Durrës, 29 qershor 2018:
(BLASFEMIA E NJE PËRKTHIMI)
Mjerë ai që ka dashur vetëm
formën, trupin dhe pamjen, vdekja ia rrëmben
të gjitha. Dashurojeni Shpirtin ,se do ta rigjeni!
Viktor HYGO
(Analiza kritike për librin “Majakovski- Poezi Futuriste’’ botim i “Zenit
Edition”, Tiranë, 2018, përkthimi nga Moikom Zeqo)
Të përkthesh para shumë vjetëve ( vitet 70 dhe 80 te shekullit XX ) një libër të tillë me poezi futuriste , si ai i poetit Vladimir Majakovskit, ( në një periudhë, që i bie të jetë rinia e Moikomit), dhe t’I rikthehesh një emri, poezia e të cilit është e konfonduar, apo e kontaminuar nga idetë e një sistemi të shpartalluar politikisht, sistemit sovjetik , do të jetë patjetër një lloj blasfemie, pra, nuk do mund të jetë trendi, si dhe subkultura e faqeve të gazetave dhe librarive të asfaltit të kryeqytetit shqiptar.
Por mund të ndodhë dhe e kundërta, për çka mëton edhe ky shkrim analitik.
Por ja që poeti Moikom Zeqo keto ditët e fundit ,e botoi këtë libër plot me 60 poezi të tilla, duke lënë edhe disa të tjera të pa botuara dhe të mbetura sirtareve dhe siprinave të tavolinave.
Kështu që “Blasfemia” tashmë është e gatshme dhe në duart e lexuesve.
Por përse kjo nismë e çuditshme e Mokomiit?
A mos vallë jehona e tyre, veçmas atyre poezive të karakterit futurist, erdhi ndër këto kohë dhe shfaqet me ato dukuri estetike nga më të çuditshmet e shekullit të XX –të.
Apo mos vallë në këto lloj poezish futuriste ekziston një status prej dilemash , që i bën ato, të mbijetojnë edhe për shkak të disa çvlerësimeve që duken gati të pashmangëshme,” për t’i hequr” idetë politike revolucionare të kohës?
Një nga socilogët më në zë, italiani Vittorio Strada, i cili vdiq në prill të vitit 2018, për këtë dukuri thotë: “ Një përgjigje e merituar nga disa është se poezia majakovskiane, fajtore se ka ekzaltuar një revolucion , që midis shumë të tjerash, vrau dhe torturoi shumë poetë, i përket tashmë një errësire të merituar: ajo shtrihet në pluhur, nën rrënojat e konstruksionit kolosal komunist së bashku me shumë figura të tjera të së njejtës stampë ideologjike.
Por nuk mund të kundërshtojmë poezinë e Majakovskit, edhe pse e shfronësuar nga vendi qëndror që i ishte dhënë në panteonin e regjimit të ideologjise
, ekziston dhe reziston edhe, sepse ajo nuk është një” kufomë” për të cilën mund të thuhet “parce sepulto” ( e varrosur).
Një tjetër përgjigje na këshilllon që të provojmë te Majakovski operacionin të cilit s’duhet ti nënshtrohet trashëgimia e shumë personazheve të shkëlqyer: të hiqet ajo që është e vdekur (dithitambi politik) dhe të ruhet ajo që është e gjallë (lirika e dashurisë).
Por kjo ndërhyrje e ka të keqen këtu se e cungon një organizëm ku gjithçka është e lidhur dhe prerja që quhet e nekrotizuar, dëmton pjesën që mbijeton.
Parashtrohet dhe një zgjidhje tjetër: ta quajmë, jo poetin e revolucionit, por një viktimë të këtij revolucioni, një lloj xhongleri tragjik i pushtetit të sotem kapitalist, ta quajmë jo një poet të oborrit të “autokracisë së re” bolshevike, por një demaskues paradoksal të miteve revolucionare , të fuqizuara nga ai vetë, që të shihte, se sa lot edhe gjak kullonte Molloku( Përbindshi) i ri i nderuar prej tij.”
Por unë do thoja se kjo problematikë ngjarjesh e” bashkimesh” të hamendësuara është shumë e ndërlikuar por edhe më e debatueshmja në rrafshin e letërsisë botëore.
Gjithashtu duke marrë shkas, këtë botim të guximshëm të këtij libri me poezi futuriste, libër i botuar me mjaft estetikë nga shtëpia botuese “Zenit Edition” nuk mund të lë pa bërë të pavetëdishëm edhe faktin edhe problematikën, gati përvëluese, që të çon në kuptimin, apo rikonceptimin tashmë, në rrjedhën e koherave të Majakovskit.
Eshtë më se e vërtetë se Majakovski është konsideruar si poeti më i madh futurist i shekullit të 20-të, por për të, është thënë, se edhe në rrafshin e përgjithshëm artistik, është poeti, ndoshta më madh, i krejt poetëve të shekullit të 20-të.
Këto përcaktime që duken edhe si hiperboloike kanë në substancë të tyre të vërtetën e te pazhbëshmë kurrsesi , se si poet ai, Majakovski, futet në kreun e koleksionin panteonik , te poetëve më të mëdhenj të njerëzimit.
Ja se si e përforcon akoma më shumë këtë ide filologu italian Vittorio Strada ,në artikullin e tij “Ç’ të bëjmë me Majakovskin”, ( shih dhe gazeta “Fjala” 20-27 mars 2005):
“Megjithatë edhe kështu Vladimir Majakovski do të skematizohej dhe, gjëja që do humbiste do të ishte kompleksiteti dramatik i fatit të tij dhe i poezisë së tij ,që nuk ka shoqen në letërsinë e nëndqindës, ku nuk mungojnë njerëz , si ai ,që iu nënshtrua miteve të reja politike, si dhe Celini iu nënshtrua joshjes makabre, ose si Paundi ,që e gjeti të pësrshtatshëm fashizmin për muzën e vet, për të mos folur për turmën me Brehtin në krye, u rreshtua me komunizmin e epokës staliniste. Eshtë “dukuria Majakovski”, që perceptohet në unitetin e tij të thellë të jetës dhe të poezisë brenda epokës së revolucionit të parë dhe pastaj totalitar…”
Por duke lexuar shtypin e kohëve të fundit gjejmë se poeti i shquar Vangjush Ziko ,që jeton në Kanada, ka tjetër mendim , për sa i përket formës së poezive të Majakovskit duke u shprehur:
‘’Majakovski i jep rëndësi jo vetëm brendisë dhe trajtimit të saj artistik, por edhe paraqitjes grafike të vargut, paraqitja e cila ka të bëjë me diagramën e mendimit dhe të emocionit poetik.’’
Kuptohet që kjo shprehje sillet si parapritë tek sqaron më tej përkthimet e Moikomit jur thotë’’ Moikomi duke shfrytëzuar natyren stilistike të gjuhës sonë, ka operuar me guxim, duke e ndryshuar këtë strukturë rreshtore, pa e cënuar vlerën artistike të vargëzimit.’’
E më tej shprehet: ‘’Rimat për Majakovskin përmbyllin, si tamtamet e tamburit të një marshi marcial.’’
Por, por, ai nuk është dakort për faktin, se Moikomi e ka mënjanuar këtë rime.
Duke menduar ,se rima e Majakovskit është e papërkthyeshme dhe e ka eleminuar këtë rimë, për të cilën poeti Vangjush Ziko nuk është i këtij mendimi, madje e përdor në përkthimet ,që i ka bërë ai, si nje nga perkethyesit me te medhenj shqiptare , disa poezive të Majakovskit.
Është momenti këtu të ndalem për këtë problem kryesor, që i takon përkthimit origjinal të poezive të Majakovskit nga Moikomi.
Përsëri Vangjush Ziko shkruan: ‘’Qëllimi kryesor i saj (sprovës) sipas hamendësimit tim , ka qenë hlulmutues dhe zbulilim i sekretit mjeshtëror të figuracionit novator futurist të Majakovskit.
Dhe më tej:
‘’ Poezia e Majakovskit në përkthimin e Moikomit si dhe në përkthime të tjera në gjuhën tonë, e ka humbur, në mos fare, por e ka humbur fuqinë dhe dinamikën e rimës së tij shpërthyese dhe, bashkë me të, ka humbur diçka të veçantë nga timbri i zërit dhe nga temperamenti i tij i furishëm, poezia ka humbur diçka nga ritmi i saj tingëllues marcial.’’ ( Të gjitha këto citime janë marrë nga artikulli i Vangjus Zikos :‘’Moikom Zeqo-Vladimir Majakovski, Poezi Futuriste.’’, botuar tek gazeta DITA)
Prandaj të përkthesh para shumë vjetëve një libër të tillë, me poezi të poetit Vladimir Majakovski, përveçse është një ndërrmarje e vështirë, nga ana tjetër ndodhesh edhe përpara , padyshim ,një lloj blasfemie , mbas gjithë atyre ngjarjeve , që ndodhen pas përmbysjes së sistemit komunist në Shqipëri.
Atëhere përse i drejtohet Moikomi këtyre poezive futuriste, rryma e të cilave sillte jehona të largëta e gati të harruara nga Perëndimi, por ja, që ngjashmëritë janë të shumta por edhe të rëndësishme ,sepse nuk ka rëndësi koha dhe hapësira ,kur ato ndeshen.
Por nocioni i ‘’zhdukjes së rimës’’ i iniciuar nga Moikomi për këto poezi futuriste nuk është i humbur përkundrazi është i fituar, sepse është një rimë e mbrendshme e pa shprehur si formë por ekzistente në muzikalitetin e vargut dhe gjithë poezisë.
Pa tjetër që një kozmos tjetër poetik e thërriste teksa ai vendosi të sjellë këto poezi në trajtë linerare dhe pa rima tradicionale, në një kundërshtim të hapur me përkthyes të tjerë perendimorë, ose jo, të “djathtë” shqiptarë apo të ” majtë”.
Moikom Zeqo, na jep koleksionin e njohur boterisht , te poezive futuriste të Majakovskit, ku ai spikat si një talent gjenial.
Ende nuk është shumë e shpjegueshme se si shpërthen në përmasa të jashtëzakonshme ky talent.
Futurizmi i cili lindi fillimisht në Itali u paraqit nëpërmjet disa manifesteve për të krijuar ” diçka krejt të re në artin poetik, diçka krejt ndryshe nga tradita e mijravjeçarëve.”
Por kjo ndodhi edhe në Rusi, në Petërburg , ku pati një grup futuristësh, po ku spikaste më shumë poeti një djalë i ri i quajtuar Vladimir Majakovski.
Poezitë dhe poemat e tij ishin tronditëse dhe anatemuese, por dhe madhështore kundër botës së vjetër.
Natyrisht, frika që ngjallnin këto vargje ngjante me fjalët e profetëve,që lajmëronin ardhjen e një Bote të Re, sepse djaloshi Majakovski nuk pranonte asgjë nga Bota e Vjetër.
Mendimi i tij poetik është sulm i strategëve të mëdhenj të historisë.
Jo më kot, në një nga poezitë ai thotë se ‘’do të lëvizë në planet, më me famë se Napoleoni, se është ku e ku ai , poeti, më shumë se Napoleoni’’, pra Majakovski bën dhe apotheozën e vetvetes, por kjo nuk lidhet me egocentrizmin dhe me as delirin e Famës.
Por për më tepër, bazuar në intervistën, që Lilia Brik i ka dhënë gazetares italiane Maria Roncali Daria, kur ajo e pyet seçfarë i kujtihej nga marëdhëniet Martinneti-Majakovski.
Ajo u përgjigj:
-E zbavitshme qe ajo ,që i tha Majakovski Martinettit:’’Cili jeni ju? Inspektor i përgjithshëm, ardhur për të parë repartet e veta? Por repartet janë më të rëndësisshme se inspektori!’’
Eshtë po kjo Lili Brik, që bie në të njejtin përfundim me studjuesin Vittorio Strada, kur bëhen krahasimet, midis ‘’poezisë lirike’’ dhe ‘’poezisë së propagandës ‘’ dhe thotë, se në disa vjersha Majakovski merr përsipër të gjitha fajet për dhëmbjet e njerëzimit, prandaj dhe Vittorio Strada ‘’…një lexim i Majakovskit futurist nxjerr në dritë një element noviteti : referimin e fortë me Niçen, me Zarathustrën , në veçanti.’’
***
Moikom Zeqo në vitet 70-80 të shekullit XX – të ka përkthyer poezitë futuriste të Majakovskit për shkak të konotacioneve të mbrendshme të përafërta shpirtërisht me forcën e poezive futuriste.
Në fillim ka botuar librin kompjuterik ‘’Poezi të Majakovskit futurist’’. Botim i” Arnissa Edition”, Tiranë 2012.
Por në mënyrë të përmbledhur dhe në mënyrë perzgjedhese Moikomi boton koleksionin me te plote dhe te seleksionuar e plotë të këtyre poezive futuriste.
Eshtë si të thuash realizimi i një përkthimi që mund ta quajmë edhe ‘’Përkthim sipas teorisë së Moikomit”, çka do të thotë se si duhet të jetë dhe si është përkthimi i rëndësishëm.
Moikomi i ka përkthyer poezitë duke ruajtur në maksimum tërësinë e fjalëve të poezisë origjinale, për të dhënë, sa më të qartë kuptimin, jo vetëm të metaforave, por dhe figurave të tjera artistike me qëllim, që ato të godasin siç duhet dhe të përthithen mrekullisht nga lexuesi.
Poezitë e Majakovskit i kanë përthyer poetë të shquar si Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Luan Rexhepi, Faslli Haliti, Vangjush Ziko etj.
Të tëra këto përkthime i bashkon organizmi poetik i rimuar, pra kanë respektuar elementin instrumental të rimës, që Majakovski e ka të plotfuqishme dhe të pazëvendësueshme.
Kurse Moikom Zeqo në librin e tij të ri ‘’Majakovskij- Poezi Futuriste’’ krijon një sfidë me të gjithë paraardhësit kolegë, përkthyes të poezive të Majakovskit.
Moikomi ka përkthyer poezinë e Majakovskit, duke respektuar në radhë të parë ritmin e fuqishëm të vargjeve, por pa përdorur rimën.
Por në se këtu fillon blasfemia, sipas mendimeve të ndryshme hipotetike, pikërisht këtu është vendi, që ajo, të mos marrë atributet e blasfemisë, por të një fakti të vertetuar.
Moikom Zeqo ka shpjeguar disa herë, në shkrimet e tij teorike , për poezinë ‘’se përkthimi dhe jo origjinali, me rimë e denatyron, e zbeh arritjen në maksimum të kuptimit të figurave, tropeve( metaforave). “
Moikom Zeqo është përkthyes, do thoja, tashmë i shkëlqyer i disa poetëve të ndryshëm të mëdhenj.
Në harkun e pak viteve ai ka përkthyer libra të plotë me poezi të Fernando Pessoas në vitin 2014, poezi të Federico Garcia Lorcas me titull “Në yllin Sirius jetojnë fëmijë”, viti 2014, librin poetik të Wayne Millerit titulluar”Çfarë i thotë nata varkës së zbrazët?” në vitin 2007 dhe librin antologjik me poezi të poetëve amerikanë”Striptizë poetike në Washington D.C.” në vitin 2014.
Në se hymë në detajet e përkthimit Moikomi ka përdorur një bisturi estetike, por në sensin absolut semantik ,te bukurise, kuptimshmerise dhe të së mirës.
E me që jemi në metodat krahasuese le të konstatojmë rastin e botimit të pjesës së dytë, ‘’Re në pantallona’’
Në botimin e vitit 1966 ’’Majaskovski- vjersha dhe poema’’ botim i Shtëpisë Botuese ‘’Naim Frashëri’’, Tiranë. 1966 kemi këtë përkthim të strofës:
Në krye të hordhive t’uritura,
Tatëpjetë
Me kurorën me gjemba të revolucionit,
Vjen viti shtatëmbëdhjetë
Kjo poemë është përkthyer mrekullisht nga Ismail Kadareja .
Por poema “Re me pantallona “ nga Majakovski është shkruar në vitin 1915 dhe vargjet në origjinalin rusisht ne perkethimin e Moikomit janë:
Në krye të turmave të uritura
Në botën që shpërthen,
Me kurorën plot gjemba ,
viti 1916 po vjen!
Nuk dihet për çfarë arsye Ismail Kadareja në përkthimin mjeshtëror të kësaj poeme përmend vitin 1917, vit, që nuk e ka origjinali!?
***
‘’Krushqia ngjan pa bëhet’’- themi ne në Shqipëri.
Poeti përkthen poetin, aty ku ai gjen të ngjashmen, në mos veteveten , duke ndërtuar dy kozmose.
Ai poet, që nuk e ndërton kozmosin e tij, por edhe një tjetër të ngjashëm, është i destinuar të mbetet poshtë në shtruall të tokës, një mikrokozmos edhe ky, por i pamjaftueshëm për poetë të mëdhenj.
Njohja e kozmosit të vogël, njohja e jetës së popullit të tij e detyron poetin të shohë lartë e të kërkojë kozmosin e dytë, atë kozmos të paeksploruar.
Prandaj ndërmarrja e përkthimit të “kozmosit Majakovksi”, është sa detyrë e vështirë, por edhe ngatërrsa sjellëse, për ta arritur e pastaj ta quash ,duke e stigmatizuar si blasfemi.
Por si çdo blasfemi edhe kjo e jona ka këmbët e saj, që zgjaten si tentakula për vetëmbrojtje.
Kështu vetë poeti i mirënjohur dhe perkethyesi i shkelqyer Vangjush Ziko, i cili kohët e fundit ka shkruar disa herë për krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos, një lloj “tentakulë” e zgjat në drejtim të faktit ,se është e domosdoshme rima ,,e ndërsa në librin e përkthyer nga Moikomi ,ndodh e kundërta.
Por të përkthesh poetin, do të thotë të përkthesh shpirtin e tij, e ç’ rëndësi ka rima , kur ajo ndodhet çuditërisht dhe mistershëm në shpirtin e artistit, shfaqur brenda rrjeshtave të poezisë?
Peshimi i dy botëkuptimeve duke eleminuar bërjen e hiles në këtë peshim mund të themi me plot gojën, se Moikom Zeqo përkthen Majakovskin, sepse e njeh teorinë e përkthimit, teori e njohur dhe e panjohur, me përkufizime dhe norma, me shembuj dhe me eksperienca!
A mos vallë na duhet të citojmë përsëri Vittorio Stradën, në dobi të këtyre gjykimeve mbi rimën apo jo rimën?
Ai thotë:
‘’Poet deklamuese, Majakovski kapërcen provën e diksionit të brendshëm në hapësirat e heshtura të së cilës, fjala e tij e ashpër, tingëllon më e gjallë se në fjalën zhurmuese të origjinës, pranë zërave të ndryshëm të poezisë universale, formojnë mikrokozmosin e imazheve , që secili personalisht krijon dhe ndjek brenda vetes pambarimisht.’’
Por sa pak kjo teori përmbledh përsiatjet origjinale mbi transmetimin e ndjenjave, përsiatjet janë ato që nuk njohin rregulla dhe as manifeste mbi teorinë e përkthimit , ashtu siç nuk ka dhe një teori për bërjen e poezisë. Poezisë se re, natyrisht.
Ekziston një Trekëndësh Bermude, ku skajet e trekëndores janë autori origjinal, kritikuesi i autorit dhe përkthyesi i autorit.
Sa kanë pasur fatin e “renies “ te anijeve dhe avioneve, jo dhe aq të vegjël?
Asnjë nuk e di!
Po sa herë Majakovski është trajtuar si shpirtëror me Dostojevskin për të cilën flet Lili Brik në intervistën e saj’’Duke biseduar për Majakovskin’’ (shih në ‘’ZP’’ , datë 20 nëntor 2005) :
‘’Përsa i përket Whitman-it nuk flitet për influencë, por më tepër për një lloj afërsie midis tij dhe Majakovskit, gjë për të cilën Çukovski ka folur shumë me poetin.
Në përgjithësi nuk jam në mendje të shpreh ndonjë gjykim, sepse nuk e njoh shumë Whitman-in.
Por përsa i përket Dostojevskit, Majakovski ishte afër shpirtërisht, jo politikisht dhe kjo ‘’shpirtërisht’’ është tamam ajo, që quhet ‘’dashuri midis dy shpirtrash’’ …Ka disa vjersha në të cilat Majakovski merr përsipër gjithë fajin për dhëmbjet e njerëzimit, kështu si ka bërë dhe Dostojevski.’’
Ja, një fragment, ku ritmi ” e ben te padukshem mungesen teresore te rimes, pa perjashtuar asonancat, qe jane “ kushurira “ te rimave”, të poezisë ‘’Shitje e lirë’’, të përkthyer nga Moikom Zeqo:
Çdo femër fillestare
S’do të harrojë të shkrihet në lot,
Duke lexuar vargjet e mia!
Unë jam pesimist?
Femra të tilla do të ketë në Amëshim.
Dëgjojeni pra, gjithçksa, që zotëron
Shpirti im
E ardhmja do të m’i ndjejë hapat.
Me gjëmime madhështore!
Shpirti im do t’i thërrasë
tërë të gjunjëzuarit në shekuj
në një Mbledhje Botërore!
Shpirtin ua jap në çast,
Veç për një fjalë njerëzore.
Duket qartë muzikaliteti i linearitetit , madje dhe rimat , por jo te rregullsise absolute, varg mbas vargu, por krejt te ndermjetme , qoftë si artikulim mendimi ,qoftë, dhe sidomos “ pa asnje humbje subjekti.”
Prandaj merr peshë mendimi, se të përkthesh Majakovskin nuk do të thotë se përkthyesi është vetë Majakovski , por tentohet të përkthehet shpirti i Majakovskit për ta prurë atë, në botën shqiptare ,aq më tepër tani ,kur ai diskutohet gjërësisht nga kritika perëndimore në favor të ideve dhe performancave futuriste.
***
Në përkthimin e librit për Majakovskin futurist, natyrisht një pjesë e suksesit i takon shtëpisë botuese ‘’Zenit Edition’’, se paraqitja tipografike nuk ka mbingarkesa të lidhesave, parashtesave e prapashtesave, pasthirrmave e të ngjashmeve me to.
Vargu ka marrë përveç formës dinamike, lineare edhe atë të pamjes lakonike, minimaliste.
Këto dy ndryshime edhe pse të kritikuara nga shtypi, vinë si formë strukturore e re poetike, larg vargut tejet të thyer, por gjithmonë pa humbur forcën dhe shpirtin e shprehjes Majakovskiane.