ Unë e preksha Dubain edhe ju thosha në Dubravë, se Dubrava është më e mirë se Dubai juaj. Më pati thënë një hetues: Ndihmona se të ndihmojmë. I pata thënë tregomë kur ke me i çu 100 kilogram, ju ndihmoj pa problem. Por mos pritni që unë me ju ndihmu në montazhet e juaja. Shokët s’i kam pru me dëshmua për alibinë time por edhe sikur t’i kisha ftu, unë jam i bindur se drejtësi nuk ka.
Tribuna: Pse je kaq mosbesues ndaj drejtësisë?
GECI:
Për shkak të përvojës që kam pasur me prokurorin e parë që më ka arrestuar. Ai ka qenë britanik. Nuk kam pranuar të flas as me të. Erdhi një paradite dhe më tha që nesër lirohesh z. Geci. Pasdite kontaktova me avokatin tim dhe i thashë që prokurori erdhi e më rrejti. Pas një dite, avokati më tregoi që prokurorin e kishin largu prej këtu. Ai i kishte thënë avokatit se kam dashur ta lirojë Sabitin por më kanë thënë se duhet me mbajt gjithqysh. Bëji të fala Sabitit dhe thuaji se kish me ndejt gjatë në burg.
Tribuna: Pse nuk ke folur me prokurorët? Çka ke me fsheh?
GECI:
Unë nuk mendoj se ka drejtësi.
Arsyet e heshtjes
Tribuna: Nëse ke hesht për më i mbrojt shokët, ata nuk kanë vlerë më shumë se ti. Nëse nuk po flet për ta mbrojtur veten, tashmë të kanë dënuar. Pse nuk po flet? Pse nuk duhet folur?
GECI:
Çka me fol?! S`ka kush çka me fol se nuk ka çka të flitet. Unë kam dëshmuar te prokurorët e Hagës për Limajn, por dëshmia ime nuk u ka kry punë. Këta të duan veç nëse shpif e flet të pavërteta. Ata gjejnë matrapazë dhe ish’bashkëpunëtorë të UDB’së.

Sabit Geci,…

Tribuna: Tash a po flet me prokurorët?
GECI:
E falënderoj EULEX’in nga zemra që nuk kanë ardhur kurrë që pesë vjet me më marrë në pyetje. M`i kanë dhanë 15 vjet në burg por kurrë nuk kanë provuar me më marrë në pyetje. Më kanë lënë rehat. Nuk më kanë maltretuar.
Tribuna: Duhet të flasim pak për çështjet për të cilat jeni akuzuar. A ka pasur kamp në Kukës, Canhas?
GECI:
Jo bre. Kurrë nuk ka pas kamp. Jo në Kukës por askund në Shqipëri. Këta po bëjnë kampe, burgje, shtëpia të verdha e të kuqe. Kur dyshon për dikë se ka ardhur me mision në vendet ku grumbulloheshin ushtarët, natyrisht se e merr në pyetje. Por mua nuk më ka ndodhur me e intervistuar askënd. Po e them ka qenë normale por nuk më ka ndodhur as mua e as atyre. Janë disa matrapazë që kinse po dëshmojnë sa që pernime ndalem edhe mendoj: Sikur të kisha qenë vetëm sa gjysma e asaj si më përshkruajnë ata, qysh beson gjykata që të njëjtët kishin me qenë ende gjallë. Në çdo proces ka montime. Nganjëherë më duket që as që e dinë këta të EULEX’it se po gënjehen e mashtrohen. Shiheni se si ka përfunduar ai Zogaj që ka qenë dëshmitarë i mbrojtur. A dha kush përgjegjësi për te?
Franqesko Flori po akuzohet në vendin e tij për korrupsion në Kosovë.
Tribuna: A keni bërë transplant të organeve? A janë transplantua zemra dhe veshka në Shqipëri?
GECI:.
..(Qeshet)… Unë kam qenë i plagosur. Më kanë bërë operacion. Kurrë në jetë nuk kam përjetuar dhimbje më të madhe sesa kur më kanë bërë operacion pa anestezion. Nuk kemi pas anestetik dhe janë detyruar me më bë operacion me vetëdije të plotë. Shpëtim Robaj, i ndjeri ka qenë anesteziolog i parë. Edhe i ndjeri Sami Beqiri më ka operuar herën e dytë, prapë pa anestezion. Edhe Bajram Rexhepi është mundu me ma zgjat këmbën. Pa anestezion më ka operuar. Paramendo, ne që nuk kemi pasur anestezion, paskemi qenë aq ekspertë sa me transplantim të organeve (qeshet). Kur kam qenë në operacion pas lufte në Slloveni, mjekët kanë qesh me ata që shihnin se çfarë ka ndodhë në trupin tim. Më erdhi inati shumë. Iu thash, nëse më kishit bërë ju operacion nën hijen e një lisi, pa kurrfarë mjeti, pa anestezion, me një sharrë, çekiç e daltë, besoj që edhe më keq më kishit operuar. Unë kurrë nuk ua harroj atyre djemve. Arben Grazhdani dhe Cen Bytyqi janë dy ortopedët që kurrë nuk i harroj.
Tribuna: A e njeh një person me nofkën “Kasapi”?
GECI: Jo.
Tribuna: Nuk e ke parë kurrë në Shqipëri një person të tillë?
GECI:
Jo.
Tribuna: Sa ke qëndruar në Shqipëri? Çfarë ka qenë aktiviteti yt atje?
GECI:
Unë në Kukës kam qenë krejt dy herë. Shërimin e kam bërë në një pjesë tjetër të Shqipërisë, por mendoj kur kam qenë i palëvizshëm. Gjatë gjithë luftës kam qenë dy herë në Kukës. Njëherë me ushtarët e komandant Kapuçit, pasi që kam pas shumë respekt për të. Edhe një herë pata shkuar në Kukës për me ia dhanë një uniformë vëllait. Ai ka qenë merakli uniformash. Një amerikan ma pati dhuruar një të tillë dhe unë ia pata çuar vëllait në Kukës.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura